Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Halil Gashi: Edhe dy vepra të reja të shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi Berisha

| E diele, 30.01.2011, 07:04 PM |


Sejdi BERISHA: “Kërkoj dhembjen time” - Poezi, 2011

 

Këto ditë doli nga shtypi vepra e njëzetë e shtatë e shkrimtarit dhen publicistit, Sejdi BERISHA. Në këtë vepër me poezi e me titull karakteristik dhe shumë të zjarrtë por edhe fisnik, autori përmes vargut shtron kërkesën si fenomen, e cila kërkesë e kësaj forme, gjithnjë ka qenë vetëm ëndërr, synim, dëshirë e mall dhe njëherësh faktor fondamental për ta rrumbullakuar tërë atë që njeriu e shndërron në ecje, në kërkim dhe shpresë për njerëzoren dhe për të lumturën, por gjithsesi edhe për të madhërishmen. Andaj, “Kërkoj dhembjen time” është një formë e fuqishme e të kënduarit poetik e ndërlidhur me mendimin filozofik dhe njerëzor, formë e etjes njerëzore për ta fisnikëruar dhe sublimuar rrugëtimin dhe përplasjet shpirtërore, të cilat autori i ka shndërruar si në një udhëtar apo në një pelegrin për ta gjetur dhe përjetuar ngrohtësinë e mendjes dhe të shpirtit, por edhe për tu përballur me të gjitha sfidat, të cilat autori sikur i shndërron në pjesën më të ngrohtë dhe më të përjetuar. Të cilat gjëra, respektivisht, përplasjet dhe rrugëtimin, shkrimtari i kthen në një sfond të çuditshëm por të ngrohtë njerëzor, që, edhe krijuesit, edhe lexuesit por edhe opinionit të gjerë, elementet e tillë, njeriut, i cili, shpeshherë zihet pisk dhe ndodhet në situata të palakmueshme shpirtërore, i dhurojnë energji për këngën e madhështisë dhe të dëlirësisë.

Për këtë arsye, “Kërkoj dhembjen time” me të drejtë shndërrohet në kërkues të arsyes, që vuajtjet dhe dhembjen për t’i ngritur si çështje fisnike e cila ndërgjegjëson dhe njeriut i krijon mbase edhe kënaqësi dhe gatishmëri për t’u përballur me jetën, gjë kjo e cila jo rrallë njeriun e vë në dilema dhe në sprova për të ecur vertikalisht. Andaj, poezitë në “Kërkoj dhembjen time” janë një shprushje serioze dhe ndijimore e mendimit dhe e përjetimit të thellë por edhe filozofik të hapjes dhe të ballafaqimit me probleme. Këndimi në këtë mënyrë, gjithsesi disponon edhe me peshën e thelbit të humanes dhe të qëndresës të për t’iu qasur zgjidhjes së labirinteve të jetës. Këto kacafytje dhe shtegtime të poetit kërkojnë “shpëtim” dhe prehje tek mendja, mendimi dhe veprimi i secilit njeri, në të gjitha format, në të gjitha fushat e jetës. Por, mund të thuhet edhe ndryshe. Krijimtaria e shkrimtarit, Sejdi Berisha, në këtë vepër është edhe klithmë e sinqeritetit për t’i hulumtuar, përjetuar dhe për t’i studiuar “fasadat” e jetës por edhe për t’i hulumtuar muzetë e saj.

Librin “Kërkoj dhembjen time” e botoi Club Kultura-Pejë, 2011 dhe i ka 120 faqe.

 

Sejdi BERISHA:“Mallkimi i heshtjes”-Shkrime refleksive, 2011

 

Këto ditë doli nga shtypi edhe vepra me shkrime refleksive “Mallkimi i heshtjes” i shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA. Ky libër i cili është i njëzetë e teti i këtij krijuesi, edhe si tërësi por edhe si i ndarë në kaptina veç e veç, shpreh atë thellësinë e përjetimit dhe të realitetit e të mospajtimit me te, si veçori e qëndrimit krijues dhe njerëzor të shkrimtarit, i cili, edhe dëshiron të rrëfejë por edhe e ka për synim e zjarrmi për të shpjeguar në rrafshin e mirëfilltë të analizës filozofike dhe refleksive të gjitha rrjedhat që synojnë dhe shfaqin lumturinë, por që dhembjen e kanë shoqërues kudo. Për këtë, autori, Sejdi BERISHA konsideron se gjërat që heshtën apo që ngelin përbrenda vetvetes, me dijen apo pa dijen e autorit por edhe të vetë individit, ato i ngjajnë klithmës, e cila, për habi nuk dëgjohet! Kjo, ngase çdo gjë që heshtet, puthitet me mallëngjimin, të cilin edhe nuk mund t’ia rrëfesh askujt.

Për këtë arsye, autori, me të drejtë na “imponon” indinjatën shpirtërore si mallkim të heshtjes. Vetë titujt e shkrimeve apo të kapitujve të librit, përshkohen me mesazhin alegorik mbase edhe këshillëdhënës në të njëjtën kohë, që i ngjajnë edhe lutjes dhe këmbëngulësisë për sinqeritetin, lumturinë dhe për madhështinë si thesar të njerëzores. Këtë fenomen shprishjeje dhe këtë detyrim analitik por edhe shumë human e hasim pothuaj se tek të gjitha shkrimet refleksive, siç i quan autori, si bie fjala: “Studimi i vetvetes ose matja e jetës me hijen e mëngjesit...!”, “Jeta me vrap dhe kafshimi i gjarprit...!”, “Mallkimi i vetvetes dhe filozofia e heshtjes...!”, “Loja e shkrimit dhe leximi alegorik...!” etj.

Pothuaj se në të gjitha kaptinat e librit, mallkimi i heshtjes troket si diçka që njeriun e detyron ta “zbërthejë” vetveten, por edhe sikur kjo “performansë” e jetës, mallkimin e vë në rolin e zërit që nuk hesht! Andaj, “Mallkimi i heshtjes” i Sejdi BERISHËS, sikur është një qortim i natyrës tjetërfare nga atë që e hasim zakonisht në jetën e përditshme.

Këtë vepër me cilësi të veçantë dhe me peshë filozofike, autori e fillon me një shkrim sinjifikativ në trajtë udhëpërshkrimi, me titull “Toka që të mallëngjen dhe ta madhështon historinë...!”, përmes së cilit, që në fillim opinionin e “detyron” për ta lexuar dhe analizuar librin, dhe kështu për ta mësuar gjithnjë e më mirë historinë e tokës së vet, historinë e njeriut të vet. Ndërkaq, e përfundon, po ashtu me një shkrim, që po ashtu reflekton në vetëdijesimin e njeriut e që mbanë titullin jo vetëm simbolik: “Përurimi i librit në Tiranë dhe rruga e kombit...!”

Për ta bërë sa më kuptimplotë dhe joshëse “bërthamën” e mendimit të kësaj vepre, autori edhe shkrimet i fillon me këtë moto: “... Mendja ta hapë ose ta mundëson fenomenin e rebelimit, e cila gjë kuptohet si veti e veçantë për mospajtimin, vuajtjen dhe mbrojtjen e rrugëtimit të lirë të njeriut...

... Kujtojeni se sa vështirë është kur e harron vetveten në momentet më të nevojshme, atëherë ku i nevojitesh fjalës sate, dritës dhe zjarrit, heshtjes dhe zërit...”.

Kjo do të thotë, se “Mallkimi i heshtjes” i Sejdi Berishës, reflekton kuptimin e thellë të jetës dhe bashkë me te edhe disidencën ndaj gjërave që nuk përkojnë me realitetin e që në të vërtetë janë përditshmëri e kohës.

Librin “Mallkimi i heshtjes” e botoi Club Kultura-Pejë, 2011 dhe i ka 212 faqe.