E merkure, 24.04.2024, 06:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Manastiri i 40 Shenjtorëve, peng për 2 km rrugë

E merkure, 26.01.2011, 07:30 PM


Nga Thoma Nika

 

Manastiri i 40 Shenjtorëve është vetëm një nga pasuritë kulturore të Sarandës që mbahet peng i infrastrukturës. Për turistët është e vështirë arritja deri atje. Mirëmbajtja dhe restaurimi është ana tjetër e problemit, shpesh e kushtëzuar nga mungesa e fondeve. Në këtë fillimviti, Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës i duhet të bëjë një bilanc me ndërhyrjet e 2010-ës dhe një parashtrim të programit të 2011-ës. Rajoni Sarandë-Delvinë numëron 116 monumente të kategorisë së parë. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, Ilir Papa, thotë se në masë dërrmuese ato janë të vizitueshme dhe ndalet në ndërhyrjet e realizuara në disa prej tyre. Përmend punën e bërë për kompleksin islamik të Xhermëhallës, në Delvinë, investimin rehabilitues të kryer në Xhaminë e Gjin Aleksit, në Rusan, ato që janë në proces në Manastirin e Mesopotamit etj. Përtej kësaj panorame, evidentohen edhe problemet që qëndrojnë për mirëmbajtjen dhe trajtimin e kësaj pasurie vlerash. Drejtori Papa pranon se ka monumente ndaj të cilëve ka qenë e pamundur të realizohej deri më tani një ndërhyrje restauruese, e sidomos mirëmbajtja. Arsyeja lidhet vetëm e thjesht me mungesë të fondeve. “Me këto fonde që kemi është shumë e vështirë për t’i mirëmbajtur të gjitha këto monumente", - shprehet Papa. Sipas tij, është e papranueshme që sot mungesa e infrastrukturës të pengojë potencialet turistike që ofrojnë monumente të tilla në qytetin e Sarandës. Një ndër ta, që e vuan prej kohësh këtë problem, është Manastiri i 40 Shenjtorëve. Ky monument i ka dhënë emrin këtij qyteti, por vizitorët që shkojnë atje janë të paktë në çdo periudhë të vitit, edhe në verë, kur janë të shumtë turistët njëditorë që ndalen në Sarandë. Shkak bëhet një rrugë me gjatësi prej 2 kilometrash që të çon atje. Kuriozët që duan ta shohin nga afër këtë monument kulture, i mbuluar me legjenda e histori që qarkullojnë edhe sot në qytet, duhet të përshkojnë këtë rrugë, e cila mund të kalohet vetëm me automjete të larta e sa më alpine. Manastiri i 40 Shenjtorëve, që ngrihet mbi kurorën e qytetit të Sarandës, duhej të ishte monumenti më simbolik dhe më i vizitueshëm. Por, kjo nuk po ndodh prej vitesh. Projekte rehabilituese, vetëm bëhen publike e asnjë prej tyre nuk ka nisur të zbatohet. Drejtori Papa thotë se, DRKK-së i takon vetëm të kujdeset për trajtimin e monumentit dhe përgjatë vitit në vazhdim janë programuar restaurime në monument. Papa kujton se rehabilitimi i rrugës është detyrim i qeverisjes vendore. Shpresohet që investimet për rrugën e këtij monumenti të mund të bëhen nga Bashkia e Sarandës, pasi sipas drejtorit të Programim-Zhvillimit Llukan Dedi, një fond i konsiderueshëm është planifikuar në buxhetin e vitit 2011, që pritet të miratohet në fundin e muajit janar. Në vëmendje të specialistëve restaurues dhe falë financimit të planifikuar, do të jetë edhe Parku Arkeologjik i Finiqit. Fjala është për një projekt të miratuar edhe nga UNDP-ja dhe Qarku i Vlorës, që do të sjellë përmirësim të infrastrukturës në Parkun Arkeologjik të Finiqit. Në listën e monumenteve që kanë nevojë për restaurime janë përcaktuar edhe Manastiri i Mesopotamit, Kisha e Shënjanit, Kalaja e Ali Pashës, në Vivar të Butrintit. Jashtë vëmendjes nuk janë lënë edhe Kalaja e Sopotit në Borsh, shpëtimi i Kishës së Shën Thanasit në Leshnicë etj. Qartësimi për detyrat e veta në kuadër të turizmit kulturor ka bërë që edhe Drejtoria e Kulturës Kombëtare në rajonin Sarandë-Delvinë, të përcaktojë përparësitë e veta qysh në këto ditë të para të vitit 2011. Ndër to veçohen projekti për infrastrukturën e Parkut Arkeologjik të Finiqit, por edhe një varg restaurimesh, ku përfshihet edhe Manastiri i 40 Shenjtorëve, që i ka dhënë emrin Sarandës. Këto janë ditët kur në drejtorinë rajonale, në përputhje me përparësitë e përcaktuara të punës për vitin 2011, ka nisur puna, sidomos në Parkun Arkeologjik të Finiqit. Në Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Sarandë, ndërhyrjet e përcaktuara me projekte apo me mbështetje financiare nga shteti, do të jenë me ndikime më të fuqishme për cilësinë e turizmit kulturor.

“40 Shenjtorët”

Arkeologët thonë se ky objekt kulti është unikal për stilin e ndërtimit. Bazilika dhe Manastiri i 40 Shenjtorëve, që ndodhet në majën e kodrës, qëndron përballë Kalasë së Lëkurësit. Në qelitë e manastirit janë zbuluar piktura murale, mes të cilave ajo e një dishepulli, që vlerësohet si një nga më të vjetrat e periudhës bizantine. Manastiri duhet të jetë ndërtuar si qendër e rëndësishme pelegrinazhi, për të tërhequr besimtarët kristianë nga gjatësia e Adriatikut dhe thellësia e Ballkanit. Mendohet se kisha ka qene funksionale deri në mesin e shek. XIX, falë kujdesjes së një komuniteti të vogël murgjish. Më pas bazilika u braktis.

Parku i Finiqit

Parku Arkeologjik i Finiqit gjendet rreth 8 km nga qyteti i Sarandës. Territori që i përkiste në periudhën helenistike Kaonisë, pjesë e mbretërisë së Epirit, është i pasur me objekte arkeologjike të cilat datohen nga periudha klasike deri në atë bizantine. Dëshmitë e shumta të burimeve të lashta (Polibi, Straboni, Tit Livi, Ptolemeu e më pas Prokopi dhe Hierokli), na flasin për pasurinë e madhe të qytetit, veçanërisht në periudhën helenistike, midis shekujve III e II p.e.s, kur është i njohur roli parësor i qytetit në lidhjen epirote. Pushtimi turk i dha fund historisë së vjetër të qytetit, i cili mbeti më pas një fshat i vogël në rrëzë të kodrës, Finiqi i sotëm. Të dhëna të rëndësishme na vijnë sot nga kërkimet e arkeologut Luigi Ugolini, të cilat u përmblodhën në një monografi të vitit 1932.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora