Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lavdrim Lita: Të bësh gjithçka vetë: ky është dialogu më i mirë

| E marte, 01.02.2011, 07:59 PM |


Të bësh gjithçka vetë: ky është dialogu më i mirë

 

Nga Lavdrim Lita

 

E vërteta është se “dialog”, “kompromis” dhe “konsensus” janë shprehje që qytetarët i ka dëgjuar aq shumë herë saqë u bajatën së dëgjuari, për faktin e thjeshtë që janë fjalë boshe e që shërbejnë si interval midis trazire politike dhe një tjetër. Skema është po e njëjta, dhe liderët politikë s’bëjnë asgjë tjetër veçse replikohen në televizion si shiriti një kasete recorder, dje: u përsërit nevoja për kompromis, të nisë dialogu thotë pa i skuqur faqja  Presidenti Topi, po kështu lideri i PS-së Edi Rama thotë se jemi gati të dialogojmë, por ne (domethënë Ai), do të rezistojmë; kurse nga ana tjetër Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratave të kreut të PS-së Edi Rama për dialog politik duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të spostuar vëmendjen nga hetimi i ngjarjeve të 21 janarit. Me një farë të drejtë PD-ja shprehet  se Rama nuk mund të fshihet pas kërkesës për dialog.

Kështu dje s’ndodhi asgjë e veçantë, përpos rutinës së zakonshme. Të sotmen ende nuk e dimë. Kurse nesër vjen dërguari i Baroneshës Ashton, Miroslav Lajcak, i cili ka raportuar lidhur me vizitën e tij javën e kaluar në Tiranë, ku në takime me liderët e vendit përcolli mesazhin e Brukselit për dialog dhe shmangie të dhunës. Refreni politik i dialogut, i kompromisit dhe i konsensusit do të investohen të grisë kontratën që sovrani ka me shumicën e votuar.

Mirëpo është e pa mundur të dialogosh me Presidentin arbitër kur ky ndikon Prokuroren e Përgjithshme të prishë akordin për marrjen në pyetje të 6 gardistëve. Po ashtu është e pamundur të gjesh kompromis a dialog me Edvin Ramën kur ky të shantazhon me demonstrata të dhunshme, të bën presion me armë dhe të kërcënon me tritol. Është sikur të shkosh për negociata më djallin, me kulturën e vdekjes. Është fiks sikur shkosh në një manifestim paqeje, i armatosur gjer në dhëmbë. Është paradoksale të biesh dakord me paarsyen, me asgjënë. Sikurse s’mund të biesh dakord paraprakisht me opozitën sepse opozita është veç një njëri, ai quhet Edvin dhe gjithë të tjerët janë relikte ose sozi jashtë-parlamentare që përfaqësojnë veç vetën dhe nganjëherë janë aq të paaftë saqë harrojnë se janë në treg. Afërmendsh s’ka mbetur shqiptar pa e kuptuar se Edi Rama do pushtet në tavolinë, të pamerituar. Opozita duhet të mësohet se është opozitë dhe jo pozitë. Socialistët s’kanë kulturë opozitare. Janë mësuar të sundojnë mbi të tjerët, të mbizotërojnë me dhunë. Është kultura e trashëguar që i ka modifikuar në thelb. Prandaj gjenden përpara syve të botës anti-demokratikë, të pamësuar me lirinë dhe të drejtën.

Kështu që kreut të shumicës s’i ngelet gjë tjetër veçse fitojë politikisht, me suksese mbi këtë anti-vlerë. Kemi të bëjmë me një luftë, dhe kryeministri Berisha duhet ta fitojë. Ai ka të gjitha mundësitë  jo vetëm të çaktivizojë në kohë një grusht shteti por edhe të demonstrojë se E djathta është moralisht më lart dhe e aftë për të përmbushur aspiratën legjitime europiane të qytetarëve shqiptarë. Mbështetja popullore nuk i mungon. Përkundrazi kanë një besim të matur për vizionin që përçon. Sondazhet janë në favor të politikës dhe agjendës së tij europiane. Kryeministri Berisha, nga ana e tij, duhet të kujtojë që s’ka vetëm paqe dhe jo armatosje për të frenuar luftën: është dhe fitorja e saj një mjet për të ndalur luftën. Reformat mund të bëhen edhe pa opozitën konfliktuale. Mjafton të kërkosh njerëz me vullnet të mirë që kanë përparësi interesat e vendit përpara interesave të ngushta të Ramës. Kryeministri Berisha është i legjitimuar nga vota, nga sovrani, që s’është pak në demokraci.