E premte, 19.04.2024, 04:35 AM (GMT+1)

Përjetësi » Mani

Kadri Mani: Demir Krasniqi, Rapsodi i luftëtarëve të lirisë

E merkure, 21.05.2008, 07:06 PM


Demir Krasniqi
Demir Krasniqi, Rapsodi i luftëtarëve të lirisë

Nga Kadri Mani

Demir Krasniqi, u lind më 1950 në Tugjec të Malësisë së Gallapit (Daradanë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Shkollën e Mesme të Muzikës në Prishtinë dhe u regjistrua në Shkollën e Lartë të Muzikës, por për shkaqe ekonomike nuk arriti që ta mbarojë. Ndërkohë u diplomua në dy degë të gazetarisë (Radio-gazetari dhe gazetari hulumtuese) në Universitetin e Gazetarisë Norvegjeze dhe në Universitetin e Gazetarisë Kanadeze.

Si arsimtar i kulturës muzikore, ka punuar në shumë shkolla fillore dhe të mesme, por është marrë edhe me gazetari në radio e televizion. Është i njohur dhe mjaft i popullarizuar, sidomos në Anamoravë si rapsod edhe interpret i muzikës popullore, krijues i këngëve në frymën e melosit tradicional popullor dhe kultivues i parodive, humorit dhe satirës popullore.

Është pjesëmarrës i dhjetëra festivaleve kombëtare dhe ndërkombëtare, publikues i shumë disqeve të gramafonit dhe i mbi 70 albumeve të këngëve dhe muzikës popullore shqiptare. Demiri është autor i mbi 2000 këngëve dhe valleve origjinale dhe mbledhës i mbi 4000 këngëve të ndryshme popullore. Deri më tash i ka botuar këto vepra:

1.                  "Mallëngjime dhe oshtima", Prishtinë, 1993;

2.                  "Qamili i Vogël - zë që nuk shuhet", Prishtinë, 1995;

3.                  "Gjakon Kosova", Gjilan, 1998;

4.                  "Këngë krismash lirie", Gjilan, 2000;

5.                  "Bejtë Pireva", Gjilan, 2002;

6.                  "Zeqir Maroca", Gjilan, 2002;

7.                  "Këngë krismash lirie", II, Gjilan, 2003;

8.                  "Familja Kurti nga Tugjeci", Gjilan, 2003.

Në dorëshkrim i ka të gatshme edhe shumë vepra të tjera që presin botimin.

Demir Krasniqi jeton dhe vepron në Gjilan.

 

 

Demir Krasniqi, rapsod/ Këngë për luftëtarët e lirisë

 

FLAKA E JANARIT

 

            Flaka e Janarit – flakë e   yjësisë,

Kushtrim i shqiptarit –  thirrje e  lirisë!

            Flaka e Janarit erdhi në Gjilan,

Seç i shporri mjegullat – diell mbi vatan!

                                    Refreni:

                         Jusufi, Bardhoshi edhe Kadri Zeka,

                         Nuk i trembi plumbi, nuk i trembi  vdekja!

                         Bashkë me ta Zijahu, Rexhepi, Nuhiu –

                         Bora dhe acari – gjakun nuk jua ngriu!

 

            Flaka e Janarit -  flakë që  na bashkon,

Dëshmorët e kombit, përherë  i nderon.

            Kujton heroizmat që prej  Skënderbeut,

Që flijuan jetën për liri t’ Atdheut!

                                    Refreni:

                        Jusufi, Bardhoshi edhe Kadri Zeka...etj.

 

            Jo, nuk vdesin kurrë trimat legjendarë,

Jetojnë në pikturë, n’ bronz e n’ lapidar.

            N’ faqe t’ historisë me  shkronja të arta,

N’ vargje t’ poezisë, me këngë e lëvdata!

                                    Refreni:

                                    Jusufi, Bardhoshi edhe Kadri Zeka...etj.

 

(Demir KRASNIQI, në 17- Vjetorin e manifestimit

mbarëkombëtar, Gjilan, më 17. 01. 2008)

 

 

  

VESEL KOSOVICA

 

Kur u dogj krejt Prapashtica –

U betua Vesel Kosovica:

“Mbi çetnikë, që vranë shqiptarë,

Kurdoherë, gjak kam me marrë!”

 

Ai, Veseli – një trim si zanë,

Ishte kanë kaçak me famë!...

Shkon Veseli, me Ajet Bllatën –

N’ Domaroc, e vrasin Radën!...

 

E vranë Rade Popullanin,

Vranë çetnikun, zullumqarin.

Vranë Stojanin, n’ Domaroc –

Ndër xhelat, nuk kishte shoq!

 

Ai, Stojani, s’dinte për prita,

Ish vojvodë përmbi komita!...

Në Gallap, n’ katunde mbarë –

Shumë ka pre, ka vra shqiptarë!...

 

Prej Presheve e n’ Kamenicë,

N’ Keçekollë e n’ Prapashticë...

Kriminel i dorës së parë –

Kasaphane ka ba n’shqiptarë!...

 

 

AJET KOSOVICA

 

Ajet Kosovica, një trim shqiptar,

Patriot e luftëtar.

Qysh i  ri, ishte frymëzua –

Për Atdhe, qysh me luftua!

 

Me e ruajt nderin dhe kufirin,

Me e dëgjua Mulla Idrizin,

Shyt Marecin, Muharrem Fejzën,

Hasan Remnikun, Hysen Tërpezën!...

 

Qysh i ri, në çdo konak –

Kishte mësua shumë për kaçakë!...

Atdhetarizmin e kishte n’ gjak –

Ndaj xhelatëve, me marrë hak!

 

Ajet Kosovica, trim i vërtetë,

Kishte n’grup 16 vetë...

Ishin forca vullnetare –

T’Rezistencës tonë shqiptare...

 

Mbrojnë kufijtë n’Kosovë lindore –

Mirë po u shkonte pushka për dore...

N’tanë Malësinë nëpër Gollak –

Luftë-o po bënin si ushtarakë!

 

Mori rrugën ilegal –

Disa vjet  qëndroi në mal...

Më parë donte t’ pushkatohej,

Se i gjallë, shkjaut t’ i dorëzohej!

 

Disa vjet, n’mal ka jetua,

Gigë Strezoci e ka lajmërua!

Me i herë OZNA e kanë rrethua,

E kanë lidhë, n’burg e kanë çua.

 

Iu lëshuan OZNA, sikur xhelatët –

Kallëzoj shokët, ku i kanë jatakët?!

Ja kanë shkoq mishin dredhë-dredhë,

As një fjalë dot s’ia kanë nxjerrë!

 

OZNA, fort ishte tërbua –

Për Ajetin, që s’ka kallëzua!

Gjithë torturave iu përballoi –

Atëherë OZNA e pushkatoi!...

 

Kështu punojnë trimat e paqtë –

As një vëlla, s’e marrin n’qafë!

Ma me qejf vdekjen e presin –

Se bukëdhënësit në Besë t’i presin!...

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

FETAH AHMETI[1]

(Teksti: Kadri Osmani – Muzika:Demir Krasniqi)

 

Më njëzet të muajit Tetorit,

Ra në duart e tradhtarit,

Ndër tortura e ndër  qelia –

Pa ditë gruaja, pa ditë fëmija!

 

Mu nga puna t’ndanë atë ditë,

Që t’mos shohësh ma, diell as dritë!

T’ndanë nga gruaja me gjashtë fëmijë –

T’humbën jetën n’burg të zi...

 

Kaluan mbi ty, plim stërvinarë,

Duke t’thithur gjakun e kuq,

Thithëlopat në gjak tëndin bënin garë –

Derisa trupi i njomë të ra lëmuq!

 

Mullizeza bëri klithje –

Lajm i zi erdhi n’familje,

Mori vesh fshati e mileti –

Ndërroi jetë Fetah Ahmeti!

 

Si erdh vdekja – kush s’e diti!

Thanë:”N’ spital i ka dalë shpirti...!?”

Kush e mbyti e dimë krejt –

Kurrë për jetë, falë s’ka me i mbet!

 

Në këto troje, ndër shqiptarë,

S’ka mbet gjak ende pa u marrë.

Del ndo ‘i  nënë, që lind ndo ‘i djalë –

Dhe Fetahu, s’shkon gjak falë!

 

Të mos vjen, vëlla, dheu i rëndë,

Ti, gjashtë shqipe, pas i ke lënë,

Ka kush të qanë, vëlla, ty me lot,

Sepse shtëpinë e ke me Zot!...

­­­­­­­­­­­­­­­________________________________________________________________________

 

 

 

 

 

KALA QËNDRESE

            - Kadri Osmanit-

 

Sikur t’ishe qengj –

Ujqit do të përmbysnin!

Sikur t’ishe engjëll –

Djajtë  do të gëlltisnin!

 

Sikur t’ishe lis –

Pykat do të  shkatërronin!

Sikur t’ishe gur –

Me dinamit  do të copëtonin!

 

Sikur t’ishe urë –

Demonët do të rrënonin!

Sikur t’ishe vullkan –

Llavat  do të pushonin!

 

Po ti,  ma i fortë se gurë,

Po ti,  s’u bëre urë,

Po ti, qëndrove si burrë,

Po ti, s’u gjunjëzove kurrë!

 

Ti,

Simbol i rezistencës,

Ti,

Kala e qëndresës,

Ti,

Shkëndijë  e shpresës,

Ti,

Peng i ndërgjegjes,

Ti,

Flakadan  i besës.

 

Gjilan, më 14 Janar 2008         

 

ZEQË VËRBANI
rapsodi

N'dorë e mora çiftelinë,
Ta shpaloj pak historinë.
Ta këndoj nji trim shqiptar -
Zeqë Vërbanin, atdhetar!

Zeqë Vërbani, si kreshnik -
Ka nxanë Grykën n'Kaçanik,
Dërgut
(1) pashës i ka dalë n'pritë,
Nji ushtri e kanë koritë!

Po ban Pasha: "Mjeri unë, i mjeri,
Me këta trima nuk koka seri!"
Idriz Seferi e Zeqë Vërbani -
Kësi trimash i do vatani!...

Këta kreshnikë prej Karadaku -
S'po i trembë topi, s'po i trembë gjaku!...
Le e rritë mbi kreshta t'gurit -
Qenkan loza e Bajram Currit!"

Zeqë Vërbani në rreth t'Vitisë -
Karrshillak po i banë Serbisë!
Nuk duron çetnikë, komitë,
N'dru, Stojanin, e ka mbyt
(2)!

Zeqë Vërbanin, atë zog shqiptari -
S'e tremb serbi, as bullgari!
(3)
S'e tremb Krajli i Serbisë,
Jo, as Cari i Rusisë!...

Po kjanë Krajli, n'Beligrat:
"Nji shqiptar, s'po m'le rehat!
N'telegram
(4), po m'proteston -
Për AGRAR, po m'kundërshton!"...

Se n'Gjilan, Krajli ka ardhë -
Zeqë Vërbani, i del për ballë:
"Ty, bre, Krajl, po t'shoh budallë,
Këto zullume, pse s'po i ndalë!
Ti, more, Krajl, keq po gabon,
Qysh po bjen n'Kosovë, kolonë!
N'vend me i hapë shkollat shqiptare -
Po zbaton REFORMË AGRARE!...
Tokat tona me TAPI -
Ja u jep serbëve e Malit t'Zi!
Po i bjen serbë e malazezë -
Kjo REFORMË, të qoftë e zezë!"...

Kështu thotë faqja e historisë -
Kurrë zullumi s'iu nda Shqipnisë!
Nga pushtuesit, nga barbarët -
Kurrë ditë t'bardhë, nuk panë shqiptarët!

Erdhi këtu lloj-lloj barbari -
Iku turku,erdh bullgari,
Malazezi e serbijani,
Këmishazitë dhe italiani!...

Zeqë Vërbani, n'robni ish rritë,
Nëpër lufta, ishte kalitë!
Italianët dhe këmishazitë -
N'tokat tona, ia vrajshin sytë!

"Marrshall"-zeza, italiani,
Thotë:"Kush asht, ai Zeqë Vërbani?
Këmishazitë, po m'i ngacmon,
Këtë regjim, s'po ma duron!"...

Zeqë Vërbani, ai burrë trim,

I del "Marrshallit"(5) n'dyluftim!
N'dyluftim, iu shue jeta,
Veç për komb e troje t'veta!

Zeqë Vërbani, ai sokol mali,
Me armiqë, luftën s'e ndali,
S'e frikësoi Mbreti, as Krajli -
Për Kosovë, jetën e fali!

Zeqë Vërbani, çau stuhi -
Hapi shkolla e ndërroi kufi.
Luftë mbas lufte në Vërban -
Për Atdhe, u ba kurban!

Sa t'ketë trima, si Karadaku -
Kurrë pa tym nuk jet oxhaku!
Sa t'ketë trima, si Kaçaniku -
Kurrë n'Kosovë, s'mund t'shkelë armiku!

Sa t'ketë trima, si Stagova -
Kurrë pa Zot, nuk jet Kosova!
Sa t'ketë trima, si Zeqë Vërbani -
Kurrë pa Zot, nuk jet vatani!

Demir Krasniqi
rapsod popullor

__________
(1) Pas Luftës së Kaçanikut më 1910, Turgut Pasha, Zeqë Vërbanit, Bajramit të Demës, Adem Kurtit dhe disa vërbanasve të tjerë që morën pjesë në luftë, ua dogji shtëpitë.
(2) Në vitin 1912/1913, si përfaqësues i Vërbanit në Komunën e Sllatinës, Zeqë Vërbani ra në konflikt fizik me Vojvodën famëkeq, Stojan Domorocin - Sellkiqin dhe u detyrua të emigrojë rreth 5 vjet në Turqi e Bullgari.
(3) Në qershor 1943 ushtria dhe policia bullgare natën e rrethojnë shtëpinë e Zeqë Vërbanit. Kur hasin në rezistencë nuk guxojnë të hyjnë në oborrin e rrethuar, e vrasin fqinjin e tij, Ali Kovaçin me dy mysafirët e tij Nezir Miftarin dhe Ramadan Mustafën! Me atë rast në rrethana të pandriçuara vritet edhe një nënoficer bullgar për çka akuzohen Zeqë Vërbani dhe bijtë e tij.
(4) Në vitin 1928, Zeqë Vërbani, në emër të shqiptarëve të Sllatinës, i dërgoi një telegram protestues Mbretit Aleksandër në Beograd, me të cilin i kritikoi organet agrare që ua merrnin tokat e punueshme shqiptarëve dhe ua jepnin kolonistëve serbomalazez. Telegrami ruhet edhe sot në Arkivin e Jugosllavisë dhe kopja në Arkivin e Kosovës. Ekzistimin e këtij telegrami i pari e zbuloi dhe e përmendi Dr. Hakif Bajrami në veprën e tij "Rrethanat shoqërore e politike në Kosovë më 1918-1941, botuar në Prishtinë më 1981.
(5) Në vjeshtë të vitit 1943, para shtëpisë së Zeqë Vërbanit zhvillohet një përleshje e armatosur me patrullën italiane ku u përdorën edhe bombat. Me atë rast, vritet Zeqë Vërbani dhe "Mareshali" italian dhe plagosen Hajrush Hajrullahu, Sherif Emini dhe Haki Misini. Italianët nuk arrijnë ta marrin kufomën e italianit të vrarë, i cili varroset aty në afërsi, ku edhe sot i gjenden eshtrat.

 



[1] Fetah Ahmeti nga Përlepnica, të cilin në burgun e Gjilanit undbashët (?irkovi?) e patën var me rrip të gëzofit në kalorifer (radiator), dhe kanë “konstatuar” se kinse a ka var veten!!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora