E premte, 19.04.2024, 10:25 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Haxhinasto: Presim që Athina të distancohet nga konsulli i Korçës

E shtune, 12.02.2011, 09:03 AM


Deklarata e ministrit të Jashtëm, pas kërkesës së Unionit të Gazetarëve Shqiptarë për reagim

 

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, i cili mban edhe postin e zëvendëskryeministrit, deklaroi dje se Athina zyrtare duhet të distancohet nga deklaratat e konsullit grek në Korçë, i cili bëri thirrje për betejë për Vorio-Epirin. Ministri e bëri këtë deklaratë gjatë një takimi me gazetarë, përfaqësues të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, të cilët paraqitën një kërkesë për reagim energjik të institucioneve tona ndaj deklaratës së konsullit Theodhoros Ikonomu.

 

Takimi

Unioni i Gazetarëve pati dje një takim me zv/kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, z.Edmond Haxhinasto, ku paraqiti kërkesën për një reagim më energjik lidhur me deklaratën e konsullit grek në Korçë, të cilat cenojnë integritetin tonë kombëtar. Zv/kryeministri dhe ministri Haxhinasto u shpreh gjatë takimit se, me marrjen e njoftimit nga media, Ministria e Punëve të Jashtme ka realizuar verifikimet përkatëse dhe pas kësaj ka thirrur ambasadorin e Greqisë për sqarime. Ministria e Jashtme e ka quajtur deklaratën e konsullit grek, të “papranueshme”. Ky qëndrim është paraqitur edhe para Komisionit të Jashtëm të Parlamentit.

Ministri Haxhinasto tha se, “jemi në pritje të reagimeve nga pala greke, të cilët nga ana e tyre kanë shprehur se ato deklarime nuk janë qëndrime të shtetit grek, por individuale. Pas reagimit grek, ne do të rishikojmë qëndrimin. E vlerësoj iniciativën tuaj, - vijoi ministri Haxhinasto, - sepse bëhet në mënyrë qytetare dhe profesionale. Të vazhdojë e tillë dhe për çështje të tjera”. Ai premtoi që shqetësimi i Unionit për çështje të caktuara të politikës së jashtme mund të paraqitet drejtpërdrejt në Ministrinë e Jashtme, sepse është institucioni që i shërben interesit të të gjithë shqiptarëve. “Jemi të hapur për t’ju kontaktuar dhe mirëpritur kontributin tuaj për realizimin e objektivave kombëtare në politikën e jashtme”, - u shpreh ministri i Punëve te Jashtme, z. Haxhinasto.

 

Deklarata

Përpara këtij takimi, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë doli me një deklaratë, me anë të së cilës shprehej shqetësimi ndaj provokimit përmes deklaratës së papërgjegjshme të konsullit të Greqisë në Korçë, zotit Theodhoros Ikonomu. “Provokimi i tij cenon thellësisht ndjenjën dhe integritetin tonë kombëtar. Ai përbën një incident të rëndë në marrëdhëniet shqiptaro-greke”, - thuhet në deklaratë. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shprehu solidaritetin me Unionin e Gazetarëve, Dega Korçë, duke mbështetur vendimin e tyre për të bojkotuar çdo veprimtari të konsullit dhe Konsullatës greke në Korçë, deri në një reagim zyrtar për distancimin nga kjo deklaratë provokative.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagoi pranë Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, duke kërkuar jo vetëm reagim të fuqishëm institucional, por duke i treguar vendin e merituar çdo individi që tenton të cenojë integritetin dhe dinjitetin tonë kombëtar. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, deri në largimin e konsullit grek të Korçës nga Shqipëria, do të bojkotojë të gjitha veprimtaritë e selisë diplomatike greke në Korçë, dhe për këtë do të kërkojë mbështetjen nga gjithë spektri i mediave kombëtare dhe lokale në vend.

 

Spahiu: Asimilimi po ndihmohet me ligj

Gazeta SHQIP,2011-02-11

Engjëll Serjani

Kreu i KLD-së shkon në Gjirokastër, kritikon ligjvënësit për situatën e krijuar

Gjatë një vizite dhe një takimi të shpejtë me një grup të vogël gjyqtarësh, të zhvilluar dje paradite në një nga sallat e Gjykatës së rrethit Gjirokastër, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu ka dhënë alarmin se vendimet gjyqësore për ndryshimin e kombësisë rrezikojnë seriozisht rendin kushtetues, sovranitetin e shtetit dhe asimilimin e pjesshëm të kombit shqiptar.

Duke folur para gjyqtarëve në Gjirokastër, zoti Spahiu tentoi të bëjë një analizë juridike të problemit të ndryshimit të kombësisë, një tendencë e rrezikshme që sipas tij është kthyer në një fenomen shqiptar të panjohur në praktikat juridike të së drejtës ndërkombëtare dhe jashtë kornizave ligjore të vendeve të Bashkimit Europian.

Sipas tij, shifra e më shumë se 1600 vendimeve gjyqësore për ndryshime kombësie vetëm në Gjykatën e Gjirokastrës dhe 469 vendimeve nga Gjykata e Rrethit të Përmetit për të ndryshuar kombësinë, është një fenomen i çuditshëm, pasi çështja e kombësisë është një problem gjenetik, krejt i ndryshëm nga ndryshimi i shtetësisë dhe i emrit. “Në këto rrethana të rrezikshme, kur tendenca është kthyer në një fenomen të rrezikshëm, ne do të inspektojmë çdo abuzim me ndryshimin e kombësisë dhe të gjitha rastet abuzive të evidentuara nga Inspektorati i KLD-së brenda periudhës 5-vjeçare do të rihetohen në Inspektoratin e Ministrisë së Drejtësisë dhe do të ndëshkohen”, - nënvizoi Spahiu.

Pavarësisht kritikave të ashpra ndaj gjyqtarëve, Spahiu tha se kjo gjë është një problem ligjor dhe se përgjegjësia kryesore i përket tërësisht ligjvënësit.

“Pavarësisht nga ligji i vitit 2002, ndryshimi i tij në vitin 2003, edhe ligji “Për gjendjen civile” që mban numrin 10129, i vitit 2009, është më liberal se ligjet e mëparshme, pasi në nenin 58 të tij ai parashikon kuptimin dhe mundësinë e ndryshimit të kombësisë si një nga treguesit e gjendjes civile”. Paragrafi i parë i këtij neni parashikon si përjashtim, ndryshimin e kombësisë së fëmijës kur prindërit kanë kombësi të njëjtë, por përjashtim nga ky rregull në këtë ligj pranohet kur ka pasaktësi në kombësinë e prindërve. Sidoqoftë, ndonëse ndonjëherë ndodh edhe për arsye ekonomike apo në rrethana të varfërisë, në rastin tonë kemi ndryshime masive dhe këto janë të patolerushme, të papranueshme, pasi cenojnë jo vetëm Kushtetutën, sovranitetin dhe identitetin e shqiptarëve, por dhe të drejtën ndërkombëtare dhe praktikat e vendeve të Bashkimit Europian”, - theksoi në Gjirokastër, numri dy i KLD-së, Kreshnik Spahiu. Vizita e Kreshnik Spahiut në Gjykatën e Gjirokastrës vjen pak ditë pas vizitës së tij në Korçë, që u fokusua në të njëjtën temë.

 

“Grekët po përpiqen të na asimilojnë”

Gazeta SHQIP,2011-02-11

Minoriteti maqedonas

Deklaratat e konsullit grek të Korçës kanë sjellë edhe reagimin e minoritetit maqedonas. Sipas kryetarit të shoqatës maqedonase “Sonçe” (“Dielli”), Vasil Sterjovski, deklarata e përfaqësuesit diplomatik grek është e papranueshme. Ai tha se, “deklaratat e konsullit grek janë të papranueshme dhe në dëm të të gjitha minoriteteve në Shqipëri. Konsulli grek po ndërhyn në punët e brendshme të shtetit shqiptar dhe po bën asimilim të shqiptarëve, maqedonasve, vllehve dhe romëve këtu. Regjistrimi real i popullsisë është e vetmja mënyrë për të shmangur këto përpjekje dhe në formularët e regjistrimit duhet të shënohen minoritetet e njohura nga shteti shqiptar. Në këtë mënyrë mund të mënjanohet manipulimi nga ana e Greqisë”. Kryetari i shoqatës maqedonase “Sonçe” tha se, konsulli grek duhet të largohej që më parë, sepse këto qëndrime të tij janë të përsëritura. “Duhet të largohej qysh në momentin kur financoi shkatërrimin e varreve të Boboshticës”, - tha Sterjovski.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora