Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Fakte historike nga pushtimi austro-hungarez në krahinën e Sulovës

| E shtune, 05.02.2011, 08:58 PM |


FAKTE HISTORIKE NGA PUSHTIMI AUSTRO-HUNGAREZ NE KRAHINEN E SULOVES

 

(Ne baze te hulumtimeve gojore dhe arkivore)

 

Nga PELLUMB GORICA

 

Lufta e Parë Botërore, që plasi në fillim të vitit 1915, mbuloi me përpjestime të mëdha Evropën. Shpërthimi i Luftës Parë Botërore pati pasoja të rënda për shtetin e pavarur shqiptar ende të pakonsoliduar. ‘‘ Shqipëria u pushtua nga ushtri të dyja grupimet ndërluftuese. Sulova ishte ndër ato krahina të Shqipërisë që bënte pjesë në zonën e pushtuar prej ushtrisë austro-hungareze. Në vitin 1916 ata e shkelën Sulovën. Në dy vitet e pushtimit të tyre ndodhën ngjarje për të cilat mendojmë të ndalemi shkurtimisht, të mbështetur në dokumenta arkivore e gojore.

Në fillim pushtuesit austro-hungarezë u paraqitën si miq në Shqipëri, se gjoja kishin ardhur për të ndërtuar rrugë, ura, për të hapur shkolla. Në “Enciklopedia Elbasani”, faqe 25 në lidhje me këtë përmendet fakti që: “gjatë periudhës austro-hungareze u hapën shkollat në fshatrat Shelcan, Gjinar Zavalinë, Mollas, Shtërmen, Polis, Fushbuall, Shmil, Floq etj.

Përqëndrimi i një garnizoni austro-hungarez në Sulovë pati pasoja të rënda për popullësinë. Pushtuesit ngritën postën e tyre ushtarake në  lartësinë e Goricës së Çobanit.  Kjo dhe lartësi të tjera të Sulovës së Poshtme: Gorica e Çalës, Qafa e Grekanit, Ponepthi, Radëshi mbetën qëndrat e zjarrit dhe vijë fronti ndërluftuese me  frncezët dhe italianët. Sipas gojdhënave austro-hungarezët shkretuan pyje, grabitën pasurinë e popullit, drithëra buke, bagëti.  Dhe popullsia ishte jo vetëm e destinuar t’i vidhej malli, por duhej t’i dorëzonte forcave pushtuese bagëti, dru zjarri, dridhëra. Në një raport tepër sekret të Komandës austriake në Shqipëri, datë 16 06 1918 thuhej: ‘‘...territori i okupuar prej nesh duhet të dorëzojë 1732 gjedhë, 5813 krerë bagëti të imta në muaj...’’. Krahas përpjekjeve për çarmatim pushtuesit austro-hungarez, morë me forcë njerëz për punë, për hapje transhesh e rrugësh. Me qëllim që të transportonte dhe të furnizohej sa më shpejt ushtria austro-hungareze, ku mungonin mjetet moderne të transportit. Është një fakt se në Sulovë u ndërtua një rrugë treni (dekovil). Binarët e kësaj rruge ishin të ngushta 0,65 m. Kjo rrugë tren që vinte nga Shkodra, ku ishte Komanda e lartë për Shqipërinë duhej të kalonte edhe në luginën e Devollit në Sulovë për në Berat. Sipas gojdhënave të transmetuara deri në ditët tona rruga tren vajti deri në  fshatin Selitë, madje tregojnë se bashkëfshatari i tyre Selman Deliu punoi muaj me radhë për trasenë e saj. Në lumin Devoll mbi këmbët e urës së vjetër u ndërtua një urë e vogël druri me shina metalike. Ura dhe shinat u shkatërruan në tërheqje nga vet pushtuesit në vjeshtë të vitit 1918. Deri fillim të viteve 1960 janë ruajtur fragmente të shinave e binarëve. Në toponiminë e Sulovës së Poshtëme njihet rruga tren. Për ndërtimin e kësaj rruge të hekurt austro-hungarezët nuk i detyruan dot sulovarët me thirrje, i detyruan me forcën e armëve për të punuar hangari. Gojdhënat tregojnë se shumë sulovarë kanë punuar angari për muaj me radhë për hapjen e rrugës së trenit. Në një urdhër tjetër të lëshuar  me nr 20, datë14 X 1916 drejtuar gjithë komandave të rretheve thuhej: ‘‘... mosha 17-50 vjeç janë të detyruar të bëjnë 8 javë punë të detyrueshme në vit...’’.

Ushtria austro-hungareze, për të realizuar synimet e saja u orvatë që të shfrytëzonte edhe ndjenjat e popullit të  krahinës së Sulovës.

Përveç dhunës ushtarake për të nënshtruar popullin, austro-hungarezët me aktet barbare si gjithë pushtuesit e tjerë futën përçarje, grindje e vranë njerëz të pafajshëm brenda fshatit e krahinës. Ashtu siç kanë vepruar të gjithë pushtuesit me vendin tonë me politikën ‘‘ përça e sundo’’. Me një fjalë austro-hungarezët me anë të ekspeditave ndëshkimore që bënin me hir a me pahir kërkonin të nënshtronin banorët. Sulovarët u zemëruan jashtë mase nga veprimet e tyre dhe nuk munguan edhe kundërshtimet. Sulovarët duke qënë si gjithmon atdhetarë nuk mund ti bindeshin as këtij pushtuesi. Luhej me nderin, pasurinë, patriotizmin  e sulovarëve që nuk i kishin ulur kryet as kundër turkut. Banorët iu kundërvunë ekspeditave, grabitjeve e keqtrajtimeve. Që në Qershor të vitit 1916 në një raport që i dërgonte qëndrës në Austri, Dr. Thurn mes të tjerave vinte në dukje: ‘‘ .... simpatia e shqiptarëve për ne dhe qëndrimi i tyre ndaj eprorëve e grupeve tona sipas të gjitha provave të deritanishme janë shumë të lëkundura e të dyshimta....’’.

Austro – hungarezët me sjelljen e tyre shkaktuan ngjarje të rëndë në Sulovë. Ngjarja që edhe pse kanë ndodhur para një shekulli siç duket ka qënë mjaft tronditëse mbasi kujtimet mbi të janë ruajtur gojë me gojë deri në ditët tona të kthyera  si ngjarja më tronditëse në Sulovë në këto vite pushtimi të austro-hungarezëve.  Le të tregojmë ngjarjen. Në Dragot të Sulovës, Qoset ishin një familje e njohur për burra trima e kaçakë. Dalipi i pari i tyre ndodhej në krahinën e Shpatit si kaçakë. Austro - hungarezët me preteksin se ishin kaçakë  por që nuk i  kishin dorzuar asnje bagëti, një ditë një oficer me dy ushtarë, përkthyesi dhe një fshatar nga Topojani, Minçe Memini  (që e kishin si bekçi, roje, për transportin e pajimeve ushtarake) shkuan për t’u marrë kafshët e punës dhe për t’i arrestuar djemtë. Në shtëpi ndodheshin gratë dhe dy djemtë e Dalipit, Suloja dhe Yzeiri. Në kohën që ushtarët u futën brenda dhe teksa gjetën Yzeirin të shtrirë, (gojdhëna thotë se lëngonte nga një sëmundje) i ngrenë shtresat me anë të bajonetës e ngacmojnë duke i shpuar barkun, i nxjerrin një pjesë të zorrëve jashtë. Yzeiri nga dhimbja bërtet duke i thirrur të vëllait ‘‘ o Sulo më vranë ” Suloja i fshehur vrau ushtarin me bajonetë i cili vdiq menjëherë pasi mori një plumb në mes të shpatullave. Ndërkohë ushtari i dytë vrapoi shkallëve të shtëpisë por edhe ky u godit nga një plumb tjetër i pushkës së Sulos në kokë. Oficeri vrapoi deri në cep të një are, i goditur nga një plumb në kurriz dhe qëndroi i plagosur rreth dy orë derisa dha shpirt. Suloja i mbështolli plagën të vëllait Yzeirit dhe u largua, duke u strehuar te Brahim Kalemi në fshatin Banjë. Dalipi pasi u njoftua për ngjarjen e të bijëve erdhi në fshatin Banjë së bashku me një mjek popullor nga Shpati për Yzerin i cili më pas u shërua. Gjatë kësaj kohe ushtria austro-hungareze kishte vënë një dëmshpërblim për ushtarët e saj të vrarë që shkonte në disa qindra napolona flori të cilët duhet ta paguanin fshatarët e Dragotit. Kjo çoi në rrënimin e fshatit, sepse një pjesë e fshatarëve u detyruan të shesin toka, bagëti dhe shtëpi për të paguar gjobën. Ndërkohë nga spiunët u mor vesh që Dalip Qosja me djemtë ishte strehuar tek Brahim Kalemi në Banjë. Një natë me një dredhi mbas një kacafytje në konak, bashkëfshatarët i arrestuan dhe i çuan në fshatin Darzezë të Gramshit, atje ku ndodhej edhe një garnizon i pushtuesëve. Pasi u verifikuan nga austro-hungarezët u dhanë urdhër qe ata të pushkatoheshin nga vetë shqiptarët. Dhe kështu ndodhi ata u vranë në një përrua në Darzezë.

Populli këtë histori e ngriti në këngë e cila kaloi gojë e që këndohet edhe sot.

 

Suloja o me të vëllanë

Seç luftuan me nemsanë...(Austriakët)

Moj kapsolle ta lumsha çarkun.

Ua mbushe me pluma barkun.

Ti o nemse*,  ti ore  boshnjak

Nuk është kjo shtëpi  pa plak….

 

Populli i lodhur nga dhunimet, vrasjet, plaçkitjet dëshironte paqe, por si kudo në Shqipëri edhe në Sulovë u kaluan shumë fatkeqësi të tjera. Mungonin shumë gjëra: buka e sendet e tjera të ushqimeve, veshmbathje dhe ç’do gjë e nevojshme për jetën. Të vjetërit i përmendnin me dhimbje këto vite. U shpërngulën shumë individë e familje nga krahina e u shpërndanë në fshatra, qytete e krahina të tjera rrotull saj në kërkim të mbijetesës. Plasi një sëmundje epidemike (gripi spanjoll), që i përhapur nga krahina në krahinë askush si bënte ballë. Në Sulovë as që bëhej fjalë për ilaçe e doktorë. Këta nuk njiheshin as për emër e jo të ishin parë këtyre fshatrave. Në kronikat e kohës u shënua si një sëmundje që mbolli shumë vdekje. Vetëm në Sulovë vdiqën me dhjetra. ‘‘ Ishte një zi e madhe, vaj dhe ulërima kishte derë më derë’’, vjen gojdhëna. Ndër syresh një familje në Sulovë (Ngurrëza) u shua e gjithë” Po sipas gojdhënave i ftohti i madh në dimrin e 1918 ishte i jashtëzakonshëm për ashpërsinë e tij, një nga dimrat më të ashpër të atyre kohëve.

Mehdi Frashëri ish kryeministri i Shqipërisë në vitet e mbretërisë së Zogut ka shkruar në një faqe të ditarit të tij “Kujtime”, faqe 54, disa rreshta me një përshkrim të thjeshtë të bërë nga këndvështrimi i kalimtarit në Sulovë në vitin 1916 në lidhje me pushtimin austro-hungarez. “.... Ipresionimi im gjatë këtij udhëtimi ishte se popullsia kishte mbledhur mjaft të holla nga shitja e produkteve të tyre me çmime fort të larta, por nga veshmbathja ndodhej tepër keq sepse austriakët s’kishin as për vete nga shkaku i bllokimit të luftës...”.

Pushtuesit austro-hungarez u larguan në vjeshtë të vitit 1918 të ndjekur nga ushtritë aleate. Lufta e Parë Botërore përfundoi në nëndor 1918. Luftën e fitoi grupi i fuqive të Antantës: Anglia, Franca, Italia. Luftë e tmerrëshme dhe e përgjakshme që shkaktoi 20 milion të vrarë. Shqipëria u kthye për fuqitë e mëdha një shesh beteje. Por fuqitë fituese Franca dhe Italia nuk po i largonin forcat e tyre nga Shqipëria. Përkundrazi këto fuqi po bënin ç’mos të forconin pozitat e tyre në tokat përkatëse të pushtuara. Sulova dhe gjysma e Shqipërisë mbeti zonë e pushtimit italian. Ushtarët austriakë të katandisur në një gjëndje mjaft të mjerueshme, të dobsuar kockë e lëkurë e të uritur u kthyen ato ditë në lypës. Tregojnë se ndërronin armatimin, veshjet e pajimet me një copë bukë apo vezë.

E kështu viti 1918 u mbyll me tymin e luftës, mjerimeve, varfërisë. Kulmi i asaj vale të madhe mjerimesh që u quajtën uria e madhe, apo siç thuhet edhe sot në Sulovë “Koha e nemses.