E marte, 23.04.2024, 10:51 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Italia, NATO-s: Shqipëria, deri në Prevezë

E marte, 08.02.2011, 07:50 PM


Nga Thanas Mustaqi

 

Në maj 1960 Italia e NATO-s përshkruante si territor shqiptar atë pjesë të Greqisë veriore nga kufiri i sotëm jugor shtetëror deri në gjirin e Artës, kurse Bashkimi Sovjetik i Traktatit të Varshavës nuk kishte kundërshtim që Greqisë t'i plotësohej kërkesa për autonomi të Vorio-Epirit. 

Ky shkrim paraqet fakte pak të njohura për dy ngjarje paralele, teksa për Greqinë dhe Shqipërinë u krijua një situatë paradoksale në aleancat ushtarake ku ishin inkuadruar.

Mesi i vitit 1960 shënon një sherr të paprecedentë, për shkak të Shqipërisë, mes dy vendeve, Italisë dhe Greqisë, anëtare të Paktit të Atlantikut të Veriut. Po ashtu, mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë, anëtare të Traktatit të Varshavës, shpërthen një konflikt, lidhur më të ashtuquajturën autonomi të Vorio Epirit, ku Moska i kërkon Tiranës të plotësojë orekset e Athinës. 

Në maj 1960 Italia, në një raport që i drejtonte komandës së NATO-s, përshkruante si territor shqiptar atë pjesë të Greqisë veriore nga kufiri i sotëm jugor shtetëror deri në gjirin e Artës. Në vitin 1960 Hrushovi u takua me Sofokli Venezellosin, politikan i majtë grek. Hrushovi s'ishte kundër konceptit të një autonomie të Epirit grek të Veriut dhe shpresonte të shfrytëzonte pretendimet greke për ta detyruar lidershipin shqiptar të ndiqte vijën e interesave sovjetikë. Shkrimi paraqet fakte pak të njohura për dy ngjarje paralele, teksa për Greqinë dhe Shqipërinë u krijua një situatë paradoksale në aleancat ushtarake ku ishin inkuadruar.

GREQIA E VERIUT, SHQIPTARË 2/3 E POPULLSISË
Sipas autorit britanik Ouen Pirsën (Owen Pearson në librin "Albania as dictatorship and democracy: from isolation to the Kosovo War, 1946-1998", London, New York 2006), në maj të vitit 1960, Greqia i dërgoi një protestë të fortë qeverisë italiane ndaj një raporti zyrtar "tejet tendencioz" mbi Shqipërinë, që ishte dërguar nga Shtabi i përgjithshëm italian i mbrojtjes dhe i qarkulluar mes komandave të tjera të NATO-s në selinë supreme, atë kohë, në Paris. Fragmente nga raporti italian u botuan në shtypin grek më 29 maj 1960 dhe që u konfirmuan nga burime zyrtare. 

Raporti, i cili i tha se përsërit "të gjitha pasaktësitë e Musolinit", avanconte teorinë "absurde" që provinca greke e Epirit, nga kufiri i sotëm grek-shqiptar deri në pikën e gjirit të Artës, ishte në fakt territor shqiptar. Kjo tronditi thellë dhe befasoi qeverinë greke, e cila asnjëherë nuk kishte hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj të ashtuquajturit "Epiri i Veriut", pra Shqipëria e Jugut. 

Raporti, duke folur mbi përbërjen etnologjike të kombit shqiptar, vëren se qytetet epirote të Janinës, Prevezës, Kosturit, Pargës, Konicës etj. ndodhen në Shqipërinë e Jugut, dhe se dy të tretat e popullsisë së Epirit përbëhen nga shqiptarë etnikë "që formojnë elementët më të mirë të zonës".

SENSACIONI

Një e vërtetë pak e njohur ka të bëjë me fillimin e vitit 1960, teksa jo udhëheqësi shqiptar Enver Hoxha, por disa... "aleatë" në NATO kërkonin shtrirjen e Shqipërisë së Madhe në territoret e sotme greke, shkruan shtypi helen. Më 29 maj 1960 shpërtheu si bombë skupi i gazetarit grek Ilia Dimitrakopoulos, bashkëpunëtor i gazetës "Ethnos", që zbuloi se qeveria e Romës më anë të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë kishte dërguar një letër sekrete në komandat e vendeve anëtare të NATO-s, në atë kohë, ende me seli në Paris. 

Dokumenti kishte të bënte me Epirin, që paraqitej i banuar gjithmonë nga shqiptarët. Ky artikull shkaktoi zhurmë në Greqi. Në shumë qytete u zhvilluan mitingje antiitaliane.

PROTESTAT

Pas artikullit, në fakt në Janinë dhe pati parulla të tilla si: "Sicilia ... ne mendojmë se është greke!". Raporti italian u konsiderua i pasaktë, i papranueshëm, dhe anti-helen, gjë që indinjoi opinionin publik grek. Qeveria italiane u akuzua se ambasada ka shpërndarë një njoftim në gjuhën shqipe, shoqëruar me një hartë të Shqipërisë së Madhe.

Ministri i Jashtëm grek Evangjelos Averof, me origjinë nga Mecovo (Meçova), një qytet epirot që raporti italian thotë se është tërësisht shqiptar, i ka kërkuar qeverisë italiane ta anulonte menjëherë raportin dhe të jepte shpjegime të plota dhe të kërkonte ndjesë. Ambasada italiane në Athinë bëri të qartë në një reagim paraprak se raporti nuk pasqyronte pikëpamjet e qeverisë italiane dhe se ky hetim i plotë ishte bërë me porosi.

SHBA: JA PSE U NXEH TIRANA

Po ashtu, çuditërisht, një ngjarje të tillë ka ndodhur në Traktatin e Varshavës, ku Shqipëria ende ishte anëtare e tij, të paktën, deri në vitin 1961. Në një studim për përdorim të brendshëm për stafin e radios amerikane "Radio Evropa e Lirë / Radio Liria" të 4 nëntorit 1961 mbi përplasjet shqiptare-sovjetike, thuhet se "lideri liberal grek, Sofokli Venizellos, kishte takuar Hrushovin në fund të muajit maj [1960] dhe i kishte paraqitur, ndër të tjera, çështjen e popullsisë greke në Epirin e Veriut. 

Venizellosi tha se Hrushovi i kishte premtuar ta trajtonte çështjen e autonomisë së zonës në Shqipëri kur të takonte Hoxhën në Bukuresht. Hoxha mund të jetë zemëruar nga ky lajm. Kombinuar me përkëdheljet ndaj Jugosllavisë, Hrushovi tani po forconte miqësinë me grekët - të gjitha në kurriz të Shqipërisë. 

Këto konsiderata shumë të rëndësishme kombëtare kurrë nuk mund t'ua heqësh nga mendja ndonjë udhëheqësi shqiptar. Në rastin e Hoxhës ato janë një nga shkaqet kryesore të kundërshtimit të tij ndaj politikës së Hrushovit". 

Po kështu në vitin 1999 në librin e botuar në Nju Jork me titullin "Mbërritje epoke: Shqipëria nën sundimin e Enver Hoxhës" (A Coming of Age: Albania under Enver Hoxha), autori i tij, Xhejms (James) S. O'Donell, shkruan se "Hrushovi e pëlqente konceptin e një autonomie të Epirit grek të Veriut dhe shpresonte të shfrytëzonte pretendimet greke për ta detyruar lidershipin shqiptar të ndiqte vijën e interesave sovjetikë". 

DY AMBASADORËT SOVJETIKË

Por ngjarja kishte filluar më herët. Në Ditarin e tij sekret Enver Hoxha shënon se "më 11 maj 1960, thirra në takim ambasadorin sovjetik Ivanov, të cilit i thashë se protestoja dhe se i hidhja poshtë pikëpamjet e shprehura nga ambasadori sovjetik në Athinë, Sergejev, sipas të cilit vendi ynë, për të përmirësuar marrëdhëniet me Greqinë, duhet të ngrejë ose në OKB ose në Gjyqin Ndërkombëtar të Hagës çështjen se përse Greqia thotë se është "në gjendje lufte" me Shqipërinë dhe "pse ka rivendikime territoriale" ndaj vendit tonë.

I thashë Ivanovit se pikëpamje të tilla të ambasadorit Sergejev janë të dyshimta dhe të padrejta mbasi favorizojnë reaksionin grek që ai të fillojë të bëjë zhurmë rreth këtyre çështjeve. Ivanovi, natyrisht, si ngaherë dhe për të dalë nga situatat, tha se nuk dinte gjë dhe se do t'ia transmetonte udhëheqjes së vet protestën tonë".

TAKIMI NË MOSKË

Situata bëhet më e mprehtë. Nuk është thjesht një "lajthitje" diplomatike e përfaqësuesit të Kremlinit në Athinë. Shefi i Tiranës mëson pas afër 3 muajsh për ujdinë e kreut të Bashkimit Sovjetik dhe Traktatit të Varshavës, Nikita Hrushov, me një politikan grek jo pa ndikim, si Sofokli Venizellos. 

Enver Hoxha shkruan në Ditar se "më 8 korrik 1960, prita ambasadorin sovjetik Ivanov [Vasilij Ivanoviç Ivanov (1905-1989), ambasador fuqiplotë dhe i jashtzakonshëm i BRSS në Tiranë në periudhën 7.3.1957 - 24.11.1960 - sqarim i autorit të shkrimit], i cili më informoi rreth bisedës që kishte pasur Hrushovi me Sofokli Venizellosin. 

Gjatë kësaj bisede, ky i kishte propozuar Hrushovit se, për të përmirësuar marrëdhëniet me Shqipërinë, duhet që minoritetit grek në Shqipëri t'i jepet "autonomi". Hrushovi, në mes të tjerash, i ishte përgjigjur Venizellosit, duke i thënë se dëshirën dhe propozimin e tij do t'ua transmetonte "shokëve shqiptarë", pse me ta do të takohej në Bukuresht etj.

I thashë Ivanovit se e kundërshtoj qëndrimin që ka mbajtur Hrushovi, se nuk jam fare dakord me përgjigjen që ai i ka dhënë Venizellosit dhe e konsideroj si përgjigje jo të një miku të Shqipërisë dhe aspak të përshtatshme për postin e lartë që ka Hrushovi. Ne e hedhim poshtë me vendosmëri e indinjatë propozimin e Venizellosit. Për kufijtë e vendit tonë, ne nuk lejojmë asnjeri të diskutojë, qoftë ky edhe Hrushovi!".

DEMONSTRIMI NË KUFI

Një muaj e gjysmë pas takimit të acaruar me ambasadorin sovjetik në Tiranë, Ivanov, ndonëse ditë pushimi, të dielën, më 21 gusht, Enver Hoxha shkoi për vizitë në rrethin kufitar të Kolonjës. Ishte një demonstrim force e Tiranës ndaj Athinës ("një përgjigje për monarko-fashistët grekë dhe Venizellosin, si dhe për miqtë e tij të hapët dhe të maskuar", shkruan diktatori komunist). Greqia, anëtare e NATO-s kishte gjetur një përkrahës në Traktatin e Varshavës, në kohën kur e kishte "tradhtuar" Italia. 

Fillimisht kreu i regjimit shqiptar shkoi në Leskovik, ku vizitoi edhe shtabin e garnizonit të kufirit. Këtu i raportuan mbi situatën në kufi. Enver Hoxha shkruan se "u fola edhe unë kufitarëve mbi situatën dhe mbi detyrat. Pastaj vizitova repartin ushtarak dhe kooperativën bujqësore të Leskovikut. 

Duke u kthyer për në Ersekë, u ndala në Borovë, ku vura një buqetë me lule përpara monumentit të dëshmorëve dhe bëra vizita në disa familje fshatarësh. Në Ersekë, ku hëngrëm drekën, vizitova edhe shkollën e re, shumë të bukur dhe të mbajtur mirë".

Ndërkombëtarizimi i ujdisë ruse-greke
Në përplasjen ideologjike me Hrushovin Enver Hoxha nxjerr nga mënga dhe asin e nacionalizmit. Kështu, më 2 shtator 1960, ai bisedon me Ramiz Alinë lidhur me përgatitjen e shqiptarëve për në Mbledhjen e partive komuniste dhe punëtore në Moskë. U diskutua gjithashtu edhe për botimin e një artikulli kundër pretendimeve të Sofokli Venizellosit.

JO BASHKEKZISTENCËS ME KONCENSIONE

Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e 81 partive komuniste dhe punëtore në Moskë, më 16 nëntor 1960, Enver Hoxha u shpreh se ishte kundër një bashkekzistence të atillë, për hir të së cilës shqiptarët duhet t'i bënin koncesione territoriale dhe politike Sofokli Venizellosit. 

"Ne nuk mund të jemi kurrsesi dakord me shokun Hrushov, dhe këtë protestë ia bëmë atij në kohën e duhur, për bisedimet që ai pati me Sofokli Venizellosin në lidhje me minoritetin grek në Shqipëri". Enver Hoxha vazhdoi me retorikë: "Shoku Hrushov e di se kufijtë e Shqipërisë janë të paprekshëm dhe të shenjtë; kush i prek ata është agresor. 

Populli shqiptar do të derdhë gjak, po t'ia prekë kush kufijtë". Ndërkaq, bie në sy fakti që Hrushovi, gjatë një vizite në Shqipëri, një vit e gjysmë më parë, maj 1959, kishte qenë dhe në Korçë. Enver Hoxha është nxehur shumë dhe e akuzon para samitit të komunistëve të globit: "Shoku Hrushov gaboi rëndë kur i tha Venizellosit se ai pa në Korçë grekët dhe shqiptarët që punonin si vëllezër. 

Në Korçë s'ka fije minoriteti grek, por ka lakmi shekullore të grekëve për krahinën e Korçës, si për gjithë Shqipërinë. Një minoritet shumë të vogël grek ka në Gjirokastër. Shoku Hrushov e di se ata kanë të gjitha të drejtat, kane gjuhën greke, shkollat greke dhe veç këtyre po ato të drejta që kanë edhe të gjithë nënshtetasit e tjerë shqiptarë".

IDEOLOGJI DHE NACIONALIZËM
Enver Hoxha bën akrobaci në kombinimin e ideologjisë dhe nacionalizmit: "Rivendikimet e grekëve, midis të cilëve edhe të Sofokli Venizellosit, birit të Elefter Venizellosit, vrasësit të shqiptarëve, djegësit të krahinave shqiptare të Jugut, shovinistit më të tërbuar grek dhe babait të megaliidhesë greke, të copëtimit të Shqipërisë dhe të aneksimit të saj nën parullën e autonomisë, janë te njohura fare mirë. Shoku Hrushov e njeh fare mirë qëndrimin e Partisë së Punës të Shqipërisë, të Qeverisë Shqiptare dhe të popullit shqiptar për këtë çështje. 

Atëherë të mos i përgjigjesh, siç e meriton, t'i lesh shpresa e iluzione dhe t'i thuash se do t'u transmetoj shokëve shqiptarë dëshirat e një agjenti anglez, të një shovinisti, të një armiku të komunizmit dhe të Shqipërisë, kjo është e papranueshme nga ne dhe është e dënueshme. 

Ne ia dhamë përgjigjen Sofokli Venizellosit, shoku Hrushov, dhe me anën e shtypit besojmë se ke marrë dijeni. Ne s'jemi në kundërshtim të bëni politikë me Sofokli Venizellosin, por me kufijtë dhe të drejtat tona duhet të mos bëni politikë, pse ne as kemi lejuar, as do të lejojmë. Dhe për këtë nuk jemi nacionalistë, por internacionalistë". Dhe retorika nuk doli huq. Mediet perëndimore nënvizuan goditjen që iu bu ujdisë greke-sovjetike.

"VENIZELLOSI NUK ËSHTË I KEQ"

Është interesante se Hrushovi mobilizoi edhe komunistët grekë që të nxiste turbullira brenda PPSH-së dhe pas Mbledhjes së 81 partive komuniste. Kështu, pas 4 muajsh, në Kongresin IV të PPSH, që i zhvilloi punimet më 13 - 20 shkurt 1961, "delegati grek e quajti jo të drejtë përgjigjen që i kishim dhënë ne bisedës antishqiptare që Sofokli Venizellosi kishte bërë me Hrushovin për "Vorio Epirin". "Venizellosi - i tha delegati grek shokut tonë që e shoqëronte - nuk është i keq, është borgjez demokrat përparimtar". 

Shoku ynë ia ktheu përgjigjen duke i thënë se pikëpamjet e "demokratit" Venizellos mbi "Vorio Epirin" nuk ndryshojnë nga ato të shovinistit dhe të antishqiptarit të tërbuar Elefterios Venizellos. Përveç akteve të tjera, edhe fjalimi që do të mbante në Kongresin tonë delegati grek kishte një frymë të hapët provokuese, dhe Mehmeti, i zemëruar, në sy të të gjithëve ia dha grekut përgjigjen që meritonte, duke e cilësuar me emrin e tij të vërtetë: provokator" shkruan Enver Hoxha në librin "Hrushovianët".

HAKMARRJA

Në shenjë hakmarrjeje ndaj trajtimit që iu bë në Kongresin IV të PPSH delegacionit grek, Sekretari i parë i KQ të Partisë Komuniste të Greqisë, Kosta Koligianis (1909-1979), mbështeti Nikita Hrushovin në Kongresin e 22 të PK të BS, që i zhvilloi punimet më 17-31 tetor 1961, duke deklaruar: 

"Ne jemi plotësisht dakord me kritikën që u bë këtu në adresë të udhëheqjes së partisë së punës së Shqipërisë, që ka rrëshqitur nga pozitat e marksizëm-leninizmit dhe parimet e internacionalizmit proletar. 

Udhëheqësit e PPSH gjithashtu dhe ndaj partisë sonë lejojnë veprime të papajtueshme me parimet e Deklaratës së Mbledhjes së përfaqësuesve të partive komuniste dhe punëtore, që u mbajt në Moskë në nëntor 1960. 

Ata krijojnë vështirësi të tjera në luftën, që po zhvillon partia jonë në krye të popullit grek kundër reaksionit të brendshëm dhe imperializmit amerikan në kushte jashtëzakonisht të vështira". /th.m./

Paditja te Stalini
Komunistët helenë me pretendime territoriale

Edhe komunistët grekë, deri dhe lideri i tyre, Niko Zahariadhis, kishin pretendime territoriale ndaj Shqipërisë. Sikurse kujton Enver Hoxha, në fillim te janarit 1950, u bë një ballafaqim te Stalini lidhur me mosmarrëveshjet parimore ndërmjet udhëheqjes së Partisë së Punës të Shqipërisë dhe udhëheqësve të PK Greke. 

Shefi i Tiranës i tregoi diktatorit sovjetik për përplasjen e tij me Niko Zahariadhisin, i pranishëm në takim:
"Në një miting masiv në stadiumin e Athinës, ku folën me radhë krerët e partive borgjeze greke, foli edhe shoku Niko Zahariadhis, si udhëheqës i Partisë Komuniste Greke, i cili, në mes të tjerash, deklaroi: "Në rast se partitë e tjera demokratike greke kërkojnë autonominë e "Vorio-Epirit", Partia Komuniste Greke do të bashkohej me to"(!). Partia jonë protestoi menjëherë haptazi dhe paralajmëroi se ajo do t'i luftojë pa mëshirë pikëpamje të tilla. 

Pas kësaj ngjarjeje, ne ftuam në një takim shokun Niko Zahariadhis, të cilin e kritikova ashpër, duke e konsíderuar deklaratën e tij si një qëndrim antimarksist dhe antishqiptar dhe i bëra mirë të qartë se "Vorio-Epiri", që është tokë shqiptare, nuk do të bëhej kurrë Greqi. Dëshiroj të them me këtë rast se shoku Niko Zahariadhis e njohu gabimin e tij, pohoi para nesh që kishte gabuar rëndë në këtë drejtim dhe premtoi se do ta ndreqte gabimin që bëri". 
Pas 50 vjetësh
Biznesi me kufirin detar
"Në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes është zgjidhur problemi i kufirit detar jugor të bllokut Joni-5, ngritur nga pala greke", deklaronte ish-ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli. Për hir të marrëveshjeve me bosët grekë të arit të zi me mbështetje qeveritare të dyanshme, mund të sakrifikohen edhe sipërfaqe të tëra detare të vendit.

KARABURUN-KORFUZ

Ish- Ministri Genc Ruli ka sqaruar publikisht, më 4 shtator 2006, se "Joni 5 është blloku detar më jugor dhe fillon në vijën horizontale që kalon në majën e gadishullit të Karaburunit dhe vazhdon deri në pikën më jugore të Shqipërisë, duke përfshirë pjesën detare nën këtë vijë horizontale në kufi me Greqinë dhe Italinë". 

Në fakt, këto fjalë janë shqiptuar nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, kur ka nënshkruar marrëveshjen hidrokarbure me ndarje prodhimi për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në bllokun detar Joni 5 me përfaqësuesin e kompanisë britanike Medoil plc., Joseph McKniff, drejtor ekzekutiv.

GREKËT: "DET ME AR TË ZI"

Për shkak të kundërshtimit të grekëve, miratimi nga qeveria i kësaj kontrate është bërë pas 11 muajsh, me Vendim Nr. 507, datë 8.8.2007. Shkakun e shtyrjes e shpjegon në mënyrë elokuente vetë nënshkruesi i kontratës. Genc Ruli, në analizën vjetore të vitit 2007 të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, bëri të ditur se "në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes është zgjidhur problemi i kufirit detar jugor të bllokut Joni-5, ngritur nga pala greke". 

Tashmë kryeministri Sali Berisha i kishte duart e lira për të hedhur nënshkrimin e tij në Vendimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë Nr. 507, datë 8.8.2007 "Për miratimin e kontratës, me ndarje prodhimi, për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në Shqipëri, blloku detar Joni-5, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Medoil, plc". Më 7 shtator 2007, shpallet në mediet botërore transaksioni me Medoil PLC për të operuar si filial i "Capricorn Energy Limited", që kontrollon 100 për qind të kontratës për bllokun Joni 5.

NDËRMINISTRORE

Më 25 shtator 2009, Ledia Hysi, drejtore juridike në Ministrinë e Punëve të Jashtme, deklaronte para Komisionit të përhershëm parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut: "Prej dy vjetësh kanë nisur negociatat me ekspertët grekë dhe është ngritur një grup pune me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, Bujqësisë, Mjedisit, Transportit, Drejtësisë, pra të të gjitha institucioneve shtetërore". 

Hysi u tha deputetëve se marrëveshja "ka përcaktuar dhe ka bërë parashikime për gjithçka, ndarjen e pasurive ujore e nënujore, mineraleve, ngritjen e platformave për shfrytëzimin e gazit apo naftës në det, dhe gjithçka tjetër". 

Siç duket, për t'u shfajësuar para deputetëve, Hysi, po më 25 shtator 2009, bën pohimin se "për momentin nuk ka asnjë lloj kompanie që shfrytëzon detin territorial, qoftë nga njëra anë, qoftë nga ana tjetër". Po përmendim një fakt, që flet për pasaktësinë e deklarimit të funksionares së lartë të dikasterit të diplomacisë.

PO ITALIANËT?

Më 25 shtator 2009, 11 deputetë të PD-së të Komisionit të përhershëm parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratuan njëzëri projektligjin "Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare". 

Por deputetët ishin tejet të pavëmendshëm me një deklarim të Hysit: "Greqia ka nënshkruar me Italinë, kështu që jemi në kontakte me ekspertët italianë dhe në një kohë shumë të afërt do të fillojnë negociatat ndërmjet tri palëve negociuese për përcaktimin e pikës së fundit". Kaq gjë duhet të ndikonte në moskalimin e projektligjit. Nëse Greqia me Italinë janë marrë vesh mes njëra tjetrës, nuk do të thotë se mund të lëshojnë pe në negociatat trepalëshe. 

Për më tepër kur fjala është për naftë! Nëse përfaqësuesit e ekzekutivit dhe legjislativit shqiptar lëshojnë pe, ka gjasa të mos ndodhë kështu me Romën. Nuk përjashtohet që rezultatet e sondimeve sizmike të kompanive britanike t'u vihen në dispozicion edhe italianëve. Kjo mund t'i hapë telashe jo vetëm shtetit shqiptar, por dhe në plan personal atyre që janë marrë me këtë "biznes".

Të gjitha këto hesape i prishi Gjykata Kushtetuese që anuloi marrëveshjen për kufirin detar. 
Kush është Kush?
Nikita Hrushov

Nikita Sergejeviç Hrushov (1894-1971). Sekretar i parë i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në vitet 1953-1964, Kryetar i Këshillit të Ministrave të BRSS në vitet 1958-1964. Drejtoi destalinizimin e Bashkimit Sovjetik dhe shteteve të tjera të kampit socialist, përmirësoi programin hapësinor, realizoi disa reforma liberale në politikën e brendshme. 

Por shkaktoi probleme në arenën ndërkombëtare me krizën e raketave në Kubë, ngritjen e Murit të Berlinit, shtypjen e revolucionit antikomunist në Hungari, prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, konfliktet me Kinën. 

Por u rrëzua nga pushteti në vitin 1964, duke u zëvendësuar me L. Brezhnjevin në postin e Sekretarit të Parë dhe A. Kosiginin në postin e Kryeministrit. 

Sofokli Venizellos

Sofokli Venizellos (1894-1964). Në vitin 1941, pas pushtimit të Greqisë nga trupat gjermanë, caktohet ambasador në SHBA i qeverisë greke në mërgim, më seli në Kajro. Ministër i kësaj qeverie në vitin 1943, kryeministër i saj në vitin 1944. Pas luftës kthehet në Greqi dhe zgjidhet nënpresident i Partisë Liberale dhe ministër në qeverinë e parë të pasluftës së drejtuar nga Georgios Papandreu. 

Në vitin 1948 ministër në një numër qeverish liberale jetëshkurtra; ka qenë gjithashtu kryeministër i dy qeverive të tillla. Pas prishjes së miqësisë me Papandreun, në vitin 1954, formoi partinë rivale të Unionit Liberal Demokratik. Mosmarrëveshjet zgjidhen në vitin 1958, kurse më 1961 bëhet anëtar themelues i partisë së Unionit të Qendrës të Papandreut.
Evangjelos Averof

Evangjelos Averof (1910 -1990), ka qenë politikan i njohur liberal grek. Bëri emër dhe si autor i disa librave. Sipas ndonjë burimi, është me origjinë nga fshati shqiptar i Meçovës (ose Mecovo), por dhe me origjinë aromune nga Trikalla, ku dhe ka lindur. Gjatë pushtimit të Greqisë u burgos në Itali. 

U arratis pas një viti dhe krijoi një grup rezistence. Gjatë dikaturës ushtarake të viteve 1967-1974, mori pjesë në një kryengritje kundër regjimit, gjë për të cilën u arrestua. Pas rivendosjes së demokracisë në vitin 1974 mori pjesë në partinë e qendrës së djathtë të Neo-Demokracisë të drejtuar nga Konstantinos Karamanlis dhe ka qenë ministër qeveritë që pasuan. Në vitin 1981 u zgjodh kryetar i partisë, por dha dorëheqjen në vitin 1984 për arsye shëndetësore.

Niko Zahariadhis
Niko Zahariadhis (1903-1973). Nga viti 1936 deri më 1945 vazhdimisht i burgosur politik në burgjet greke dhe në kampet gjermane të përqendrimit. Gjatë Luftës Civile në vitet 1946-1949 komandoi ushtrinë Çlirimtare të Greqisë. Pas disfatës, së bashku me shtabin e PKG-së, kalon nëpër Shqipëri dhe pastaj në Bukuresht. 

Mbështeti Stalinin, duke kundërshtuar ashpër Titon. Në vitin 1956, në një plenum të KQ të PKG-së, ndërhyri Hrushovi dhe Zahariadhasi u shkarkua nga posti i sekretarit të përgjithshëm dhe pas një viti u përjashtua nga partia, si dhe shumë komunistë të tjerë. Pjesën tjetër të jetës e kaloi në mërgim në Siberi, ku, sipas pretendimeve të KGB-së, ai vari veten në vitin 1973. Sipas versioneve të tjera ai është ekzekutuar.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora