E premte, 29.03.2024, 01:08 AM (GMT)

Kulturë

Imer Topanica: Mbi poetikën dramatike të dramës Van Goghu kosovar

E marte, 25.01.2011, 07:46 PM


MBI POETIKËN DRAMATIKE TË DRAMËS VAN GOGHU KOSOVAR

 

Shkruan:  Imer Topanica

 

1. STRATEGJIA DEDUKTIVE SEMANTIKE

 

Lexuesit të përkushtuar, shpesh i duhet t’i shtrijë kërkimet e tij përtej kornizave të një vepre artistike, në mënyrë që t’i gjej kuptimet më të drejta që ndërton ajo vepër, apo pjesë të caktuara tekstore të saj. Në këtë rrafsh, kënaqësia që të ofron një tekst i tillë specifik, mund të jetë e mangët pa këto kërkime e përplotësime. Marrëdhënia e letërsisë me artet e tjera, është identifikuar në historinë e studimeve si marrëdhënie e artit me artin. Kujtoj këtu shembujt që japin Rene Velek dhe Ostin Voren (Rene Ëellek dhe Austin Ëarren), në librin e tyre Teoria e letërsisë në kapitullin e njëmbëdhjetë, gjegjësisht të titulluar si: Letërsia dhe artet e tjera. Në një rast ata na kujtojnë shprehje të tilla si: Ut pictura poesis ( poezi si një foto) nga Horaci, duke na dhënë neve të drejtë për të kuptuar rrjetin e komunikimeve në mes veprave artistike që nga ekzistimi i tyre. Van Goghu Kosovar, drama e Ilir Muharremit, jep shkas për një kërkim të soit të tillë, përtej kornizave të saj, respektivisht për katarsis më të plotë...

 

2. BRENDA DRAMËS VAN GOGHU KOSOVAR

 

Siç e thamë, në rrafshin semantik, fillimisht na duhet t’i zbërthejmë vëniet simbolike të emrit të piktorit si titull vepre, pjesët e teksteve nga letërkëmbimi i piktorit holandez me vëllain e tij, si një shtresë intertekstuale në funksion si paratekste, brenda strukturës së dramës. Nga këtu, është e nevojshme që ta kujtojmë historinë e artit dhe biografinë e piktorit të madh holandez Van Gogh. Nga kjo kujtesë, do të ishte e mjaftueshme t’i shkëpusnim këto veçanti të karakterit të tij, se ai ishte një artist i vetmuar në një pjesë të madhe të kohës, i përkushtuar tërësisht pas pikturës, por që pëson një krizë mendore, çmendet dhe në një rast e prenë veshin e tij. Për një pozicionim tonin më të drejtë karshi veprës dramatike Van Goghu Kosovar, po e sjellim një fragment nga një letër e tij, dërguar vë1lait të tij që e mbështeste moralisht dhe materialisht, në rrugën e tij të kërkimit të shprehjes së drejtë artistike, në artin e pikturës:

 

‘Më erdhi në kokë një mendim i ri dhe ja, shikoje skicën për të... kësaj radhe nuk është gjë tjetër përpos dhoma ime e fjetjes, veçse këtu tërë punën ka për ta bërë ngjyra dhe, duke u dhënë një tingëllim më të madh sendeve me anë të thjeshtëzimit, ngjyrat kanë për ta dhënë idenë e prehjes apo gjumit në përgjithësi...’

 

Me këtë fragment ne deshëm ta përplotësojmë idenë e karakterit të Van Goghut , pozicionin e tij të guximshëm karshi pikturës dhe kërkesat që ai ia shtron vetes. Vetëmohimi i pa përsëritshëm i tij në historinë e artit, jep frute, sot në botë ekziston një numër veprash të mrekullueshme të tij. Duke i shikuar ato, ne përjetojmë guximin artistik, për ta përshtatur figurën e tij dhe ngjyrën e tij në pajtim me kërkesat estetike që pretendon t’i jap recipientit. Në përgjithësi njihet qasja e tij novatore ndaj pikturës, si nevojë dhe si fushë mbi të cilën duhet të pasqyrohet ndjenja dhe jo besueshmëria.

 

Tashmë, besojmë se mjaft rrëfyem për Van Goghun si piktorë real, po ç’funksion merr ai kur vihet si titull i një drame? Këtë do të përpiqemi ta shpjegojmë në vazhdim të ‘leximit’ tonë. Nëse poetika dramatike e Van Goghut kosovar, përpiqet ta rindërtoj një ‘rrëfim’ dramatik të përafërt me historinë e Van Goghut real, atëherë këtë mund ta shpjegojmë si paralelizëm fenomenesh, respektivisht, përpjekje që të riprodhohet një histori e ngjashme Van Gogh-jane në një kontekst kohorë, kulturorë, social e politik të ndryshëm me atë që njihet nga biografia e tij. Efekti i gjithë kësaj ‘hileje artistike’ është tek tendenca për ta forcuar shprehjen artistike, për t’i dhënë kuptim më të madh rolit të artistit brenda historisë dramatike, dhe për t’i dhënë një variant të mundshëm leximi, secilit që merret me të. Pra kërkimet tona do të na qonin drejtë gjetjes së kuptimeve si: Fati i artistit dhe sakrifica e tij për artin e tij, shpesh e dërgon atë në fatalitet dhe kjo mund të përsëritet në çdo kontekst kohorë, social, politik dhe gjeografik. Këtë s’fundi, mund të identifikohet edhe si ide e poetikës dramatike të Ilir Muharremit.

 

3. SHTRESIMI INTERTEKSTUAL

 

Tetë skena e ndajnë dramën e Ilir Muharremit përbrendësishtë, ndërkaq vetëm e para shënjon një situatë të ndryshme psikologjike në botën e karakterit/ heroit kryesor, nga momentet e tjera. Në esencë, gjendja e rëndë psikologjike, në pamjet e tjera, vetëm sa vjen e rëndohet aq shumë sa që këtë e dërgojnë në prag të çmendurisë. Kjo është vija fabulare. Skenat emërohen me titujt si: 1) Vrasja e familjes së Rafaellos; 2) Profesor Rafaello; Ëndrra e Rafaelos; 4) Mona Liza; 5) Shpëtimi nga vdekja; 6) Nëna dhe Rafaello; 7) Zgjimi nga ëndrra; dhe: 8) Zbulimi i çmendurisë. Secila nga këto skena, shoqërohet nga një fragment nga ndonjë tekst i letrave të njohura të Van Goghut - që ia dërgon vëllait të tij Teos, si parahyrje, si para tekst. Duke i lexuar me vëmendje këto tekste, dhe duke lexuar dialogët dhe monologët përbrenda dramës, shohim shumë qartë që nuk kanë asnjë lidhje semantike, nuk funksionojnë si mundësi paraleximesh, e vetmja gjë që mund t’i lidhë këto shtresa brenda tekstit, është dashuria që shprehë piktori holandez për pikturat e tij, shpjegimi që ua bën ai pikturave në këto tekste dërguar vëllait të tij Teos dhe dashuria deri në çmenduri që ka Rafaello si personazh, për pikturat në ‘historinë’ dramatike të Van Goghu-t Kosovar. Pra bashkimi i historive paralele, reale dhe fiktive, bëhet në kuptimin e dashurinë dhe intensitetin e barabartë që kanë të dy heronjtë e historive për artin dhe pikturën. Dhe kur paralelizohen këto dy histori, reminishenca e historisë reale, futet brenda strukturës dramatike e përpunuar dhe përshtatur në kontekstin historik, social, politik dhe gjeografik të ri. Pra tekstet, fragmentet e letrave të Van Goghut, e ruajnë origjinalitetin dhe kuptimi i tyre nuk ndryshon, ato nuk marrin pjesë, nuk funksionojnë brenda tekstit të dramës si struktura të inkuadruara, para shpjeguese, por provojnë ta rikujtojnë lexuesin për dashurinë dhe madhështinë e të qenit artist, piktor. Fuqia e pikturës sipas letrave, është fuqi që e sfidon jetën, ajo kërkon sakrificë të madhe pavarësisht rrethanave.

 

4. KONTEKSTI DHE IDEJA

 

Në fillim të skenës së parë, lexuesi njoftohet me ambientin, kohën dhe gjeografinë që janë konteksti mbi të cilën fillon thurja e fabulës.

 

‘Viti 1999. Kohë lufte. Në një shtëpi në periferi të Pejës...’

 

Në këtë akt ndodh akti i vrasjes së familjes së Rafaellos, kjo pjesë duhet të lexohet dy herë radhazi sepse këtu qëndron thurja e fabulës dhe nga këtu mund të nisim me zbërthimin e idesë. Rafaello e përjeton masakrimin e familjes si diçka tepër të rëndë. Ky akt shkakton çmendinë e tij. Ai fillon të vuaj, e vetmja gjë që ruhet në psikikën e tij është dashuria dhe aftësia për të bërë art. I impresionuar nga pikturat dhe jeta e Van Goghut, ai provon ta arrij të pa arritshmen. Madje për t’i shëmbëllyer atij, ai lëndon veshin e tij, por që nga dhimbja e madhe që i shkakton prerja ai s’arrin ta këpus të tërin. Ndërkohë i prekur nga skizofrenia ai e zbulon të sëmundjen e tij në fund të aktit të fundit, dhe pranon ndihmën e Dr. Bujar Berishës. Ndoshta përfundimi është paska i zbutur dhe nuk na lejon një identifikim paralel me historinë tragjike të piktorit holandez Van Gogh dhe historisë së heroit letrar/ fiktiv në fjalë. Kjo mbase është bërë me qëllim të shmangies nga reminishenca përtej letrare, në realitet edhe kështu mund të lexohet. Sido që të jetë, ideja identifikohet pikërisht në këtë rrafsh, në një rrafsh krahasimesh, kërkimesh në historitë paralele që bartë natyra e tekstit, e para e heroit real dhe e dyta, historia e heroit fiktiv. Historia e parë është bartëse e idesë dhe me këtë fuqi të ruajtur ideore, inkuadrohet përbrenda tekstit dramatik të Ilir Muharremit. Biografia e Van Goghut na flet për një sakrificë të artistit deri në çmenduri, te drama e Ilirit, Rafaello pëson krizë pikërisht duke u dhënë aq shumë pas pikturës dhe aktit të pikturimit. Të kujtojmë edhe njëherë fillimin e aktit të parë, kur ai gjatë kohës që po pikturonte, hyjnë paramilitarët serb dhe ja masakrojnë familjen, ndërkaq ky shpëton i gjallë, por çmendet. Pra paralelizmi ndodh në këtë rrafsh, në këtë segment dhe e gjithë kjo zbulon idenë e poetikës dramatike të Van Goghut Kosovar e cila është, artisti ka fuqi të sakrifikoj për artin e tij deri në një skajshmëri totale dhe historia e sakrificës së tillë, mund të gjendet kudo në rruzull. Apo edhe mund ta formulojmë edhe më ndryshe, fati i artistit kosovar deri pas luftës,, ka qenë fat tragjik, por ai nuk ka hequr dorë nga arti duke sakrifikuar gjithçka për të, për të bukurën.

 

Do ta mbyllë me një fragment të shkurtër nga një letër e Vincent Van Goghut drejtuar vëllait të tij, në të cilën ai rrëfente për vullnetin e çeliktë të tij, në rrugën e kërkimit të së përkryerës artistike.

 

‘ I dashur Teo,

 

Unë kërkoj, vrapoj pas qëllimit tim, dhe këtë e bëj me gjithë zemër, gjithmonë në kërkim, por asnjëherë nuk e kam gjetur të përkryerën. ‘

 

Kam guximin të shtoj në fund, se kërkimi i piktorit dhe dëshira e tij e kërkimit të së përkryerës, sikur është përplotësuar me dramën e Ilir Muharremit, Van Goghu Kosovar. Sepse fati i artistit me artistin, ngjanë kudo dhe kurdo...

 

Autori është kritik letrar



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora