E shtune, 20.04.2024, 04:21 AM (GMT+1)

Editorial

Mërgim Korça: Dekorimi i pesë personaliteteve me urdhërin e Skënderbeut dhe reagimet keqdashëse

E premte, 25.01.2008, 07:19 PM


DEKORIMI I PESË PERSONALITETEVE ME URDHËRIN  E SKËNDERBEUT DHE REAGIMET KEQDASHËSE.

Shkruar nga :  Mërgim Korça

Mërgim Korça
Nisma me shtysë kombëtare e Kryetares së Parlamentit zonjës Jozefina Topalli, për t’i propozuar Presidentit Bamir Topi një listë prej pesë vetash për dekorim me Urdhërin e Skënderbeut ku, tre prej të cilëve nënshkrues të Dokumentit të Mëvehtësisë, ndërsa dy të tjerët personalitete me një të kaluar tejet të përkushtuar ndaj Atdheut si edhe çështjes kombëtare, nuk kishte se si të mos na mbushte me gëzim.  
Mirëpo reagimi i deputetit zotit Ben Blushi jo që ishte tejet i vrazhdë dhe i pa respekt për nga forma, kategorik për nga përfundimet që nxirrte, por  edhe i mbështetur në argumenta sipas tij që, krahasuar me përgatitjen nga ana kulturore si edhe horizontin që mendoj se duhet të ketë ky deputet, lenë shumë për të dëshiruar.  Duke e konsideruar këtë një lajthitje të tijën të çastit dhe me shpresën se jo vetëm zoti Blushi, por edhe çdo koleg tjetër i tij por me vullnet të mirë e  me ndershmëri për t’i gjykuar gjërat objektivisht duke pranuar t’a zgjerojë shkallën e njohjes së tij, do të ndikojë që këta zotërinj të ndryshojnë pozicionim, na shtynë të ndalemi në këtë problem seriozisht.  
Shumë nga politikanët shqiptarë, paçin qenë të djathtë, të majtë apo edhe ... laramanë, gjatë diskutimeve të tyre në Parlament, nuk kanë shpëtuar dot pa pohuar se ... gjërat nuk duhet t’i shikojmë vetëm bardh e zi !    Si pohim parimor  ky është skajshmërisht i drejtë.  Mirëpo që të zbatohet ky parim vijn’edhe ndërthuren kaq shumë probleme, duke filluar që nga edukata e marrë lidhur me respektimin e normave të etikës edhe moralit, tek shkalla e formimit të kulturës së përgjithëshme bazë, e thelluar kjo me njohurí të themelta lidhur me historinë botërore, etj.etj. sa që çështja ndërlikohet shumë.  E për të mos mbetur këto që them vetëm në fushë teorike, mund të them me përgjegjësí se më erdhi shumë mirë tek lexova analizën që i bën të njejtit problem të dekorimit të pesë patriotëve zoti Henri Çili.   Duke i konsideruar si zotin B.Blushi e gjithashtu edhe zotin H.Çili bashkudhëtarë të së njejtës brezní kohore, menjëherë dalloheshin për nga forma, pra për nga edukata etike e të shprehurit, këta dy zotërinj.  Kjo edhe e thelluar nga fakti që zoti Blushi u drejtohej personaliteteve nga më të lartat e vëndit, kurse zoti Çili i drejtohej njërit prej deputetëve, dhe aq, të Parlamentit.  Këndvështrimi, nga i cili tashti dua t’a trajtoj problemin, i kalon shumë caqet e një analize thjeshtë të pikëpamjeve si edhe mënyrës së të trajtuarit të çështjeve nga ana e dy zotërinjëve të lartpërmëndur.  
Si një shqiptar që jetoj vërtet nga pikëpamja gjeografike larg Atdheut por që me shpirt e me zemër gëzohem e lumturohem kur dëgjoj ose lexoj të shprehen mirë për vëndin tim, nga ana tjetër fyhem në kulm, trishtohem edhe nuk e dua veten kur deri këtu, në Kontinentin Amerikan, shohim në ekranet televizive se si kacafyten fizikisht në seancë parlamentare përfaqësusesit e popullit tonë !   Ose, si nuk do t’a ndjej veten të fyer kur vëndin tim e radhisin organizatat botërore në krye të listës së krimeve edhe korrupsjonit dhe në bishtin e listës së zhvillimeve ekonomike ?!   Prandaj nuk mundem të hesht pa i trajtuar disa koncepte si edhe parime bazë të cilët të trashëguar nga periudha e gjatë kohore e diktaturës së egër komuniste, vazhdojnë dhe e mbajnë akoma të turbulluar nënvetëdijen e atyre që sot për sot i kanë në dorë frenat e vëndit e si pasojë asnjera palë nuk lëshon pé, edhe kur bëhet fjalë për të mirën e Shqipërisë !  
Do t’a filloj me një koncept që në vëndin tonë filloi të përdorej mbas pushtimit italian dhe konkretisht ai që në masë u quajt kompromis dhe atyre që vepronin sipas këtij koncepti i u vu cilësori kompromisaxhinj !   Sipas propagandës komuniste të viteve 40-t ky term ishte vetëm përkeqësues dhe u mvishej atyre që lidhnin marrëveshje në të mirën e vëndit.   Si i tillë ky koncept u ngurtësua në mëndjet e një pjese të madhe shqiptarësh dhe vazhdon e akoma i turbullon të tilla mëndje të ngjashme edhe sot si trashëgimí e pasqaruar e sistemit diktatorial.   Prandaj, duam ne apo nuk duam, duhet të merremi me të duke e shikuar më gjerë dhe në gjithkuptimin e tij.  
Mirë se ky term hyri me pushtimin e Shqipërisë nga Italia, po në Itali populli italian çfarë nënkuptonte me këtë term ?   Asgjë tjetër por një marrëveshje dypalëshe për shitblerje pasurije të patundëshme.   Ky kompromisi sipas italianëve që nënkuptonin një marrëveshje ku të dyja palët e interesuara bënin lëshime në kushte edhe çmime për të arritur në marrëveshjen e dëshiruar.   Në vazhdim do të shohim se ky koncept hyri edhe në politikë, por gjithmonë me kuptimin diametralisht të kundërt me atë që i dha Partia Komuniste Shqiptare.   Sa për një ilustrim, kur u vërtetua kriza e së ashtuquajturës karrige boshe lidhur me problemin e integrimit europian, ku u përplasën pikëpamjet e gjeneralit De Gaulle me ato të presidentit të Komisionit EEC-së Walter Hallstein dhe gjenerali e tërhoqi për gjashtë muaj përfaqësuesin francez nga ky komision, u krijua një tension ndërkombëtar në Europën e asaj kohe.  Punët rodhën si rodhën dhe De Gaulle e kuptoi se me ekonominë dhe politikën nuk zinin vënd qëndrimet burrërore kokëforta ushtarake, dha e dha edhe më në fund u detyrua dhe e pranoi kompromisin e Luxemburgut të 29 Janarit 1966.   Ai kompromis e rivendosi normalitetin në EEC. 
A thua nuk do t’i bënte ata, që fjalën kompromis e barazojnë vetëm me tradhëti, që duke mësuar fakte të tjera historikisht tashmë të vjetra, (por të reja për njohurit’e tyre), të nxjerrin përfundimet e duhura nga faktet e mësuara dhe të ndryshojnë pikëpamjet e tyre ?  Të shpresojmë.  
Me që e kam besimin se duke i a zgjeruar horizontin asaj kategorie të përfaqësuesve të së majtës shqiptare që vazhdojnë edhe ruajnë në nënvetëdijet e tyre ndikimin verbues të diktaturës komuniste, ata do të pozicionohen më arësyeshëm ndaj interesave kombëtare.  Prandaj po vazhdoj me fakte akoma më bindëse për ta sepse kompromise të idhujve të tyre si edhe etërve të tyre e kapërxyen nivelin e kompromisit duke u transformuar në kolaboracionizëm të mirëfilltë !     Një trullosje e papritur e pështjelloi Verën e vitit 1939 në pragun e plasjes së Luftës së II-të Botërore :  Nënshkrimi i paktit sovjeto – nazist !   Ky pakt, pjellë e një politike jashtë pasjoneve politike si nga ana e Hitlerit gjithashtu edhe Stalinit, shënoi një hap para përgjatë dy viteve të para të konfliktit.  Mirëpo të ndalesha vetëm në faktin politik, nuk do të hidhej drita e duhur ndaj detyrimeve që solli me vete ky dokument kompromisi.   Prandaj vazhdoj edhe shtoj se duke e ndjerë detyrim moral ndaj paktit të nënshkruar, B.Sovjetik i dorëzoi Gjermanisë hitleriane dhjetramijëra komunistë gjermanë edhe austriakë që ishin strehuar në B.Sovjetik.  Ose siç përshkruhet në librin me titullin  Togliatti 1937 të autorit Renato Mieli, ish drejtues i seksjonit të jashtëm të Partisë Komuniste Italiane, se si u eliminuan duke i zhdukur fizikisht drejtues të Partive Komuniste si Eberlein-i, Neumann-i, Remmele-ja, Kiepengeri, etj. e duke vazhduar edhe me Bela Kun-in hungarez ose të gjithë grupin drejtues të Partisë Komuniste polake !  
Edhe vetëm me kaq informacion sa paraqita, besoj se të majtëve të ndershëm edhe objektivë së pakut do t’u jetë nxitur dëshira për ... njohurí  më të detajuara në këtë drejtim.   Prandaj vazhdojmë me fakte, pa u futur hë për hë në krahasime edhe konsiderata.
Vetë termi kolaboracionizëm u hodh për herë të parë nga Mareshalli Petain gjatë fjalimit të tij në radion franceze më 30 Tetor 1940 kur ai i drejtohet popullit francez duke e ftuar të bashkëpunonin me gjermanët.   Pa hyrë e pastaj të zgjerohemi në trajtimin e kapitullimit të Francës brënda gjashtë javësh që nga shpallja e luftës, thirrja e Mareshallit Petain, (heroit të Francës së Luftës së Parë Botërore), kishte dy pikësynime :
Së pari, të ruheshin tri të katërtat e territorit kombëtar francez e të administroheshin nga vetë francezët, duke i u nënshtruar faktit që një e katërta e territorit ishte në dorën e gjermanëve.   Për këtë, thirrja e tij ishte që populli t’a zëvëndësonte parullën e trashëguar nga Revolucioni Francez, Liri, Barazí, Vëllezërim me trinomin tjetër, më të vyer për popullin francez në rrethanat e caktuara, Punë, Familje, Atdhé !    
Së dyti, duke pranuar të kryesonte qeverinë e Vichy-së, Mareshalli Petain  e përshpejtoi jashtëzakonisht kthimin e robërve të luftës francezë në shtëpit’e tyre në Atdhé.  
Tashti natyrshëm lind pyetja :  po haraçe pagoi Petain-i si pasoj’e kolaboracionizmit ?  Pa dyshim që edhe haraçe pagoi.   Më i dukëshmi prej të gjithëve, në mbështetje të regjimit nazist, zhveshja nga pronat si edhe deportimi i 130.000 të huajve që kishin gjetur strehë në Francë e bashkë me ta edhe i 70.000 francezëve hebrenj. 
Mirëpo, mbasi e dhamë një pamje të përshpejtuar të zhvillimeve në Francën e pushtuar nga Gjermania lidhur me kolaboracionizmin, mendoj se ka shumë rëndësi të ndalemi e të japim së rishmi një kuadër tjetër ku të vihen në dukje specifikat e kolaboracionizmit në Europë.  Të gjithë vëndet e pushtuara e patën secili kolaboracionizmin e tyre specifik.   Mirëpo ndryshonin shumë kolaboracionizmi norvegjez nga ai francezi ose hollandezi si edhe belgu.   Nuk mund të krahasohet kolaboracionizmi në Kroaci me atë në B.Sovjetik.  Ose kolaboracionizmi danez, që ngjante shumë me atë shqiptar, nuk krahasohen dot me asnjerin prej të tjerëve.   Prandaj, pa u zgjatur, vendosim disa piketa që t’u vlejnë lexuesve të prirë të mësojnë të vërtetat historike të cilët sinqerisht i ftoj t’i ballafaqojnë këto njohuri që po marrin sot me dokumentat përkatëse e vetëm pastaj të dalin me përfundime lidhur me bindjet e tyre.
Vazhdojmë me kolaboracionizmin norvegjez i udhëhequr nga Vidkun Quisling-u. 
Sipas të gjithë burimeve historike arrihet n’emruesin e përbashkët se mbasi Vidkun Quislingu me 17 maj 1933 e krijoi dhe u vu në krye të partisë Bashkimi Kombëtar të Norvegjisë, (ekuivalent i Partisë Nacional Socialiste të krijuar dhe udhëhequr nga Adolf Hitleri në Gjermani), ai u takua më 1939-ën me Adolf Hitlerin në Berlin dhe e nxiti këtë të fundit t’a pushtonte Norvegjinë.  Kur kjo ngjau në prillin e vitit 1940, Quislingu proklamoi qeverin’e tij.    Kjo qeveri pati vetëm shtatë ditë jetë.  Hitleri ishte informuar se Quislingu nuk e gëzonte simpatínë e popullit e prandaj Hitleri emëroi Josef Terbovenin si Gauleiter, (Governator i Përgjithshëm) e kësisoji Norvegjia drejtohej nga ai.  Por Terboveni, si kukull sajoi një post me emrin Minister President për Quislingun, ku Governatori formalisht masat e dhunës linte që t’i nënëshkruante Quislingu-norvegjez.  Përpjekjet e tija për t’i kthyer kishën si edhe rininë norvegjeze në ithtarë të Nacional Socializmit nuk gjetën mbështetje.   Për krimin e tij të njohur të deportimit në kampet e çfarosjes të 1,300 hebrenjëve si edhe krime të tjerë më të vegjël, në tetorin e vitit 1945 ai dënohet me vdekje edhe pushkatohet.   Kjo veprimtarí e tija bëri që emri i Kuislingut të simbolizojë tradhëtínë ndaj atdheut si edhe krime ndaj hebrenjëve edhe më gjerë.
Po në vetë Bashkimin Sovjetik ç’ngjiste në kushtet e pushtimit të pjesshëm të territorit nga ushtria gjermane ?   Specifika sovjetike paraqiste një karakteristikë krejtësisht më vehte sepse, vetë ata që bashkëpunuan me ushtrinë gjermane pushtuese, nuk ishin të nxitur nga të njejtat shtysa e doemos si rrjedhojë edhe interesat e tyre ndryshonin.   Në përgjithësi, mbas mbi 20 vitesh “pushteti sovjetik”, u ndërthurën faktorë tejet të shumllojshëm të cilët çuan në kolaboracionizmin rus.   Në krye të renditjes doemos dilte faktori kundërkomunizëm.   Ç’e nxiste dhe ushqente këtë faktor ?   Dy dhjetëvjeçarët e dhunës si edhe tmerreve masive të ushtruar nga regjimi marksist, të lidhur këto me internimet siberiane dhe masakrat e kryera ndaj klerikëve si edhe besimtarëve, konfiskimet e pronave shoqëruar me persekutimin e ish pronarëve, i lidhte të gjitha këto kategori kundërshtarësh të sistemit bolshevik me nacionalistët estonë, letonezë, lituanezë, ukrainas si edhe të atyre së të gjithë zonës kaukaziane që nuk e ndjenin veten aspak rusër të mirëfilltë.   Këta të fundit patjetër që donin dhe luftonin t’a ruanin identitetin e tyre kombëtar e prandaj u radhitën me të gjithë kundërkomunistët e tjerë.   Në këtë mes faktor me rëndësi qenë edhe kategoria e “Bolshevikëve të penduar”.   Mbas mbi dy dhjetëvjeçarësh sistemi dhune të egër komuniste, kishte ardhur duke u përvijuar si forcë jo e papërfillëshme por në hije, edhe kategoria e ish bolshevikëve ushtarakë që nuk ishin në asnjë mënyrë dakord me masakrat e spastrimeve staliniste, me terrorin e mbjellë për t’a kolektivizuar ekonominë bujqësore duke mos e marrë fare parasysh interesin personal të fshatarit.    Kjo kategori ish luftëtarësh bolshevikë e pranonin disiplinën por në asnjë mënyrë ndalimin e lirisë së fjalës e të shtypit !   Kësisoji njeri prej ish heronjëve të  betejës Moskës, gjenerali Vllasov, i ndjekur edhe nga oficerët madhorë si Blagorescenskij, Zilonkov, Zykov, Truchin, Malyskin, etj. formuan Komitetin për Çlirimin e Popujve të Rusisë (K.O.N.R.), formuan edhe njësín’e tyre ushtarake të përbërë nga 50.000 vullnetarë.   Në mbështetje të tyre në vazhdim, u bashkuan edhe 151.000 vullnetarë të tjerë e kësisoji u formuan divizionet “LATVIA”, “ESTLAND”,  “LETTLAND”, “GALICIEN”, “WEISSRUTHENIEN”, dy divizione “KAVALERIE KOZAKE”, një “BRIGADË SULMUESE KËMBËSORIE KOZAKE” si edhe 18 bataljone.  
Me që luftën e fituan Aleatët dhe jo Boshti, ësht’e qartë që Aleatët e shkruanë edhe historinë.   Pala perëndimore e Aleatëve u mjaftuan me propagandimin e ekzistencës së njësive me forca kundrapushtuese që ndikuan në fitoren e fundme, ndërsa pala sovjetike, si ngadhënjimtare, i masakroi kundërshtarët në masë duke i minimizuar përmasat e asaj pale e duke i zënë në gojë vetëm si një grusht tradhëtarësh e kolaboracionistësh !   Porse dokumentat historike dëshmojnë ndryshe !  
Për të mos u zgjatur më me faktet si edhe karakteristikat e kompromiseve historike si edhe pamjeve të kolaboracionizmit në vëndet e ndryshme europiane si edhe qëllimet e piksynimet e tyre, do të ndalemi shkurtimisht në dy aspektet e tyre në Danimarkë edhe Shqipëri.   Ç’patën të përbashkët në qëndrimet e tyre Danimarka me Shqipërinë ?   Në Danimarkë pushtuesi gjerman si edhe në Shqipëri ai italian, strukturën shtetërore e lanë të pacënuar, me pak fjalë në të dy vëndet nuk u nganë parlamentet dhe as qeveritë.   Danimarka pati një ndryshim me ne se ndërsa tek ne mbreti u largua nga vëndi, në Danimarkë ai qëndroi në fronin e tij.   Nga ana tjetër, në mes Danimarkës si edhe Gjermanisë u nënëshkrua një Memorandum  sipas të cilit njihej qeveria daneze me kompetenca të plota dhe gjermanët pranonin që të mos ndërhynin në punët e brëndëshme të vëndit.  Ky qe edhe pozicionimi i Italisë ndaj Shqipërisë.   Gjermania i a bëri të qartë qeverisë së Mbretërisë Danimarkës se ushtria gjermane territorin danez do t’a kishte vetëm urë kalimi për nevoja strategjike e asgjë më shumë, gjë e cila përbënte edhe suksesin e madh në lidhje me fatet e ardhëshme daneze.   Të mos harrojmë se i njejtë qe edhe pozicionimi i Gjermanisë ndaj vëndit tonë, mbas kapitullimit të Italisë.  
Doemos qeveria daneze, mbështetur në detyrimet që i lindnin nga kompromisi i detyruar me qeverinë gjermane, (gjithmonë për të ruajtur sa më shumë interesat daneze), u detyrua edhe ajo të lëshonte pé në disa drejtime si p.sh. duke i prerë marrëdhënjet diplomatike me Bashkimin Sovjetik e në vazhdim edhe me Sh.B.A.-të, njëkohësisht mori pjesë në paktin kundra-komintern dhe Partinë Komuniste e nxori jashtë ligjit !  
Për t’u theksuar është se si shprehet historiani danez, specialist në fushën e rezistencës kundra-gjermane Haestrup, lidhur me pozicionimin e popullit danez ndaj okupatorit gjerman i cili thekson se një pengesë psikologjike ndaj rezistencës popullore daneze u krijua nga vetë gjermanët të cilët silleshin në mënyrë mjaft korrekte dhe u shmangeshin akteve të dhunës.  
Kalojmë tashti tek problemi tejet i vështirë i asaj kohe :  çështja hebrejve.   Në këtë pikë, e cila për të dy vëndet që marrim në shqyrtim ishte një pikë kyçe tejet e mpreht’edhe e rrezikëshme, përfundimet qenë disi të ndryshëme por pa diskutim në favorin e drejtuesve të shtetit shqiptar.   Në Danimarkë vërtet nuk u prek dhe nuk u dërgua në kampet famëkeqe të çfarosjes asnjë hebré, por asnjë hebré danez.   Kurse në Shqipëri, në dallim nga Danimarka, jo vetëm që asnjë hebré i Shqipërisë nuk u dërgua në kampet e çfarosjes gjermane por, me që Kosova administrativisht më në fund u bë e mundur t’i bashkohej Atdheut Mëmë sipas këmbënguljes nacionalistëve të përkushtuar shqiptarë që duke qenë tejet largpamës e luajtën shkëlqyeshëm rolin e atyre që dijtën të bënin si kompromise e gjithashtu t’a luanin edhe rolin e kolaboracionistëve duke vënë mbi të gjitha INTERESAT E SHQIPËRISË, ajo qeveri të cilën propaganda komuniste kërdisej nëpër traktet e saj duke e quajtur qeveri kuislinge, e kryesuar nga Mustafa Merlika Kruja, i shpëtoi edhe hebrejtë e Kosovës të ardhur atje nga Hungaria, Rumania, Bullgaria edhe duke i paisur me dokumenta shqiptare !   Ja shkurtimisht çfar mund të sjell unë nga kujtesa e ime e lidhur kjo që unë pohoj edhe me faktin se thelbi i problemit gjëndet në dokumentat e Arkivit të Shtetit vetëm se duhet nxjerrë në dritë, të pastrohet nga merimangat q’e kanë mbështjellë me rrjetën e tyre në fondin e ndaluar të  Arkivit e pastaj faktet të interpretohen me ndershmëri dhe paanësí !   Po, të interpretohen me ndershmërí dhe paanësí !    Kjo dhe asgjë tjetër nuk kërkohet lidhur me rishkrimin e historisë ! 
E mbaj mënd mirë sikur të ishte dje. Vjen një ditë në shtëpinë tonë miku i families dhe kryeministri i Shqipërisë, Mustafa Merlika Kruja dhe porsa hyn i thotë t’im eti, (i cili sapo ishte kthyer nga një inspektim i përgjithshëm i shkollave në Kosovë), a kishte patur kontakt me ndonjë mësues ose profesor hebré dhe ç’dinte t’i thosh më gjerë për hebrenjtë e Kosovës. Babai i tha se miku i tyre i përbashkët z.Iljaz Agushi, (atëkohë ministër i Punëve Botore), nëpërmjet vëllait të tij z.Isuf Agushit, e kishte paraqitur me një profesor hebré që kishte qenë dishepull i albanologut nga më të shquarit, profesor Norbert Joklit, dhe i cili kërkonte ndihmë që mundësisht t’a emëronin profesor të gjuhës shqipe në Gjimnazin e Prishtinës. Mbasi biseduan gjer’edhe gjatë lidhur me mikun e përbashkët, profesor Joklin, e mbaj mënd se profesori hebré filloi nga puna. Kaq dijti t’i thosh babai lidhur me kontakte me hebrenj në Kosovë. Atëhere Mustafa Merlika Kruja i tha babait se duhej të merrnin masa urgjente për t’u ardhur në ndihmë hebrenjëve në Kosovë. I telefonuan ministrit të Punëve të Brëndëshme z.Mark Gjonmarkaj si edhe sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë, z.Engjëll Çoba dhe e lanë të mblidheshin menjëherë në zyrën e Kryeministrit.  Mbas disa ditësh mësova se Mark Gjonmarkaj kishte dërguar në krye të një ekipi të tërë prefektësh, nënprefektësh si edhe nëpunësish të besuar të Ministrisë së Brëndëshme, duke mobilizuar edhe të gjithë autobusat e shoqërisë S.A.T.A., zotin Engjëll Çoba në Prishtinë si i plotfuqishëm të pajiste me dokumenta shqiptare si edhe me emra shqiptarë sa më shumë hebrenj që t’ishte e mundur e t’i transferonte në Shqipëri.  Kaq kujtimet e mia.
Megjithatë në asnjë mënyrë nuk pretendoj që këto kujtime të merren si të vërteta historike, por, nisur nga këto kujtime, mendoj se ësht’e plotë mundësía që në dokumentat arkivore studjuesit e historisë t’ia gjejnë fillin urdhërit me të cilin kryeministri Mustafa Merlika Kruja u dha rrugë atyre veprimeve pro-hebreje. Ai urdhër, pa as më të voglën mëdyshje, ka qenë pasuar padyshim edhe nga urdhëra të tjerë të asaj periudhe lidhur me këtë problem. 
        I lemë tashti kujtimet dhe vijmë tek pohimi i bërë nga Mëkëmbësi i Mbretit, z. Francesco Jacomoni, në faqet 288-289 të librit të tij titulluar : La politica dell’Italia in Albania (Politika e Italisë në Shqipëri) me botues Cappelli Editore botuar më 31 maj 1965, ku autori pohon tekstualisht :   “Një demonstrim nga ana e Mustafa Krujës i asaj që ishte -burrnia- e tij, d.m.th. aftësía për t’i përballuar situatat me guxim si edhe zemërgjerësí, e pata pak kohë mbasi ai kishte marrë përsipër Kryesinë e Këshillit Ministror. Ishte paraqitur tek ai konsulli i përgjithshëm i Gjermanisë dhe i kishte paraqitur një notë verbale me të cilën qeveria naziste kërkonte dorëzimin e mbi treqind hebrejve që, refugjatë nga Jugosllavia, kishin gjetur strehim në Shqipëri. Komanda ushtarake gjermane e Beogradit kishte dhënë njoftime të sakta lidhur me emrat si edhe vëndet se ku ishin strehuar ata në Kosovën Shqiptare. Mustafa Kruja erdhi të më merrte lejen t’i linim të patrazuar në Shqipëri. Në Shqipëri në fakt nuk kishte asnjë këmbë ushtari gjerman që të mund t’i identifikonin. Megjithatë, ramë n’ujdí që refugjatët hebrenj të transferoheshin menjëherë në zonën e Gjirokastrës e cila kufizohej me zonën greke, të okupuar nga trupat italiane. Ata do të paiseshin me pasaporta shqiptare me emër fallso dhe, po të paraqitej nevoja, do të ndihmoheshin edhe materialisht. Këto masa do t’i lejonin Mustafa Krujës t’i përgjigjej mbas disa ditëve konsullit të përgjithshëm të Gjermanisë se si të gjitha hetimet e kryera në Kosovë lidhur me listat emrore kishin rezultuar negative.
Roma nuk u njoftua zyrtarisht lidhur me këto zhvillime, por privatisht u informua drejtori i përgjithshëm i çeshtjeve rezervate, ministri fuqiplotë Vidau. Ai ishte njeri me zemër të gjerë dhe në saje të tij mundësuam nëpërmjet përfaqësive tona jashtë shtetit, t’i paisnim hebrenjtë gjermanë, bohemë, polakë, ungerezë dhe rumunë me pasaporta shqiptare. Atyre u krijohej mundësía t’u shmangeshin persekutimeve raciale duke i u drejtuar Shqipërisë.”
Me kapitullimin e Italisë edhe Shqipëria u shkel nga këmba e ushtrisë gjermane.    Si formë kushtetuese drejtimi, vëndin tonë e drejtonte Këshilli i Lartë i Regjencës i përbërë nga katër këshilltarë, (në ndryshim nga Danimarka ku në krye të shtetit ishte mbreti), e pastaj si aparat ekzekutiv qeverit’e ndërsjella. Në vazhdim, edhe Këshilli i Lartë i Regjencës i qëndroi vendosmërisht besnik pozicionimit të Qeverisë kuislinge Kruja ndaj hebrenjëve dhe kësisoji deri ditën që nga territori shqiptar u largua edhe këmba e ushtarit të fundit gjerman, hebrenjtë e birësuar shqiptarë nuk i ngacmoi askush !  
Këtu tashti edhe ndarja kryesore e qëndrimeve të pjekura të popullit danez krahasuar me ato të popullit tonë.   Populli danez, popull i pjekur dhe me tradita demokratike, (ndonëse shteti ishte monarkik), e kishte të qartë se në çdo marrëdhënje me tjetrin, kur në mes hyjnë interesa të ndërsjella, çështja themelore ishte si duhej të zhvillohej kompromisi  duke patur gjithmonë parasysh si busull orientuese interesat kombëtare.   Kurse ne si popull udhëhiqemi nga parimi, (i cili duke qen’i pranishëm kudo e kurdoherë është bërë edhe proverb), i cili pohon se  Shqiptari për një plesht e djeg jorganin !  E ne fatkeqësisht, me këtë thënje popullore që na karakterizon, mburremi ... në vënd që të turpërohemi !   A nuk qe politika e P.K.Sh. e cila trumbetonte se nuk e njihte as kompromisin si nocion historik gjithashtu edhe kolaboracionizmin, dhe ishte pikërisht ajo që na shpuri në politikën bardhë e zi të të ngrënit bar gjithë populli dhe kompromise nuk bëjme por digjemi të tërë bashkë me jorganin ?
 Vijmë tashti dhe i analizojmë situatat me sy objektiv krahasimor.  Ky ndryshim i thellë në mendësí ndërmjet popullit tonë dhe atij danez bëri që edhe fatet e popujve tanë me mbarimin e luftës të ndryshonin rrënjësisht !   
Besoj se lexuesi nuk do të mërzitet tashti që, me materialin që kemi në dispozicion, të bëjmë një analizë fare pa rrëmbim e me gjak të ftohtë e të nxjerrim edhe përfundimet e duhura.   
Se si u zhvilluan ngjarjet, kjo është histori. Prandaj,  kapim momentet kyçe, i analizojmë e nxjerrim edhe përfundimet, duke e theksuar edhe një herë,  pa mllefe  e pa ndikime ideollogjike.
Populli danez e kuptoi se sado të ngrihej ai në këmbë kundra ushtrisë gjermane, kësaj të fundit asnjë cifël nuk i hiqej nga shtati i saj dhe të humburit do të ishin vetëm danezët.   E prandaj ata nuk u rrëmbyen nga propaganda aleate e cila bënte thirrje për luftë nacional çlirimtare.  Nga prireshin aleatët që bënin thirrje për rezistencë anti-gjermane ?  Sikur një ushtar i Reichut të vritej, ishte një grykë zjarri më pak kundra forcave aleate !    Hesapi ishte i thjeshtë.   Ata shikonin interesat e tyre.   Por edhe populli danez e kuptonte shquar se në bilancin total të asaj lufte mes gjigantësh ndikimi i tyre në favorin e aleatëve do të ishte mikroskopik i krahasuar me humbjet potenciale që do të pësonin.   Prandaj edhe u mbyllën në guaskën e tyre, bënë kompromise si edhe kolaboracionizëm me ushtrinë pushtuese gjermane dhe ... pritën të përfundonte lufta !  
Në kushtet e okupimit të Shqipërisë nga Italia, normalisht ndjenja kombëtare e shumicës dërmuese të popullit tonë u lëndua, siç i u lëndua ajo edhe pjesës dërmuese të popullit danez.   Mirëpo fqinji ynë verior Sërbia, duke i patur tejet të gjalla atavikisht ndjenjat antishqiptare, padyshim që përbënte një rrezik të madh potencial për vëndin tonë.   Flas pa bërë dallime në mes qeverisë zyrtare të mbretit ose P.K.Jugosllave.   E bëj këtë sepse nga lartësia e viteve 2000 gjithsecili e ka të qartë se antishqiptarizmi sllav ndaj nesh nuk ka ngjyrë ideologjike partiake :  ai është në genin e çdo sllavi kufitar me ne !   Si u zhvilluan ngjarjet ?    
Në Shqipëri, djallëzia jugosllave, arriti të bëjë të pabesueshmen : 
- E krijuan P.K.Shqiptare Dushan Mugosha me Miladin Popoviçin.  Kjo u fut totalisht në dorën e tyre duke e caktuar, (jo zgjedhur – M.K.), Enver Hoxhën si Sekretar provizor  të P.K.Sh. Kryetarët dhe n/kryetarët e grupeve komuniste, që u shkrinë për t’a formuar Partinë Komuniste Shqiptare, u lanë jashtë Komitetit Qendror Provizor me pretekstin të mos ushtronin ndikime sipas pikëpamjeve të grupeve të ndërsjellë.
-    Arritën t’a nxisin partin’e porsaformuar t’a ndizte luftën civile mes forcave që aderuan me të, kundra forcave nacionaliste që bënin kompromise si edhe kolaboracionizëm.
-   Përmes një propagande djallëzore arritën t’a përçanin edhe nacionalizmën shqiptare dhe i a ndezën mëndjen popullit kundra nacionalistëve të mirëfilltë që duke sakrifikuar veten, prestigjin si edhe të kaluarën e tyre personale, bënë kompromise edhe bashkëpunuan me okupatorin italo-gjerman  me objektiv të tyre madhor interesat kombëtare !   E këta i emërtuan tradhëtarë, kompromisaxhinj e kolaboracionistë të shitur tek armiku !(?)  
-   Duke i nxitur si edhe organizuar veprimet tamam terroriste të njësiteve edhe çetave   arritën që me taktikën godite armikun edhe ik, pushtuesi gjerman të zhdukte e të asgjësonte fshatra të tërë e kësisoji pjesa e popullatës fshatare që shpëtonte i mbushte radhët e ushtrisë së quajtur partizane. 
-   Gjëja tjetër që nxitën e organizuan jugosllavët, ishin atentatet në qytete duke hyrë e duke i vrarë edhe brënda shtëpive të tyre tamam me atentate terroriste ata që sipas tyre ishin tradhëtarë.  
-   Kështu, me të mbaruar lufta, situatën si edhe pushtetin e mori në dorë P.K.Shqiptare e cila duke pasë qenë krijesë servile e P.K.Jugosllave zbatoi pa i u dredhur qerpiku politikën pro jugosllave duke e detyruar popullin shqiptar kësisoji të kryente harakirin e tij !  
Sa për ilustrim, me që problemi i shkëputjes së Kosovës nga thonjtë sllavë është nga problemet e mprehta bashkëkohore, po sjellim tri ndodhí radhazi, dokumentimi i të cilave hetohet fare lehtë, dhe që flasin qartë si e zhvilloi kolaboracionizmin P.Komuniste Shqiptare :
1- Në muajin korrik të vitit 1946 u mbajt mbledhja e Kuvëndit të Sërbisë ku u miratua aneksimi i Kosovës Jugosllavisë Federale.
2- Në muajin gusht të vitit 1946, vetëm një muaj mbas aneksimit të Kosovës, u zhvillua në Paris Konferenca e Paqës. Atje delegacionit tonë i u drejtuan disa pyetje sa i takonte qëndrimit të Shqipërisë ndaj atij aneksimi. Lidhur me këtë ju ftoj t’a gjeni e t’a lexoni fjalimin e Enver Hoxhës mbajtur në Konferencën e Paqës në Paris, ku ai thotë shprehimisht : "Ne nuk kemi pretendime ndaj aleatit tone Jugosllavi". (Enver Hoxha,fjalimi orgjinal ne Konferencen e Paqes, Paris, AQSH). 
3-  Më 15 dhjetor 1946 u zhvillua mbledhja e Byrosë Politike të Komitetit Qëndror.  Sipas proces-verbalit të mbledhjes që gjëndet në dokumentat e ish Arkivit të KQ te P.P.Sh., gjatë fjalës së tij Enver Hoxha në atë mbledhje ka thënë "Disa anëtarë partie duan të filozofojnë se mos thotë populli ç'bëtë me Kosovën...Ne do të ua spjegojmë, kush nuk na kupton, ne do ti luftojmë ".   Në këtë atmosferë, me urdhërin e vetë E.Hoxhës i u dorëzuan vëllezërve si edhe drejtësisë jugosllave një varg patriotësh shqiptarë si patrioti dhe gjuhëtari i shquar prof.Selman Riza, i nipi i Bajram Currit, Shaqir Curri e të tjerë që të gjykoheshin e të dënoheshin prej jugosllavëve.
Përgjatë kësaj analize dëshiroj t’a ballafaqoj lexuesin me një pohim tejet ngjethës të ish shifrantit të K.Q. të P.K.Shqiptare, zotit Islam Kadeshi, i cili ka thënë “ ... Në pranverën e vitit 1945 erdhi një shifër nga komisari i Divizionit të Veriut Ramiz Alia nga Mali i Zi me anën e të cilit ai njoftonte : -- Sot herët në mëngjes një turmë e madhe disa mijëra shqiptarë të Kosovës, pasi u grumbulluan në mes dy kodrave, në një luginë, u pushkatuan dhe u likuiduan të gjithë. – Telegramin e deshifruar e çova në zyrën e Koçi Xoxes.  Atje ishte Enver Hoxha ...” ®
Sa të trishtë këta qëndrime kolaboracioniste thellësisht antikombëtare, pasoj’e të cilëve është lufta që po bën sot e kësaj dite populli kosovar, jo për t’u bashkuar me tokën amë, (siç e pat bashkuar politika e kuislingëve), por së pakut të fitojë pavarësínë !   Dhe të vetëdijshëm se ç’po bënin, Enver Hoxha me gjithë shokët e tij, jo vetëm që i a dhuruan Kosovën Jugosllavisë, por, (në bazë dokumentash arkivale), i dërgonin Titos telegrame duke shprehur emocionin e tyre që sa më parë Shqipëria t’i bashkangjitej Federatës Jugosllave !
Sipas Ramiz Alisë, i cili fytyrën e tij djallëzore gjithmonë e fsheh prapa buzëqeshjes dhe mirësisë së shtirë, ky nuk ka qenë kolaboracionizëm !  Kolaboracionizëm tradhëtar sipas tij, ka qenë ai i asaj kategorie nacionalistësh largpamës që bënë të pamundurën dhe Kosovën i a bashkuan Shqipërisë mëmë.   Për ata qëndrime tejet patriotike, Ramiz Alia me shokë atë kategori i dënuan me vdekje dhe i  pushkatuan !   Por e keqja nuk merr fund me kaq.   Sot, nga lartësit’e viteve 2000, nga që Ramiz Alia me shokë nuk dhanë llogari për krimet e tyre, ai në intervista publike vazhdon e tallet akoma me popullin shqiptar, në një kohë që unë e ftoj z.Blendi Fevziu t’a pyesë publikisht z.Ramiz Alia si e kujton ai zotin Islam Kadeshi si edhe pohimet e tija ?!  ®-1       
 Duke e parë dhe kahasuar pozicionimin e drejtuesve danezë të shtetit, shumë të ngjashëm me atë të nacionalistëve shqiptarë, drejtues të Shqipërisë, si lidhur me nocionin kompromis e gjithashtu edhe me atë kolaboracionizëm e njëkohësisht duke i bërë një paraqitje fluturimthi edhe kolaboracionizmit stalinist të udhëheqësve të P.K.Shqiptare, pa vazhduar më tej, ndalemi edhe nxjerrim përfundime nga krahasimet me Danimarkën.  
        I radhisim sukseset e mëdha të arritura falë pjekurisë popullit danez :
       1- Me përfundimin e Luftës së II-të Botërore Danimarka kolaboracionizmin me gjermanët si edhe kompromiset që u arritën i konsideroi veprime me rezultat konkret në favor të vëndit.
       2- E majta daneze, duke qenë se P.Komuniste ishte nxjerrë jashtë ligjit, nuk pati asnjë iluzion t’ia ndryshojë drejtimin pro-perëndimor vëndit ku si pasojë ekonomia e tregut shënoi vazhdimisht  suksese sa i takon  rritjes së begatísë të Mbretërisë Kushtetuese të Danimarkës !
       3- Danimarka u integrua që më 4 prill 1949 në aleancën perëndimore Atllantike NATO dhe që më 1 janar 1973 pranoi (kurse ne lutemi) të bëjë pjesë në Tregun e Përbashkër Europian.
        Radhisim tani fare objektivisht edhe pa asnjë ndikim ideollogjik apo politik se ku na çoi rrëmbimi karakteristik që për një plesht e dogjëm jorganin, i çfrytëzuar ky mjeshtërisht nga ana sllave në favorin e tyre e në dëmin tonë dhe si u reflektua në Shqipëri kolaboracionizmi marksist me Jugosllavinë, B.Sovjetik e në vazhdim si edhe ndikimi i tij në dhjetëvjeçarë ? 
 1- Me mbarimin e Luftës së II-të Botërore P.Komuniste e zhduku mes terrorit të paparë thuajse të gjithë klasën intelektuale shqiptare me epitetin kolaboracionist’e kompromisaxhinj !
 2- Në ekonomí u zbatua me dhun’e me gjak parimi marksist-leninist i shtetëzimit 100 % të saj, rezultat i të cilit është trashëgimía e varfërisë totale të vëndit që edhe mbas thuajse dy dhjetëvjeçarësh nuk po e merr dot veten dhe Shqipëria vazhdon e renditet me vëndet më të mbrapambetura afrikane.
 3- Kemi 17 vite që vazhdojmë e lutemi të na fusin në NATO, deri më sot pra 58 vite me vonesë krahasuar me Danimarkën.   E të qe me kaq, gjysma e së keqes.  Po vazhdojmë e lutemi të na integrojnë në Europën e Bashkuar e na thonë se akoma nuk i plotësojmë kushtet !
Përgjatë analizës mendoj se u trajtuan mjaftueshëm prejardhjet e termave, këndvështrimet ndaj tyre si edhe rezultatet e arritura si nga të djathtët nacionalistë edhe nga të majtët, predikuesit e internacionalizmës. 
Për aq sa më lejohet në kuadrin e një shkrimi, shtrirja në gjerësí si edhe thellësí i një analize të kësaj natyre, jam munduar të sjell e t’i paraqis lexuesit fakte të mbështetura në dokumenta si edhe gjykime sa më objektive, ku qëllimi është të hidhet dritë rreth asaj propagande cfilitëse gjatë viteve të luftës, e pastaj e vazhduar me ushtrim dhune të skajëshme përgjatë diktaturës, që lexuesi, duke e zgjeruar horizontin e tij të gjykojë rreth tri çështjeve thelbësore : 
1-  Kompromisi si edhe kolaboracioni (bashkëpunimi), në parim janë mjetet me të cilët realizohen marrëveshjet me lëshime të dyanëshme, për të arritur të dyja palët maksimumin e interesave të tyre.   Sa u takon drejtuesve të fateve të kombeve, në qëndër të vëmëndjes së tyre duhet të jetë shmangia e vështrimeve bardh e zi të problemeve  e doemos, duke vënë mbi çdo gjë interesin kombëtar, të vihen në jetë me sa  më pjekurí e mënçurí këta dy koncepte !   
2-   Të gjykohet objektivisht propaganda staliniste e P.K.Shqiptare gjatë viteve të luftës si edhe ajo e 47 viteve të diktaturës në vazhdim, të cilat rreth nocioneve kompromis, kolaboracion si edhe ndaj cilësorit kuisling, kishin dhënë pikëpamjet e tyre tejet agresive dhe deformuese, (ku për veten e tyre as që pranonin të flitej për zbatim të këtyre nocioneve).   Kësisoji ato krijuan një bunker rrethues ndaj tyre  dhe e quajtën tabú diskutimin ndryshe.  
3-  Mbështetur në rrjedhën e ngjarjeve historike, nisur edhe nga qëndrimet e mbajtura prej drejtuesve të Danimarkës e doemos edhe mbështetur në kuadrin e arritjeve që nga viti 1945 e deri më sot, bazuar mbi faktin që Shqipëria si edhe Danimarka kanë qenë trajtuar nga fuqitë pushtuese thuajse me shënjën e barazimit, të gjykohet se cili qëndrim politik ka qenë më largpamës dhe në interesin e vëndeve të ndërsjella në vazhdim.
  Dhe e keqja vazhdon edhe sot ku jo vetëm persona me indoktrinim të thellë e doemos me mangësí të theksuara nga ana e përgatitjes kulturës përgjithëshme, por edhe të rinj të emancipuar, me një shkallë ngritjeje intelektuale jo të papërfillëshme dhe herë herë shumë objektivë ... veç kur lajthitin, rrëshqasin së rishmi në vorbullën e propagandës tabú edhe shprehen akoma me mllefe klasore sot, në vitin e tetë të Shekullit të Ri, kundra atyre që dikur P.K.Shqiptare i pat emërtuar kuislingë dhe si pasoj’edhe i pushkatoi, në një kohë që ata ishin patriotë të skajshëm që para interesave kombëtarte lé pasurín’e tyre, kush ishte i pasur, por as interesat e familjes së tyre nuk i vinin :  Atdheun e kishin të shënjtë !   
  E kam bindjen se këta politikanër relativisht të rinj, duke e mësuar edhe faktin se si është shprehur ai që është quajtur demokrati i shkëlqyer, ndonëse ishte republikan si formacion politik, (The democrat par Excellence ), Presidenti Abraham Lincoln, sido që të jetë puna do të zgjerojnë këndvështrimet e tyre.  Ja tri nga thënjet e tija lapidare :
       “Nuk ka se si të përkrahet  vëllezërimi njerëzor duke e nxitur luftën klasore”.
                      “Nuk forcohet i pafuqishmi duke e dobësuar të fuqishmin”.
Të dy këta pohime madhorë, për kë gjykon e mendon me realizëm e ndershmëri, e përmbledhin saktësisht edhe e japin të qartë kuadrin se sa jashtë realitetit kanë qenë t’ashtuquajturat luftëra nacional çlirimtare nën shëmbullin e Revolucionit të Tetorit.  Si u katandis ish Kampi Socialist themelet e të cilit u ndërtuan me dhunë edhe krime monstruoze bazuar mbi non sensin e shtetëzimit 100 % të ekonomive të ndërsjella ku dështimi ekonomik solli pastaj edhe  shkërmoqjen politike të atyre sistemeve.
Kurse thënja e tretë në vazhdim, duhet t’ua hapë sytë politikanëve bashkëkohës që akoma e quajnë periudhën tashmë 17 vjeçare që nga shkërmoqja e diktaturës, tranzicion, t’i shkundë e të ballafaqohen me realitetin duke u munduar të heqin dorë nga egoizmi i çfrenuar e të venë në plan të parë interesat kombëtare !   Lincolni i madh pohonte :
    “Nuk mund të vendoset siguríja shoqërore duke përdorur pará të huajtura”.
E tek ne fatkeqësisht, ka 17 vite që vetëm marrim borxhe.  Asnjera nga qeveritë as e ka vënë në zjarr ujin e fillimit të shlyerjes tyre, (ose së paku nga shtypi kurrë nuk jemi informuar rreth këtij problemi),  e as mendohet se dikur Shqipëria do të gjunjëzohet për t’i shlyer !
Do t’a mbyll këtë analizë me tri thirrje-pohime klerikësh tejet të shquar se mbase diçka u thonë këto atyre që kanë veshë, akoma nuk dëgjojnë por që duan të dëgjojnë. 
Në të largëtin Janar të vitit 1944, kur Patër Anton Harapi u thirr të bënte pjesë në Këshillin e Lartë të Regjencës, Ai mbajti një fjalim programatik.   Fjalimin e Tij, pa i ndërruar asnjë pik’apo presje, pa le fjalë apo fjalí, t’a lexonin me radhë të gjithë ish presidentët pararendës të zotit Topi si edhe vetë ky i fundit, veç ndei i tyre do të kish qenë dhe e mira e Shqipërisë.  Ja si e mbyll fjalën e Tij Patër Antoni :  
 Sod që jemi më kufí të përmbysemi me t’egër e me të butë, në këtë përmbytje të fundit, për ne nuk do të ketë germanofila, anglofila, italofila; s’ka njerëz të djeshëm e të nesërm, sot do të jemi shqiptarë e vetëm shqiptarë, të zot të çveshemi e të harrojmë gjithshkafen, vetëm e vetëm për të shpëtue komb, shtet e popull. Urrah të bashkohemi, se mbaruem : Të prâjnë fjalët e arsyetimet. T’a bâjmë monumentin kombëtar : bashkimin e shqiptarve.  ®-2
Foli Patër Antoni.   E dëgjuan si drejtuesit edhe populli shqiptar.   Mirëpo shumica  nuk  deshi t’a ndigjonte.  Kjo edhe fatkeqësia e ynë.   E doemos, në vazhdim, me t’a marrë pushtetin çlirimtarët, Patër Antonin së bashku edhe me Lef Nosin me shokë, patriotët e skajshëm që çdo gjë sakrifikuan për Atdhé, duke i etiketuar kuislingë, kolaboracionistë e tradhëtarë ... i pushkatuan ! 
Foli edhe Patër Fausti, tek e sollën për krahësh në seancën e fundit të gjykimit sepse i a kishin thyer të dyja këmbët në tortura.   E Ai thá se tërë natën ishte lutur për shpirtrat e përbërësve të trupit gjykues se ata nuk dinin se ç’bënin.   Pastaj vazhdoi me pohimin madhor parashikues se si ato kohë sistemi komunist po pushkatonte klerikë si edhe intelektualë e prandaj mjerë të tjerët të tillë të Shqipërisë.   Në vazhdim, pohoi Ai, mjerë të pasurit se si do t’a pësonin.   Mbas të pasurve i quajti të mjerë fshatarët si edhe puntorët e vëndit se si do t’ua punonin.   E në fund, parashikimin e Tij e mbylli, duke thënë mjerë se si do t’a pësonin bashkëpunëtorët dhe zbatuesit e diktaturës nga vetë partia e tyre, (e pakomprometueshme), që popullit i kishte premtuar Parajsën Tokësore !   Besoj se asnjeri nuk mendon se ka nevojë për koment ky parashikim sa logjik edhe gjenial që Patër Fausti e bëri mbi dyzet vite në avancë qerthullit të diktaturës komuniste ! 
Në konditat e krijuara mbas shkërmoqjes së komunizmit, lidhur me pohimin e tretë madhor të Lincolnit, mendoj të zë në gojë një nga thënjet madhore të Baba Rexheb-it që aq bukur këto dy thënje shëmbullore duhet të bëjnë që zilja të dëgjohet nga çdo vesh ... i cili e ka dëshirën edhe vullnetin të dëgjojë.
Egoizmin Baba Rexhebi, ai kollos i mendimit filozofik bektashjan, e konsideronte sëmundje të rëndë morale të shoqërisë njerëzore. Babai pohonte se ... egoizmi është si një mal i lartë që ngrihet pikërisht para syve tonë e që nuk na le të shohim përtej ...

Në vënd të përmbylljes :   Natyrshëm lind pyetja se cila qe shtysa të ulesha e t’a bëja një analizë të mirëfilltë të kësaj natyre.  Prandaj e ndjej për detyrë ndaj lexuesit t’i them se po të kishte qenë për diskutimet e ndonjerit apo qoftë edhe disa prej deputetëve të Parlamentit të cilët shkallën e njohjes së historisë, ose formimin intelektual të mirëfilltë, e kanë të nivelit të teksteve të kohës diktaturës, nuk do t’a kisha ndërmarrë fare këtë mundim.   Pikësynimi im parësor është që të zëvëndësohen urgjentisht tekstet mësimore të historisë, të përshkuar nga ideologjia e kaluar komuniste që e la vëndin tonë kaq të mbrapambetur, me tekste të reja të hartuar sipas të vërtetave historike edhe interpretimeve shkencore të papolitizuara.  Personalisht e kam bindjen se shkaktohet një dëm kolosal që duke pritur me sot e me nesër, brezat e rinj vazhdojmë dhe i edukojmë me histori të shtrembëruar !   Ndokush mund të më thotë ... pse, sot u kujtove të na i thuash këto gjëra ?   Sot që është ngritur zyrtarisht ky problem nga qeveria ?   Jo zotërinj, do t’u përgjigjesha unë.   Ka shumë vite që janë botuar me dhjetra shkrime dhe analiza të mijat në shtypin shqiptar lidhur me këtë temë.   E kam pasë kritikuar ashpër ish drejtoren e Institutit të Historisë pranë Akademisë Shkencave, zonjën Ana Lalaj, lidhur me premtimet që jepte në takime këtu në Amerikë sa i takonte korrigjimit të gabimeve nëpër tekstet e historisë, duke e ballafaquar pastaj atë me tekstet që sipas saj do të ishin të korrigjuar.  
        I kam pasë drejtuar dy përkujtesa Akademisë Shkencave, (dorëzuar dorazi  kryetarit të saj), e paralelisht të dyja të botuara edhe në shtyp të plota. Njera, mbështetej në pohimin madhor të filozofit Rabindranat Tagorës :   
Ai komb i cili nuk i ndreq gabimet e kaluara duke e ndërtuar të tashmen,  nuk ka se si të ketë të ardhme. Ai ësht’ i destinuar të zhduket.                                                                                                  
Kurse tjetra, e mbështetur në analizën e vëllimit me letërkëmbim 11 vjeçar ndërmjet Mustafa Merlika Krujës si edhe At Paulin Margjokajt, ku vihesh në dukje se sa larg ishin të vërtetat historike rreth personalitetesh të tilla patriotike si edhe shkencore nga propaganda që kish zënë vënd në tekstet mësimore.  Motivi përshkues i analizës mbështetej në pohimin :
                        Historianëve, mashtrues të historisë kombëtare, t’a mësojnë se jo  
                               përjetësisht mund t’i mbajnë të përbaltur personalitete si
                                                   Mustafa Merlika Kruja

        Kësisoj, unë e kam trajtuar prej vitesh në shtyp problemin e rishkrimit të të vërtetave historike.   Tashti, me sa duket, po rrokulliset guri e do t’a gjejë vëndin e tij.   Prandaj, në radhë të parë i ftoj historianët tanë të paindoktrinuar, së bashku me të tjerët që e kanë vullnetin t’i dëgjojnë të vërtetat historike që, mbështetur në kritere shkencore dhe vetëm të tilla, të hetojnë, t’i gjurmojnë e pastaj edhe t’i interpretojnë faktet aspak të reja, por që kanë qenë mbajtur të kyçura e të stërkyçura ndër fondet e ndaluar të arkivave tona, që tashmë lehtësisht mund t’i gjurmojnë, dhe të hapin shtigje të rinj interpretimesh.   Me pak fjalë mos t’i vijnë qark bunkerit të tabúve të trashëguar nga diktatura por, të futen në të e të gjykojnë sipas kritereve shkencore objektive duke mos e patur më trurin të ndrydhur nga trysnía e kaluar ku kriteret shkencore i përcaktonte vetëm udhëheqësi i gjithëditur !  Ndihmesë si edhe mbështetje të madhe doemos këta shkencëtarë do të gjejnë edhe tek studjuesit e rinj.
Këtë analizë do t’a mbyll me një shëmbull tipik shtrembërimi të një të vërtete.   Këto ditë në lajmet shqiptare, zinte vënd vazhdimisht djegia e shtëpisë pronë e familjes së Mulletve.   Përgjatë lajmit ilustrohej edhe fakti që në atë shtëpi, gjatë luftës ishin strehuar edhe udhëheqësi Enver Hoxha me zonjën Nexhmije.  
I menjëhershëm reagimi i kësaj të fundit, porse reagim deformues i të vërtetës historike.   Zonja Nexhmije e ndjeu të nevojshme të ndërhynte e të sqaronte se në atë shtëpi ata vërtet ishin strehuar, por jo si të strehuar nga Mulletët !   Ndërsa unë shtoj :  i vërtetë ky pohim, por jo i plotë.   Në atë shtëpi banonte asokohe zoti Bahri Omari me familjen e tij dhe Enver Hoxha, së bashku me zonjën Nexhmije, gjenin strehë tek ajo familje, kryefamiljarin e së cilës në vazhdim, diktatura e pushkatoi !   Kjo e vërteta që edhe sot, mbas mbi gjysëm shekulli, Nexhmije Hoxha vazhdon dhe e cungon !   Prandaj u rekomandoj hulumtuesve të të vërtetave historike, mos t’a marrin për kapital atë që u them unë.   Jo aspak.   Të shkojnë e të pyesin dy bijtë e të ndjerit Bahri Omarit, që diktatura e kuqe i la jetimër nga babai, e të mësojnë si ësht’e vërteta e plotë dhe pa cungime    Asgjë më shumë.  

® -  Në intervistën e dhënë nga z.R.Alia moderatorit të emisionit z.B.Fevziu lidhur me krimet e bëra nga P.K.Sh. para marrjes pushtetit prej saj, i intervistuari pohon gjëra që ish shoku i tij i klasës VII-B, z.Seit Demneri me fakte e data i hedh poshtë.  Kjo C.D. e intervistës z.S.Demneri u dërgua dhe kurrë nuk u ballafaquan faktet e zotit Demneri me të zotit Alia.  Përse ? 
®-1  - Ratkoceri, Adem Selimi, fq.73;   Nasi, Ripushtimi, fq.146 ku i referohet : AQU, F. Brigada e 25-të, dos.2, fl. 1-2.  Ditar i Shtabit të Brigadës 25-të, dt.3 dhjetor 1944;  po ashtu citon : F.Diviz. V-të Kut I, dos.1 fl.1-2
®-2 - Mendoj se botimi i Fjalimit Programatik të P.A.Harapit do të sqaronte shumë probleme e pikëpamje. 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora