E merkure, 24.04.2024, 11:25 PM (GMT+1)

Faleminderit

Apostol Bitraku: Theofan Stilian Noli themeloi Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare

E marte, 15.01.2008, 10:00 PM


Theofan Stilian Noli themeloi Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare

Nga Apostol Bitraku

_ Më 4 dhjetor 1923, në kishën e Shën Gjergjit në Korçë, në mes të një entuziazmi të papërshkruar, Im Zot Noli u fronësua Peshkop i Durrësit, Gorës dhe Shpatit.
_ Morën fund kështu spekullimet e armiqve që, nën pretekstin se zgjedhja e Nolit peshkop në Amerikë ishte e paligjëshme, sulmonin jo vetëm veprimtarinë fetare të tij, po kryesisht atë politike e patriotike në shërbim të atdheut.

Kjo fotografi publikohet per here te pare
Në vitin 1907 ndodhi një ngjarje jo e zakonëshme që tronditi gjithë shqiptarët e Amerikës. Vdiq djaloshi 21 vjeçar Kristo Dishnica dhe nuk u gjet një prift për të kryer ceremoninë e varrimit. Prifti rus ishte i zënë gjetkë, po ashtu dhe ai sirian, kurse prifti grek që u ftua për këtë rast, refuzoi kategorikisht se shqiptarët kishin filluar të bënin propagandë për një Shqipëri më vete dhe grekët ishin zemëruar tepër. Merret me mend se çfarë shqetësimi, çfarë indinjate dhe keqardhje shkaktoi kjo tek të afërmit e të ndjerit dhe te gjithë shqiptarët e tjerë. Dhe ishte pikërisht kjo ngjarje e hidhur që i bëri shqiptarët e Amerikës të mos rrinin duarkryq, po të merrnin urgjent masa për të zgjidhur çështjen e priftit. Aty për aty u formua një komision dhe u paraqitën disa kanditatura për prift. Kanditaturën e parë e vuri Noli, ndërsa P.N.Luarasi, kur mori vesh që këtë veprim e kishte bërë edhe Noli, e tërhoqi kanditaturtën e tij.
Kështu, pas shumë përpjekjeve, bisedave e takimeve, sipas rregullave të ngurta kanonike, u arrit që Fan Noli të dorëzohet prift më 8 mars 1908. Pas disa ditësh ai dha meshën e parë në gjuhën shqipe, e theksojmë, në gjuhën shqipe që konsiderohet si e para liturgji në historinë e Kishës Ortodokse Shqiptare që u krijua ato ditë nga shqiptarët e Bostonit.
Kjo ishte një ngjarje e shënuar historike, një eveniment i madh jo vetëm fetar, po në radhë të parë politik e patriotik që i dha një goditje të fortë Patrikanës së Stambollit dhe kishës greke që, nën pretekstin e fesë, nxitnin e përkrahnin qarqe të caktuara në synimet e tyre shoviniste ndaj vendit tonë. Roli i Fan Nolit në këtë ngjarje të madhe, ishte i dukshëm dhe vendimtar. Fan Noli mori përsipër një barrë të rëndë se ia diktuan interesat kombëtare. Ai, duke u veshur prift, synonte të realizonte programin e tij e në radhë të parë bashkimin politik të shqiptarëve të Amerikës. Ai mendonte gjithashtu se kishat ortodokse, duke u shkëputur nga varësia e Fanarit grek, do të shndërroheshin në qendra të vërteta të edukimit të ndjenjave patriotike, liridashëse e vëllazërore të shqiptarëve të krishterë e myslimanë. Dhe, siç dihet, kësaj çështjeje ai i kushtoi gjithë jetën, duke bërë realitet ëndërrën e rilindasve tanë të mëdhenj.
Pas 13 vjetësh si kishte vajtur Noli në Amnerikë, numëri i shqiptarëve aty ishte rritur. Me mijëra hallexhinj nga Shqipëria kishin marrë rrugën e hidhur të kurbetit për një copë bukë. Si pasojë u shtuan edhe kolonitë shqiptare aty dhe numëri i priftërinjve. Në këto kushte duhej një peshkop. Në fillim Sinodi rus në ShBA e pranoi këtë kërkesë, po më vonë punët morën një rrugë tjetër. Vërtet në Amerikë u krijua kisha shqiptare, po në Shqipëri kishat vazhdonin të administroheshin nga Fanari dhe meshat e ceremonitë e tjera fetare bëheshin në gjuhën greke. Noli e kuptonte fare mirë se, duke transferuar fronin peshkopal në Shqipëri, do të realizohej shkëputja e plotë e kishës shqiptare nga kisha greke e do t’i jepej fund ndërhyrjes së paskrupullt të klerit grek në punët e brendëshme të kishës dhe shtetit shqiptar. Ndaj ai nuk u tërhoq para presioneve, vështirësive e intrigave të armiqve, po e vazhdoi rrugën deri në fund. U përzien në këtë çështje patriku i Rusisë, mitropoliti Platon, kryepeshkopi Aleksandër etj, u dhanë premtime, u përcaktuan edhe data, po të gjitha ishin fjalë pazari, premtime boshe se ata kishin marrë letra kërcënuese nga disa qarqe greke që nuk donin në asnjë mënyrë që Noli të bëhej peshkop. Pra, çështja kishte marrë karakter të theksuar politik. Më në fund, pas disa afatesh që ishin vënë dhe ishin shkelur, u caktua 26 korriku i vitit 1919 që të zhvillohej ceremonia për zgjedhjen e Fan Nolit peshkop. Kisha e Bostonit atë ditë ishte mbushur plot dhe të gjithë shqiptarët prisnin me ankth. Po, për fat të keq, edhe këtë herë aktet formale fetare nuk u kryen se kisha ruse në SHBA, megjithëse kishte premtuar, nuk dërgoi peshkopët e saj për fronësimin e Nolit. Atëhere populli i zemëruar, i indinjuar dhe i revoltuar, kërkoi që t’u jepej fund këtyre talljeve e fyerjeve dhe shprehu dëshirën që Noli të vishej Peshkop. Kështu populli, sipas të drejtës zakonore ortodokse, e zgjodhi Nolin peshkop me vullnetin e tij, gjë që nga disa rrethe të caktuara e për qëllime të caktuara keqdashëse, u quajt si e paligjëshme. Edhe komisioni peshkopal, i ngritur aty për aty, shpalli Kishën Shqipe të Amerikës Autoqefale, domethënë të pavarur dhe Nolin Peshkop të saj. Kështu kisha shqipe i shkëputi lidhjet e varësisë edhe me kishën ruse. Pas meshës Noli mbajti një ligjëratë të bukur e të zjarrtë ku kritikoi ashpër qëndrimin e kishës ruse dhe gjithë ata që sillnin pengesa e ngatërrime në dëm të popullit shqiptar dhe Shqipërisë.

Fan S. Noli Kryepeshkop ne SH.B.A.
Por, emërimi i Nolit peshkop shkaktoi një reagim të madh si brenda Amerikës, ashtu dhe jashtë saj. Shovinistët grekë e urryen, e shanë dhe anatemuan deri në pikën e fundit. Fan Nolin “çrrënjosësin e elenizmës në Shqipëri” ata e quanin “O Tromeros Alvanistis” (shqiptari i tmerrshëm). Për katër vjet me radhë kundërshtarët e tij e akuzuan rëndë dhe pa të drejtë Nolin si “i vetëquajtur” ose “i ashtuquajturi” peshkop. Nolit në këtë kohë i nxorën një sërë telashe. Kur ai u caktua nga “Vatra” si delegat në Konferencën e Paqes në Paris për të kundërshtuar të ashtuquajturën “Çështje të Vorio Epirit”, qarqet reaksionare greke ndërhynë te konsulli frances të mos i jepej viza. Dhe ia arritën qëllimit. Ata përdorën të gjitha mënyrat për ta penguar Nolin në misionin e tij se po të vinte një peshkop ortodoks shqiptar në Konferencën e Paqes, do t’u mbyllej goja pretendimeve shoviniste.
Megjithëkëto pengesa e vështirësi, Noli nuk e rreshti veprimtarinë e tij politike në shërbim të Shqipërisë, nuk u tremb e nuk u përkul para presioneve dhe luftës që i bëhej nga shumë drejtime. Ai zhvilloi një veprimtari të dendur në Gjeneve në punimet e Lidhje së Kombeve ku Shqipëria u pranua si anëtare e saj. Këtë akt vetë Noli e ka cilësuar si suksesin më të madh në karierën e tij diplomatike. Atë e shohim të zgjidhet kryetar i Partisë Popullore, Ministër i Punëve të Jashtëme dhe, me përpjekjet e tij, në Berat, u themelua Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Gjithashtu ai, gjatë kësaj kohe, pati shumë takime me popullin në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe mbajti shumë fjalime për gjendjen në vend dhe perspektivën e së ardhmes që konsiderohen si kulmet e oratorisë noliane.
Në vitin 1921 Noli erdhi në Korçë. Korçarët e pritën me gëzim të madh dhe entuziazëm të veçantë. Ishte ditë e vërtetë feste. Të gjitha gazetat e Korçës jepnin lajmin e gëzuar në faqe të parë dhe me shkronja kapitale. Ja disa fragmente të shkëputura prej tyre:

- “Kjo ditë ka për të mbetur e paharruar në histori. Për herë të parë shkeli peshkopi Theofan, themelonjës i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Lajmi gazmor që shenjtëria e tij pranoi të vizitojë Korçën, u përhap kudo si vetëtimë. Qyteti u zbukurua si për festë dhe pleqësia e Mitropolisë dërgoi një komision nën kryesinë e zotit Llambi Bimbli gjer në Vlorë që të presë shenjtërinë e tij. Nga Vlora në Korçë vonoi një ditë se fshatarët e ndalonin për t’i u falur e dhuruar kanisqe dhe kishin ngritur harqe me bredha ku do të shkonte shenjtëria e tij. Të premten pra, 9 dhjetor, shenjtëria e tij arriti në Korçë. Cili vallë mund ta përshkruajë pritjen madhështore që iu bë? Korça dhe gjithë qarku kishin dalë jashtë qytetit me lule në duar për të pritur të ardhmin e Shqipërisë, siç u prit dikur zoti ynë Jezu Krisht në Jerusalem. Qyteti i stolisur me flamurë dhe tregu u mbyll vet-vetiu. Shkollat, jetimorja ishin prej kohësh në të dy anët e rrugës. Banda “Vatra” buçiste. Automobilin e tij e shoqëronin 25 automobila të tjerë që kishin dalë ta prisnin në Leskovik dhe Ersekë. Me të zbritur, populli thirri :- Rroftë peshkopi ynë Theofan! Dhe shenjtëria e tij me zor i mbante lotët, i prekur tepër nga mallëngjimi e pritja që i bënë korçarët. Ai falenderoi gjindjen për dashurinë e treguar dhe pritjen e ngrohtë.” (“Gazeta e Korçës”, “Koha”,”Shqiptari i Amerikës” etj).

Pastaj u mbajtën fjalimet e rastit dhe nxënësit e shkollave thanë vjersha.
Herën tjetër kur erdhi Noli në Korçë ishte viti 1923. Situtata politike këtë herë ishte e acaruar se do të bëheshin zgjedhjet për në Asamblenë Kushtetuese. Noli, veç takimeve që pati me popullin, pranoi edhe kërkesën që iu bë për t’u kurorëzuar peshkop, për t’i dhënë kështu një karakter zyrtar pozitës së tij si klerik e për t’u mbyllur gojën armiqve të tij që kishin katër vjet që spekullonin në këtë drejtim. Dhe ky lajm u mirëprit nga të gjithë dhe u përhap kudo me shpejtësi. Pas përgatitjeve e bisedave që u bënë, më 4 dhjetor 1923, në kishën e mirënjohur të Shën Gjergjit në Korçë, u bë dorëzimi dhe fronësimi i Fan Nolit si peshkop i Durrësit, Gorës dhe Shpatit. Kjo mbeti një ditë historike dhe e paharruar për qytetin e Korçës dhe rrethinave të saj. Populli kishte ardhur që herët në mëngjes për të marrë pjesë në këtë ngjarje të jashtëzakonshme. “Në orën 9 nuk kishte vend të hidhje gjilpërën brenda dhe jashtë kishës”, - shkruhej në një kronikë të atyre ditëve. Merrnin pjesë një numër i madh priftërinjsh dhe ministri i punëve të jashtëme Z.Pandeli Vangjeli, kryetari i bashkisë Z.Vasil Avrami me gjithë këshillin, prefekti me tërë zyrtarët civilë, komandantët e ushtrisë me oficerët, konsujt e Italisë dhe Sërbisë dhe një shumë e madhe prej popullit.
Heshtje mbretërore për të dëgjuar këtë ceremoni që bëhej për herë të parë në shqip. Kulmi arriti kur peshkopët Jerotheos dhe Kristofor Kisi, që drejtonin ceremoninë shqiptuan me zë të lartë :- Aksios,Aksios! Zoti i faltë vite shumë për të mirën e atdheut! Një shprehje biblike kjo dhe gjindja e kuptoi që kishte kuptimin : i meritueshëm, i meritueshëm, i denjë! Njerëzit me qiri në dorë mbajtën frymën. Një psherëtimë e thellë, kënaqësi tek të gjithë. Pastaj i fronësuari veshi rrobat ceremoniale dhe një dritë e frymë e shenjtëruar ra mbi atë që do të udhëhiqte besnikët në udhën e së vërtetës. Pasi u lexua Ungjilli, shenjtëria e tij u ngjit në fron dhe mbajti një fjalim të gjatë si ato që mund të ligjëronte vetëm ai, duke vënë në dukje para pjesëmarrësve detyrat që dalin para atdheut dhe fesë.

Ne foto: Fan S. Noli, Gazeta Kombi dhe kisha e Shen Gjergjit ne Boston
Si mbaroi mesha, të tre mitropolitët dhe kleri, të veshur me rroba të shenjta dhe të përcjellë nga të gjithë zyrtarët dolën nga kisha me ceremoni të madhe duke i dhënë një shkëlqim të veçantë kësaj dite historike dhe u drejtuan për në Mitropoli. Turma e njerëzve i ndiqte pas. Xhandarmëria e kishte të vështirë të vendoste rregullin. Gra e vajza nga dritaret e shtëpive të tyre vështronin peshkop Nolin dhe e përshëndesnin nga larg. Në Mitropoli u pritën nga At Vasil Marko, kryetar i Këshillit të Lartë Kishëtar dhe pastaj u bënë urimet e rastit.
Kështu u mbyll kjo ditë e veçantë dhe e paharruar për popullin e Korçës. Gazetat e qytetit pa përjashtim e përshkruan këtë ngjarje të shënuar. Veçanërisht gazeta “Koha” i la asaj faqen e parë dhe korrespondencën e zgjeruar e kishte shkruar një nga penat më të njohura të asaj kohe, patrioti dhe publicisti i shquar Mihal Grameno. Në shkrimin e tij bie në sy gëzimi dhe entuziazmi që ndjen ai për këtë ngjarje të shënuar. Pasi përshkruan ceremoninë e fronësimit, vë në dukje disa merita e bën disa vlerësime të larta për Nolin.- Duke krijuar Kishën Kombëtare, ai vuri jetën në rrezik, - thekson Grameno,- po pengesat, vuajtjet, mundimet i shkeli me këmbë dhe qëndroi si Baba Tomorri i patundur nga barra e rëndë që mori përsipër. Ndërsa veprimtarinë e gjerë të Nolit në fushën e kulturës, të zhvillimit e përparimit të vendit, duke u treguar rrugën e dritës që duhet të ndjekin shqiptarët, e krahason me atë të misionarëve Kiril e Metodi për sllavët. Po kështu, fjalën që mbajti Fan Noli ditën e fronësimit peshkop në Korçë, e krahason me fjalët që derdheshin nga goja e Shën Johan Theollogut. Dhe në fund ai e uron peshkop Theofanin për këtë vepër kaq të shenjtë, duke hedhur kështu të parën shtyllë të çeliktë në themelet e Shqipërisë.
Fronësimi i Nolit peshkop ishte me të vërtetë një ngjarje me rëndësi të madhe historike. Kundërshtarët politikë pandehën se me këtë “fronësim” Noli do tërhiqej nga politika dhe do të merrej me punët e kishës, po ata mbetën të zhgënjyer kur ai u tha me shaka :- Ejani të puthemi sot, se nesër do të zihemi prapë! Dhe ai e vazhdoi luftën elektorale duke marrë pjesë aktive në të. Jo vetëm kaq, po edhe më von, siç dihet, deri në fund të jetës së tij Fan Noli dha një kontribut të shquar për demokracinë në Shqipëri si personalitet politik i shquar, si letrar, përkthyes, historian e mbi të gjitha si njeri me zemër të madhe që ëndërroi e sakrifikoi tërë jetën për një Shqipëri të lirë, të zhvilluar e të përparuar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora