Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Historia dhe origjina e Krishtlindjeve

| E marte, 08.01.2008, 11:14 PM |


Si e festonin antikët

Në Persinë antike, solstici i dimrit u celebronte duke kënduar himnin që tregonte lindjen e botës. Në Aleksandri të Egjiptit ajo pati shprehjen më të plotë para epokës kristiane, në festën e madhe të lindjes së Horusit. Statujat e perëndisë, nënës Iside, me vogëlushin e saj në prehër ose duke i dhënë gji, silleshin në procesion natën fushave, nën dritën e pishtarëve.

Në Romën pagane, të njëjtën domethënie kishin festat e dimrit që celebroheshin dy ose tre shekuj para lindjes së Krishtit, të njohura me emrin Saturnali ose festat e Saturnit. Saturnalet romake fillonin me 19 dhjetor dhe zgjasnin deri më 25 dhjetor. Ishin festa gëzimi, ripërtëritjeje, shprese për të ardhmen dhe, në këtë rast ribëheshin kontratat bujqësore. Në rrjedhën e pesëdhjetëvjeçarit të fundit para lindjes së Krishtit u fut në Romë kulti i Zotit Diell, mbase i përhapur nga trupat e reklutuar në Siri dhe nga skllevërit orientalë.

Në Romën antike perandorake, nga vitet 243 e 366 pas Krishtit, miq dhe kushërinj shkëmbenin urimet e para për të festuar "dies natalis" (ditën e lindjes së Krishtit) në një natë të ftohtë dimri.
Urimeve u shoqëroheshin shporta frutash, ëmbëlsirash dhe dhuratash të çfarëdolloj tipi, sepse lindja e Jezusit dhe përvjetori i ngjitjes në fron të perandorit bëheshin simboli i një begatie që duhet të kishte vazhduar për gjatë gjithë vitit.

Rreth 1800-s, ky rit gjeti personifikimin e tij në një plak të fortë me mjekër të bardhë, rezident në Polin e Veriut që, i ndihmuar nga "gnomi" (personazhe përrallash) të shumtë, bënte lojëra për t'i shpërndarë si dhurata natën e Krishtlindjeve, më ndihmën e një slite të tërhequr nga drerë fluturues dhe duke kaluar nga oxhaqet e shtëpive.

Në histori ekziston realisht një personazh me këto karakteristika. Bëhet fjalë për Shën Nikollën. Lindur në Patara, në Turqi, nga një familje e pasur, në shekullin IV u bë peshkop i Myra-s dhe mori pjesë në Koncilion e Nicea-s, në vitin 325. Kur vdiq, eshtrat e tij u vendosën në Myra, deri më 1087-n, kur u morën nga një grup kavalierësh italianë, të hequr si tregtarë, dhe u dërguan në Bari, ku ruhen deri në ditët e sotme.
Një nga legjendat më të famshme, e konfirmuar nga Dante te Purgatori (XX, 31-33), tregon që Shën Nikolla, i prekur nga lutjet e një njeriu të mirë, që s'kishte mundësi t’i martonte tri vajzat e tij, sepse kishte rënë në mjerim, vendosi të hidhte, për tri net me radhë nga një dritare e kështjellës, që qëndronte gjithmonë  e hapur, tre thasë me monedha për të bërë pajën e vajzave. Natën e parë dhe të dytë gjërat ndodhën sipas planit, ndërsa natën e tretë Shën Nikolla e gjeti dritaren mbyllur. I vendosur për ta mbajtur fjalën, plaku me mjekër të bardhë u kacavjerrë mbi çatitë dhe e hodhi thesin me monedha nëpërmjet oxhakut, ku ishin varur rrobat për t'u tharë, duke e bërë të lumtur njeriun e mirë dhe tri vajzat e tij.

Në versionet e mëpasme, të thjeshtuara për fëmijët, Shën Nikolla u dhuronte ushqim familjeve më të varfra, duke ua hedhur anonimisht nëpërmjet oxhaqeve ose dritareve të tyre. Sipas legjendave të tjera, këtij shenjtori i kishte rënë në dorë një objekt mitik, "Sacro Graal" që, veç të qenit përgjegjës për aftësitë e tij për të dhuruar me bollëk, qe dhe shkaku i hapjes së varrit te tij (nga kavalierët italianë) për urdhër të Papa Gregorit VII. Në çdo rast, Shën Nikolla u bë në fantazinë popullore "sjellës dhuratash", detyrë e kryer, falë një gomari, natën e 6 dhjetorit.

Si u bë festa pagane kristiane

Krishterimi futi në konceptet fetare të saj tradita popullore ekzistuese dhe, kështu ndodhi që dita e festës së Zotit Diell dhe bujqësor të Egjiptit e të Persisë, që përkonte në solsticin e dimrit, u bë Krishtlindja e krishterë. Statuja e Isidë-s, që i jep gji Horus-it, u bë ajo e Madonës që i jep gji Jezusit të vogël. Mirëpo, nuk që i lehtë fiksimi i datës 25 dhjetor, nga momenti që tregimi evangjelik i Sh. Lukës, më i ploti mbi argumentin, duke treguar mbi barinj që kalonin natën jashtë, evokonte më shumë një ambient pranveror, dhe jo të ftohtin e periudhës dimërore. Pastaj ishte tradita kristiane e mëparshme që fiksonte lindjen e Krishtit në një ditë pranvere. Klementi i Aleksandrisë e kishte vendosur më 19 prill, të tjerë themelues të kishës, 18 prill, të tjerë akoma 29 maj dhe 28 mars. Pas shumë diskutimesh dhe hezitimesh, edhe peshkopët e Romës zgjodhën 25 dhjetorin. Data u nxor duke i llogaritur vitet e Krishtit mbrapsh, duke u nisur nga shifra "magjike" 33, sa janë vitet që djali i Zotit do të kishte kaluar mbi tokë. Duke qenë e fiksuar më parë vdekja e Krishtit më 25 mars, duke supozuar që të kishte ndodhur 33 vjet ekzakt pas ringjalljes, kështu ishte fiksuar dhe ajo më 25 mars. Lindja nuk mund të mos kishte ndodhur 9 muaj më parë, d.m.th. më 25 dhjetor.

Krishtlindja në ditët e sotme

Festa e lindjes së Jezusit, Krishtlindja, siç e njohim sot, është bërë festa më e madhe zyrtare e krishterimit vetëm në kohë relativisht të afërta. Gjurmët e para të saj, si festim kristian, janë hasur rreth shekullit III pas Krishtit dhe afirmimi përfundimtar i tij në mes të shekullit të katërt. Kjo festë u fut ne Antiokia vetëm rreth vitit 375 pas Krishtit dhe në Aleksandri vetëm pas 430. Kështu si festohet në ditët e sotme, Krishtlindjet vijnë nga tradita borgjeze të shekullit të kaluar: bredh i mbushur me drita, shirita e zilka (që në të kaluarën ishin ëmbëlsira); babagjysh me slita dhe drerë janë tradita nordike. Krishtlindjet përfshijnë një periudhë festimesh të pandërprera, që nga solstici i dimrit deri në epifani (6 janar). Kjo e fundit, që për kristianët orientalë është dita e lindjes, është futur në Perëndim vetëm në një kohë të dytë, me përmbajtje fetare dhe vlera të ndryshme, mbi të cilat ka mbizotëruar kujtimi i dhuratave të magjistarëve në shpellën e Betlemit. Në Itali, p.sh. ka lindur figura e Befanes, nga tradita popullore të mëparshme që, gjysmë lypëse e gjysmë shtrigë, duke kalëruar bishtin e fshesës, shpërndan dhurata (në origjinë ishin të varfra, si portokall e fruta të thata) nëpërmjet oxhaqeve.

Në shekullin XVI, pas Reformës, shenjtorët nuk shiheshin mirë në Europë. Prandaj ishte e nevojshme që dikush të merrte vendin e Shën Nikollës dhe të shpërndante dhuratat e Krishtlindjeve. Në Angli, një plak i qeshur, personazh i lojërave të fëmijëve, i njohur si Gjyshi i Krishtlindjeve, e mori përsipër. Edhe Franca zgjodhi babagjyshin e saj, ndërsa në Gjermani Zhezu fëmija shpërndante dhuratat.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës emri i tij u kthye në Kris Kringle, por pionierët holandezë sollën në Amerikë Shën Nikollën (Sinter Klass) dhe e thërriten Santa Class, që në anglisht u kthye shumë shpejt në Santa Claus. Shkrimtarë dhe artistë e transformuan peshkopin në një figurë me mjekër të bardhë, pallto dhe kapuç. Asnjëri s’e di se si kali i bardhë i Shën Nikollës të jetë transformuar në grup drerësh, mirëpo, një libër i shekullit XIX tregon një ilustrim, në të cilin ai shfaqet vetëm me një dre. Më 1882, dr. Clement Clarke Moore shkroi një poezi për fëmijët e tij mbi Santa Claus, në të cilën përshkroi 8 dre, duke u vënë të gjithëve emra. Në Suedi, përkundrazi, është akoma i paraqitur rrethuar me kaproj. Babo Natale anglez mori aspekte të ngjashme me kundërfigurën amerikane; edhe sot Babagjyshi i Krishtlindjeve dhe Santa Claus janë bërë i njëjti person.

Kjo është historia e Krishtlindjeve. Është një histori e bukur, poetike dhe historike. Është  krijuar nga njerëzit për t’i bërë vend pak shpresës e gëzimit edhe në zemrën e dimrit më të fortë, kur duket që gjithçka është e vdekur, por përkundrazi, fara fillon të hedhë rrënjë në tokë dhe ka fillim revolucioni i stinëve dhe vrapi i shpejtë i lumtur i ditëve drejt lulëzimit të pranverës.

Zbukurimi i shtëpive

Në këtë periudhë të vitit, shumë të krishterë në mbarë botën i zbukurojnë shtëpitë për festën e Krishtlindjes. Përveç pemës së Vitit të Ri, shumë veta vënë në derë kurora me degë bredhi. Këto kurora festive i kanë rrënjët në një traditë që lindi para Krishtit.

Në këtë prag festash, shumë shtëpi dhe banesa në Shtetet e Bashkuara zbukurohen me kurora krishtlindjesh. Kjo traditë e ka zanafillën në shekullin VII para erës sonë, kur kurorat me degë pemësh përdoreshin për të kurorëzuar fituesin e Lojërave Olimpike. Askush nuk e di kur ky objekt zbukurimi për njeriun u shndërrua në zbukurim për banesën. Shumë veta spekulojnë, se ndodhi kur sportistët i varnin kurorat në mur, si kujtim i fitores së shënuar. Sot kurorat prodhohen nga materiale të ndryshme dhe përdoren në forma të ndryshme. Në Institutin Historik Tudor në Uashington jepen kurse mbi mënyrën si të bësh një kurorë. Emily Rusch është zëdhënëse e Institutit: “Kursi ynë vazhdon prej vitesh dhe ka fituar shumë popullaritet nga viti në vit. Është shumë kënaqësi të shohësh kurorën që ke varur në derë dhe të thuash “e kam bërë vetë”.

Kim Sho dhe Xhon Zimmer thonë se kursi për thurjen e kurorave është një mënyrë shumë e mirë për t’u përgatitur për festat: “Ngjall te secili atmosferën e Krishtlindjeve, të festave. Është hera e parë që e ndjek këtë kurs, por nuk mendoj se do të jetë e fundit. Mund të vijmë përsëri vitin e ardhshëm dhe të sjellim edhe miq me vete”. Ata që ndjekin kursin janë në nivele të ndryshme aftësish. Disa, si për shembull Kim Sho, nuk kanë ndrojtje të mësojnë nga të tjerët. “Pashë çfarë po bënte ajo dhe m’u duk interesante, prandaj po e provoj edhe vetë. Ka plot mënyra për të bërë diçka që të pëlqen”. Si Xhon Zimmer, ashtu edhe Kim Sho, janë shumë të kënaqur me rezultatin. Për Kimin është kënaqësi e veçantë që këtë radhë kurora do të jetë e bërë nga ajo vetë, dhe jo e blerë në dyqan. 

Spekter