E merkure, 24.04.2024, 01:17 PM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Sëmundjet e pranverës? Ja si t’i parandalosh

E merkure, 20.10.2004, 06:44 PM


Flet mjeku hematolog, Vlash Gjeçi

Ardhja e pranverës për shumë persona shoqërohet me apati, lodhje, dobësi e përgjithshme trupore, mungesë oreksi etj. Simptoma këto që në popull i atribuohen të ashtuquajturës “periudhë e ndërrimit të gjakut”.

Por cilat janë shkaqet në të vërtetë, si mund të trajtohen dhe parandalohen këto probleme? Ja se çfarë thotë në një intervistë për gazetën “Panorama” mjeku hematolog, Vlash Gjeçi:
Periudha e ndërrimit të stinëve dhe ardhjes së pranverës në popull njihet si periudha e ndërrimit të gjakut...
Ky është një përkufizim krejtësisht i gabuar. Nuk është e vërtetë që ndërrohet gjaku, pasi ai nuk mund t’i nënshtrohet një procesi të tillë. Ai prodhohet nga rruazat e gjakut, të cilat rrojnë mesatarisht 100 ditë. Ato nuk lindin në të njëjtën ditë, ose më saktë nuk prodhohen të gjitha vetëm në dimër, që të vdesin të gjitha në pranverë. Ato ndërrohen vazhdimisht, në mënyrë që të mos krijohen probleme në organizëm nga mungesa e tyre.

Eshtë e vërtetë që ciklet stinore ndikojnë në organizmin e njeriut?
Tashmë studime të ndryshme kanë arritur të vërtetojnë se ciklet stinore ndikojnë në ritmin biologjik të gjithsecilit prej nesh, duke e detyruar organizmin të përshtatet me ndryshimet klimaterike.
Kalimi nga dimri në pranverë shoqërohet me rritje të temperaturave dhe të orëve me dritë dhe me një mënyrë ushqyerjeje ndryshe, gjë që mund të jenë shkaku i luhatjeve të metabolizmit dhe të shfaqjes së stresit fizik. Përveç kësaj, organizmit i duhet kohë për t’u ambientuar me ritmet e reja: nëse në dimër dita zakonisht nis në orën 08:00 dhe mbaron në 19:00, në pranverë mund të zgjasë deri në orë 21:00 të mbrëmjes.

Në këtë periudhë njerëzit shpesh ankohen për dhimbje trupi, dobësi, apati, mungesë përqendrimi etj. Nga se shkaktohen këto probleme?
Ardhja e pranverës shoqërohet me një rritje pak a shumë graduale të temperaturave që e detyrojnë organizmin, ende të pamësuar, t’i nënshtrohet një pune të madhe në tentativë për të ulur me shpejtësi nxehtësinë që prodhohet nga çdo lloj aktiviteti fizik. Stresi fizik që prek në këtë periudhë në numër të konsiderueshëm personash shpjegohet pikërisht me ketë nevojë të organizmit për të përmirësuar termorregullatorin, në mënyrë që të arrijë të përballojë më mirë luhatjet e temperaturave, tipike për ndërrimin e stinëve.
Në kalimin nga dimri në pranverë, fiziku do kohë të mësohet me ritmet e punës që detyrohen nga shtimi i orëve me diell, duke shkaktuar stres dhe lodhje.
Përveç kësaj, me ndërrimin e stinëve ndryshon dhe mënyra e ushqyerjes, që kalon nga një regjim ushqimor në përgjithësi i pasur me yndyrna dhe ushqime kalorike, në një tjetër të bazuar kryesisht në fruta, perime dhe ujë. Përveç kësaj temperaturat më të larta mund të jenë shkaktare të humbjes së oreksit dhe ndjesisë së dobësisë. Këto janë arsyet që shpesh në ndërrimin e stinëve, sidomos pas daljes nga stina e dimrit për shkak të një ushqimi të njëtrajtshëm, shfaqet deficit vitaminash që ne e njohim me termin Pellagra, që është një sëmundje që shfaqet me asteni (dobësi të përgjithshme trupore, dhimbje muskujsh), diarre, dermatit nga dielli dhe demencë( plogështi, probleme me përqendrimin, kujtesën etj).

Ju thatë që arsyeja e dobësisë, lodhjes, karakteristike për pranverën, lidhet dhe me një regjim ushqimor të papërshtatshëm. Si duhet të jetë regjimi ushqimor që të parandalohen dhe përballohen sëmundjet e pranverës?
Natyrisht duhet një regjim ushqimor i balancuar dhe i pasur me karbohidrate, yndyrna dhe proteina. Por mbi të gjitha këshillohet që në regjimin ditor të gjithsecilit të shtohen vitaminat dhe magnezi që i falin energji organizmit dhe e bëjnë të përballojë me mirë ndryshimet klimaterike. Kështu, për sa i përket proteinave rekomandohen ato bimore që gjenden te fasulet, soja dhe thierrzat, ndërsa ato shtazore te mishi i viçit dhe i derrit, por dhe te peshku. Ndërsa për yndyrnat më të mirat janë ato që gjenden te vaji i ullirit, i misrit, i sojës dhe i lulediellit.
Ndërsa për sa i përket vitaminave, burimi më i mirë i tyre janë perimet dhe frutat e freskëta të stinës.

Vitaminat aleate të shëndetit

Vitamina B1
Drithërat, mëlçia, mishi i derrit, fasulet, arrat, orizi, maja e birrës, soja.

Vitamina B2
Majaja e birrës, mëlçia, arrat, orizi, bizelet, fasulet, veza, qumështi.
Vitaminat e grupit B bëjnë të mundur transformimin e ushqimeve në energji dhe lejojnë trurin, nervat dhe muskujt të funksionojnë rregullisht, përveçse ndihmojnë në prodhimin e rruazave të kuqe. Rol tjetër i rëndësishëm i këtyre vitaminave është aktivizimi i enzimave që mbështesin punën e sistemit imunitar.

Vitamina C:
Agrumet, specat e kuq, lulelakër, qepet, spinaqi, kivi, frutat e pyllit. Mbron enët e gjakut, pengon hemorragjitë e lëkurës e mukozave, është mjaft i mirë për të mbrojtur nga virozat.

Vitamina A:
Të gjitha perimet me ngjyrë të verdhë dhe portokalli si karotat, domatet, portokallet, banania, kunguj, patatet, hudhra. Lufton hipertensionin, mbron mushkëritë, ndihmon shikimin, pengon plakjen e qelizave dhe mbron lëkurën dhe mukozat.

Studimi
Dieta natyrore lufton kolesterolin

Një dietë natyrore e bazuar te perimet dhe frutat e freskëta, është arma më e mirë kundër kolesterolit. Të paktën ky është përfundimi i një studimi të kryer nga një ekip studiuesish të Universitetit të Torontos, i publikuar në “Journal of the American Medical Association”.
Për disa javë 46 persona i janë nënshtruar një diete të varfër me yndyrna, ndërsa 14 të pasur me yndyrna. Grupi i parë ka treguar një ulje prej 28.6% të kolesterolit. Duket se përfundimi i këtij studimi do ndikojë mjaft në përmirësimin e jetës së personave që vuajnë nga nivelet e larta të kolesterolit në gjak.
Bëhet fjalë për një regjim vegjetarian, mes të tjerash të pasur me ushqime që përmbajnë fibra, vaj ulliri, mandarina dhe oriz.

pyetje pergjigje

Përshëndetje! Jam një vajzë 23-vjeçare dhe dua të di se çfarë është Candida, nëse transmetohet me rrugë seksuale? Çfarë duhet të bëj për ta trajtuar dhe çfarë komplikacionesh mund të shfaqë?
Me respekt Sona

Për shqetësimin tuaj kemi pyetur mjeken gjinekologe, Kozeta Mustafaraj:
“Candida është një specie dimorfike (dyformëshe) që në gjuhën e përditshme njehet me emrin myk apo fungi. Njëra formë është ajo e sporeve që janë përgjegjës për transmetimin dhe rritje pa shenja të infeksionit, tjetra është forma e micele që është përgjegjëse për rritjen dhe zhvillimin e mykut. Në raste të mykozave vaginale në 85-90 % të rasteve është përgjegjëse “Candida albicans”. Zhvilimi i saj favorizohet nga përdorimi i antibiotikëve, shtatëzënisë, diabeti. Një pjesë e mirë e rasteve kronicizohen dhe rikthehen shpesh gjatë jetës së gruas.
Në çdo rast duhet bërë mjekimi me antimykotik, sipas mykogramës më medikamente nga goja dhe mjekim lokal të të dy partnerëve.
Vetë candida nuk jep dëmtim të drejtpërdrejtë, por përveçse sjell diskomfort tek gruaja, duke qenë se zhvillohet në një ambient acid, prish florën lokale, favorizon zhvillimin e infeksioneve nga mikrobet të tjerë, të cilët kanë efekte negativ mbi epitelin e vaginës dhe të qafës së mitrës”.

Nëse doni të merrni më shumë informacion për sëmundje të caktuara apo doni të komunikoni me mjekë specialistë, mund të kontaktoni me ne nëpërmjet letrave ose
postës elektronike në adresat e mëposhtme:
Adresa: Rr. “Jordan Misja” (prapa shkollës
“Harry Fulltz”), pallati 1, kati 2, Tiranë.
Tel.00355 4 273 207|08|09
E-mail:panorama_shendet@yahoo.com


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora