Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Remzi Limani: Pagjumësia e tingujve të Lule Elezit

| E premte, 11.02.2011, 08:58 PM |


PAGJUMËSIA E TINGUJVE TË LULE ELEZIT

 

Me tingëllimën e bukur të pianos, solemnisht fluturonin tingujt magjepsës të veshur me ngjyrat e zërit që të merrnin me lurtim. Artdashësit vjenez këndshëm u rrëmbyen me rrjedhën e koncertit recital të Lule Elezit. Ekzekutimi brilant i pianistes sonë, me të drejtë e pushtoi qiellin dhe hënën mbi evropën e lashtë.

 

Nga Remzi Limani

 

S'është aspak e lehtë, të arrihet atje ku shekuj me radhë ndriçohet qielli nga tingujt e muzikës klasike. Këtë aksiomë të padiskutueshme na vërtetoi edhe pianistja jonë Prof. Lule Elezi - e ftuar nga Shoqata “Frederik Shopen” e qytetit të Vjenës, ku më 8 dhe 10 shkurt 2010 pianistja në fjalë mbajti dy koncerte recitale. Kjo interprete tashmë e arrirë në profesionin e saj, kësaj radhe për të dytën herë u prezantua para publikut austriak, duke e vërtetuar edhe njëherë cilësinë e lartë të interpretimit artistik, duke na dëshmuar se ajo vërtet din t`i prek virgjëritë e tingujve parajsorë për të vënë në pah pastërtinë poetike të kompozimit dhe përsosurinë e interpretimit virtuoz.

Në dy koncertet e realizuara, pianistja Lule Elezi luajti pa drojë. Ajo, qartazi ekzekutoi veprat e Shopenit, me një qasje dhe arritje të shkëlqyer në përformimin dhe avancimin e teknikës individuale në fushën e interpretimit artistik, kësaj radhe i dalë nga kompozimet e veprave të Shopenit me të gjitha pjesët përbërëse të veprave nga të cilat lindi edhe poetika Shopeniane. Në këtë kontekst, artistja jonë pati një kujdes dhe respekt të vaçantë ndaj autoritetit krijues të kompozitorit në fjalë, veprat e të cilit qëmoti ekzekutohen nga shumë artistë - interpretë me famë botërore gjithandej botës së qytetëruar. Pra, interpretimi i bukur me një intonacion të ngrohtë e të përpiktë flet për cilësitë e larta profesionale që i posedon Lule Elezi. Në këtë kuptim, pianistja jonë me lojën e saj plot shkëlqim, të një fryme dhe timbër me një lartësi të caktuar tonale e vlera tingëllore - sikur e ringjalli madhështinë dhe imazhin e Shopenit në sytë e adhuruesëve të tij, të mbështjellë me ngrohtësinë e tingujve të cilët erëmonin në tërë hapësirën solemne. Kjo mrekulli e tingujve të nartë, bëri që vienezët dhe buzëqeshjet e tyre të vijëzuara të mbesin të magjepsura deri në kohën e duartrokitjeve - kushtuar Lule Elezit, ngase tingëllima e nxjerr me elegancën e gishtërinjve të përkryer, këndshëm i preku zemrat, mendjen, kujtesën dhe nostalgjinë për kompozitorin irëmadh, Frederik Shopen. Dhe, kështu, gishtërinjtë e Lules vazhdonin t`i godasin tingujt e zgjedhur, të qëlluar, duke nxjerrë zërat e njëkohshëm, me elemente përbërës, të bashkuar e me përpjestime  të goditura që na jepnin përputhje të harmonishme. Për këto mrekulli, duartrokitjet ishin vet miratimi i tyre për mjeshtërinë e interpretimit, i cili rezultoi pa asnjë disonancë eventuale që mund ta prishte harmoninë e tingujve. Pra, nën shkëlqimin solemn para syve të evropës, një shqiptare sy bukur dhe interpretimi i saj, shkriu dimrin e acart mbi varrin e Shopenit dhe për një çast, hoqi mërrolat e një kohe të thinjur e cila me shekuj mbajti ngricën në sytë e mjellmës… Prandaj, edhe kjo ngjarje kulturore erdhi si një shpërthim kohe nëpër shekuj për t`i dhënë kuptim historisë, gjallimit dhe forcës së të vërtetës… 

Aktiviteti i saj  koncertal është i shtrirë gjërë e gjatë në shumë koncerte të organizuara në Kosovë dhe jashtë vendit siç janë prezantimet e saja si soliste, shoqëruese në piano dhe pianiste me ansamble kamertale në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Sarajevë, Lubjanë, Dubrovnik, Pulë etj. Po ashtu, pianistja jonë u prezantua edhe në Gjermani,Turqi, Zvicër, SHBA dhe Austri...

Lule Elezi, jeton dhe vepron në Prishtinë. Aktualisht është profesoreshë e asocuar e pianos në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti e Arteve - Dega e Muzikës.

 

Vjenë, 10. shkurt 2010