E enjte, 28.03.2024, 02:02 PM (GMT)

Udhëpërshkrim

Baki Ymeri: Shqiptarët e Sllatinës në Rumani

E shtune, 12.01.2008, 10:42 AM


SHQIPTARËT E SLLATINËS NË RUMANI

Shkruan: Baki Ymeri

Thonë se dashuria përhapet me shpejtësinë e dritës. Dashuria e shqiptarëve të Sllatinës ndaj Shqipërisë dhe gjuhës shqipe është e hatashme. Nuk vdes kjo gjuha jonë deri sa të jetë dynjaja, na thot Hashmi, dhe thot se atje ku kanë lindur prindërit e tij, në malet e Sharrit, qëndrojnë perënditë e Shqipërisë.

Para disa vitesh hasim në faqet e Shqiptarit një fotografi historike: Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Rumani, së bashku me bashkëshorten e tij në gjirin e familjes së memishallarëve në Sllatinë të Oltenisë (23 shtator 2000). Cilët janë shqiptarët e Sllatinës? Janë do tetovarë të rëndomtë me nënshtetësi shqiptare që nga koha e Princ Vidit. Meritën elementare për ruajtjen e shpirtit shqiptar në gjirin e kësaj familjeje e ka Gjulie Skënderi (1904-1990), patriote e flaktë me rrënjë të lashta nga fshati që e pin rakinë, nga Liseci i Tetovës. Është zonja që ua ka mësuar gjuhën shqipe fëmijëve të vet në mërgim. Gjulia jetoi 86 vjet. "Në Lisec rakisë i thonë "xhak asllani", na thoshte shqiptari më i dashur i kësaj familjeje, Xhavit Memishi (1942-1997), babai i ndjerë i Xhemalit dhe Rahimes, kjo e fundit studente në Konstancë.
Sabiti ishte i madh si një mal Tetove, vëllau i tij, Dauti, e kishte shpirtin e madh sa havaja, Xhaviti ishte një shkëmb i pathyer, gjithmonë fliste shqip, mbante mustaqe` dhe një kësulë të bardhë matjane. Me një fjalë, ishte një zemër e zhuritur për shqiptari, na thot sot Hashimi 65 vjeçar, ëmbëltor.  I cili insiston me të madhe që nipërit e tij, të cilët i janë afruar moshës 30 vjeçare, të martohen me vajza shqiptare. Po këtë dëshirë e ka edhe për të mbesat e tij. Për hirë të respektit ndaj fesë së prindërve të tij dhe nga frika e  rrezikut nga asimilimi, nuk i parapëlqen martesat e përzjera. Derisa ishte gjallë, Dada Gjulie i mblidhte fëmijët Ditën e Luleve, dhe nga përmallimi ndaj vendlindjes, u thoshte: "Hajde se do shkojmë te Kodra e Lisecit, të mbledhim lule!". Kështu na thot sot në Bukuresht, e bija e saj, zonja Fatime Aliu, motra e Nazmies dhe Hamdies, mamaja e Xhemiles, shqiptarja që s'e ka braktisur kurrë nënshtetsinë shqiptare, gruaja që ia pat thënë ish/presidentit Alfred Mojsiu: "Edhe në kohën e komunizmit, me gjithë persekutimet e përjetuara, ne kemi luftuar si Skënderbeu për ta mbajtur gjallë gjuhën hqipe dhe shpirtin shqiptar në Rumani".

S’e harron zonja Fatime, as ambasadorin Hasan Alimerko, që i ftoi para 30 vitesh 300 shqiptarë, në Sallën e Mermertë të Shtëpisë së Armatës, për të kremtuar Ditën e Flamurit, as Osmanin, diplomat shqiptar që shkonte në orët e hershme të mëngjezit, portë e në portë të banesës, për t’i pyetur në kanë shpëtuar shqiptarët nga tërmeti që shkatërroi godina të panumërta të Bukureshtit (1977), dhe as ambasadorët e tjerë që i tubonin shqiptarët në zemër të Bukureshtit për të kremtuar Ditën e Flamurit. I këtillë ishte edhe i vëllai i saj, Xhaviti, I cili digjej për Shqipërinë. Në fotografi e kemi pranë ish-ambassadorit Fran Zef Çukaj. Është duke folur në ambasadën shqiptare të Bukureshtit me rastin e Ditës së Flamurit. Shkoi Xhaviti i gjorë, shkuan Nik Pema dhe Eqerem Petoshati, që të dy diplomatë, shkoi Dhimitër Kristesku dhe Dhimitër Polena, Nikollaq Zoi dhe Nikolla Xhamo, profesor universitar dhe enciklopedi e gjallë. Shkoi dr. Vangjush Kondi, Anton Antoni, Pandora Kondi, leni dhe Vangjel Shuka, Luka Gjini, Dan Zografi, dhe shkuan dhjetra bij e bija tjera rilindasish, pa qenë të imortalizuara kujtimet e tyre përmes ndonjë filmi dokumentar, që mund ta bënte Televizioni shqiptar. Kanë mbetur edhe dhjetra pleq e plaka, bij e bija rilindasish, me shpirtin e tyre të florinjtë, dhe me kujtimet e tyre të shtrenjta për komunitetin. Sot i kemi e nesër s’i kemi. Me shuarjen e tyre shuhet një fragment i  historisë sonë.

"Nuk vdes kjo gjuha shqipe, derisa të jetë dynjaja"

Thonë se dashuria përhapet me shpejtësinë e dritës. Dashuria e Hashim Sllatinës ndaj Shqipërisë dhe gjuhës shqipe është e hatashme. "Nuk vdes kjo gjuha jonë deri sa të jetë dynjaja", na thot, dhe thot se atje ku kanë lindur prindërit e tij, në malet e Sharrit, qëndrojnë perënditë e Shqipërisë. Shqiptarët sipas tij janë trima, gjaknxehtë, besnikë, të ndershëm dhe punëtorë. Ata që s'i kanë këto cilësi hyjnore, hajdutët dhe mashtruesit, ata që bëjnë tregti me atdhetarizmin, gënjeshtarët dhe kurvarët, inkorporohen në spektrin e kopilave të kombit. Lidhje gjaku me këtë familje fisnike kanë shqiptarët e Ajudit, disa familje shqiptare në Stamboll, Vehap Taipi me familjen e tij në Amerikë, Burhan Skënderi dhe ishkampioni i skitarisë ballkanike, Jahi Jahiu në Tetovë, bashkëfshatarë të shumtë nga Liseci, Ollovjani dhe Rasadishta, Izmit Bajrami në Vlorë, Asllan Kadriu në Mogoshoaja. Për ta janë xhiruar filma dokumentarë, dhe janë botuar qindra artikuj, jo vetëm në Bukuresht, por edhe në Prishtinë, Shkup e Tetovë. Ëmbëltoren historike të shqiptarëve të Sllatinës, e kanë frekuentuar figura të shquara, shkrimtarë, diplomatë dhe dijetarë, këngëtarë dhe aktorë, që nga Nikolla Jorga e Ibrahim Temo, e deri te Marin Minku dhe Niku Konstantini. Të parët e tyre kanë njohur njerëzit e Ismail Qemalit dhe Bajram Currit. Ata kanë lidhur krushqi, edhe me një pjestar të familjes së madhe të Ibrahim Temos (Naxhi Aliu, babai i Xhelalit dhe Xhemiles). Naxhiu dhe Fatimja kanë respekt të madh ndaj Zotit. Naxhiu flet me admirim të veçantë për gjyshen Gjulie: "Kur vjente fjala për fenë, gjyshja ime na thoshte: "Feja është e drejtë personale, ndaj mos u përzjeni në punët e Zotit!".

Korektësia, dashuria ndaj punës dhe atdhedashuria e kësaj familjejej, kaplon përmasa hyjnore. Në gjirin e saj fshihen rrëfime që të bëjnë krenar pse ke lindur shqiptar. "Kemi dëshmi se jemi këtu prej vitit 1724", na thot një pjestar i familjes së madhe të memishallarëve, dhe shton faktin se prej atëherë e deri më tani, askush asnjë gabim nuk e ka bërë". Tejet interesante janë edhe rrëfimet e djemve të Enverit, si dhe ato të Izmitit nga Vlora. Jo vetëm që ua kanë nacionalizuar tokën, por disa pjestarë të kësaj familjeje,  babain e Sabitit, Fetahun dhe Ramadanin me djemtë, i kanë vrarë komunistët jugosllavë në Monopol të Tetovës (1945). Daut Memishi (1896-1970) jetoi 74 vjet. U lind në Ollovjan dhe vdiq në Sllatinë. Erdhi për herë të parë në Rumani te vëllezërit e vet, më 1912. Qëndron këtu një kohë, kthehet në vendlindje, dhe vjen përsëri, sëbashku me Gjulien. Dauti ka marrë pjesë në luftën e parë botërore, ndërsa më 1916 ka qenë komandant i shqiptarëve në një kamp përqëndrimi. Memishallarët kanë depërtuar në kujtesën e historisë, për sinqeritet, korektësi dhe atdhetarizëm. Emri i tyre figuron edhe në kuadrin e një Apeli të shqiptarëve të Rumanisë, drejtuar Presidentit Wilson, përmes të cilit i bëhet më dije e vërteta e statistikore, se "në trojet Shqiptare të okupuara nga Serbët dhe Grekët (Kosova dhe Çamëria - shën.yni ), elementi shqiptar përbën 80% të popullatës, e cila është e ndëshkuar me eksterminim, po qe se kjo zgjedhë do të vazhdojë". Në shtyllat e kësaj Thirrjeje, e nënshkruar më 1919 nga disa mijë anëtarë të kolonisë,  shquhen edhe nënshkrimet e shqiptarëve të Sllatinës: Ramadan Memishi, Beqir Xhemaili, Mustafa Abdul Halimi, Zulfiqar Memishi, Ramadan Tahiri. Çka thonë shqiptarët për ta? Në variantën rumune të këtij medalioni, jepen edhe konsideratat e liderit shpirtëror të shqiptarëve të Rumanisë (prof. Xhelku Maksuti), ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj shqiptarëve të Rumanisë dhe familjes Memishi, e cila edhe në kohën e totalitarizmit komunist, e ka ruajtur me shenjtëri: gjuhën shqipe dhe traditat e të parëve tanë.

"Albanezul nostru" (Shqiptari ynë)

Sipas historiografisë shqiptare, kuptojmë se "në qytetin e Sllatinës”, që gjendet ndërmjet Krajovës dhe Bukureshtit, na sugjerojnë ta vizitojmë familjen Memishi, njërën ndër familjet më të vjetra shqiptare, e vendosur në Vllahi, qysh para 200 vitesh. Njeriu i parë i kësaj familjeje, që kishte shkelur në truallin mikpritës të Rumanisë, ishte Sabit Memishi. Ai erdhi këtu ta ushtrojë zanatin e pastiçerisë, të cilin e kishin si traditë familjare, edhe më herët. Sabiti ishte një burrë i pashëm dhe i shëndoshë, plot energji rinore. Në atë kohë, rrugës për në Gjermani, kishte ardhur një ekipë turke e pehlivanëve, të cilët, me të shkelur në këtë qytet, i provokojnë të rinjtë rumunë, se kush do ta mposhtë pehlivanin më të fuqishëm të tyre në arenën e mundjes, do të fitojë 250 dukatë floriri. Këto fjalë i ranë në vesh edhe Sabitit, i cili vendosi të dalë në log të burrave. Askush përveç tij, nuk guxonte t'i dalë përpara pehlivanit turk, një goxha burrë, i njohur në atë kohë, i cili askund dhe prej askujt nuk kishte përjetuar disfatë.

Kjo gjë i frikësonte të rinjtë rumunë që t'i dalin karshi. Ishte ky një azgan, që siç e përshkruanin, edhe për nga pamja fizike ta shtinte frikën: një kolos me një trrup të gjatë e të ngjeshur si shkëmbi, me ecje të rëndë e plot krenari, me një shikim që të pret e mposht para kohe. Por, kështu nuk mendoi edhe Sabiti. Me një të parë, dhe me një të dëgjuar, arnauti i Sllatinës ia priti: "Unë jam ai që do ta mposht këtë çallamxhi!". Të gjithë që e njihnin dhe s'e njihnin, ia ngulën shikimin, dhe një heshtje e madhe mbretëroi gjatë kohë. Pas pak, para se të fillojë përleshja, filluan të dëgjohen zërat e rumunëve që e ngritën deri në qiell, moralin e shqiptarit, forcën, qëndresën dhe trimërinë e tij: "Albanezul nostru! Albanezul nostru!" (Shqiptari ynë. Shqiptari ynë!). Në të vërtetë, Sabiti në këto momente mbronte emrin shqiptar, dhe ngjyrat e Sllatinës rumune. Tërë atmosfera para se këto dy kolosë të delnin në arenën e stadiumit, përcillej me muzikë ushtarake, të cilën e kishte organizuar Prefektura e qytetit.

Dhe loja nis me emocione të mëdha. Në këto çaste, frika dhe guximi u bënë një: Derisa dëgjoheshin ovacionet "Sabit albanezul! Albanezul nostru!", Sabiti do të akumulojë tërë forcën e vet dhe shkathësinë e sportit të mundjes, dhe për një çast, e përmbys kundërshtarin e vet përtoke. Tërë stadiumi ngritet në këmbë, e rrokin mbi supe Sabitin qytetarët rumunë, dhe  parakalojnë rrugëve të qytetit, të përcjellë me fanfarën ushtarake. Ekipi turk mban fjalën: ia dhuron 250 dukatët, ndërsa ai pjesën dërmuese të tyre ia fal Bashkisë së qytetit, për të themeluar një fondacion për të rinjtë. Prej atëherë e deri më sot, kjo familje shumëanëtarëshe, gëzon nderime dhe respekt të madh, në mesin e banorëve të Sllatinës. Kjo ngjarje e madhe, brez pas brezi përcillet gojë në gojë, prandaj edhe s'ka njeri në Sllatinë, që nuk e njeh këtë familje. Shqiptarët e Sllatinës nuk janë vetëm ëmbëltorë. Janë shqiptarë që digjen nga malli ndaj Atdheut. As tërmeti nuk i shemb".

Skënderbeu në odë

Si e përshkruan Ymer Jaka këtë familje fisnike? "Familja Memishi, në Sllatinë të Oltenisë, ndonëse e vetmja familje shqiptare në këtë qytet, qe dy shekuj vazhdon jo vetëm të krenohet që i takon pasardhësve të njërit ndër popujt më të lashtë të Ballkanit, por ruan me këmbëngulje traditat shqiptare, gjuhën shqipe dhe lidhjet me farefisin në rrethinën e Tetovës, prej ku është shpërngulur në Rumani, dhe ku anëtarët e saj ushtrojnë zejen e ëmbëltorit. Anëtarët e tanishëm të kësaj familje, tre vëllezër e dy motra, të gjithë kanë lindur në Rumani, mirëpo jo vetëm që e flasin për bukuri shqipen, por kjo është e vetmja gjuhë komunikimi midis tyre. Kur hyra në shtëpinë e tyre kisha përshtypjen se isha në Gostivar, në ambientin e dhomës së ditës, ku na priti i zoti i shtëpisë, Hashimi".

"Nuk shkoi shumë kohë e në dhomë erdhën edhe anëtarët e tjerë të familjes, vëllezërit e Hashimit, Enveri e Xhaviti, motrat, gratë dhe fëmijët. Për një çast harrova se isha në Rumani. Këtij ambienti i jepte vulë të posaçme, edhe portreti i Skënderbeut, i varur në mur, dhe busti i tij mbi televizor. Mikpritja ishte ajo e jona, tradicionale, kontakti i drejtëpërdrejtë. Kontaktet me shqiptarët e Sllatinës janë të rralla, prandaj vizita jonë për familjen Memishi konsiderohej si një nder i madh që po i bënim. Ndonëse marrëdhëniet me vendlindjen janë mjaft të rralla, burrat e kësaj familjeje, e në një shkallë të konsiderueshme edhe gratë, janë të njoftuar për çdo gjë që ndodh te bashkatdhetarët e tyre: në Çamëri, Maqedoni, Kosovë, dhe Shqipëri". Duke e përmbyllur këtë artikull në kohën kur bota demokratike qëndron pranë kërkesave të Kosovës për Pavarësi, po shtojmë faktin se nga gjirin e kësaj familjejej patriotike kanë mbetur vetëm Hashimi me fëmijët e Enverit dhe Xhavitit, me motrat, kunatat, nipërit dhe të mbesat: gjithsejt rreth 20 shqiptarë që e mbajnë në gji, zjarrin e pavdekshëm të atdhedashurisë shqiptare.

Bukuresht, 06. I. 2008



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora