E premte, 19.04.2024, 05:24 PM (GMT+1)

Editorial

Dorian Koçi: Një rezolutë dhe efektet e saj

E shtune, 29.01.2011, 09:01 PM


Një rezolutë dhe efektet e saj.

 

Nga Dorian Koçi

 

Ndërsa klima politike në Tiranë akoma nuk është stabilizuar  dhe palët vazhdojnë të shkëmbejnë akuza të forta dhe të ndërsjella për njëra-tjetrën, shumë kilometra larg prej këndej në Asamblenë e Këshillit të Evropës u votua raporti i shumë përfolur i Dick Marty-it. Me 166 vota pro, 8 kundër, 14 abstenim, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi rezolutën “Investigim për pretendimet mbi trajtimin johuman të njerëzve dhe trafikun e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”. Edhe pse grupi parlamentar i Shqipërisë kishte paralajmëruar se do të bashkëpunonte fort dhe me grupet e tjera parlamentare të vendeve mike për të ndryshuar një pjesë të madhe të amadamenteve të rezolutës, një gjë e tillë nuk u arrit. Asnjë nga propozimet e grupit parlamentar shqiptar, të mbështetur dhe nga ai turk nuk u pranuan dhe u hodhën poshtë gjatë votimit.I vetmi ndryshim që u pranua ishte ndryshimi të titullit, gjë që kish marrë më parë dhe bekimin e autorit të raportit Dick Marty .

Ajo që të bie në sy është numri i madh i parlamentarëve evropianë që votuan pro rezolutës duke i dhënë këtij votimi një karakter gati-gati unanim. Miratimi i kësaj rezolute hap një sërë problemesh të cilat do të shfrytëzohen maksimalisht nga pala serbe por dhe nga kundërshtuesit e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ajo gati-gati e mugullon efektin pozitiv të dhënie së verdiktit pro ndaj pavarësisë së Kosovës nga ana e Tribunalit të Hagës , gjë që u pa dhe në stepjen e disa shteteve për të njohur Kosovën që në momentin që u bë publik raporti në dhjetor. Në këtë kontekst tingëlloi i çuditshëm  deklarimi i z Kastriot Islami i cili foli për mediet në emër të grupit parlamentar shqiptar  se konsideronte “një sukses i madh që ndryshimin e  titullit të raportit, pasi  nga akuza për trafik organesh, tani do të kemi të bëjmë me pretendime për trafik organesh, ku edhe pala shqiptare është e interesuar që të ketë investigim”. Kjo në fakt më tepër se një deklaratë serioze rreth situatës që është krijuar pas miratimit të kësaj rezolute i përngjan anekdotës me avokatin që pasi humbet gjyqin në shkallën e parë i thotë klientit të vet të mos shqetësohet se kur të vejë çështja në apel do ta fitojnë patjetër. Po ndërsa klienti i shkretë mund të ngushëllohet dhe me apelin apo Gjykatën e Lartë ku mund të ketë dhe shanse për të apeluar vendimin e parë, çështja shqiptare në Ballkan nuk ka më se ku ta apelojë këtë rezolutë. Miratimi i kësaj rezolute përveç diskutimit të  ndërlikimeve diplomatike që do të ketë çështja shqiptare  në rajon, në fakt duhet të hapë dhe kapitullin e efektivitetit të politikës shqiptare kur asaj i duhet të përballet me probleme të tilla.

 Pikë së pari duhet pranuar fakti se pretendimi i grupit parlamentar shqiptar në Asamblenë Parlamentare sa u bë publik raporti se do të koordinonin veprimet përtej dallimeve partiake për të bërë të mundur që raporti të merrte një përgjigje të merituar  nuk rezultoi të ishte i suksesshëm jo aq për bashkëpunimin sesa për negocimin dhe gjetjen e aleancave që do të neutralizonin grupet pro raportit të Marty-it. Numri i pakët i votave që mori kundër raporti i Marty-it, vetëm 8 është një dështim i vërtetë ku nuk mund të ketë vend për të komentuar për suksese. Ky numër i pakët që me siguri kanë qenë të gjitha votat e delegacionit shqiptar ngre një pikëpyetje të madhe për seriozitetin e shtetit shqiptar në përfaqësimet e veta në institucione kaq të rëndësishme sa Asambleja e Këshillit  të Evropës. Këto përfaqësime nuk duhen konsideruar si vende honorifike dhe turizmi politik pasi të drejtat dhe liritë e shqiptarëve duhet kenë zë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Në fakt më tepër se një dështim i grupit parlamentar që përfaqëson klasën tonë politike miratimi i këtij raporti ishte një dështim i politikës panshqiptare në rajon. Miratimi i kësaj rezolute pa kundërshtimin e hapur të grupit parlamentar të Maqedonisë i jep fund iluzionit se shqiptarët ngaqë marrin pjesë në qeverinë e Maqedonisë deri me postin e zëvendëskryeministrit mund të përcaktojnë dhe politikën e jashtme të këtij vendi. Mesa duket minoriteti serb dhe nostalgjia për të shkuarën janë arsye shumë më të forta sesa bashkëqeverisja që pretendohet si model i suksesshëm gjithandej nëpër Evropë. Por gjërat për fat të keq nuk janë mirë dhe në “dheun mëmë” si na pëlqen të na thërras diaspora. Në kohën që votohej për rezolutën , Shqipëria si për  “koincidencë” për gjithë këto 20 vjet kur janë hapur për tu diskutuar aspekte të rëndësishme të çështjes shqiptare në rajon ndodhet në mes të kaosit politik dhe frymëmarrjes artificiale të institucioneve që gjithmonë e kërkon nga ndërkombëtarët. Një shtet i tillë i dobët as mund të ngjallë respekt dhe jo më tu kërkohet mbështetje vendeve të tjera për partneritet. E vetmja gjë e mirë që mund të vijë nga kjo situatë kaosi që ka ngërthyer Shqipërinë është ndoshta fillimi i perceptimit të rritjes së kërkesës së llogarisë ndaj klasës së vet politike duke ia përplasur gjithnjë në fytyrë demagogjinë e saj të shpëlarë për suksese dhe arritje. Në njëzet vjet tranzicion  në Shqipëri tashmë është krijuar një brez i ri i shumë më tepër kreativ dhe shumë më tepër i shkolluar se klasa jonë politike, të cilët nëse me të vërtetë do të kishin mundësi të ishin vendimmarrës do të mund të integronin vendin shumë më shpejt në Bashkimin Evropian ashtu si kanë integruar veten e tyre prej kohësh në Evropë. Ndoshta zgjidhja e kësaj krize politike vërtet mund ti afrojë Shqipërisë një shans të ri në këtë drejtim dhe ky në fakt do të ishte fat i madh i Shqipërisë.  



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora