E enjte, 28.03.2024, 02:00 PM (GMT)

Kulturë

Dritan Dedei: Piktura mbijeton mes vështirësive

E merkure, 16.01.2008, 08:11 PM


Piktura ka qenë për të një mënyrë afrimi dhe shprehje e të vërtetave, të cilat nuk ka mundur t’i thotë ndryshe. Rrallë ka shijuar lehtësisht rezultatin, më tepër ai është përcjellë nëpërmjet punës së palodhur dhe kënaqësisë që të fal vepra e artit pamor. E ka pasur të vështirë të pranojë rezultate që nuk përkojnë plotësisht me ndjesitë e tij emocionale. Ka kërkuar që pikturat të paraqesin më të bukurën dhe më të mirën e asaj që ai ndjen. Për piktorin të pikturosh është kënaqësi e një lloji të veçantë, është shprehje e gëzimit sikurse edhe dëshpërimit.Emocionet e para të artit i ka trashëguar nga i ati njëkohësisht piktor i njohur Tefik Dedei. Është nderuar nga Ministria e Kulturë së Francës për kontributin e tij në art me çmimin “Arts et Lettres de France”. Megjithëse fati i tij do të ishte piktura dhe ai, pavarësisht vështirësive të fillimit, mundi të bëhej një ndër personalitetet e pikturës shqiptare. Ky është piktori Dritan Dedei, i cili në një intervistë dhënë për gazetën “Sot” shpjegon se si dhe kur ka nisur kjo rrugë pa kthim drejt pikturës. Sot përveçse pasionit të tij ndaj pikturës ai menaxhon galerinë e artit "Te&Gi", e cila është e para galeri private e artit pamor në vendin tonë. Aktiviteti i saj ka filluar para 15 vjetësh, kohë gjatë së cilës janë zhvilluar shumë aktivitete të rëndësishme, duke prezantuar denjësisht Shqipërinë edhe në vende të tjera.

-Keni vite që merreni me pikturë, por si ju lindi dëshira që të merreni me artin pamor?

Babai im Tefik Dedei ka qenë një nga piktorët më të njohur dhe fillimisht nga ai e kam marrë njohurinë për pikturën më pas kam filluar që të merrem me pikturë që në shkollë, ku dëshira e mia për t’u marrë me artin pamor filloi të bëhet edhe më e fortë. Me këtë e ka zanafillën edhe karriera ime si piktor ndërkohë që më vonë ajo filloi të ishte përveçse një pasion i imi, ajo filloi që të ishte edhe një mjet jetese, por më e fortë në këtë aspekt ajo filloi që me ngritjen e galerisë që daton që në vitin 1993, e cila është edhe e para galeri arti private në Shqipëri.

-Po bëhen gati dy dekada që merreni me pikturë si është zhvilluar interesi i publikut ndaj artit pamor?

Nuk mund të them diçka precize pasi kjo varet nga shijet si dhe ana ekonomike dhe politike që kanë të bëjnë shumë në vendin tonë. Nëse një person ka xhepin bosh pa para nuk mund të mendojë për pikturë, por në fillim do të mendojë për jetesën,ushqimin etj. Kur xhepi fillon edhe rregullohet atë here ai fillon që të mendojë edhe për pikturën si dhe ta ketë atë sa më pranë ambienteve të tij.

-Shumë piktura dhe peizazhe, por a e mbani mend se sa punime keni realizuar deri tani?

Kam vite që merrem me pikturën dhe të them të drejtën janë aq shumë sa nuk mbaj mend. Por, di të them këtë që gjatë viteve të mia si piktor kam marrë më të bukurën e natyrës dhe e kam bërë pjesë të artit pamor.

-Në çfarë zhanri e keni përdorur talentin tuaj ndaj artit pamor, i cili është njëkohësisht aq i bukur, por edhe i vështirë për tu kuptuar?

Është e vërtetë se arti pamor është një nga më të bukurit e arti sot, por që ndahet në disa zhanre si p.sh realiste, kubizte, abstrakte, surrealiste etj, të cilat të gjitha së bashku përcaktohen nga ana pamore që e jep edhe syri i kritikut. Realiste është zhanri më i parapëlqyer në krijimet e mia, por edhe për publikun. Mendoj se kjo vjen pasi është edhe më perceptueshme edhe si punë. Nëse unë arrij që të bëj një kodër apo një det dhe e bëj në parametra normale ajo quhet një pikturë realiste. Nëse unë në konceptin tim si piktor e shikoj se punën mund ta shikoj edhe në këndvështrime të tjera ku këtë peizazh mund ta kthej në kuadrate në viza aty hyj në kubizmë, dhe nëse filloj në krijimet e mia me penelata të shpejta aty quhet impresionizëm pra impresioni që unë kap direkt nga peizazhi dhe një gjë të tillë mund ta bësh në shumë gjini. Unë punoj kryesisht në vaj ku më shumë mbizotëron peizazhi ku shumë herë dal dhe punoj në natyrë, por kam edhe punë që i zhvilloj brenda hapësirës së studios sime, pra ku marr një impresion dhe e punoj. Në punën time si edhe thashë pak më lart zakonisht mbizotëron peizazhi gjë të cilën unë e kam pasur dëshirë dhe shumë vite më parë që të merrem me peizazhin, por jo se i anashkaloj gjinitë tjera siç është p.sh portreti, por jam marrë më shumë me të në kohën e shkollës.

-Sa e vështirë është të jesh piktor në kushtet aktuale të vendin tonë?

Në vendin tonë është shumë e vështirë sepse është vetë karakteri i jetesës ku një piktor duhet që të përballet me një vështirësi shumë të madhe pasi dhe fuqia blerëse nuk është në nivelin siç është në vende të tjera të Evropës ku arti pamor ka marrë tashmë atë karakterin e tij që dihet. Por, një nga vështirësitë më të mëdha që ndeshet sot në profesionin tonë është sidomos baza materiale dhe kjo e shoqëruar mes shumë vështirësive të tjera.
 
- Jeni piktor, por njëkohësisht ju merreni edhe me menaxhimin e galerisë së artit. Sa e vështirë është sot që të menaxhosh një galeri arti në Shqipëri kur dihet që arti pamor ka një klientelë të zgjedhur?
 
Vështirësitë që të arrish të menaxhosh një galeri arti janë të pafundme, por varet edhe si arrin që të menaxhosh punën në një galeri pikture, dhe aq më tepër kur ke të bësh me shumë piktorë të njohur. Kur ke punimet e tua arrin që ta menaxhosh më ndryshe galerinë, por kur ke një raport pune me të tjerët është shumë më e vështirë pasi duhet që të gjesh interesin dhe të mbash shumë gjëra afër që të eci puna, që kuptohet se vlerat e saj i ka tek arti.

-Sipas mendimit tuaj si paraqitet tregu i pikturave në vendin tonë?
 
Në fakt që të arrish sot të konceptosh një treg pikture është shumë e vështirë dhe kjo në shumë pikëpamje. Kështu ne jemi një galeri pothuajse me një stazh të gjatë që merremi me pikturën ku u bënë rreth 15 vjet dhe kemi krijuar një klientelë, ku përveç kësaj edhe punët tona kanë qenë cilësore me autorët më të mirë që janë sot në Shqipëri. Ne kemi shumë bashkëpunime me shumë piktorë ku pothuajse kanë ekspozuar të gjithë piktorët me emër që nga Sali Shijaku dhe Skënder Kamberi, Nestor Jonuzi etj, që janë piktorët e popullit. Më pas vijnë piktorë të tjerë të njohur si: Bashkim Ahmeti, Gazmend Leka, Oli Oseku pra të gjithë piktorë me emër, por midis tyre qëndrojnë edhe Ibrahim Kodra, Ilia Xhokaxhi etj, të cilët punimet e tyre i kanë ekspozuar që në vitin 1996. Por, midis tyre qëndrojnë edhe piktorë të huaj italianë të njohur që kanë ardhur në Shqipëri dhe kanë prezantuar punën e tyre.

-Në çfarë përmasash ekziston sot pirateria për sa i përket tregut të pikturave?

Fenomeni i piraterisë normal që ekziston edhe në vendin tonë, por ai nuk arrin që të shihet, por unë nuk mund t’i vë një epitet pasi secili ka atë punën e tij. Unë nuk jam aq i fuqishëm sa të flas tamam për diçka të tillë dhe ta ndaloj këtë fenomen. Por, janë organet shtetërore ato që duhet të merren me këtë punë dhe duhet që t’i vënë fre këtij fenomeni. Mendoj se të arrish që të kontrollosh diçka të tillë është e vështirë pasi duhet që të krijosh edhe një ekip të specializuar dhe kërkon një përkushtim total. Por, mendoj se edhe nëse ky fenomen vazhdon koha do të arrijë që ta skarcojë vetë këtë dukuri, pasi ai që është një piktor i mirë nuk arrin që të kopjohet. Kështu edhe vetë klienti që merr një punë cilësore, do ta kuptojë menjëherë që nuk është e tillë nëse blen diçka pirate.

-Sipas mendimit të disa kritikëve të artit, sot galeritë private në Shqipëri tërhiqen më shumë nga përfitimi ekonomik se sa nga ai artistik. Si e gjykoni diçka të tillë?

Duke u nisur që nga vetë fjala pra galeri private, në synimin e saj ka si qëllim primar që të fitojë diçka që ajo të mbijetojë, por nëse bën të kundërtën thjesht promovimin e një artisti me degë të galerisë ajo mund të rrënohet totalisht dhe të mos ketë premisa për të shkuar më përpara. Përfitimi i galerive është punë, por ajo ka si qëllim primar bashkëpunimin me artistin. Nëse të dy palët bien dakord në një konsensus për punën ajo është më se normale.

-Sa ndihet sot mungesa e kritikës ndaj arit pamor?

Deri para viteve ’90 ka pasur grupe të posaçme dhe ka qenë një rrotacion i organizuar nga shteti ku ka qenë çdo gjë e piketuar. Pas viteve ’90 me hyrjen e demokracisë shumë vetë kaluan në sorollatje të pakuptimtë ku edhe vetë përqendrimi i kritikës nuk mori rolin e duhur pasi dolën shumë piktorë të rinj apo të vjetër, të cilët u shoqëruan me shumë punime, por ndërkohë që nuk u bë përcaktimi i kategorive, por vërshuan që të gjithë në një kohë që duhej një punë graduale dalëngadalë. Për mendim tim kritika normalisht nuk mund të vijë sot për nesër. Ajo kërkon një farë kohe shoqëruar edhe me nivelin punimeve pasi shumica e piktorëve filluan që të mbijetojnë dhe nuk dolën tek vetvetja, por filluan që të krijojnë për të shitur, pra piktura komerciale dhe për mua kjo gjë është normale pasi në radhë të parë duhet që të shikosh edhe vetveten.

-Cilat janë planet tuaja në aspektin profesional?

Për momentin do të filloj që të merrem me hapjen e një ekspozite, e cila përkon edhe me 15 vjetorin e galerisë. Në përbërje të saj do të jenë emra të njohur të artit pamor, të cilët siç është bërë edhe traditë do të prezantojnë punimet e tyre në këtë ekspozitë. Por, unë vetë personalisht që me ndarjen babait nga jeta nuk është se jam marrë me ndonjë punim pasi humbja e tij më ka krijuar një lloj vakumi. Por, besoj që së shpejti do të filloj edhe unë që të hedh idetë e mia në pikturë. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora