Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ardian Ndreca: Kush e bjen masonerinë në vendin tonë?

| E enjte, 17.01.2008, 07:29 PM |


Kush e bjen masonerinë në vendin tonë?

Ata që dëshirojnë me minue institucionet demokratike

Nga Ardian Ndreca

Ardian Ndreca
Kreu i Grand Orient-it vjen në Tiranë, deri këtu asgja për t’u shenjue, jemi vend i lirë dhe të gjithë mund ta vizitojnë vendin tonë.
Por Mjeshtri i madh i nji prej lozhave ma të randsishme nuk asht dokushdo, pse vetë shoqnia sekrete që ai kryeson nuk asht nji shoqni dosido prej atyne që ndihmojnë vejushat e kohës së luftës apo qentë e braktisun.
Masoneria asht nji lëvizje e mshehtë, mbrendinë e së cilës e njohin me të vërtetë vetëm ata që janë pjestarë aktiv, pra objektivat e nji lozhe nuk janë publike ashtu siç nuk asht gjithnji publike pjesmarrja në të.
Lozhat masonike kërkojnë prej antarëve bindje pakushte, besniki ndaj idealeve dhe nji betim për ruejtjen e sekretit. Disa lozha, zakonisht jo të tipit francez, besojne në Arkitektin e Universit i cili nëpërmjet nji dije të mshehtë ezoterike i jep mjeshtrit dhe antarëve simbas hierarkise dije dhe dinjitet.
A mund të pranohet ideja që në nji shoqni demokratike fatet e vendit t’i vendosin disa burra me përparse (ban pjesë në veshjen e masonit) që kanë ba nji betim sekret dhe që detyrimisht nuk mund të bajne betime të tjera të vlefshme?
A mund të marrin pjesë në jetën politike, ekonomike, ushtarake të nji vendi njerëz që bajnë pjesë në shoqata konspirative, të cilat nuk respektojnë minumin e rregullave demokratike dhe i shërbejnë interesave të ngushta të nji “elite” pa emën dhe pa fytyrë?
A mund të pranohet ndërtimi i nji shteti mbrenda shtetit, i nji tempulli me autoritetin e vet, me forcen e vet, me kontrollin e vet kapilar të çdo fushe të jetës?
Masoneria ka qenë e implikueme, jo para 200 vjetsh, por deri para pak dekadash, në grushte shteti, në bankarota, në “vetvrasje” të paspjegueshme, në konkurrencë të paligjshme, në trafiqe të paligjshme... dhe në shumë vende ka mbushë për vite me rradhë faqet e kronikës nëpër gazeta, mjaft të kujtojmë lozhën italiane P2 të Licio Gelli-t.
Objektivat e saja në letër janë të bukura e mund të rrejnë ndonji andej nga ne, por frytet e saja janë antidemokratike dhe minojnë themelet e Shtetit, mbasi mshehtësia, konspirativiteti, ideja e shkëmbimit të favoreve reciproke mes antarëve të saj janë dukuni që nuk përputhen me idenë dhe me rregullat e Shtetit demokratik.
Masonët e kanë zakon me përmend se në rradhët e tyne ka qenë ky apo ai njeri i madh. Po e lamë mënjianë idenë “njeri i madh”, por s’duhet të ngatrrojmë gjanat: njerzit e mëdhaj që ata përmendin nuk kanë qenë të mëdhaj pse kanë qenë masonë, por kanë qenë të mëdhaj pse kanë qenë të tillë. Mozart-i nuk ka kompozue muzikë të naltë pse ka qenë mason, apo Kiplingu s’ka shkrue gjana të mrekullueshme pse i përkiste nji lozhe.
Tashti problemi asht: kush e solli masonerinë tek ne?
Kush na e përcolli Grand Orient-in tue kërkue edhe angazhimin e Shtetit shqiptar për pritjen e funksionarëve të tij?
Ka shekuj që ndër të gjitha vdekjet ne parapëlqejmë vetvrasjen dhe kjo vizitë nuk shenjon asgja tjetër veçse nji vetvrasje të andrrave demokratike që janë të çlirta dhe nuk mshehen mbas numrash, kodesh e pseudonimesh.
Ata që sollën masonerinë janë ata që dje dhe sot kanë punue haptas dhe mshehtas kundër interesave të kombit tonë e kur ndokush thonte se mos janë të shitun që kryejnë veprime kaq të randa kundër interesave tona kombtare, kishte parasysh edhe këtë skenar.
Jemi nji Shtet i dobtë dhe po lejuem që masoneria të marrin në dorë frenat e tij, kemi mbarue përjetë – pse nuk mund të rilindim ma si popull po do të mbesim në dorë të nji grupi okult dhe me interesa të ngushta që do të na sundojë në bazë të parimit mason: kush din sundon atë që nuk din.