Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shefik Shkodra: Beteja monstruoze e mesjetare

| E hene, 24.01.2011, 10:00 PM |


BETEJA MONSTRUOZE E MESJETARE

 

Letër e hapur liderëve shqiptarë në Shqipëri!

 

Nga Shefik Shkodra

 

Forca dhe dëshira më e madhe që del nga qenia njerëzore është sinqeriteti. Vullneti e sakrifica personale, ndoshta duhet të jetë puna e udhëheqësit për atdheun. Politika një art shumë i respektuar, por shumë me komplikime. Zotimet për te nuk do të thotë se, vetëm vetën, grupin apo rrethin e ngushtë do të duhej për ta kënaqur. Dhe jo veç përfitime! Orekset në përditshmëri nuk duhet shtuar në mënyrën më egoiste. Si përfaqësues të zgjedhur, masa e gjerë e qytetarëve kanë shprehur besimin në personalitetin e Juaj, të flisni në emër të të gjithë atyre që ua dhanë atë zë. Të gjithë ato zëra që Ju kanë joshur përnjëherësh, aq madhërishëm pa hamendje të prini në shtigjet e jetës së përditshme. Dhe të gjithë presin, e presin nga Ju ta shijojnë ditën e ndritshme. Pa tym. Pa gazra helmues. Pa plumba vdekjeprurës. Duke siguruar dashuritë e dashnorëve rrugëve e rrugicave, pranë drunjve të lashtë që kanë parë shumë puthje, në takime fejesash e në dasma...përshkimet e të rinjve me elan drejt shkollës në mëngjes, po dhe shumë vdekje nëpër kohë. Pa dilema e hezitime në shëtitje. Drejt pazarit për nevoja të ditës. Drejt institucioneve në punët për mirësjelljet gjithë njerëzore të vendit për të ardhmen. Për glorifikimet historike të kohëve të shkuara. Me aq shumë armiq e tradhtarë. Me aq shumë përpjekje për mëkëmbje, po dhe aq shumë ngatërrime, për ta shuar të tërë Shqipërinë e gjithmonshme. Për ta shuar gjithë shqiptarinë kudo ndodhur. 

   Nuk kam për qëllim që ta ofendoj askënd as t’i japë mësime askujt në Shqipëri, pakeqkutime. Një kënaqësi e madhe pas aq kohësh të dalë nga diktatura shumë e ashpër, ju morët frerët në duart e juaja për të udhëhequr këtë popull të shumëvuajtur. Me gjithë rezultatet që korrët deri në anëtarësimin në NATO, lirimin nga vizat për qytetarët e këtij vendi, për të kalëruar Evropën e kudokahdoshme. Ndërtimin e Rrugës Kombëtare për integrime...dhe shumë arritje të tjera, që Shqipëria qe bërë pasqyrë si e një vashe simpatike edhe për fqinjët, por edhe për ziliqarët. Ndoshta, një halë në sytë e të tjerëve. Kush di?! S’mundesh ta pohosh as ta mohosh. Miqtë e juaj e edhe tanët nga të gjitha vendet kanë dhënë shenja të mira për vlerësimin e një morali të një shoqërie moderne, tek sa pat filluar mbarë. Vlerësuar edhe nga pozita gjeografike, ishin fillet e një ecje si të një trupi të njomë në këmbët e veta, me një liberalizëm dhe demokraci të pranuar prej të gjithë qytetarëve. Natyrisht, pa e mohuar asnjëherë edhe ngritjen intelektuale të këtij vendi. Po, qytetarët me ndihmën e udhëtreguesve të vet, kanë mundur të jenë krenarë kurdoherë.

   Pra, devotshmëria për një punë kaq të shenjtë e të shtrenjtë, dhe kjo mrekulli qielli,  toke e uji na duket përnjëherë se si përshkohet furishëm prej erërave të huaja e vrugohet mu në pragun e shumë vlershëm dhe të pritshëm për ecje në vijim. Këtë shëmtim e vërejtëm si pa frymë, më 21 janar të këtij viti, në Sheshin e kryeqytetit shqiptar. Nëpër Sheshin aq të gjerë, që rrallë e kanë qendrat tjera e metropolet evropiane. U përlye po ky Shesh me betejën monstruoze, nëpër të cilin do të duhej të marrë frymë lirisht edhe zogu i vetmuar nën velin e ndjeshëm të një demokracie, që do të duhej të mbretëronte ashtu si i kishte hije deri më atë ditë. Ditën e premte ky Shesh u përgjak nga vetë shqiptarët me shqiptarë. Dhe prishi imazhin e krijuar të kahershëm. Përgjakja e këtyre rrugëve ishte rezultat i shumë grindjeve të partive, në pozitë dhe opozitë. Është për të ardhur keq edhe për viktimat, që nuk do të duhej në asnjë mënyrë, të shënonin dhe manifestonin dëshirat dhe inatet e individëve e të grupeve shumë të pa marrëveshje. Shumë kokëforta! Shumë sharje e grindje. Pa masë. Fjala e parë me ofendime. S’dihet cili është i madhi as i vogli. Nuk është demokratike veç sharja. Të sharat janë për njerëz të rrugëve. Çfarë analize bëhet me epitetet më të ndyta për njëri-tjetrin para gjithë opinionit të gjerë. Edukata për brezat e ardhshme duhet të ekzistoj në cilindo sistem të cilësdo shoqëri.

     Të zgjedhurit e qytetarëve do duhej që energjinë dhe intelektin ta shfrytëzojnë në dobi të të gjithëve. Emocionet s’janë për prijës të sotshëm. Inatet e mëdha shpërfillin gjithë njerëzoren, përqafojnë dhunën. Dhuna është monstrumi i kohës. Shkretimi dhe thyerja e pasqyrës së pastër. Shporrja në humnerë e vrullit të punës dhe jetës normale. Inati është ngutja e pakontrolluar. Arritje e kobzezës dhe mishërimi i zullumit edhe në shtëpi edhe në rrugë. Nxitje për t’u adaptuar e për ta mbjellë përreth kudo që do të çonte në një kaos. 

   Zoti kryeministër, mjaft kohë Ju kanë sharë opozitarët publikisht. Mjaft kohë edhe Ju i s’i keni përfillur dhe ua keni kthyer në mënyra të ndryshme, kryeopozitarit me taborin e tij, për të cilin nuk na duket se është aq në vijën e duhur. Për ndjekjen e kursit të tij do t’ishim hamendur se, kujt do t’i shërbente, sidomos me rastin e përgjakjes së këtij sheshi për inatet e pakënaqësitë e tija. Por, edhe Ju i nderuar është dashur që të mos jeni aq karakter e zemër ngurtë. Është dashur që ta parashihni këtë që ndodhi. Dhe është dashur që ta mbaronit punën në mes veti. Këmbëngulësia e të dy bajraktarëve na duket shumë  mesjetare. E pa arsyeshme deri  në tragjiken gati të barazuar me vendet aziatike e afrikane. Nuk do të duhej të mendohet, se edhe ky vend pas aq shumë mizorish e me “shpirt në dhëmbë”, t’i nënshtrohet një kaosi ngjashmërish së fqinjësisë atje në jug.

  Nuk besoj se kemi ushtarë të mjaftueshëm, sa për t’i hedhur edhe në duelet shesheve të qyteteve tona si në lojëra fëmijërore. Energjia e jonë ka mundur të derdhej edhe në diçka shumë më serioze e shumë dobisjellëse për të gjithë shqiptarët. Mësimet janë gjithfarësh, të llahtarshme e egërsie dhe të prajshme e të ëmbla miqësie. Të mësojmë diçka për bukuritë e dashuritë e ta ndiejmë edhe rehatinë!

 

U lutem që t’i vini re sjelljes së juaj më parë, të ktheheni në përgjegjësitë e përditshmërisë që ua kërkojnë qytetarët! Mbetja është kobzezë nëpër kohë...