Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Zholi: Profil - Liri Berishës

| E diele, 13.01.2008, 03:03 PM |


Profil -  Liri Berishës

"Çdo grua, që kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti".
Margaret Theçer

Liri Berisha, sekretet  mes kryeministrit dhe Laura Bush

Nga Albert Zholi

Tek Sofra e Ariut me Laura Bushin

Ndërsa ngjarja më e madhe e vitit 2007-të është vizita e zotit Bush në Tiranë, jo i pakët ka qenë kontributi i zonjës Liri në pritjen që iu bë presidentit. E mbarsur që në gjenezën e saj me traditat më të bukura shqiptare  të pritjes së mikut, të gjitha organizimet me zonjën Laura Bush, ishin ide të saja, duke pasqyruar anën më të bukur të amvisës shqiptare, atë të mikpritjes dhe organizimit të një feste  tek “Sofra e Ariut” duke përcjellë vlerat e gruas shqiptare në tërë bukurinë e tyre. Një festë, që ajo e organizoi duke u marrë me detajet më intime dhe që i ka dhuruar me të vërtet shumë emocion, aq sa miqtë u gjendën si në shtëpinë e tyre, mes një atmosfere të paimagjinuar.  Si në një ditë feste, në vendin e shqiponjave, ku çifti Bush i befasuar u gjend mes magjisë, çudisë dhe mrekullisë !!!

Gjithnjë e preokupuar

Është e vështirë të takosh këto ditë zonjën Liri Berisha. Shumë e okupuar me punët e fondacionit dhe pa dyshim dhe me protokollet që janë detyrë e saj, si gruaja e kryeministrit shqiptar, zotit Sali Berisha dita e saj me të vërtetë është tejet e gjatë. Gjithnjë e preokupuar për historitë e fëmijëve shqiptarë që gjenden në vështirësi, për shkak të problematikave të ndryshme familjare, ajo është e vëmendshme të jetë pranë tyre, duke mediuar me organizata të ndryshme nëpër botë për të lehtësuar sa më shumë hallet e fëmijëve shqiptarë. Të atyre fëmijëve që shumë shpesh për shkak të gabimeve prindërore apo fatkeqësive që u ka në ndodhur i duhet të përballojnë të vetëm varfërinë, sëmundjet dhe fatkeqësitë pa patur kohë për të menduar se kanë ëndrra, dëshira dhe të drejta për të qenë si gjithë të tjerët…

Dhe ajo është aty, gjithnjë e papërtuar për të dhuruar maksimumin për këta fëmijë që të jenë të lumtur dhe të barabartë, të jenë të gëzuar dhe të qetë …

Një punë që zonja Liri e bën me shumë pasion dhe përkushtim, një okupim serioz, i hershëm që ajo e ka ushtruar  gjatë gjithë jetës së saj profesionale, edhe pse kurrë nuk është ushtruar për ti  ngritur pidestale vetes.

Si çdo grua  fisnike shqiptare nuk dëshiron që dukjen ta ngrejë në kult. E megjithatë është detyrë e medias shqiptare që njerëz të tillë ti promovojë sepse janë figura që meritojnë vëmendjen e gjithë shoqërisë shqiptare. Sepse japin kontribute që kurrë nuk do harrohen nga këta fëmijë që janë në vështirësi, që sot zgjasin jetën e tyre nga ndërhyrjet dhe puna e saj e palodhur, nga përkushtimi i përhershëm që mjekja ka për fëmijët.

Në ndërrimin e viteve

Në festat e fundvitit 2007 , ku gjithësekush parti po ofronte party për gazetarët duke i kthyer më së fundi në VIP-at e shoqërisë shqiptare, është e rëndësishme të kujtojmë se janë fëmijët ato që duhet të egzaltohen  në festat e fundvitit, dhe bamirësit që kanë punuar natë e ditë për mirëqënien e tyre, duhet të marrin vlerësimin që u takon. Qoftë dhe nga mediat. Partitë duheshin lënë pak si mënjanë, për tju gjendur më pranë fëmijëve jetimë dhe në nevojë dhe atyre që menduan për ta. Janë ato që duhet të listohen dhe të kryesojnë njerëzit e vitit në Shqipëri, sepse të japësh diçka nga vetja dhe ti përkujtohesh jetës së atyre që i përkasin të ardhmes është prosperitet. Dhe njëra prej grave bamirëse  me një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë fushë është dhe  Liri Berisha.

Kush është Liri Berisha?

Një grua që e njohin të gjithë si bashkëshorten e zotit Berisha, por që ka nam të madh si pediatre dhe si një grua që ia ka kushtuar tërë jetën e saj fëmijëve. Një  grua, që ka ditur të gjejë në jetën e saj trinitetin e suksesit bashkëshorte-nënë e përkushtuar, pediatre e shkëlqyer dhe një grua me zemër të madhe. Këto janë cilësitë që artikulohen vetiu në mendje pasi  artikulohet emri Liri Berisha, apo pasi je ndarë nga një takim me të. Kur e takon personalisht të lë mbresa respekti që ajo tregon për njerëzit, mënyra se si të dëgjon dhe buzëqeshja e saj e çiltër. Të gjitha cilësi që e nderojnë këtë grua, që tërë jetën e saj ia ka kushtuar  fëmijëve të lagjes numër 4, lagjja e vjetër e Brrakës, ku padrejtësia dhe varfëria janë ulur jo rallë këmbëkryq, ndërkohë që pediatrja e përkushtuar, derdhte dashuri të pakushtëzuar për këto qënie njerëzore që duhet të kishin të drejta dhe barazi. Pa pozalitet, mëndjemadhësi dhe vanitet,  gruaja e një prej politikanëve më të njohur shqiptar të viteve të pasnëntëdhjetës,  ka ruajtur një figurë të modeluar mirë, gjithnjë  larg dhe pranë politikës, duke përfaqsuar figurën e njeriut që bën më shumë vepra sesa fjalë.

Një model, që zonja Liri nuk e ka të vështirë ta realizojë, sepse është pjesë e personalitetit dhe tipologjisë së saj spontane. Si ç’do qënie njerëzore ka takuar  në jetën e saj  lumturinë, dhimbjen njerëzore, sakrificën, dështimet dhe  arritjet e saja. E quan veten e vet me fat dhe pse ka bërë një jetë të ndërtuar mbi dilema por dhe vërtetësi, ku motori i suksesit gjendet tek shpirtmadhësia dhe ndërtimi i një baze familjare me themele të forta, që sot i ka dhënë  frytet e veta. Është e lumtur që sot është gjyshe, që është një nënë që ka rritur dy fëmijë të mbarë dhe një grua që ka ditur të rrijë bukur krahas një bashkëshorti politikan që jo rallë është sulmuar. Por që gjithnjë ka ditur të ngrihet dhe të ketë besim tek idealet e tij.  Shprehet se jeta e saj nuk ka shkuar si në telenovela,  dhe nuk ka qenë aspak mondane. Ka qenë një jetë që ka kërkuar përkushtim maksimal, shumë sakrifica dhe netë pa gjumë. Gjithnjë në shërbim të të tjerëve.  Gjë që e ka ndihmuar të formojë emrin e saj të respektueshëm të pa lakuar kurrë nga kurthet e politikës, që në këtë egërsinë shqiptare nuk të falin as një presje.

Drejtuese e “Fondacionit për Fëmijët Shqiptar në Nevojë”

Sot ajo është drejtuese e “Fondacionit për Fëmijët Shqiptar në Nevojë ,  një punë që e bën me shumë përkushtim dhe që i përshtatet natyrës dhe vizionit humanist që ajo ka  në vetvete. Prej një viti e gjysëm, ky fondacion është lakuar për shumë vepra bamirësie. Dhe nëse të gjitha ato gra politikanësh, që kanë drejtuar fondacione të tilla para saj, veprimtarinë kryesore kishin shoën televiziv, ajo ka patur primar të jetë pranë fëmijëve në vështirësi. Ka ndihmuar me dhjetëra fëmijë të gjejnë zgjidhje për hallet e tyre, duke i nxjerrë viza, duke i ndihmuar ekonomikisht të përballojnë udhëtimet e shtrenjta dhe pse jo duke i mundësuar dhe operacione shumë të kushtueshme dhe të vështira. Ndër sukseset që mund të përmenden janë “Ndërtimi i Qendrës së Gjakut” në Lushnjë me paratë e mbledhura nga mbrëmja Gala e organizuar në Rogner në vitin 2006. Duke vazhduar me futjen e medikamentit “exzhade” një ilaç shumë i shtrenjtë që shërben për fëmijët talasemikë. Gjithashtu dhe funksionimin e laboratorit mikrobiologjik pranë maternitetit “Nëna Geraldinë”, i cili përcakton të gjitha problemet dhe keqformimet e fëmijëve që në barkun e nënës, si dhe  shumë fëmijë që kanë patur nevojë për ndërhyrjen e saj me ndihma ekonomike, mjete financiare, karroca invaliditeti etj.

Raporti që ajo krijon me njerëzit

Një nga tiparet  dalluese të zonjës Liri është raporti që ajo krijon me njerëzit. Në komunikimin me të vë re bujarinë, sensin e së drejtës dhe dhembshurinë. Është një grua që të dëgjon me shumë kujdes dhe që të bën të ndjehesh mirë menjëherë sa je përballë saj. Një grua tejet komode, që di të respektojë gjithkënd, pavarësisht statusit social, bindjeve politike (në aktivitetin e Institutit të Fëmijëve Jetimë në dhjetor 2007 në Hotel “Tirana”, shumë të pranishëm ishin me bindje të majta) apo profesionit që ke. Një grua që ka sens pozitiv ndaj gjithëkujt dhe që përpiqet kudo të japë kontribut.

Gruaja e kryeministrit shqiptar

Ndjehet e palodhur dhe tashmë është shumë e okupuar me punët e fondacionit por dhe me detyrat e protokollit që i takojnë si gruaja e kryeministrit shqiptar. Një detyrë që tashmë është mësuar ta bëjë dhe pse e ka patur shumë të vështirë vitet e para. Por që është një punë që i ka kërkuar shumë impenjim dhe energji. Së bashku me zotin Sali Berisha kanë 37 vjet që jetojnë përkrah njëri tjetrit. Një bashkëshort që në 17 vjet ka qënë në epiqendër të grupimeve poltike, që ajo me korrektësinë e saj e ka ndihmuar me forcë dhe vitalitetin që e karakterizon, duke i qëndruar pranë në raste tepër të vështira. Duhet thënë se, në këtë drejtim, kjo grua e rallë ka sakrifikuar shumë. Ndoshta është hija e bashkëshortit, që e bënKryeministrin të ketë një “prapavijë” të sigurt, ndrësa zonjën Liri të ketë  modesti të tepruar, që shumë herë e lë larg medias dhe podiumeve, dhe pse meritat e saj e bëjnë sot për sot të jetë gruaja e Vitit 2007,  sepse me punët dhe përkushtimin e saj,  ka ndihmuar fëmijët të jetojnë më mirë. Duhet thënë se, ajo u ka dhënë fëmijëve shqiptarë  më shumë buzëqeshje, më shumë shpresa, më shumë dashuri të munguar…Këtë më së miri e shprehu në aktivitetin e 90 vjetorit të “Strehëz së Parë Vorfnore” të organizuar nga Instituti i Intergrimit të Fëmijëve Jetimë, në dhjetor 2007.