E premte, 19.04.2024, 04:40 AM (GMT+1)

Mendime

Anna Di Lellio: Lufta e ardhshme në Kosovë

E premte, 11.01.2008, 07:54 PM


Lufta e ardhshme në Kosovë

Nga Anna Di Lellio

E kaluara na mëson se Serbia është kërcënimi kryesor i sigurisë në Ballkan edhe atëherë kur përdor gjuhën e paqes dhe ligjit. Fuqitë perëndimore nuk duhet t‘u besojnë udhëheqësve aktualë serbë dhe të mësojnë nga gabimet e tyre, duke lexuar librin e Florence Hartmann. Në memoaret ‘Paix et Chatiment‘ (Paqe dhe Denim), Hartmann shkruan se për aq kohë sa të mbijetuarve u mohohet drejtësia, "të vdekurit e Srebrenicës do të ndjekin të gjallët në kontinentin e vjetër si fantazma".

Nga 2000 deri më 2007, Hartmann ka qenë zëdhënësja e Karla del Pontes, kryeprokurores të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi. Libri i saj është i hidhur ndaj fuqive perëndimore, jo vetëm ndaj Evropës, por edhe SHBA-së. "Ata kanë këmbyer drejtësinë për siguri", thotë Hartmann. Diplomatët, sikurse shërbimet informative dhe paqeruajtësit, kanë penguar arrestimin e Ratko Mlladiçit dhe Radovan Karaxhiçit (të akuzuar për masakrën e Srebrenicës), në një konspiracion të heshtur me udhëheqësinë nacionaliste serbe, që vazhdon të strehojë dy kriminelët e luftës.

Ajo që e bënë urgjente nevojën për ta lexuar këtë libër është se rrëfimi për Tribunalin Ndërkombëtar për Krime në ish-Jugosllavi është më shumë se një dramë morale për rolin e drejtësisë ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut në situata pas konflikteve. Ajo është një dëshmi se si do të duket e ardhmja e afërt sërish në rajon, sidomos tani kur aspirata e Kosovës për pavarësi duhet të përballet, sërish, me të njëjtat forca që ia mohuan përgjakshëm Bosnjës të vetat. Hartmann gërmon nëpër dokumentacionin qenësor që iu është mohuar Tribunalit për një kohë të gjatë, mes tyre, stenogramet e Këshillit Suprem të Mbrojtjes të Republikës Federative të Jugosllavisë, që ende mbeten të mbyllura për publikun.

Ajo tregon se si Millosheviçi dhe autoritetet serbe orkestruan dhe bashkëvepruan në luftën kriminele në Bosnjë, ndërsa pretendonin se janë duke u tërhequr nga ajo; si e përhumbën përfshirjen e tyre duke shtuar brenda radhëve të njësiteve ushtarake boshnjake njësitet e tyre speciale të Ministrisë së Brendshme; dhe si ata financuan dhe mbrojtën Mlladiçin dhe Karaxhiçin nga koha e aktakuzës ndaj tyre deri më sot. Ky është pohim që kërkon shumë vëmendje. Asnjëri në udhëheqjen serbe pas-millosheviçiane, me përjashtim të veçantë të kryeministrit Zoran Gjingjiç, nuk u është shmangur politikave të Milloseviçit.

Gjingjiç e ka dorëzuar Milloseviçin në Hagë dhe është munduar të dorëzojë Mlladiçin, por e kanë vrarë në mars 2003. Koshtunica ishte pasardhësi i tij si kryeministër i Serbisë. Si President, ai kishte kundërshtuar arrestimin e Milloseviçit dhe me shumë hezitim ka pensionuar Mlladiçin nga ushtria serbe në maj 2002. Pikërisht nën këtë qeverisje të tij, Karaxhiçi dhe Mlladiçi kanë jetuar të lirë me vite në Serbi, shpesh duke vizituar Bosnjën. Koshtunica tani po bëhet gati të luftojë betejën e Kosovës, siç ka dëshirë ai të thotë. Ai nuk është vetëm. Ndërsa parlamenti i ri i Kosovës po përgatitet të shpallë pavarësinë nga Serbia, një Beograd i bashkuar dërgoi një porosi mospërfilljeje: Serbia do ta mbrojë Kosovën me çdo kusht.

Ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç, gjithmonë përsërit se kjo nuk do të thotë që Serbia do të hyjë në luftë. Para pak kohësh, duke mbajtur fjalim forcave ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën, Presidenti Tadiç siguroi se "Forcat e Armatosura të Serbisë do të veprojnë në përputhje me ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare". Nëse nuk ka kërcënim për luftë, atëherë pse të flitet për të aq shumë? E vërteta është se, si në Bosnjë, forcat speciale tashmë janë të vendosura brenda. Kur Kosova të deklarojë pavarësinë, ata do t‘i bashkangjiten policisë serbe, që tashmë është pjesë e Shërbimit Policor të Kosovës për të marrë nën kontroll çdo komunë me shumicë serbe. Ata do të sigurohen që këto zona të pastrohen nga shqiptarët. Dhe Beogradi do të fajësojë çfarëdo dhune nga elementët ekstremistë. Faji kryesor natyrisht do t‘i vihet SHBA-së dhe shteteve tjera që vendosin njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ndonëse asgjë nuk ndodhë saktësisht në të njëjtën mënyrë, kjo i ngjet shumë situatës në Bosnjë. Ajo që është e habitshme është gatishmëria e fuqive botërore ta shohin të ndodhë sërish. Sikurse përshkruan Hartmann, në Bosnjë ata kishin mjaft informacion të parashikonin tragjedinë e Srebrenicës, si dhe Sarajevën dhe shumë masakra tjera. Ata e dinin që arkitektët e spastrimit etnik ishin në Beograd. Në përgjimet e siguruara nga Tribunali, Hartmann e dëgjon Millosheviçin e eksituar, duke përgëzuar Mlladiçin për fitoren në Srebrenicë, duke mos besuar se Perëndimi i ka lejuar të marrë territor ku serbët nuk kishin jetuar kurrë më parë. Fuqitë botërore kanë vulosur spastrimin etnik, që ndau Bosnjën, dhe shkëmbyen drejtësinë për siguri. Ata kurrë nuk e kanë pasur ndërmend t‘i rrezikojnë paqëruajtësit e tyre në Bosnjë për të sjellë Mlladiçin dhe Karaxhiçin para drejtësisë. Edhe pse gjithmonë e kanë ditur me saktësi ku fshihen këta kriminelë, janë bërë sikur nuk e dinë. Ata provuan, siç thotë Hartmann me hidhërim, të mbronin Millosheviçin nga aktakuza për gjenocid. Ekstremistët vendas, argumentohej atëbotë, janë përgjegjës për gjenocidin në Bosnjë, e jo Beogradi. Ata menduan se do ta izolojnë krizën. Ajo u përhap në Kosovë, ku të mbijetuarve ende nuk u është dhënë e drejta e thjeshtë për të zgjedhur, me referendum, lirinë nga Serbia. Nacionalizim serb, i mundur për një kohë të shkurtër pas rënies së Millosheviçit, është rikthyer plotfuqishëm me taktikat e vjetra. Momir Stojanoviç, ish-drejtori i Shërbimit Informativ të Ushtrisë Serbe, para pak kohësh i tha gazetës "Glas Javnosti" se civilët shqiptarë po planifikojnë përndjekjen e serbëve në Kosovë. Kjo është propaganda e njëjtë që ka përgatitur armatimin e paramilitarëve serbëve dhe që çoi në luftë në Kroaci, Bosnjë e Kosovë. Ky është një sinjal i rrezikshëm për rajonin, dhe një kujtesë se pa drejtësi nuk do të ketë siguri.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora