E enjte, 25.04.2024, 10:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Kastriot Myftaraj: Përse Bashkim Kopliku kërkon të shfajësojë sot ata të cilët dikur deshën që gjuha shqipe të shkruhet me gërma greke dhe sllave

E merkure, 26.01.2011, 07:20 PM


Përse Bashkim Kopliku kërkon të shfajësojë sot ata të cilët dikur deshën që gjuha shqipe të shkruhet me gërma greke dhe sllave                                  

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Bashkim Kopliku, ish-zëvendëskryeministër në qeverinë e vitit 1992, në shkrim të datës 11 janar 2011, ka replikuar me shkrimin tim “Antirilindasit në gjuhësi: trashëgimtarët e kauzës së cirilicave në gjuhësi”, i botuar në gazetën “Sot”, në 9 janar 2011. Unë në shkrimin tim tregoj ndër të tjera se si në vitin 1879, kur në Stamboll u mblodh një grup rilindasish shqiptarë, për të vendosur për një alfabet unik me të cilin do të shkruhej gjuha shqipe, idea dominuese ishte që alfabeti të ishte latin. Por befas dolën disa pjesëmarrës në mbledhje dhe propozuan që përveç karaktereve (gërmave) latine, alfabeti shqiptar të kishte edhe karaktere greke dhe sllave. Argumenti i mbështetësve të alfabetit mikst ishte se shumë shqiptarë, të cilët dinin që të lexonin dhe shkruanin në gjuhët e vendeve fqinje, serbisht dhe greqisht. Rilindasit më të rëndësishëm shqiptarë, të cilët qenë të pranishëm në mbledhjen e Stambollit, nuk e pëlqenin alfabetin mikst, por donin atë thjesht latin (“Drita që lind andej nga perëndon” do të shkruante më pas Naim Frashëri). Por, për të mos shtuar një përçarje të re mes shqiptarëve ata e bënë këtë kompromis. Në atë kohë kishte një përçarje mes shqiptarëve për alfabetin, kishte shqiptarë të turqizuar, të cilët donin që gjuha shqipe të shkruhej me karaktere arabe, me të njëjtin argument si ai i mbështetësve të alfabetit mikst. Kështu që një tjetër përçarje midis shqiptarëve u gjykua e tepërt dhe u vendos për alfabetin mikst.

Kështu shkruaj unë në artikullin tim të datës 9 janar 2011. Bashkim Kopliku replikon me mua, duke shkruar në shkrimin e tij me titull “Alfabeti i ri për prakticitet, jo për antishqiptarizëm”, të datës 11 janar: “Alfabeti i Stambollit kishte futur 11 shkronja jolatine, me synimin që çdo shkronjë (germë) e Alfabetit të përfaqësonte një nga 36 tingujt e gjuhës shqipe, të pranuar për t’u shkruar. Bëhet fjalë për 9 dyshkronjëshat e alfabetit të sotëm, si dhe për shkronjat e sotme ‘ë’ dhe ‘ç’. Alfabeti i Stambollit shmangte ngatërresat që sjellin dyshkronjëshat edhe sot, në fjalë të tilla si Mithat (mithat apo mit-hat?), apo karrigja (karrigja, apo karrig-ja, e që u bë sot karrigia) etj. Pra kanë qenë në radhë të parë motive thjeshtë gjuhësore, në bazë të Alfabetit të Stambollit, dhe jo ‘antishqiptarizmi”.

Unë në këtë rast jam i detyruar që të them se Bashkim Kopliku këtu mashtron me vetedëdije për të mbrojtur ata që imponuan alfabetin e turpshëm të Stambollit, se Bashkim Kopliku prej vitesh shkruan për çështjen e alfabetit të shqipes, kështu që ai është i mirëinformuar për atë se çfarë ishte alfabeti i Stambollit. A e ka parë ndonjëherë Bashkim Kopliku alfabetin e Stambollit të vitit 1879? Bashkim Kopliku mashtron kur thotë se njëmbëdhjetë shkronjat e shtuara të alfabetit të Stambollit qenë ato shkronja dyshe që ka alfabeti i sotëm. Le të tregojë Bashkim Kopliku një dokument të vetëm ku alfabeti i Stambollit paraqitet ashtu siç thotë ai. Dyshkronjëshat në alfabetin shqip janë futur në Kongresin e Manastirit, siç e di çdo nxënës shkolle në Shqipëri. Bashkim Kopliku vetë është kontradiktor kur thotë se Alfabeti i Stambollit kishte futur njëmbëdhjetë dyshkronjësha jolatine. Por dyshkronjëshat e alfabetit të sotëm janë latine! Mos ndoshta u bënë ato dylatine se u dubluan?

Unë nuk e di nëse Bashkim Kopliku e ka parë ndonjëherë Alfabetaren (abetaren) e Stambollit, të botuar sipas Alfabetit të Stambollit. Alfabetin e Stambollit Bashkim Kopliku mund ta gjejë në çdo tekst të Historisë së Shqipërisë që përfshin këtë periudhë, ku janë paraqitur kopje të dokumenteve të Rilindjes Nacionale të botuar në këtë alfabet. Atje duket qartë se ky alfabet ka edhe karaktere (gërma) greke dhe sllave. Ky fakt krejt evident, është munduar të fshihet në shumë nga studimet e mëvonshme për alfabetin. Por në librin “Historia e Shqipërisë”, të vitit 1965, vëllimi II, konstatohet: “Si alfabet unik për gjuhën shqipe komisioni aprovoi alfabetin e hartuar nga Sami Frashëri. Ky alfabet mbështetej kryesisht në alfabetin latin, por, duke ndjekur parimin fonetik që për çdo tingull të përdorej vetëm një gërmë, për tingujt e veçantë të shqipes merrte disa gërma huaj nga alfabeti grek e sllav”. (“Historia e Shqipërisë”, Instituti i Historisë, Akademia e Shkencave e RPSH, Tiranë 1965, vol. 3, f. 152)

Në botimin e vitit 1984, përmenden vetëm gërmat greke, por jo ato sllave. Në mbledhjen e Stambollit të vitit 1879 u paraqitën katër variante të alfabetit, dhe atë ku gërmat që mungonin plotësoheshin me gërma të dyfishta latine, e propozoi Pashko Vasa, por nuk u pranua. Një alfabet i ndërtuar sipas idesë së Pashko Vasës u miratua në Kongresin e Manastirit të vitit 1908. Bashkim Kopliku mashtron edhe kur thotë duke replikuar me mua se: “Alfabeti i sotëm, që u pat propozuar si alfabet alternativ në Kongresin e Manastirit, u pranua gjerësisht në praktikën e shqipes së shkruar, thjeshtë sepse për Alfabetin e Stambollit gjendeshin me vështirësi ato 11 shkronja jolatine, kurse shkronjat e alfabetit të sotëm ishin në alfabetin francez. Në atë kohë (fillimi i shekullit të XX-të) Franca ishte superfuqi, mbase ajo me më influencë në Ballkan. Sot gjendemi para një vështirësie të ngjashme me para 100 e sa vjetësh: me zi gjejmë shkronjat ‘ë’ dhe ‘ç’ në kompjuterë, në menytë elektronike, në mjetet nga më të ndryshmet që shërbejnë për të shkruar”.

Këtë nuk mund të mos e quaj ndryshe përveçse një gënjeshtër krejt të trashë se vendimi i Kongresit të Manastirit është i dokumentuar, dhe është botuar në librin “Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, ku botohet i plotë process-verbali dhe vendimet e këtij kongresi, ku thuhet: “me pëlqim të të gjithëve u vendos që të mirret Abeja e Stambollit e me të bashkë edhe një Abe fjesht latine që të mësohen e të përdoren bashkërisht në mest të shqyptarëvet. Mësimi ndër shkollë do të jetë do të jetë i shtrënguar e i detyrueshëm për të dyja”. (“Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare: 1878-1912”, Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Historisë, Tiranë 1978, f. 190)

Më tutje paraqiten të dy alfabetet, ku i pari është ai i Stambollit, me karaktere shtesë greke dhe sllave, dhe i dyti është ai thjesht latin, i cili përmban edhe gërmat dyshe latine. Ky alfabeti i dytë është ai që e kemi në përdorim edhe sot. Nëse alfabeti i Stambollit do të kishte qenë latin, me gërma dyshe latine, siç pretendon Kopliku, atëherë si do të quhej në Kongresin e Manastirit alfabet thjesht latin ai që vërtet është i tillë dhe që ka gërma dyshe latine?

Ata që i imponuan gjuhës shqipe alfabetin me gërma greke dhe me cirilica, morën mbi vete turpin e historisë dhe vepra e tyre u mbulua në varrezën e turpeve të historisë shqiptare. Por unë nuk arrij që të kuptoj se përse Bashkim Kopliku në vitin 2011 kërkon që t’ i shfajësojë ata që imponuan alfabetin e turpshëm të Stambollit. Bashkim Kopliku duhet që t’ i përgjigjet kësaj pyetjeje para se të japë ide për alfabetin e sotëm.

 



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora