E premte, 19.04.2024, 09:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Albri Brahusha: Nji Nobel për Ismail Kadarenë

E hene, 24.01.2011, 09:57 PM


Nji Nobel për Ismail Kadarenë

 

Nga Albri Brahusha

 

A e dini se çka don me thanë me ruejtë jetën e fëmijve ndërkohë edhe me shkrue letërsi? Në nji kohë kur frika kishte pushtue zemrat e të gjithë shqiptarëve. Nuk asht e thjeshtë me marrë pendën e me shkrue, asht gati vetëvrasje. E jo vetëm për faktin se të kërcënojnë fëmijët, por edhe se të detyrojnë temën e shkrimit, llojin e bojës e sigurisht të detyrojnë me sha e shilue tanë miqtë e tuej te vjetër e të rinj. Barrë ma të madhe nuk mundet me durue qenia njerzore.

 

E këtë barrë Ismail Kadare e mbajti në kurriz siç mban në kurriz Sizifi fatin e tij të randë, siç mban në kurriz Kazimodo gungën e megjithatë i bien kumonëve ma bukur se kërkush. Në fund librat nuk e shpëtojnë shkrimtarin, sepse ai asht thjesht nji njeri, vetëm dialogu me veten asht ai që nxjerr në pah njeriun që flen thellë mbrenda tij. E detyruen me sha të gjithë kolegët e vet shkrimtarë shqiptarë, sidomos ata që ishin deklarue armiq të rregjimit.

 

E çka mundet me ba ma shumë shkrimtari se me shkrue? Me shkrue bukur pikërisht atëherë kur kolera e bakrit dhe plumbit binte mbi trupa shqiptarësh që rrëzoheshin përdhe si dëshmorë të fjalës së lirë. Dëshmorë mbas dëshmorëve të lirisë erdhën dëshmorët e fjalës së pathanun, fjalës së andrrueme. Jeta asht nji shteg i ngushtë, megjithatë asht i vetmi shteg prej ku realiteti mundet me shpikë letërsinë. A kishte zgjidhje tjetër Ismail Kadare?

 

Besoj se jo. Fëmijët janë arsyeja pse kjo botë rrin në kambë, e jo letërsia, dashnia asht arsyeja pse fëmijët vijnë në këtë jetë, jeta asht arsyeja pse ka dashni, e dashnia asht arsyeja pse i jena besnik Zotit deri sa vdekja të vijë me na marrë. Kështu në këto kushte njeriu asht i pafuqishëm, me e ndërrue realitetin, sepse realiteti asht nji përziemje e fine mes jetës dhe vdekjes.

 

Te romani MOBIDIK thuhet: "Emni jem asht Ishmael" ky njeri asht i mbijetuemi prej përmbytjes, nji situate ku kapiteni i anijes don me ndjekë nji balenë të bardhë që dikur i ka hangër kambën dhe dorën. Kapiteni ngul në direkun e anijes nji monedhë të artë dhe u thotë marinarëve se kush e sheh i pari balenën e bardhë atij i takon monedha e ngulun në direk. Pa u zgjatë due të tham se Ishmael asht personazhi i vetëm që shpëtoi prej mbytjes. Shpëtoi për me rrëfye. Rrrnoi për me diftue.

 

Duhet theksue nji fakt në lidhje me Ismail Kadarenë tonë, ai kurrë nuk e ndërroi emnin e tij, as nuk e shiti vendin e vet, e as atëherë kur të gjithë nisën me e sha ndër ata kam qenë edhe unë vetë, ai u përgjigj, por kurrsesi nuk e mohoi atdheun e tij. Siç thotë John Proctor te "Shtrigat e Salemit" të Arthur Millerit: "Do t'ua jap shpirtin tem por jo emnin". Ismail Kadare asht njeri si të gjithë na, ai ka lindë musliman e ka nji emër të shenjtë Ismail.

 

Ismaili ky asht nji prej bijve të Abrahamit që nuk sakrifikohet për arsye që vetëm Ibarahimi i din sepse ai lidhi aleancën me Perëndinë e ishte gati me sakrifikue Isakun që me çue në vend porosinë që ishte dhanë. Por Zoti ia zëvendësoi sakrificën me nji qingj.

 

Me besimin te nji e ardhme tjetër larg inateve e sulmeve mes njerëzve, Ismail Kadare vazhdoi me shkrue, e prapë vazhdon, jo se nuk din me ba punë të tjera, por se me shkrue asht nji kënaqësi që ia kalon kënaqësive të tjera, përveç kënaqësisë me jetue.

 

Ashtu siç pat ba Ismaili dikur që rrahi kambët në shkretinë dhe prej aty doli ujë, ashtu edhe ndodhi perëndia i ndigjon ata që kërkojnë me ngulm etjen për jetë. Në fund të fundit emnat dhe mbiemnat kanë ma rëndësi se asgja, sepse pa to nuk mund të identifikohemi, jemi pa identitet.

Ismail Kadare në nji kohë kur shumica e shqiptarëve shkonin në punë të urdhnuem, ai shkroi jo pse ishte ma e lehtë, por se ai dinte më shkrue.

 

Më ka mbetë në mendje nji pjesë nga triptiku "Lidhja e Shkrimtarëve përballë pasqyrës së një gruaje" tregimi i parë "Kalorësi me skifter". Nji histori e mbrekullueshme që kur e pata takue botuesin e tij Bujar Hudhrin i pata thanë ai tregim asht gjaja ma e bukur që asht shkrue ndojherë prej Ismail Kadaresë. Mendoj se "Pallati i ëndrrave" asht romani ma i arrimë i tij.

 

A mos duhet shkrimtari me i shkrue tanë librat e kësaj bote për me meritue nji Çmim që asht edhe çmimi që u jepet "vllezënve" të Nobelit. Të gjithë librat e tij janë nji alegori e plotë, e hollë dhe me nji finesë të jashtëzakonshme anipse stilistikisht ka do pasaktësi, nji meritë të madhe në këtë drejtim ka edhe përkthyesi i tij Jusuf Vrioni, që me nji frangishte të ndritshme e në kushte burgu arriti me ia tejçue edhe ma nalt vlerën librave të tij në botë.

 

Komisioni i Nobelit e kandidoi disa herë, por nuk iu dha çmimin që meritonte. A thue sot tash që motet kanë ndrrue e jemi në vitin 2011, ky shkrimtar e meriton Çmimin Nobel për Letërsi? Unë tham se po, vepra e tij e meriton e sigurisht vepra asht e njeriut që e ka shkrue. Kjo asht nji apologji për një mësues që na mësoi të shohim përtej detit Adriatik e Jon, na mësoi të kuptojmë pse mendohen këto male. E mësuesit të fshehtë që mbështillet në lëkurën e vet e nuk bëzan e nuk i bjen grusht malit e as nuk i thotë malit hajde por shkon ai te mali, duhet t'i jepet çmimi që i duhet dhanë nji shkrimtari të madh, çmimi Nobel për Letërsinë.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora