E shtune, 08.08.2020, 07:57 AM (GMT+1)

Sporti » Sporti

Haliti braktis atletikën shqiptare: Jam 100% italian

E merkure, 16.01.2008, 08:43 PM


18-vjeçari vendos rekord dhe synon "Pekin 2008" me Italinë

Eusebio Haliti
Vazhdon eksodi i talenteve nga sporti shqiptar, ku këtë radhë i goditur ka qenë sporti i atletikës. Talenti më i madh i viteve të fundit, Eusebio Haliti, po bëhet gati që të ndryshojë fanellën e Shqipërisë me atë të Italisë, duke dëshiruar që të garojë me fanellën e kaltër në Olimpiadën e Pekinit. Talenti shqiptar e ka bërë të ditur dëshirën e tij pas paraqitjes së jashtëzakonshme që dhuroi në garën e 400 metrave në salla të mbyllura në Itali, ku theu rekordin vendas për këtë grupmoshë me kohën fantastike 48"86. Atleti shkodran ka garuar si shqiptar deri në garën e fundit, por tani bëhet gati të marrë nënshtetësinë italiane dhe do t‘i japë lamtumirën Shqipërisë, ku është shpallur kampion kombëtar gjatë vitit të fundit dhe ka marrë pjesë në Lojërat e Detit të Zi, ku fitoi edhe medaljen e argjendtë në garën e 400 metrave me pengesa.

Mediat italiane e kanë cilësuar historik rezultatin e Halitit në kampionatin italian të sallave të mbyllura. Në turneun e zhvilluar në Ankona, sportisti që përfaqësonte klubin "Pol. Roço Scotellaro" të Materës, ai ka fituar pa vështirësi garën e 400 metrave, duke dhënë kohën 48"86, që është rekordi i ri italian për të rinj në këtë disiplinë. Kjo kohë është 26 të qindtat më e shpejtë se rekordi i vjetër i vendosur nga Danilo Bertaxha në vitin e largët 1983. Federata Italiane e Atletikës nuk e ka homologuar ende zyrtarisht kohën e regjistruar nga atleti shqiptar, vetëm për faktin se ky i fundit nuk ka ende nënshtetësinë italiane. Por kjo gjë do të bëhet shumë shpejt, duke parë edhe të ardhmen e siguruar të Halitit, i cili në tetorin e vitit të kaluar fitoi titullin kampion të Italisë për këtë grupmoshë në kategorinë e 400 metrave me pengesa.

Vetë atleti ka shprehur hapur dëshirën për të qenë pjesë e kombëtares italiane, duke harruar "të kaluarën" e tij shqiptare. Ai është i sigurt se mund të thyejë rekorde të tjera në të ardhmen. "Ky është vetëm fillimi. Këtë vit dua të shënoj arritje të tjera, duke filluar nga sigurimi i titujve italianë në garat e 400 metrave dhe të 400 metrave me pengesa që do të zhvillohet në Rieti. Falënderoj trajnerin tim, Antonio Ferro, i cili më ndjek me profesionalizëm në stërvitje dhe në gara. Nëse nuk do të marr nënshtetësinë italiane, është e sigurtë se do të marr pjesë në Olimpiadën e Pekinit në muajin gusht si pjesë e përfaqësueses shqiptare. Por ëndrra ime është të vesh fanellën e kaltër, pasi unë e ndjej veten 100% italian", u shpreh ai për mediat italiane, pas garës së dy ditëve më parë. Pas formës së shfaqur gjatë vitit të fundit, Haliti duket se e ka garantuar të ardhmen e tij në kombëtaren italiane të atletikës. Askush nuk duhet të çuditet për një gjë të tillë, pasi drejtuesit e atletikës shqiptare kanë preferuar të qëndrojnë indiferentë ndaj talenteve shqiptare gjatë viteve të fundit, duke u përqendruar më shumë në "luftën për kolltukë".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora