E premte, 19.04.2024, 06:42 PM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Anti-amerikanizmi i pro-korrupsionit

E premte, 11.02.2011, 08:59 PM


ANTI-AMERIKANIZMI I PRO-KORRUPSIONIT

 

Nga Frank Shkreli

 

Kohët e fundit, Ambasadori i ri amerikan në Shqipëri, Zoti Aleksander Arvizu i dha një intervistë Zërit të Amerikës, gjatë së cilës ai komentoi marrëdhënjet dy-palëshe dhe gjëndjen aktuale në Shqipëri.  Duke folur për korrupsionin në Shqipëri, ai tha: “Dicka tjetër që desha të vë në dukje është se korrupsioni është një problem shqiptar; nuk është (vetëm) një problem i qeverisë  shqiptare – është një element i përhapur i shoqërisë……”.

Pas reagimeve dhe keqkuptimeve ndaj kësaj deklarate në shtypin shqiptar dhe nga disa analistë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë qartësojë deklaratën e mësipërme duke theksuar se sic ka thënë edhe më parë Ambasadori Arvizu korrupsioni është një problem që ka pushtuar gurët e themelit të shoqërisë shqiptare – qeverisjen, biznesin, arsimin, shëndetsinë, dhe të tjera.  Populli shqiptar meriton më shumë.  Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t‘u bëjnë thirrje udhëheqësve shqiptarë të marrin hapa vendimtare kundër korrupsionit, përfundon deklarata sqaruese e Ambasadës amerikane në Tiranë.

 Deklarata e Ambasadorit te ri amerikan në Tiranë, nuk është as e re dhe as e papritur.  Gjatë 20 vjetëve të fundit, ky fenomen i shoqërisë shqiptare është venë në dukje nga përfaqsues të Bashkimit Evropian, nga zyrtarë amerikanë, si edhe nga organizata jo-qeveritare vendore dhe ndërkombëtare, të cilat vazhdmisht kanë bërë thirrje për më shumë rezultate të dukshme në luftën kundër korrupsionit në vend.  Këto thirrje i janë drejtuar qeverive të ndryshme shqiptare (demokrate dhe socialiste), të 20-vjetëve të kaluar, prokurorisë dhe gjyqësorit, pa dallim, duke inkurajuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrpusionit, si një hap i doemosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm për përparimin ekonomik e shoqëror të Shqipërise dhe si hap i nevojshëm për integrimin e saj në organizmat euro-atlantike.

Ambasadori  amerikan ka të drejtë se korrupsioni është një sfidë e përbashkët që duhet të luftohet nga të gjithë.  Një shoqëri nuk vlerësohet vetëm nga fakti nëse ka ose jo korrupsion – pasi në cdo shoqëri ka korrupsion, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.  Por, cdo vend e shoqëri vlerësohet nga mënyra se si ajo lufton dukuritë e korrupsionit.  Ambasadori amerikan në Tiranë, Zoti Arvizu, me deklaratën e tij kundër korrupsionit në Shqipëri, është vetëm duke projektuar dhe zbatuar politikën e vendit që ai përfaqëson, në luftën kundër korrupsionit anë e mbanë botës, një politikë këjo për të cilën është angazhuar edhe vetë Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Zoti Barack Obama, i cili, nga fundi i vitit që kaloi tha se  “asnjë vend nuk mund të krijojë pasuri nëqoftse udhëheqësit e saj shfrytëzojnë ekonominë për tu pasuruar vetë, ose nëqoftëse polici mund të blehet nga trafikantët e drogave.  Njerëzit kudo duhet të kenë të drejtën të fillojnë një bisznes ose të arsimohen pa u detyruar të paguajnë ryshvet.  Ne kemi përgjegjësinë të pëerkrahim ata që veprojnë në mënyrë të përgjegjëshme dhe për të izoluar ata që nuk veprojnë përgjegjësisht, dhe këjo është tamam ajo që do të bëjë Amerika,“ përfundoi Presidenti Obama.

Qytetari shqiptar e di më mirë se cdo kush tjetër se sa i përhapur është korrupsioni në vend, në radhët e pushtetit qendror e vendor,në radhët e partive politike, në drejtësi, në polici, në shkolla e në sport, e në fjushë të ndryshme të jetës së përditshme.  Në të njëjtën kohë, ky problem nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por është një murtajë globale e cila nëqoftësë nuk luftohet nga të gjitha shtresat e shoqërisë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, do të minojë zhvillimin ekonomik dhe do të zhdukë shpresat për drejtësi më të madhe shoqërore, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan.  Për më tepër, korrupsioni ka një efekt negativ edhe në stabilititetin politik dhe shoqëror të vendit, e mund të ketë edhe pasoja rajonale.  Për këte arsye, edhe Sekretarja e Shtetit Amerikan, Znja Hillari Klinton , në Ditën Ndërkombëtare të Anti-Korrupsionit vitin e kaluar, tha se  “Ndërsa punojmë së bashku për të zhdukur korrpusionin në vendet tona, në të njëjtën kohë duhet të kemi standardet më të larta të transparencës në projektet e zhvillimit anë e mbanë botës.  Korrupsioni në vendet me demokraci të brishtë,minon dhe zhdukë besimin e qytetarëve dhe të investuesve të huaj”, tha Znja Klinton.  Prandaj, Ambasadori Arvizu, si një përfaqsues i një vendi mik, ka të drejtë kur i bën thirrje të gjithë shoqërisë shqiptare të luftojë këtë fenomen, pasi korrupsioni është një problem që prekë të gjithë – dhe si rrjedhim, qoftë shteti qoftë qytetari i thjeshtë -- të rrijë më duar kryq dhe më një apati indiferente -- nuk është më një opcion, për asnjërin prej nesh që ia do të mirën familjes së vet, shoqërisë në të cilën jetojmë dhe kombit.  Sepse pranimi i korrupsionit, në cfardo niveli dhe në cilën do fushë të jetës, krijon ambient dhe atmosferë në të cilën pa-ndershmëria dhe batakcillëku lulëzojnë e përparojnë për gjithmonë, në dëm të shoqërisë.

Por duke ndjekur debatin në shtypin shqiptar mbi atë që tha ose nuk tha Ambasadori Arvizu, ajo që më habit dhe më shqetson jashtzakonisht shumë është fryma anti-amerikane që duket se po përcjellë këtë debat.  A mos vallë gjëndemi para një fushate shqiptare anti-amerikane të para 20-vjetëve të kaluar?  A pasqyron këjo fushatë politiko-mediatike pikëpamjet e popullit “më pro-amerikan në botë” apo është një fenomen i përkohëshëm, i nje grupi apo segmenti të shoqërisë dhe nuk ështe përfaqsuese e shtresave të gjera të popullit?  A është e mundur që përfaqsuesit e kësaj fushate nuk i shohin Shtetet e Bashkuara si nje përkrahëse historike të interesave të kombit shqiptar?

Zemëra më thotë se jo, por mendja më thotë se historikisht ka ndodhur më parë dhe mund të ndodhë përsëri.  Jam i sigurt se nga zbehja e miqësisë me Shtetet e Bashkuara humbasin vetëm interesat kombëtare të shqiptarëve dhe gezohen armiqët dhe kundërshtarët e kombit, në një kohë kur sic duket përpjekjet e tyre te lobingut kundër Kosovës dhe Shqipërise, si edhe pretendimet territoriale nga jugu i Shqiperisë e deri tek ne veri të Kosovës kanë arrijtur një nivel të lartë kohët e fundit. Pse cohen nga gjumi elementët më anti-shqiptare në Ballkan, kur ka trazira në trojet shqiptare?. Në interesin e kujtë është këjo? 

Mirëpo, sidoqë të interpretohet politika amerikane karshi Shqipërisë nga elementë të caktuar mediatiko-politik shqiptar, ajo ka qënë historikisht në favor të kombit shqiptar, duke filluar nga Presidenti Wilson fillimin e shekullit të kaluar e këtej.  Sic tha edhe dje në Tiranë, edhe Zëvëndës Sekretari Amerikan i Shtetit, Zoti Tomas Kantrimen se për Shtetet e Bashkuara, si miq të Shipërise, “shqtësimi ynë është populli shqiptar dhe kushtetuta”, dhe shtoi se “Shpresoj që populli shqiptar do të dëgjojë miqtë, dhe jo partitë politike. Ngjarjet në Shqipëri nuk janë unike.  Shqipëria nuk është i vetmi vend me problem korrupsioni, me problem të zgjedhjeve të papërsosura, me protesta dhe më dhunë.  Por të gjitha këto zgjidhen në një demokraci konstitucionale” përfundoi zyrtari amerikan.

 Amerika, si mike historike e kombit shqiptar, nuk do nga Shqipëria asgjë më tepër se trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve të saj për të mirën e popullit të saj, sic tha edhe Zoti Kantrimen, “mbi bazën e hapësirave kushtetuese”. 

Amerikës, sic thonte Fan Noli, nuk mund t’i kethejmë borxhet për ato që ka bërë e vazhdon të bëjë për kombin shqiptar, por gjithnjë sipas Nolit,”nëqoftse bëjmë atë që na takon për kauzën e qytetërimit dhe të humanizmit, atëherë Amerika, në traditën më të mirë të saj bujare, do na e falë borxhin që i kemi dhe në këte mënyrë do të na hiqet një barrë e rëndë morale dhe e padurueshme ndaj saj”, pat thënë i madhi Fan Nol.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora