E enjte, 25.04.2024, 05:41 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhavit Haliti: Jam unë, Xhavit Haliti

E shtune, 29.01.2011, 06:49 PM


Jam unë, Xhavit Haliti

 

Nga Xhavit Haliti

 

Kaloi java qyshkur gazeta e njohur franceze “Le Monde” gjeti vend për të botuar një artikull pa autor (anonim) për CV-në dhe veprimtarinë time në politikë. Ndihem disi i “përkëdhelur” në sedër, që emri im zuri vend në “Le Monde”, por edhe pak kundërshtues që kjo shëmbëlltyrë e medies demokratike të shkuar në botë, boton një shkrim anonim për një njeri.

Është e vërtetë, që ky person nuk është qytetar francez, por simboli mediatik i përcjelljes dhe mbrojtjes mediatike të “Deklaratës së Lirive dhe të Drejtës të Njeriut dhe Qytetarit” në shekuj, nuk duhet të pranojë në faqet e veta një shkrim pa autor për një individ, që ka një kontribut, një vend dhe një emër në shtetin më të ri të Evropës.

Blogu “Fytyra tjetër e Kosovës”, i ndërtuar mbi një dokument, të shërbimit inteligjent të KFOR-it, të datës 10 mars 2004, është ndërthurja më e dukshme spekulative mes së vërtetës dhe shpifjeve monstruoze. Është një veprim i “mençur” i autorit që, duke përdorur “grimca” të së vërtetës, shpifja të ndikojë dhe të zërë vend në opinion. Do të përpiqem të shpjegoj këtë përfundim.

Është e vërtetë që Xhavit Haliti, i njohur si “Zeka”, u angazhua në lëvizjen për çlirimin e Kosovës nga Serbia në një moshë tepër të re (16-17 vjeç); pas largimit nga Kosova, u angazhua dhe ka dhënë ndihmesë për organizimin e rezistencës antiserbe; ka qenë një ndër themeluesit kryesorë të UÇK-së, të PDK-së dhe pjesëtar i lartë i kësaj partie në strukturat e saj politike dhe kushtetore; gjatë gjithë periudhës së shkëputjes politiko-ligjore e territoriale të Kosovës nga Serbia, Xh. Haliti ka qenë prezent në Rambuje, ka qenë firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, miratues i Kushtetutës dhe simboleve shtetërore të Republikës së Kosovës; ka qenë i akuzuar nga shteti i Zvicrës dhe ka fituar gjyqin me të në Hagë në 2008-ën, gjë që vihet në dukje edhe në Raportin e Dick Martyt; u rreshtua i dyti, pas kryetarit të PDK-së në këtë raport dhe mbeti i pari pas deklarimit të z. Marty, ku u shmang përfshirja personale e z. Thaçi në akuzat e parashtruara.

Por, nuk është aspak e vërtetë që Xh. Haliti ka qenë njëherë sponsor i mafisë kosovare dhe që, përmes saj, “ka një ndikim të madh në politikë”. Për këtë pohim gjenden lehtësisht dëshmitarë në çdo rrugë të Prishtinës, të Pejës (nga jam) dhe të mbarë Kosovës, ku kam të njohur dhe më njohin; ka qenë “njeriu i fuqishëm kosovar në hije”! Më pëlqen të më përqasë një media franceze me Fushenë, por unë as mund të jem dhe as mund ta pretendoj “sundimin në hije”; “ishte lidhje dhe me UDB-në, ku informonte ata për destinimin e armëve për FARK-un. Frikësonte anëtarët e LDK-së përmes SHIK-ut.

Është një multi-milioner, aksionar dhe bashkëpronar në shumë biznese në Kosovë, madje ndihmëtar financiar i Hashim Thaçit për fitoren e zgjedhjeve të 12-dhjetorit”.

Dy akuzat e fundit kanë për nismë togfjalëshin: “thonë se, thuhet që”, pra vetëm thuhet. Por nga kush, pse dhe përse këto në prag të shtrimit të diskutimit për miratim të raportit të Dick Martyt?! Përse dhe kush është i interesuar që, pas heqjes prej z. Marty të z. Thaçi nga kryesimi i “pisllëqeve” të krerëve të PDK-së, të dalë e të publikohet jo në Kosovë, por në Francë, Xh. Haliti?!

Për këto pikëpyetje, që brendësojnë të panjohurën habitëse, dua të ndaj dhe të bëj prezente dy gjëra:

- Shërbimi inteligjent i KFOR-it, i 10 marsit 2004, ka pasur detyrimin, të drejtën dhe mundësinë për verifikimin dhe ekzekutimin e përfundimeve të veta. Pas 2004-ës Xh. Haliti është zgjedhur, brenda suazës demokratike, të monitoruar nga demokracitë më me emër të botës, deputet i Kuvendit të Kosovës. Dokumenti sekret i KFOR-it, i 2004-ës, kam përshtypjen se ndihet i “harruar” pas gati 7 vjetësh.

 

- Xhavit Haliti, që miqtë e hershëm më njohin e më thërrasin me nofkën “Zeka”, është deklaruar ca ditë më parë dhe do të vazhdojë ta deklarojë: Nuk u shqetësova nga shkrimi anonim i botuar në “Le Monde”. Nuk u shqetësova prej tij, sepse kam “fituar imunitet” prej këtyre lloj akuzave, që nuk ngjasojnë, por që janë njëlloj me ato të lëshuara nga media vizive dhe audio serbe. Por u shqetësova kur, fare pak ditë pas shmangies publike të Dick Martyt nga akuza e personalizuar për z. Thaçi, një shkrues anonim gjen “mundësinë” dhe “realizon” zbulimin në “Le Mond”, të “anës së panjohur” të Xhavit Halitit.

Jam i gatshëm dhe i prirë t’i dal zot vetes në çdo moment dhe në çdo instancë gjyqësore. Nuk mund ta padis gazetën “Le Mond”, sepse shkrimi i botuar prej saj nuk ka autor. E kam të vështirë të përcaktoj autorin, megjithëse, në varësisë kohore edhe mund të shqiptoj një emër, por një gjë mund ta deklaroj me bindje: Nuk shqetësohem shumë nga këto lloj shkrimesh, pasi janë të njëjta prej shërbimeve sekrete serbe. Por nuk mund të mos shqetësohem që për mua shkruan në “Le Monde” dikush që më njeh dhe e njoh.

Sidoqoftë! Unë jam Xhavit Haliti! Njoh shumë dhe më njohin jo pak. Vlerësimi është reciprok dhe personal. Por është i paargumentuar nëse ngrihet mbi një shkrim të një gazete të madhe evropiane, që s’ka emër autori.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora