E shtune, 20.04.2024, 01:34 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Me miq të fjalës së bukur

E premte, 11.02.2011, 08:58 PM


 

ME MIQ TË FJALËS SË BUKUR

 

Nga PËLLUMB GORICA

 

Me një ndjenjë të këndshme miqësore dhe dëshirën për të takuar miqtë e mi, u gjenda pranë komunitetit të krijuesve durrsakë. Një ditë e mbingarkuar nga zemrat bujare të fisnikëve durrsakë, me bukuri mendore e modesti shpirti. Miqësitë e krijuesve kanë shumë ngrohtësi, sinqeritet, origjinalitet, gazmend, qoftë kur bisedon, kur pi një kafe apo edhe kur shijon një drekë të thjeshtë.

Vlerat e gjërave varen kryesisht nga këndvështrimi që i percepton ato. Edhe një takim i thjeshtë miqsh, në një mjedis intim që nuk mund të përsëritet më dhe që i shërben deri diku një qëllimi, ka rëndësinë e vet. Madje, mund të shndërrohet në një ngjarje të rrallë. Kështu ndodhi edhe këto ditë në një takim krejt të rastësishëm me miqtë e mi durrsakë.

Në përkitjet me shoqërinë e miqve të mirë me vlera njerëzore, kulturore e krijuese, me të cilët shumica nga ne kalojmë një pjesë të mirë të jetës, nuk duhet të harrojmë se janë njerëz të etshëm për të çmuar, vlerësuar e respektuar miqësinë e vërtetë, me emocione që të mbeten për një kohë të gjatë në mendje. Këto çaste të bukura, përjetimesh dëshiron jo vetëm t’i fiksosh në foto, por edhe të shkruash.

Durrësi është një qytet që jeton jetën e vet të vrullshme e dinamike e që meriton të përmendet. Lashtësia flet me heshtjen e mureve të kalasë, amfiteatrit antik. Ajo, e kombinuar me modernen në qendër e periferi të tij, udhëton këndshëm si dy miq të mirë, të cilët janë hijeshia, kultura, zhvillimi i qytetit. Brenda këtij gërshetimi, udhëton geni popullor i Durrahut të lashtë. Natyrisht janë këta tregues, që tregojnë se kush janë, nga kanë ardhur, cilët kanë qenë figurat e ndritura dhe vlerat e tyre njerëzore, që i kanë dhënë emër qytetarisë durrsake, traditës dhe kulturës.

- Historia e qytetit tonë nuk tregohet vetëm në libra historie, në mure të vjetër, apo stenda muzeore, as edhe me një shpjegim të shkurtër historik nga thellësia e shekujve, - të thotë miku ynë, studiuesi Fatmiri Minguli, në kurorën e flokëve të të cilit ka rënë lehtë e bardha borë, me pamjen e njeriut të virtytshëm. Dhe kur e pyet për të ditur më shumë ke dëshirë ta dëgjosh më gjatë. Emrin e tij qyteti nuk e ka zbehur asnjëherë mosnjohja, rëndësia, vlerat, figurat, bujaria, miqësia.

Në zemrat, sofrat, bujarinë e qytetarëve të Durrësit të gjithë janë miq të barabartë, pavarësisht moshës, të njohur apo kalimtarë. Edhe kur e shkel për herë të parë atë ke ndjesinë se njihesh prej vitesh. Sidomos kur ky respekt vjen nga elita e intelektualëve dhe ajo e brumit krijues të këtij qyteti.

Kështu, në këtë ditë kur dielli lëshonte rrezet bujarisht dhe të gëzonte syrin, lundroi mes miqve, të rinj e të vjetër në moshë respekti, harmonia, gazi. Edhe pse disa nga ata të ulur për herë të parë në të njëjtën tryezë, atmosfera e ngrohtë, miqësore dhe e harmonishme midis tyre iu bashkua rrezeve të këtij dimri të acartë. Përshëndetemi të gjithë miqësisht, me respekt e përzemërsi si të ishim njohur prej kohësh. S’ka gjë më të mrekullueshme kur je mes emrave të njohur të penës durrsake, që kanë sjellë vlera. Me Nikolla Spatharin, Agim Bajramin, Fatmir Mingulin, Daut Hoxhën, Vladimir Muçën dhe Piro Mingulin. Shumicën prej tyre e takoja për herë të parë. Me vete kisha disa kopje të librit të botuar kohët e fundit për t’ua dhuruar miqve krijues, siç më dhanë edhe ata librat e tyre poetikë e me urimin për suksese të mëtejshme në rrugën e vështirë, por të bukur të artit.

Është më se e natyrshme që me mençurinë dhe nivelin intelektual nisim bisedat dhe koha fluturon pa u ndier. Diskutojmë për një gamë të madhe të temave, ku tradita dhe historia, kultura dhe arti, vendlindja, arsimi, udhëtimet, miqtë e mirë janë më kryesoret.

Autori i disa librave me tregime, romane dhe poezi, i cili është marrë me historikun e lëvizjes socialdemokrate të Musine Kokalarit, Daut Hoxha, i thyer në moshë, por i këndshëm e i çiltër, shpërthyes e me gojëtari dhe elokuence mbresëlënëse, në ato çaste i jep mjedisit kënaqësi estetike me humorin e tij të lehtë. Nuk tundohesh aspak kur këto çaste  dëshiron t’i fotografosh. Vladimiri, një ish ushtarak, me urtësinë e tij u jep udhë temave letrare, duke u futur në shqetësimet e krijuesve. Mes fjalëve të sinqerta, poeti Agim Bajrami me krijimet e tij që të kënaqin shpirtin, është vlerësues në gjykime për një krijimtari më cilësore.

Me pas, në një nga lokalet e shumta buzë detit, në Currilat, atje ku miqtë tanë mblidhen herë pas here, shijuam një drekë të këndshme me peshk të freskët, me gota vere në natyrë, nën ngrohtësinë e rrezeve të praruara të këtij dielli mesdhetar, me gëzimin që të fal ai. Biseda rrjedh e shtruar si dallgët e qeta të detit, që nanurit aty nën këmbë tona pa e trazuar trokitjen e gotave dhe urimet e përzemërta për miqësinë tonë krijuese.

Panorama e detit qetëson çdo shpirt. Piro, pensionist e poet shprehet: “Çdokush që vjen këtu edhe në dimër ndjen kënaqësi me soditjen e kësaj natyre. Është magjia e tij që ne tërhiqemi në mënyrë të jashtëzakonshme këtu në këtë vend. Kjo, dhe momentet e bukura që kalojmë me miq, sigurisht, edhe nën muzikën e lëshuar në sfond nga bokset e lokalit, të çojnë në meditime që fluturojnë larg hapësirave të pafundme të imagjinatave. Me lumturinë dhe gëzimin shpirtëror që ndjen kur je mes miqve të tillë, natyrisht askush nuk mund t’i rezistojë një kënaqësie tunduese si kjo”.

Respekti i atyre që shkruajnë, atyre njerëzve të mrekullueshëm e me botë, që japin kudo mesazhe vlerash paqeje e miqësie, është vazhda e traditës së lashtë të mikpritjes durrsake, e cila jeton si tek i vjetri dhe i riu, tharm i bujarisë fisnike shqiptare, që rrezaton natyrshëm në fytyrat e kujtdo prej tyre.

Miqtë zgjidhen dhe respektohen jo vetëm për vlerat, por edhe për shpirtin e gjerë e dashamirësinë që dhurojnë.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora