E diele, 29.11.2020, 01:15 AM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: E premtja e përgjakshme - turpi i kombit

E shtune, 29.01.2011, 07:54 PM


E PREMTJA E PËRGJAKSHME – TURP I KOMBIT

 

Nga Xhelal Zejneli

 

Popujt e vegjël që gjatë historisë nuk kanë pasur një protektor, kanë rënë:

 

- ose nën diktaturë;

- ose në anarki;

- ose kanë përjetuar luftë civile.

 

Kjo që ndodhi në Tiranë më 21 janarin e 2011-shit, është turpi i madh i kombit shqiptar në Ballkan. Natyrisht, nuk ishte kjo një befasi. Të premtes tragjike në Shqipëri, i prin një krizë e thellë politike, që zgjat ç’prej kohësh.

Dhuna e manifestuar para kryeministrisë shqiptare, është një akt i pritur i mendjemadhësisë, i megalomanisë dhe i arrogancës së shqiptarëve – si komb. Ky është një akt i pritur i primitivizmit dhe i provincializmit të shoqërisë shqiptare. Është një akt i pritur i individualizmit të skajshëm të shqiptarëve, në shkallë kombi.

E premtja tragjike është turp i institucioneve kulturore, shkencore dhe arsimore të kombit. Është turp i akademive të shkencave dhe të arteve të të dy kryeqendrave shqiptare. Është turp i universiteteve publike të Tiranës dhe Prishtinës. Është turp i akademikëve shqiptarë, në të dyja anët e kufirit.

I mjerë është ai popull, akademikët e të cilit, kanë qenë lakej të politikës, të pushtetit, të pushtetarëve, të politikanëve. Madje edhe lakej të tiranëve, të despotëve dhe të diktatorëve. Lakej të ideologjive totalitariste dhe diktatoriale. I mjerë është ai popull, që ka akademikë, të cilët vazhdojnë të jenë të nënshtruar, të përulur dhe të gjunjëzuar para pushtet-mbajtësve.

E premtja e përgjakshme paraqet turp për klasën politike shqiptare, në shkallë kombi. Turp edhe për të ashtuquajturën elitë intelektuale të kombit. Ky është turp i madh për krijuesit letrarë dhe artistikë, për shkrimtarët dhe për studiuesit e të gjitha fushave.

Politikanë të kombit, inteligjencia e kombit dhe shumë shkrimtarë të kombit, në këtë çast tragjik, janë mëkatarët më të mëdhenj.

Intelektualët oportunistë, konformistë dhe demagogë janë fajtorë dhe mëkatarë ndër më të mëdhenjtë. Akademikët, që kanë qenë e që vazhdojnë të jenë instrumente të politikës dhe të pushtetit, po ashtu janë fajtorë dhe mëkatarë të mëdhenj.

E premtja tragjike nuk është pjesë e procesit demokratik. Përkundrazi, kjo është goditje e rëndë mbi demokracinë, është tendencë për ta ndërprerë procesin demokratik, për ta ndalur procesin, për ta ndaluar dhe për ta vrarë demokracinë shqiptare.

Një popull i vogël, skajshmërisht i ndarë më dysh. Janë ndarë intelektualët, krijuesit letrarë dhe artistikë, studiuesit shkencorë. Janë ndarë, janë politizuar dhe janë partizuar institucionet. Është ndarë edhe krijimtaria letrare-artistike. Janë ndarë madje edhe shpërblimet apo çmimet letrare. Mbi baza partiake, janë ndarë dhe mediumet, studiot televizive, gazetat dhe gazetarët. Janë ndarë edhe analistët politikë. Si askund në botë. Janë ndarë madje edhe lokalet publike, kafenetë, bujtinat, tavernat.

Thua ti se Shqipëria ka 30 milionë dhe jo 3 milionë banorë. Madje, një e treta e tyre ndodhen me punë jashtë vendit. Vite me radhë, disa politikanë dhe zëdhënës të partive, kundër oponentëve politikë përdorin një diskurs aq provokues, saqë trazojnë edhe më të painteresuarin. Po sikur këta politikanë apo këto zonjusha zëdhënëse, të ishin përfaqësues të një populli dhjetëra milionësh, ç’do të kishin bërë vallë?! Çfarë arrogance do të kishin manifestuar atëherë se?!

Përgjaken ndër vete, një grusht njerëzish.

Të premten tragjike nuk pamë protesta. Pamë dhunë. Dhunuesit synonin të rrëmbenin pushtetin, të rrëmbenin institucionet.

Pamë një tendencë për grusht shteti. Mbase edhe për puç ushtarak.

Shqipëria e komprometua para gjithë botës. Në të pesë kontinentet. Turpi që i mbuloi shqiptarët në shkallë kombi, do të reflektohet edhe në mosnjohjen e Kosovës nga vendet që ende s’e kanë njohur.

Para disa ditëve, shqiptarët morën një goditje nga raporti i antishqiptarit të përbetuar Dik Martit. Të premten tragjike, shqiptarët morën një goditje nga vetvetja. Goditje pas goditjeje?! Përse ndodh kjo?! Ku shpie kjo?! Quo vadis shqiptarët?!

 

Tendenca për ta marrë pushtetin në rrugë, mbështetet fuqimisht nga boshti antishqiptar historik Beograd-Moskë-Athinë.

 

Shqipëria hedhet në trazira dhe i vihet flaka në shekullin XXI:

 

- në kohën kur u bë anëtare e NATO-s;

- në kohën kur iu hoqën vizat për në Perëndim;

- në kohën kur, që nga jugu e deri në veri, është shndërruar në kantier ndërtimi;

- në kohën kur shpallet vendi më atraktiv në botë për turizëm.

 

Nënat shqiptare zhyten në zi, në kohën kur u ndërtua rruga e kombit. Kundër kësaj rruge janë vetëm armiqtë më të mëdhenj të kombit. S’ka dyshim se kjo rrugë e ka edhe çmimin e vet.

 

Pas këtyre zjarrvënësve qëndrojnë ata që nuk ia duan të mirën kombit shqiptar. Shpesh është thënë: “Shekulli XXI është shekulli i shqiptarëve”.

Ky konstatim i drejtë i pengon dikujt, e sidomos boshtit bizantin dhe bolshevik. Dhe pikërisht ata dëshirojnë t’i shohin shqiptarët në një arenë përleshjesh vëllavrasëse. Armiqtë e shqiptarëve, s’ngopen ta shohin Shqipërinë në luftë civile.

 

* * *

       SHBA-ja, dhe BE-ja, kur është fjala për tendencat që synojnë të destabilizojnë Shqipërinë, e rrjedhimisht edhe rajonin, duhet të jenë më të vendosur dhe duhet të reagojnë në kohë. Me fjalë të tjera, duhet t’ua bëjnë me dije “protestuesve”, se pushteti nuk merret me rrugë, me dhunë.

 

* * *

Edhe po të jenë të bazueshme, të drejta dhe të justifikueshme ankesat dhe vërejtjet e kryetarit të Partisë Socialiste – z. Edi Rama, lidhur me zgjedhjet parlamentare, edhe sikur të jenë të arsyeshme kërkesat e tij për zgjedhje të reja, ngjarjet e 21 janarit janë të paarsyeshme, madje edhe absurde.

Atë dhunë të manifestuar, njeriu racional nuk e mbështet. Shqiptari atdhetar, majtist qoftë, apo djathtist – nuk e mbështet.

Ajo që pamë më 21 janar, nuk ishte formë e manifestimit të pakënaqësisë. Ajo që pamë ishte dhunë dhe përleshje vëllavrasëse.

Askush s’ka të drejtë t’ia vë flakën atdheut, për motive jobindëse dhe të ulëta.

Në shikim të parë, motivet duhet të jenë – marrja e pushtetit në mënyrë revolucionare, për shkak – siç thuhet - të abuzimit të votave. Mbase, mund të ketë edhe arsye të tjera – tendenca e armiqve historikë për ta rrënuar Shqipërinë dhe për ta përsëritur vitin tragjik 1997.

 

Nuk i vihet flaka mëmëdheut për hir të pushtetit. Asnjë interes – përpos idealit të kombit – nuk është më i madh se jeta e njerëzve.

          Krahasime të paqëndrueshme

         Midis trazirave të përgjakshme në Tiranë, në një anë dhe atyre më 5 tetor 2000 në Beograd, në anën tjetër, s’ka dot kurrfarë ngjashmërie. Demonstruesit serbë synonin të shembnin nga pushteti një tiran që kishte shkaktuar katër luftëra në ish-Jugosllavi.

Drama e përgjakshme në Shqipëri, s’ka asnjë ngjashmëri as me protestat e drejta dhe të arsyeshme në Tunizi kundër një despoti që sundoi mbi popullin e vet plot 23 vjet dhe që iku bashkë me pasuritë e shtetit, duke lënë pas vetes një armatë të tërë të rinjsh të papunë.

Ngjarjet në Shqipëri nuk mund të krahasohen me protestat në Francë, në Greqi apo në Britani të Madhe.

Kështu sepse, ato janë shtete më të mëdha, me potenciale ekonomike të fuqishme dhe me tradita shtetërore të gjata. Protestat në Perëndim, mbase mund të jenë pjesë e demokracisë.

Protestat në Shqipëri ndërkaq, e cila ende ndodhet në fazën e transicionit dhe të konsolidimit, lehtë mund të shkallëzohen dhe të marrin përmasa të një konflikti civil.

Dhe pikërisht këtu qëndron dallimi midis protestave në Shqipërinë e vogël dhe të brishtë, në një anë dhe atyre në Francë dhe Britani të Madhe, në anën tjetër.

Ajo që ndodhi të premten, nuk është veçse tragjizëm shqiptar.

         Interes i shtetit, i kombit dhe i Shqipërisë nuk është interes partiak, as interes i grupit, as interes i individëve të frustruar dhe as interes për marrje pushteti.

Interesi për atdheun është interes mbi interesa, është krye-interes.

Çdo shqiptar në Ballkan dhe në diasporë, interesit të mëmëdheut duhet t’i bindet me dëshirën më të madhe. Madje, pavarësisht nga ideologjia, provenienca dhe përkatësia partiake. Pavarësisht edhe nga pozita dhe statusi social.

Kujt i duhet pushteti, i rrëmbyer me dhunë – në rrugë?! Ç’do të bëjë rrëmbyesi me një pushtet të tillë?! A mund të jetë legjitim ai pushtet?! A do të njihej një pushtet i tillë nga Uashingtoni dhe Brukseli?!

Nga Beogradi-Moska-Athina me siguri se po.

       Trazirat në Tiranë e diskreditojnë edhe NATO-n, anëtare e së cilës është Shqipëria.



(Vota: 5 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora