Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lufta për Vlorën

| E diele, 13.01.2008, 07:35 PM |


Shkruan : Ervin Qafmolla - Mapo

Veç tri ditë, pasi policia tërhoqi zvarrë nga barrikadat, protestuesit që pengonin hyrjen në Pyllin e Sodës të makinerive të Petroliferës, në Vlorë duket të ketë rënë një si kapitje, nga ato që të shtyjnë të kapësh ndonjë karrige në ndonjë cep kafeneje e të shullëhesh me nge në diell. Të paktën, kështu ngjan qyteti në sytë e një të huaji jo-vlonjat që sapo ka bërë disa orë rrugë, apo ndoshta dhe për faktin se është ditë e shtunë dhe njerëzia kanë kapur ritmin e ngadalësuar të fundjavës së një qyteti bregdetar. Gjithsesi, duke qenë në Vlorë, termi më i saktë mund të ishte “gjallëri e përmbajtur”. Gjithfarë njerëzish lëvizin në rrugë dhe kur i pyet për çështjen e Petroliferës e të TEC-it, ia presin shkurt: “Jo jo! Nuk i duam!”. Një pakicë janë lehtësisht më të pavendosur e ngrenë supet, duke thënë se u duket punë me zarar e se kanë të drejtë të dinë ca më shumë mbi këtë punë nga vetë qeveria, e cila duket se nuk i ka begenisur. Por, në një pikë, janë të gjithë të palëkundur. Kërkojnë referendum. Ndonjë qytetar madje, bën një ngjizje të pazakontë të këtij instrumenti demokratik me fantazmat e ’97-ës. “Na panë njëherë se kush jemi! Mos ta gënjeja mendja njeri se mund të lozë me ne si të dojë. Populli vlonjat është gati të ngrihet në çdo kohë”, turfullon një burrë rreth të 70-ave i veshur shik. Përmbi kapelën e tij republike qëndron e fiksuar në qiell, 1912-a e rëndë e Monumentit të Pavarësisë. Ai largohet me kokën lart, duke u lënë pas vetes bronzin e fytyrave të ashpra me mustakë që kanë rrethuar flamurin. Mbi bordurën poshtë përmendores, pas parullave “Vlora Turistike” dhe “Petrolifera Zhduku!”, është shkruar me kuqezi: “PO NA VRASIN!!! ÇOHU VLONJAT”.
Lufta e ftohtë mbi ngritjen e depozitave të La Petrolifera Italo-Rumena në Gjirin e Vlorës, një TEC-i e ca objekteve të tjera ende të paqartësuara, ka rreth tre vjet që zhvillohet në gazeta e ekrane, që kur qeveria Nano dhuroi sipërfaqen që dikur zinte fabrika e PVC-së në Pyllin e Sodës për një euro. Shumë shpejt, projektet e hartat lëvizën e bashkë me to edhe hektarët në letra. Nuk bëhej më fjalë për zonën e ndotur të ish Fabrikës së Sodës, por sipërfaqe të mëdha pyjesh. Më pas erdhën makineritë e rënda, të cilat duke çarë rrugën mes pishave gjysmëshekullore sajuan një kantier. Përplasja gjithashtu, lëvizi nga rreshtat e gazetave në barrikada gomash që digjen, ndonëse ky detaj i fundit mund të ngjajë si një paradoks ambientalist në vetvete.

“Revolucionarët...”

Duke lënë Sheshin e Flamurit pas shpine, veç ca dhjetëra metra më tutje ndodhet selia e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës. Është një ambient i thjeshtë, ndoshta ish dyqan, apo banesë, tani vendi ku arkitektohen reagimet qytetare kundër veprave energjetike në gjirin turistik. Nga muret e jashtme mbuluar me slogane, të mbesin të fotografuara në mendje fjalë të shkëputura nga parullat e shumta: “Vlorë... Rezistencë... Referendum....”. Aty brenda disa të rinj po merren me organizimin e një proteste të planifikuar për të nesërmen. Përgatisin fletushkat për t’u shpërndarë, bëjnë telefonata. Dy djem përkulur mbi një kompjuter shpjegojnë aktivitetin e të nesërmes, pa ia ndarë sytë monitorit. Krejt të qetë, po të mendosh që mund t’i kenë ende të freskëta në lëkurë kujtimet e shpullave e shkelmave të policisë. Të pranishmit në qendrën e Aleancës, kanë qenë ndër 50 burrat e gratë që u dërguan brutalisht në rajon, natën kur rreth 100 policë çanë barrikadën e tyre.
Historia që dëgjohet aty është e njëjta që ritregohet në media prej vitesh tashmë. E megjithatë, duket se deri më sot askush nuk e ka dëgjuar. Dikush tha dikur se “përsëritja është mëma e dijes”. Një cinik shtoi “edhe babai i mërzisë”. Ndërsa në Vlorë, përsëritja me mllef e një shqetësimi që sipas gjasave ka rënë në vesh të shurdhër, shëmbëllen një revoltë në kufijtë e vetëpërmbajtjes. “Është qyteti ynë në fund të fundit – vëren një i ri – a kemi ne që do të jetojmë këtu edhe më pas, ndonjë farë të drejte mbi atë çka do të ndodhë me këtë vend?!” Toni i zërit dhe mënyra e argumentimit janë një dëshmi e qartë: Referendumi nuk është një opsion i negociueshëm. Prej shumë kohësh, Aleanca ka mbledhur jo një, por dy herë, firmat e nevojshme për të zhvilluar një referendum lokal, sikundër parashikon ligji. Por, asnjë përgjigje. Ndërkaq, në zyrën e të shpërfillurve nga qeveritë, gjithçka mban erë revolucion. Megjithatë, bisedat e shtruara nuk mungojnë as këtu.
“Prej vitesh Vlora ka marrë një orientim natyral drejt zhvillimit të turizmit. Ndërtimi i objekteve të tilla do të ishte një shuplakë e rëndë për zhvillimin e qytetit, pavarësisht deklaratave abuzive se do të krijoheshin vende të shumta pune dhe se vetë Vlora do të vilte shuma të konsiderueshme nga ndërtimi i një kompleksi të tillë energjetik”, thotë Sadrit Danaj, sipërmarrës në sektorin e teknologjisë së informacionit, një nga vullnetarët VIP të kauzës për mbrojtjen e gjirit të Vlorës. Sadriti, një djalë i pashëm që tregon rreth të tridhjetave, nuk rrëmbehet në deklarata të ashpra, të cilat i kam dëgjuar sakaq por zgjedh të argumentojë: “Të mos harrojmë se vetë kryetari i Bashkisë së qytetit, i cili sot flet ndryshe, e ka quajtur Vlorën, ‘Mbretëresha e Turizmit’, duke deklaruar se këtë vit që shkoi ne pritëm 296 mijë pushues. Gjithashtu, ai ka deklaruar se vetëm nga tatimi i shtretërve në hotele, u mblodhën 600 mijë euro për këtë vit, ndërsa të ardhurat totale vlerësohen në 7 milionë euro për verën e 2007-ës”. I sigurt në argumentimin e tij, që në fakt është shumë i qartë dhe gati i pakundërshtueshëm, ai buzëqesh tek shton: “A mund të hidhen poshtë këto të ardhura konkrete për disa përfitime të hamendësuara, që mbartin me vete ndotje të ajrit, detit dhe tokës? Pa folur këtu për efektin psikologjik të një oxhaku vigan, të cisternave të naftës që hyjnë në port, apo thjesht të idesë së diku pranë vendit ku një turist pushon ndodhet një kompleks i madh energjetik”.

Shkeljet ligjore

Por përtej ndjeshmërive qytetare dhe përplasjes së argumenteve të makro-menaxhimit dhe atyre demokratike në opinionin publik, ekziston edhe një ballafaqim teknik. Përveç argumentimeve shkencore, ku njëra palë gati sa s’flet flet për Çernobil dhe pala tjetër për ndotje sa marmitat e ca Mercedezëve, mbi të cilat është vështirë të gjykosh nëse nuk je profesionist i fushës përkatëse, ekziston edhe një aspekt ligjor. Sipas dokumenteve që zotërojnë drejtuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, krejt Parku Energjetik (apo Kompleksi Industrial, siç e ka ripagëzuar qeveria), është në kundërshtim me planin rregullues të qytetit të Vlorës, miratuar në vitin 1996 nga qeveria Meksi. Si rregull, në kuptimin urbanistik, ky plan duhet të ishte “kushtetuta e qytetit”. Por mund të mos jetë ky rasti. Në atë kohë në fakt, u kuptua gabimi i ndërtimit të uzinës së sodës në atë zonë, ndaj plani i ri rregullues sanksioni zhvendosjen e zonës industriale larg bregut dhe qytetit të Vlorës, dhjetëra kilometra në thellësi të tokës. Megjithatë, plani rregullues nuk u ndryshua, por thjesht u shkel përmes ripërtëritjes së kapaciteteve industriale, jo vetëm në të njëjtën zonë, por në një sipërfaqe shumë më të madhe se ish PVC-ja. Krejt Parku Industrial (varianti fillestar) nuk zë vetëm sipërfaqen e PVC-së, por të paktën 550 hektarë, pa folur këtu për brezin e sigurisë rreth objekteve. Një element interesant lidhet me faktin trualli i kërkuar fillimisht për të ndërtuar tre blloqe të prodhimit të energjisë, apo e thënë në mënyrë banale 3 TEC-e, ishte 14 hektarë (441.7 m x 344.1 m), por ndonëse TEC-et u reduktuan në një të vetëm, sheshi i ndërtimit i miratuar nga qeverisja lokale ishte sërish 14 hektarë, ndërsa për një TEC vetë qeveria nuk ka llogaritur më shumë se 6 hektarë. Vendndodhja e sheshit të ndërtimit të TEC-it ndodhet pikërisht ku mbaron kufiri i Bashkisë së Vlorës, çka përbën një tjetër koincidencë të çuditshme në vetvete.
Gjithashtu, një tjetër element që është lënë jashtë përllogaritjes së sipërfaqeve që duhen okupuar për Parkun Industrial të Vlorës, janë rreth 7 kilometra të kabllit të tensionit të lartë që do të lidhë TEC-in me nënstacionin e parashikuar larg qytetit. Përposh këtij kablli, nevojitet një hapësirë prej 50 metrash e pabanuar, sipas Aleancës, për të shmangur rreziqet që vijnë nga ndonjë incident apo nga vetë fusha magnetike që krijohet, përgjatë të gjithë 7 kilometrave. Kjo i shton sipërfaqeve të okupuara edhe 70 hektarë të tjerë. Vetë Petrolifera do të zërë 18.3 hektarë si shesh ndërtimi, ndërkaq brezi i sigurisë është përcaktuar 500 metra. Kjo do të thotë se edhe totali tepër bujar i hektarëve të shkruar në letër është bindshëm më i vogël se sipërfaqja reale e mega-projektit energjetik.
Nga ana tjetër, rezulton të jetë shkelur me të dyja këmbët edhe ligji i urbanistikës, i cili thotë: “Të gjitha ndërtimet në territorin e Republikës së Shqipërisë bëhen në bazë të studimeve urbanistike rajonale dhe mjedisore, të masterplaneve, planeve të përgjithshme të rregullimit, të studimeve urbanistike pjesore...” (Neni 4). “Por, çdo vendimmarrje për Petroliferën apo TEC-in është kryer në kundërshtim me Planin Rregullues të Qytetit të Vlorës, ndërsa studime të tjera nuk janë kryer”, thotë Aleanca.
“Jashtë territoreve të urbanizuara lejohen të bëhen ndërtime vetëm në rastet kur ato përcaktohen në studimet rajonale dhe masterplanet e miratuara nga organi kompetent...” (Neni 6). Sipas Aleancës, është miratuar vetëm një vijë përcaktuese e Parkut Industrial të Vlorës në KRRTSH më 19/02/2003.
“Instituti i Studimeve Urbanistike është organi shtetëror në nivel kombëtar që harton studime e projektime urbane të përcaktuara në rregulloren e urbanistikës...” (Neni 13). Por, si për TEC-in, ashtu dhe për Petroliferën, studimi i shesheve të ndërtimit dhe sipërfaqeve nuk ka përfshirë punën e ndonjë arkitekti, por atë të Institutit të Naftës së Patosit, çka përbën një shkelje të rregullave elementare teknike të planifikimit. Kjo faktohet nga dokumenti me emrat e personave që kanë përgatitur projektet me një vizatim teknik të pastërvitur.
“Planet rajonale dhe masterplanet përgatiten për periudha kohore mbi 20 vjeçare, ndërsa planet rregulluese për periudha 10-15 vjeçare. Ato mund të ndryshohen me propozim të organeve të pushtetit lokal, duke motivuar ndryshimin e tyre...” (Neni 37), çka në rastin konkret nuk është bërë prej autoriteteve lokale.
“KKRT-të e Qarkut, Bashkisë dhe KKRT-të e Republikës nuk kanë të drejtë të miratojnë asnjë ndërtim të përhershëm apo provizor, jashtë funksionit të territorit të përcaktuar në studimet e miratuara, në territore prona publike. Ndërtimet që mund të bëhen janë vetëm ato të përcaktuara në studimin urbanistik në përputhje të plotë me funksionin e miratuar...” (Neni 62). Në këtë rast, sipas Aleancës, kemi të bëjmë me një shkelje flagrante, sepse zona industriale është parashikuar në anën lindore të qytetit ose në zonën Babicë-Shushicë, ndërsa sheshi i miratuar është në anën veri-perëndimore të qytetit.
“Qytetet, fshatrat dhe qendrat e tjera të banuara që ndodhen brenda kufirit të zonave turistike, bregdetare, liqenore dhe kontinentale, zhvillohen mbi bazën e planeve rregulluese të tyre. Bashkekzistenca me sistemet ekologjike dhe natyrore zgjidhet nëpërmjet studimeve rajonale dhe masterplaneve...” (Neni 68). Në veri dhe veri-perëndim të qytetit të Vlorës është zona e mbrojtur, ekosistemi i lagunës së Nartës deri në lumin Vjosë, ndërsa në jug të qytetit është zona e mbrojtur Karaburuni me Llogoranë. Fakt është se nuk ka asnjë studim rajonal, apo masterplan, i cili të harmonizojë bashkëjetesën midis tyre në një qendër urbane në zhvillim siç është Vlora. Lista e shkeljeve dhe përplasjeve ligjore e prezantuar nga Aleanca është tepër e gjatë, por këto janë disa nga pikat kryesore të argumentimit kundër ndërtimit të Petroliferës e TEC-it në këtë zonë.

Konspiracionet e naftës

Gjiri i Vlorës është ndoshta më i përshtatshmi në rajon për të ndërtuar një port të thellë, të aftë për të përballuar një fluks të madh anijesh të mëdha, ku sigurisht interesi kryesor shkon në anën e tankerëve me lëndë djegëse. Në këtë logjikë, nuk mund të ketë qenë i rastësishëm planifikimi i ndërtimit në të njëjtin vend, të depozitave të La Petrolifera Italo-Rumena, terminalin e naftësjellësit AMBO dhe rafinerisë që bënte lidhjen mes kësaj të fundit dhe Petroliferës. Pastaj, një bllok i parashikuar për tre TEC-e dhe një impiant rigazifikimi. Të paktën ky ishte plani fillestar. AMBO (Burgas-Vlorë) duket se dështoi për motive politike në garën me rivalin e saj Burgas-Aleksandropolis. Bashkë me të, për momentin të paktën, shkoi edhe rafineria, ndërsa impianti i rigazifikimit dhe 3 TEC-et me gaz u transferuan në rrethinat e Fierit (ky i fundit njihet si projekti më pak ndotës). Kjo do të thotë se projekti i Parkut Energjetik-Industrial të Vlorës ka mbetur për momentin me depozitat e Petroliferës dhe TEC-in.
Megjithatë, vetë depozitat mjaftojnë për të shkaktuar shqetësim të paktën te konkurrenca brenda vendit. Të prekurit direkt nga ndërtimi i këtyre depozitave do të ishin firmat që disponojnë kapacitete të ngjashme, por shumë më të vogla se ato të parashikuara në projektin e Petroliferës, në portin e Durrësit dhe Porto Romano, zona të cilat janë të cekëta dhe nuk lejojnë lëvizjen e kapaciteteve të mëdha të lëndëve djegëse në rrugë detare. Ndërtimi i Petroliferës rrezikon madje t’i fshijë nga harta rajonale e transportit detar të energjisë këto porte, duke i kufizuar në pika tregtimi të dorës së dytë a të tretë. Ndaj, sipas disa teorive me ngjyra konspiracioniste, të interesuarit mund të kenë gisht edhe në lëvizjet kundër ndërtimit të Petroliferës në Gjirin e Vlorës. Në listën e “sabotatorëve” të projektit përmenden edhe biznesmenët e Vlorës, ndërtuesit në veçanti, të cilët duan ta shtrijnë aktivitetin edhe në zona që i ka okupuar Parku, apo edhe tregtarë lokalë karburantesh të dorës së dytë.
Por, pa dyshim, konspiracioni më i madh mbetet ai i kanadezit, Mikel Çosudovski, profesor i ekonomisë në Universitetin e Otauas, i cili në artikullin “Amerika në luftë me Maqedoninë”, shkon deri aty sa të vërë gishtin mbi qeverinë amerikane dhe gjigantët e naftës në përfshirjen e tyre për nxitje deri në dhunë të veprave energjetike në rajon. Sipas Çosudovskit, për të mbrojtur rrugët e naftësjellësve në Ballkan, qëllimi i Uashingtonit është të vendosë një “mozaik protektoratesh”, përgjatë korridoreve strategjike në Ballkan. “Premtimi i Shqipërisë së Madhe, i përdorur nga Uashingtoni për të ndezur nacionalizmin shqiptar, është pjesë e manovrave ushtarake dhe të shërbimeve sekrete amerikane”, vëren kanadezi. Ai ia faturon luftën mes shqiptarëve dhe sllavëve në Maqedoni, pikërisht ndërtimit të naftësjellësit AMBO. Sipas Çosudovskit, zhvillimi i sferës amerikane të influencës në Evropën Jug-Lindore, në bashkëpunim me Britaninë, mbështet interesat e gjigantëve të naftës, ku përfshihen BP-Amoco-ARCO, Chevron dhe Texaco. Në këtë pikë, sigurimi i kontrollit dhe mbrojtjes së rrugëve të naftës është e një rëndësie të jashtëzakonshme për fitimet multi-miliardere të këtyre sipërmarrjeve. Profesori kanadez vëren se një regjim i suksesshëm ndërkombëtar i naftës është një kombinim i rregullimeve ekonomike, politike dhe ushtarake për të mbështetur prodhimin e naftës dhe nxjerrjen në treg. “Konsorciumi anglo-amerikan që kontrollon projektin e naftësjellësit trans-ballkanik AMBO, i cili lidh portin e Burgasit me atë të Vlorës në bregdetin e Adriatikut, përjashton bindshëm pjesëmarrjen e gjigantit evropian të naftës Total-Fina-Elf. Me fjalë të tjera, kontrolli strategjik amerikan mbi korridorin e naftësjellësve synon dobësimin e rolit të Bashkimit Evropian, duke goditur interesat e bizneseve të BE-së”, thotë Çosudovski.
Ai vëren se politika amerikane për “mbrojtjen e rrugëve të naftës” nga baseni i Detit Kaspik (dhe përmes Ballkanit) u shqiptua nga Sekretari i Energjisë i Klintonit, Bill Riçardson, veç pak muaj para bombardimeve mbi Jugosllavi në 1999-ën: “Kjo ka të bëjë me sigurinë e energjisë së Amerikës. Gjithashtu, ka të bëjë me parandalimin e sulmeve strategjike nga ata që nuk ndajnë vlerat tona. Ne po përpiqemi t’i lëvizim këto vende që së fundmi kanë fituar pavarësinë drejt Perëndimit. Ne do të donim t’i shihnim ato të sigurta mbi interesat perëndimore ekonomike dhe politike, në vend që të merrnin drejtimin tjetër. Kemi bërë një investim të rëndësishëm politik në Kaspik, ndaj është shumë e rëndësishme për ne që harta e naftësjellësve së bashku me politikën të dalin siç duhet.” (cituar në “A Discreet Deal in the Pipeline”, The Guardian, 15 shkurt 2001).
Por, përtej teorive të konspiracionit me armiq të brendshëm e të jashtëm, ku përfshihen nga biznesmenë lokalë deri te Boshti Anglo-Amerikan, Vlora paraqet realisht mundësi të shkëlqyera biznesi, qoftë për naftë, mallra të tjera, apo për turizëm. Këtë e kanë kuptuar të gjithë: investitorët vendas e të huaj, si dhe grupet e interesit, përfshi qytetarët. Në këtë pikë verdikti final qëndron pezull mes këmbënguljes së forcave të kundërta të përfshira në konflikt, sipas rregullave që përtej drejtësisë formale, i diktojnë inteligjenca dhe muskujt. Se kush do të triumfojë, vështirë të thuhet tani. Ama diçka është e sigurt. Lufta për Vlorën ka filluar.