E premte, 19.04.2024, 05:28 PM (GMT+1)

Mendime

Hajdin Islami: A do ta heq Qeveria Thaçi planin ABC të KEK-ut?

E diele, 13.01.2008, 04:08 PM


A do ta heq Qeveria Thaçi planin ABC të KEK-ut?

Nga Hajdin Islami*

“Unë këtu në Çabër ju gjeta në terr ashtu siç e gjeta edhe Kosovën dhe do të bëjmë çmos që ta stabilizojmë situatën energjetike në Kosovë që për ne është e papranueshme kështu siç është” ishin këto fjalët e para të Kryeministrit të ri Hashim Thaçi, i cili takimin e parë me qytetarë të Kosovës në cilësinë e Kryeministrit e zhvilloi në një fshat të vogël të banuar me shqiptar në veri të Kosovës.
Justina Pula-Shiroka, ministre e re e Ministrisë së Energjisë dhe Minierave (MEM) ka pohuar se do të marrë masa ndaj KEK-ut  dhe ndaj atyre që e vjedhin dhe nuk e paguajnë energjinë elektrike me qëllim që të përmirësohet situata energjetike në vend.
Por, me gjithë milionat marramendës dhe donacionet e shumta, të dhëna nga BE-ja dhe vende të ndryshme nga e mbarë bota, prapëseprapë Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) mbetet e dështuar pasi ajo më shumë prodhon terr sesa dritë.
Një gjë është e qartë për shumicën e kosovarëve, se KEK-u apo siç quhet në popull ''Kanceri Energjetik i Kosovës'', me reduktimet dhe rëniet e shumta nga sistemi të termocentraleve të tij, ka treguar se menaxhimi i tij  deri më tani ka qenë tepër i dobët. Ky keq menaxhim i KEK-ut, ka treguar se kjo Korporatë Energjetike është e padenjë dhe absolutisht  e paaftë të sigurojë klientët e saj dhe ta bëjë furnizimin e mjaftueshëm të tyre me këtë lëndë, që pa të vështirë se mund paramendohet zhvillimi, në çfarëdo aspekti qoftë.
Megjithëse nuk ka rrymë në pjesën më të madhe të kohës, tymtarët dhe largpërçuesit e Kosovës, rregullisht punojnë. Rëniet nga sistemi dhe lërja e gati tërë Kosovës në terr për këtë korporatë janë bërë përditshmëri, por shtrohet pyetja se po të ndodhnin  këto rënie në kohën e Serbisë çka do të ndodhte?
Reduktimet e energjisë elektrike nëpër rajonet e Kosovës janë marramendëse. Slogani ''24=0'', edhe pse i vënë për kategorinë A, ai nuk aplikohet as për ta, pasi një pjesë e vogël e Kosovës ndodhet në këtë kategori, ndërsa shumë vendbanime tjera të Kosovës siç bie fjala, në Skenderaj, Drenas, Podujevë, Malishevë, Klinë, Vushtrri, Gjilan, Mitrovicë, Kaçanik, Pejë, Lypjan, Viti, Shtime, Therandë e qendra tjera  reduktimet e energjisë janë duke filluar nga 3-5-10 e deri në 15 orë terr. Edhe pak ato orë kur ka rrymë qytetarët ankohen pasi ndaljet e shumta të rrymës u kanë shkatërruar gati të gjitha mjetet që varen nga rryma.
Vitin e kaluar ka qenë  Komuniteti i Biznesit ai i  cili i është kërcënuar Qeverisë së Kosovës se nëse nuk stabilizohet situata energjetike, ata do të detyrohen që bizneset e tyre t'i bartin nëpër vendet fqinje të rajonit. Çka  është më e keqja në gjithë këtë odisejadë të tmerrshme, KEK-u për shumë kë është bërë fatalitet pasi nuk janë të paktë ata që kanë humbur jetën nga kjo korporatë famëkeqe.
Vitin që lamë pas Ministria e Energjisë dhe Minierave(MEM), kanë hapur ofertat e kompanive që kanë shprehur interesin  për ta ndërtuar termocentralin Kosova C, i paraparë për shumë kë si Kanceri "C" i Kosovës.
Ka disa javë që kemi hyrë në vitin e ri 2008 dhe siç duket Korporata Energjetike e Kosovës nuk e ka ndërmend të heq dorë nga plani famëkeq i saj ABC. Madje reduktime të energjisë elektrike  tri orë me terr dhe tri me drita  ka pasur edhe gjatë festës së vitit të ri.
Ditë më parë disa qindra qytetarë të Vushtrrisë të revoltuar me mungesën e energjisë elektrike kanë bllokuar magjistralen Prishtinë-Vushtrri-Mitrovicë për disa orë në shenj proteste kundër planit diskriminues që po bënë kjo korporatë. Banorët vushtrrias u shprehën se një numër i konsiderueshëm i tyre i paguajnë faturat e energjisë elektrike por prapëseprapë  ata kanë reduktime të gjata të rrymës. Të gjithë protestuesit e revoltuar me KEK-un dënuan ashpër politikën që po ndjek kjo korporatë pasi ajo nuk është e aftë që t’i dënojë ata që nuk e paguajnë rrymën por bënë ndëshkime kolektive.
Rajoni i Vushtrrisë që nga paslufta e këndej po përballet me krizën energjetike, reduktimet e energjisë elektrike në Komunën e Vushtrrisë  janë marramendëse dhe fatale për ekonominë e këtushme, i tërë qyteti i Vushtrrisë ndodhet në kategorinë C, në përjashtim të disa institucioneve të rëndësishme si: ndërtesat e TMK-së, gjigantit ekonomikë i Vushtrrisë Fabrika “LLAMKOS”, Akademia Policore, dhe pak institucione të tjera.

*Autori është gazetar nga Vushtria, Kosovë



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora