E premte, 19.04.2024, 05:25 AM (GMT+1)

Kulturë

Irini Qirjako, zëri që del nga thellësia e nëntokës

E merkure, 16.01.2008, 09:06 PM


Irini Qirjako
Me polifoninë labe dhe me zërin e saj këngëtarja e njohur Irini Qirjako ka bërë që muzika shqiptare të jehoi jo vetëm në skenat shqiptare, por edhe ato botërore. Ndonëse vij nga një fshat minoritar shprehet ajo, kënga shqiptare dhe polifonia labe më bëri kjo që jam sot. Për talentin e saj është nderuar me titullin “Mjeshtre e Madhe” dhe është shpallur “Qytetare Nderi” e Sarandës. Sapo është kthyer nga Amerika ku atje ka dhënë disa koncerte dhe ka shpalosur vlerat e vërteta të polifonisë labe. Gjatë një interviste dhënë për gazetën “Sot” këngëtarja flet për emocionet që mori, folklorin shqiptar dhe tregon disa nga detajet e albumit të ri që po përgatit.

-Tabani popullor shqiptar është shumë i pasur, por ç’përfaqëson për ju polifoni labe?

Polifonia labe është perlë dhe jo vetëm e Shqipërisë, por edhe e asaj botërore, e cila është vetmja unikale në botë. Unë kam asistuar në shumë festivale ndërkombëtare të polifonisë, por kjo e jona është e veçantë dhe nuk ka masa strikte siç këndon Korsika, Italia e Jugut apo disa shtete të tjera. Polifonia labe ka një intuitë marrësi, kthyesi dhe hedhësi jo të kufizuara, por sipas zgjatjes së zërit vjen zëri tjetër që vjen sipas një mënyre organike sikur e ka bërë një kompozitor i famshëm botëror.

-Jeni një nga zërat më brilant të muzikës shqiptare njëkohësisht jeni edhe pjesë e rëndësishme e Ansamblit Popullor, por sa vite numëroni deri tani në këtë formacion kombëtar?

Në Ansamblin Popullor unë bëj rreth 27 vjet karrierë, një karrierë e gjatë dhe plot intensitet me shfaqje të panumërta, koncerte të panumërta si brenda dhe jashtë shtetit nëpër botë.

-Cilat janë koncertet që ju kanë lënë më shumë mbresa?

Koncertet që unë kam kënduar kanë qenë të gjitha të mbushura me emocione, por ato që janë dhënë jashtë vendit janë të mrekullueshme pasi unë kam bërë me këngën që unë këndoj të lotojë edhe spektatori i huaj. Të arrish që të bësh të lotojë një spektator i huaj nuk është aq e lehtë, është diçka e jashtëzakonshme sepse kënga shqiptare është aq e fuqishme sa arrin që të përlotë edhe gjermanin, francezin, italianin, amerikanin etj.

-Flisni me shumë entuziazëm për koncertet që keni dhënë me Ansamblin, por e mbani mend këngën që keni kënduar për herë të parë?

Për herë të parë, kur unë sapo isha futur në Ansamblin Popullor kam interpretuar këngën polifonike “Këngët e atdheut tim janë ilaç e janë shërim” një këngë e Lefter Çipës, i cili është i shquar, i famshëm tek tekstet e këngëve të mrekullueshme që ka bërë për bregun e detit. Ai ka qenë dhe vazhdon te jetë idhulli im.

-Në vendlindjen tuaj është ngritur edhe një grup polifonik i titulluar “Irini Qirjako” si ndiheni nga ky fakt?

Ndjehem jashtëzakonisht e lumtur dhe e emocionuar për këtë vlerësim që më kanë bërë. Por, asnjëherë nuk duhet që të harroj se me këtë grup unë së bashku me ta kam dhënë dhe një festival të parë të minoriteteve vjet në Athinë dhe festivali i dytë u kthye dhe u bë në Finiq. Ishte diçka bukur dhe emocione ishin të mëdha pasi unë në këto vite karriere nuk kisha kënduar këngë polifonike minoritare, por që ato janë perla dhe janë po aq të bukura sa edhe shqiptaret.

-Jeni vlerësuar si nga kritika shqiptare ashtu edhe ajo e huaj si një nga zërat më të talentuar shqiptarë. Si ndiheni nga ky vlerësim?

 Është e vërtetë që unë kam marrë shumë vlerësime për zërin tim dhe jam vlerësuar si nga shtypi shqiptar ashtu edhe nga ai botëror. Madje në një kritike arti londineze jam cilësuar si një zë që del nga thellësia e nëntokës dhe për mua kjo është një mrekulli. Ministri i Kulturës së Francës më ka bërë një krahasim me këngëtaren e famshme Edit Pjaf ku edhe ajo këndonte si edhe unë në grupin polifonik, kjo ishte një rastësi si dhe një gjetje shumë bukur. Kur ma tha këtë ministri francez unë u befasova, por dhe u emocionova shumë.

-Viti që sapo lamë pas si ka qenë për ju nga ana profesionale?

Ndonëse jemi në ditët e para të vitit 2008 vitit që lamë pas nga ana profesionale ka qenë shumë i ngjeshur me aktivitete si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Unë tani sapo jam kthyer nga Amerika ku isha e ftuar tek disa njerëz të mi për një pagëzim të një fëmije, por aty nuk më lanë që të bija në tokë. Sapo morën vesh se kisha mbërritur aty më organizuan menjëherë dy koncerte një në Nju Jork dhe tjetri në Boston, të cilët ishin të mrekullueshme. Ndërkohë atje ndodhet edhe një televizion me programacion shqiptar, i cili ka edhe një orar të caktuar, por shumë shpejt do të ketë programacion në gjuhën shqipe për 24 orë. Atje unë dhashë një intervistë shumë të gjatë, ku para dy ditësh i nisa edhe disa DVD të miat që ata t’i transmetojnë që të shikojnë bashkatdhetarët e mi, dhe pse jo edhe amerikanët sepse aty janë 10 këngë polifonike. Më kujtohet se kur ka ardhur aktori Majkëll Dagllas në Tiranë dhe dëgjoi polifoninë tonë ai është mahnitur dhe më tha se: polifonia ishte e jashtëzakonshme dhe ishte dhurata më e çmuar që më është bërë në jetën time.

-Jemi në ditët e para të vitit 2008, cilat janë disa nga projektet tuaja në drejtim të krijimtarisë suaj ?

Për këtë vit mund të them se në radhë të parë kam koncerte të panumërta me Ansamblin Popullor gjithashtu kam koncertet e mia private. Por, them se nga pranvera unë do të bëj dhe një koncert recital timin njëkohësisht, për këtë do të më ndihmojë edhe drejtori Zhani Ciko, i cili e organizon punën në mënyrë të përkryer me kalendar vjetor, me plan të saktë si dhe shfaqje të jashtëzakonshme të ngjeshura. Do të thosha që për herë të parë në TKOB po bëhen kaq shumë aktivitete.

-Këtë vit kalendari i aktiviteteve i Ansamblit Popullor është bashkuar më TKOB, cilat janë disa nga aspektet artistike që do të ndryshojnë?

 Tani që Opera dhe Ansambli janë bashkuar për mua është diçka shumë pozitive sepse neve marrim dhe i japin forcë artistike si njëri dhe tjetrit dhe më kollaj, por fundja ne kështu kemi qenë historikisht të bashkuar. Ajo ndarja që ju bë për mua në fakt nuk ishte diçka e drejtë dhe për mua ky ribashkim ishte një mrekulli.

-Ansambli vërtetë që ka vlera artistike, por sot flitet se ai e ka humbur atë shkëlqimin e dikurshëm. Mendimi juaj për këtë?

 Në fakt e kishte humbur pak a shumë atë shkëlqim, atë publicitet ose frekuentimin dhe ndoshta ka të bëjë me disa arsye si fondesh apo organizimi. Por, megjithatë kur do të bësh diçka e bën dhe mund të mjaftohesh me pak. Ne me t’u bashkuar me institucionin e TKOB, u bë një 50- vjetor madhështor ku gjysma e njerëzve ngeli jashtë. Për mua ky qe një hap i madh cilësor në drejtim të repertorit sepse atje u bë një shfaqje shumë dinjitoze me gjërat më të bukura ndër vite njëkohësisht edhe me gjëra të reja. Por ne kemi filluar, do të kemi koncerte si dhe turne jashtë shtetit dhe tani na pret një punë shumë madhe.

-Gjatë këtij viti do të kemi ndonjë album të ri nga ju?

Albumi im më i fundit njëkohësisht dhe i katërti doli në muajin gusht të vitit 2007 dhe tani unë jam në punë e sipër për të nxjerrë albumin tjetër me këngë polifonike, i cili është edhe obligimi im kryesor pasi kënga polifonike tani mbrohet edhe nga ONESCO dhe kjo është një mrekulli. Albumi do të përmbajë rreth 10 këngë që janë shumë të bukura dhe i kanë rezistuar kohëve. Por, do të ketë edhe këngë lirike, elegjike, e cila është e vështirë për t’u transmetuar. Për mua si këngëtare e arfirmuar e këngës polifonike, ndjej një detyrim moral dhe shpirtëror karshi vendit tim dhe kombit tim që të lë albume polifonike pasi këto do të jenë në fondin e kulturës shqiptare dhe do të jetojnë edhe po nuk jetoi Irini.

-Na flisni diçka rreth realizimit të vidioklipeve tuaja?

Vidioklipet e mia unë i realizoj së bashku me kompozitorin Edmon Zhulali, dhe mendimet dhe idetë për këto janë në tij, i cili ka një fantazi të jashtëzakonshme dhe kam bashkëpunuar gjithashtu edhe me Ervin Bushatin si dhe me humoristët Behar Mera si dhe Rita Latin. Në vidioklipin e fundit unë nuk jam e kënaqur pasi mendoj që nuk duhet t’i shkëpusja të dy artistët sepse edhe ata janë bërë tashmë pjesë e punës sime artistike. Ndoshta me Edmondin gabuam që u nxituam sepse nuk e realizuam shumë mirë vidioklipin.    

-Sot në muzikën shqiptare janë futur shumë rryma të reja muzikore. Mendimi juaj rreth këtyre rrymave muzikore?

Rrymat  e reja në muzikën shqiptare janë të domosdoshme ashtu siç i ka e gjithë bota dhe ne nuk mund të ndahemi nga ajo, pra ato prodhohen, bëhen. Unë nuk mund të them se jam kundër rrymave sepse unë jam artiste dhe e jetoj kohën. Më pëlqejnë edhe disa rryma, por jo të gjitha më pëlqejnë. E rëndësishme është që të mos bastardohet përpunimi i tyre, por sigurisht që ne do t’i përshtatemi kohës që ta pëlqejë edhe rinia, i vogli etj. Por, karakterin e të kënduarit unë e kam origjinal dhe nuk mund ta ndryshoj nga një karakter popullor të bëj gjëra të papëlqyera sepse nuk mundet të jenë të pëlqyeshme ato denigrimet dhe ekstravagancat. Por, rrymat e reja që mbështeten në folkun shqiptar, për mua është diçka shumë bukur sepse folkun e kemi thesar. Më kujtohet se kur ka ardhur një regjisor rumun dhe dëgjoi këngën polifonike ai ka thënë shprehimisht se: Shqipëria qenka një minierë ari dhe këtu ju mund të bëni mrekullira me kompozitorët. Pra, erdhi ai dhe të na japi mend, po ne që jemi këtu çfarë mund të bëjmë? Pra, këngët duhet që të tingëllojnë shqiptare dhe jo të jenë të huazuara. Për shkrimin e muzikës ka njerëz të talentuar dhe nuk mund ta shkruajë kushdo, ndërsa tek ne tani ka dalë që po e shkruan edhe një njeri që nuk merr vesh dhe nuk njeh notat. Shkolla është e jashtëzakonshme për një njeri me talent. Ti mund të kesh talentin, por shkolla të bën artist.  



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora