E premte, 19.04.2024, 08:52 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

"Limes": Ja Shqipëria e Sali Berishës

E shtune, 12.02.2011, 10:08 AM


Nga Arben Rrozhani

 

"Limes", revista gjeopolitike italiane

 

"Limes" është revista italiane e gjeopolitikës, botim i themeluar në 1993-in, që është afirmuar si më influencuesja dhe autoritare e refleksioneve gjeopolitike në Europë. Është në pronësi të grupit mediatik italian "Espresso" që boton edhe gazetën më të madhe në Itali "La Repubblica" dhe revistën "Espresso".

 

Analiza dhe hartat e një vendi që nuk mund të zbatojë skenarë si Tunizia, ku opozita e majtë është e përçarë përballë një kryeministri që nuk iku as në 1997-ën, kur dhuna ishte ekstreme. Përdorimi i grushtit të hekurt nga Berisha, me vrasjen e tre njerëzve, pse nuk tërhiqet dhe pse palët do të shkojnë te tavolina e bisedimeve, për të bërë "Pazar" për fatet e një vendi të zhytur në trafik dhe korrupsion

 

Shqipëria nuk mund të jetë Tunizi, por është Shqipëri, që do të thotë një vend i paqëndrueshëm, me ambicie të shumta për pushtet, me korrupsion dhe trafiqe të shumta.

 

Revista gjeopolitike italiane "Limes", merr shkas nga ngjarjet e 21 janarit 2011 për t'iu kthyer dosjes së vendit të Shqiponja. Revista bën një përmbledhje të ngjarjeve që çuan te dhuna, vrasjet dhe mosdënimi i ushtarëve që qëlluan.

 

Në qendër të analizës është lideri i opozitës që është në krye të protestave, por që përballë Sali Berishës, më shumë është marrë me luftën e brendshme në parti, sesa me rrënimin moral të qeverisjes së korruptuar. Zhvillimet nuk do të jenë si në vendet e botës arabe, thotë analiza, sepse Sali Berisha nuk është Ben Aliu i Tunizisë që ia mbathi në Arabinë Saudite, sepse ai nuk e lëshoi pushtetin as në mars të 1997-ës, kur vendi u zhyt në kaos dhe u desh ardhja e trupave të NATO-s për të siguruar rendin.

 

Përballë opozitës së përçarë është qeverisja e korruptuar dhe një Shqipëri që është një vend burimi për krime, trafiqe dhe korrupsion. Në qytetet më të mëdha të vendit prodhohet, apo shpërndahet droga nëpër rajon dhe më tej në Europën Perëndimore. Një vend që vijon të jetë burim i trafikimit të njerëzve dhe të emigrantëve të paligjshëm që shkojnë për në Europën Perëndimore.

 

Hartat e "Limes": Ja Shqipëria e Sali Berishës

Shqiptarët e drogës

"Limes" thotë: "Qytete si Tirana, Fieri, Shkupi, Prishtina dhe Presheva janë qendrat më të mëdha të mbledhjes, apo shpërndarjes së drogës në rajon. Në hartat e "Limes" Shqipëria është një vend me shumë histori dhe të dhëna: e pasur me krime, korrupsion, trafik droge dhe njerëzish.

 

Qytetet shqiptare të trafikut të drogës për përdorim të brendshëm, apo për ta eksportuar në Europën Perëndimore, shtrihen brenda dhe jashtë kufijve: Në Shqipëri janë Tirana dhe Fieri zonat ku është përqendruar trafiku i narkotikëve dhe ku veprojnë trafikantët.

 

Jashtë kufijve të Shqipërisë është kryeqyteti i Maqedonisë, Shkupi ku ka një prani të madhe shqiptarësh, është Prishtina kryeqyteti i Republikës së Kosovës dhe Lugina e Preshevës, krahinë autonome e banuar me shumicë shqiptare nën juridiksionin e Serbisë.

 

Lumi Shkumbin, ndarja sipas Berishës

 

"Limes" thotë: "Lumi Shkumbin ndan Shqipërinë e sipërme, zonë e fortë e kryeministrit aktual Berisha, nga Shqipëria e poshtme më e afërt me socialistët e Edi Ramës".

 

Kjo ndarje në fakt nuk është e saktë, bazuar në të rezultatet e zgjedhjeve vendore, apo elektorale. Në sfidën e fundit elektorale të 28 qershorit 2009, PS-ja, me gjithë manipulimet e shumta gjatë procesit të votimit dhe sidomos numërimit nga ana e partisë në pushtet, arriti të fitonte jo vetëm në jug, por edhe në veri, duke marrë vota popullore më shumë se e djathta.

 

Po kështu edhe në zgjedhjet e shkuara vendore të 18 shkurtit 2007, kur koalicioni i majtë fitoi shumicën e zonave urbane, në të gjithë vendin, ndërsa e djathta në shumicën e zonave rurale. Ndarja e tillë, e ka frymëzimin te kaosi i vitit 1997, kur regjimi i ish-presidentit Berisha tentoi të vinte përballë Shqipërisë së Jugut, banorët e veriut, por që dështoi me turp.

 

Shqipëria, burim dhe rrugë narkotrafiku

 

"Limes" thotë: "Rrugët rajonale të trafikut janë të lidhura me shtetet fqinje, ku gjendja është jashtë kontrollit, si Serbia apo pjesa jugore e Malit të Zi.

 

Në analizën e djeshme në Policinë e Shtetit, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Lulzim Basha deklaroi se policia shqiptare ka qenë më e mira në rajon për luftën ndaj drogës.

 

Por vendi vazhdon të jetë burim, apo bazë e prodhimit të drogave. Sipas kësaj harte rrugët e trafikut të drogës nisin nga Greqia, hyjnë në Kakavijë për të vijuar në Gjirokastër, Fier, Tiranë, Lezhë, Shkodër, Bajram Curri. Një rrugë tjetër vjen nga Prizreni i Kosovës dhe hyn në Kukës, ndërsa nga Shqipëria rrugët vijojnë në Vlorë apo Durrës në drejtim të Italisë, ose nga Lezha në drejtim të Ulqinit, apo nga Shkodra në drejtim të qytetit Bar në Mal të Zi.

 

UNODC, agjencia e drogave me seli në OKB, në raportet e saj për Shqipërinë, gjithnjë ka theksuar se me gjithë ndihmën e madhe teknike në pikëkalimet kufitare të vendit, kufiri i Shqipërisë është mjaft poroz për drogat që vijnë nga Azia, ndërsa nuk mungon as prodhimi vendas, siç është rasti skandaloz i Lazaratit.

 

Zonat jashtë kontrollit

 

"Limes" thotë: "Zona e liqenit të Shkodrës, një pikë takimi mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, ku ka edhe një pakicë të fortë shqiptare, është një zonë kritike, sepse është jashtë kontrollit".

Historikisht kështu ka qenë.

 

Që në fillim të viteve '90 kjo pjesë ishte nën kontrollin e trafikantëve, që kishin korruptuar edhe autoritetet, duke trafikuar mallra me akcizë të fortë, si duhanet, karburantet, deri te bananet apo mallrat e konsumit të përditshëm. Falë shkallës së lartë të kontrabandës shtetërore në Mal të Zi, në ato vite kjo pjesë ka qenë në krye të punëve të pista të kryera nga dhe në Shqipëri.

 

Kontrabanda u intensifikua gjatë kohës së luftës në Ish-Jugosllavi, kur me lejen e qeverisë së PD-së dhe të ish-presidentit Sali Berisha, vendi theu rregullisht embargon e vënë nga OKB për regjimin e Slobodan Millosheviçit, madje në krye të trafikut të karburanteve ishte firma "Shqiponja" e PD-së.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora