E marte, 16.04.2024, 10:53 AM (GMT+1)

Mendime

Mentor Kikia: Kur ta mbyll deren edhe Maqedonia!

E premte, 11.01.2008, 07:50 PM


Kur ta mbyll deren edhe Maqedonia!

Nga Mentor Kikia

Në një kohë kur Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia janë përgatitur për të marrë një ftesë të përbashkët për në NATO, në Samitin e prillit në Bukuresht, një ndodhi ballkanase trazoi në mënyrë të papritur ujërat e politikës nacionaliste, të vëna në gjumë prej disa vitesh. Maqedonia, një ditë të bukur, vendosi të rikthejë regjimin e vizave me Shqipërinë. Kjo do të thotë që shqiptarët duhet të paraqesin në Ambasadën Maqedonase në Tiranë dokumente si në ambasadat e vendeve të BE-së, apo edhe atë të Shteteve të Bashkuara, do të plotësojnë një formular ku të tregojnë se ku dhe përse do të shkojnë në Maqedoni, sa do të qëndrojnë atje, kush ua mbulon shpenzimet, duhet të tregojnë se kanë një llogari bankare, kanë qenë apo jo ndonjëherë në ndonjë organizatë terroriste, a kanë vrarë ndonjë kryeministër apo deputet etj.

Ndoshta politikanët në Shkup do të kenë parë ndonjë ëndërr, sikur u futën fët e fët në BE dhe po tregohen të rreptë tashmë me ata jashtë BE-së, që i bie të jemi vetëm ne shqiptarët, këtu në Shqipëri dhe më lart, në Kosovën e pas pavarësisë. Përveçse një vendim idiot politik, lëvizja për rivendosjen e regjimit të vizave, duket edhe një kapardisje prej politikanësh spurdhjakë ballkanas. Ata shkojnë deri aty sa tentojnë të bëjnë klasifikime, duke e konsideruar Shqipërinë si anëtare të Botës së Tretë.

Kjo është e vërtetë, pasi ne jemi një vend ende në zhvillim, por po kaq e vërtetë është se në të njëjtën vend në tabelën e renditjes janë edhe fqinjët tanë, të cilët janë po kaq të varfër sa edhe ne. Për më tepër, duan apo nuk duan, fatin e kanë të lidhur me Shqipërinë dhe shqiptarët, e kurrë një hap më tej nuk kanë për të bërë pa marrëveshjet dhe konsensusin e shqiptarëve. Sepse shqiptarët janë një popullsi e konsiderueshme atje dhe me Shqipërinë ata ndajnë pjesën më të madhe e më të paqtë të kufirit. Por, nga një shtet i ndërtuar me pjesë këmbimi dhe i mbajtur në këmbë falë vaksinës amerikane në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë, tashmë Maqedonia po kërkon të marrë atributet e një shteti që vendos rregullat e lojës në rajon.

Përtej llogarive ekonomike, se është po vetë Maqedonia që e pëson në rast të "mbylljes" së kufijve, vendimi i Shkupit nuk duhet kaluar lehtë nga politika e Tiranës. Zyrtarisht bëhet e ditur se Shkupi e ka marrë këtë vendim për të ndaluar kalimin e klandestinëve shqiptarë për në Greqi përmes Maqedonisë. Duket tejet i pavend dhe, për më tepër, i vonuar ky interpretim, pasi klandestinët shqiptarë i njohin rrugët e maleve të Greqisë më mirë se rrugët e fshatrave të tyre dhe për më tepër, vala e madhe e marshimeve klandestine tashmë ka kaluar. Po ta analizosh pak më thellë situatën në kufirin shqiptaro-maqedonas, bindesh se më shumë se klandestiniteti në kufi, qeverinë në Shkup e shqetëson "zhdukja" fare e kufirit.

Heqja e regjimit të vizave thuajse e kishte fshirë nocionin e kufirit mes shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri dhe atyre që jetojnë në Maqedoni. Fare thjesht, shqiptarët shkojnë në Strugë e Ohër, bëjnë pazare, darkojnë, kalojnë një natë apo një fundjavë, vizitojnë të afërm, bëjnë krushqira me shqiptarët atje etj. Me pak fjalë, Struga, Ohri dhe komunat shqiptare janë bërë për shqiptarët njësoj si Pogradeci apo Korça. Praktikisht, ai që quhet kufi mes shqiptarëve dhe maqedonasve është shtyrë përtej trojeve ku jetojnë shqiptarët. Po kështu po ndodh e do të ndodhë edhe me Kosovën dhe fshatrat kufitare të saj të banuar nga shqiptarët. Në Perëndim kështu ndodh mes të gjithë vendeve që janë në BE, por në Ballkan njerëzia është mësuar me mure ndarëse dhe liria e lëvizjes shikohet si pushtim.

Të trembur, pra, nga një ekspansion i heshtur shqiptar, politikanët në Shkup iu drejtuan regjimit të vizave me Shqipërinë dhe Kosovën - menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Qeveria maqedonase e di fare mirë që banorët në Librazhd e Pogradec nuk do të udhëtojnë për në Tiranë për t‘u pajisur me vizë për të shkuar deri në Strugë për të bërë pazare apo për të ngrënë një drekë. Po kështu nuk do të udhëtojnë edhe shumë njerëz të tjerë që shkonin në qytete shqiptare të Maqedonisë për të bërë vizita mjekësore apo për të marrë shërbime të tjera. Me pak fjalë, kjo valë e madhe komunikimi do të bjerë dhe në Qafë-Thanë do të ketë makina që mbajnë radhë, njësoj si në Kapshticë apo Kakavijë. Dhe kjo për Shkupin do të ishte tregues se mes dy vendeve ka ende kufi dhe kufi për ballkanasit do të thotë gardh, do të thotë pengesë për të mos e lënë fqinjin të hyjë në avllinë tënde. Gjithashtu, politikanët në Prishtinë dyshojnë se lëvizje të tilla synojnë të vendosin barriera për lëvizjen e lirë me Kosovën, në prag dhe pas shpalljes së pavarësisë. Nëse është kështu, këto lojëra do të kenë kosto për fqinjin tonë që po e kërkon identitetin kaq vonë.

Gjithsesi, pavarësisht arsyeve, ajo që Tirana duhet të bëjë, është të mos e pranojë në mënyrë të heshtur kapriçion maqedonase, që na konsiderokërka tashmë si një rrezik potencial për sigurinë e saj, siguri që trazohet edhe me tri pushkë të shkrehura në një fshat. Të paktën, në këtë rast Shqipëria nuk duhet të përkulë trupin për të duruar si sanksionet, ashtu dhe përbuzjet politike e nacionale, sikundër ka bërë me Greqinë, kur Athina na kërcënonte me dëbimin e emigrantëve. Ne jemi koshientë që erërat në rajon, si kurrë ndonjëherë në histori, po fryjnë në anën tonë. Shumë shpejt shqiptarët në rajon nuk do të kenë vetëm një shtet më shumë, por do të jenë një treg i përbashkët shtatë milionësh dhe një potencial ekonomik me një perspektivë të madhe. Shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë rrezik për fqinjët dhe nuk do të jetë kurrë, sado të rriten në numër dhe hapësirë, por ne duhet të mësohemi të kundërpërgjigjemi e të mos i pranojmë aforfe vendimet e të tjerëve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora