Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Maksim Zotaj: Stinët e Nju-Jorkut në Tiranë

| E premte, 11.01.2008, 05:38 PM |


"Kush është burrë nuk qan dhe kush është burrë kërkon falje". Këtë duket se ka mësuar në rrugën e gjatë të jetës së tij Maksim Zotaj, ndërsa rrëfen se ajo që e bën të ecë në jetë janë marrëdhëniet e ndërtuara me të tjerët, por sidomos marrëdhënia me vetveten dhe pranimi i saj, që e bën të kërkojë ndryshimin në çdo moment. I tillë është djaloshi që dikur mendonte të bëhej piktor, që më vonë shkruante poezi e tashmë duket se dashurinë e vërtetë krahas gazetarisë e shkrimit e ka gjetur edhe te shkrepja e blicit fotografik. "Dashuri" që vjen ta ndajë me njerëzit e tij në Shqipëri, pas dy "rrëfimeve"-ekspozita në SHBA. Prezantim që e cilëson si mbyllje të një cikli, e që përbëhet nga 81 fotografi që sjellin stinët e Nju-Jorkut në Tiranë. "Nju-Jork - Tiranë… Nju-Jork" titullohet ekspozita fotografike që do të çelet sonte në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës…

Prej vitesh jetoni në SHBA. Rrëfimi i "udhëtimit" tuaj përmes fotografive të ekspozitës është ai që ju ktheu në Shqipëri?

Ekspozita është një nga arsyet pse unë erdha, por nuk është arsyeja kryesore. Unë i jam nënshtruar një programi për të sjellë disa elementë të demokracisë amerikane në Shqipëri dhe së shpejti do të hap një ‘talk show’, bisedë në studio në Radiotelevizionin Shqiptar. Në SHBA kam punuar si gazetar i pavarur për disa gazeta shqiptare, siç është gazeta “Dielli”, “Iliria” dhe një revistë shkencore, si dhe kam botuar disa shkrime për historinë e lashtë të popullit shqiptar. Kam botuar edhe disa libra, duke filluar me “Lartësi e trishtueshme”, një cikël me poezi të miat dhe përkthime të poezisë amerikane të shekullit XX. Por në rastin e ekspozitës ishte diçka e veçantë; kisha shumë dëshirë, sepse kam hapur dy ekspozita shumë të suksesshme në lidhje me fotografinë në Nju-Jork. Jam marrë shumë, sidomos me fotografinë artistike, dhe duke qenë se kam pasur rastin të punoj me disa nga fotografët më të mëdhenj të botës e kam punuar në studio gjigante të fotografisë, eksperiencën e atyshme do të doja ta sillja këtu, për të krijuar një koncept më të drejtë për fotografinë. Fotografia nuk është thjesht fotografi e gazetarisë siç themi ne, apo fotografi me karakter historik, por dhe artistike. Dhe tendenca ime është se e bukura ndodhet në fotografi dhe edhe thellësia e mendimit, edhe thellësia e figurës japin një gjendje emocionale të veçantë. Duke hapur një ekspozitë këtu në Tiranë, jo vetëm që sjell një pjesë të kulturës amerikane mbi fotografinë, por tingëllon edhe si urë lidhëse. Ne nuk shkojmë vetëm për një copë bukë në vendet e botës, por edhe sjellim vlerat pozitive atje e studiojmë që ta ngremë veten tonë në ato nivele që na takon.

Folët në përgjithësi për fotografinë. Çfarë përmban konkretisht kjo ekspozitë?

Ekspozita është konceptuar me 81 fotografi. Jam një çikë supersticioz dhe numrat flasin për mua. Kështu nuk e lashë ekspozitën me 80 fotografi, por e vura njëshin për të formuar numrin 9. Dhe numri nëntë në numerologji do të thotë mbyllja e një cikli. Nga ana tjetër, vetë ekspozita është konceptuar si katër stinët në Nju-Jork. Është gjithë dinamika dhe larmia e një njeriu që jeton në Nju-Jork.

Plus aktivitetet me komunitetin shqiptar, portrete, elementë që i sheh përditë nëpër rrugët e Nju-Jorkut, ndryshe nga vendet e tjera. Si pjesëtar i komunitetit shqiptar të Amerikës dhe aktivist i çështjes shqiptare kam fotografuar edhe aktivitetet e komunitetit shqiptar për evidentimin e çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Ne e dimë që kemi qenë të izoluar dhe bota jashtë nuk e kishte idenë më të vogël se kush ishim ne si popull, psikologjinë tonë, nivelin tonë ekonomik, kulturor. Kështu që ishte një rast i mirë të merrja pjesë në këto aktivitete dhe t’i tregoja popullit amerikan nëpërmjet aktivitetit tim gazetaresk, komunikimit me shtëpinë e bardhë, departamentin e shtetit dhe sidomos Kongresin amerikan (se kam punuar me shumë kongresmenë amerikanë për çështjen shqiptare), se nuk jemi popull i vogël dhe i lënë pas dore, por popull vital që kemi qenë dikur qendra e civilizimit botëror. Këto gjëra janë pasqyruar dhe në fotografitë e mia. Një pjesë e atyre lëvizjeve nëpër rrugë me flamur shqiptar etj., janë shumë mirë të ekspozuara. Plus kësaj, aty ka elementë shumë personalë; si emigrant ndeshesh çdo ditë me vetminë, sepse shkon në një botë tjetër ku as gjuhën nuk e flet mirë, ku kultura jote bie ndesh me kulturën e perëndimit… Të gjitha këto përbëjnë një lloj kënge që shpreh respektin për çfarë mësova unë në Amerikë për 13 vjet dhe një lloj mirënjohjeje për atë shtet të madh që sot është partneri ynë më i rëndësishëm në aspektin e politikës së brendshme dhe të jashtme.

Folët për "shkrepjet tuaja fotografike" gjatë 13 viteve të fundit. Në fakt, çfarë "marrëdhënieje" keni pasur me këtë art edhe para se të shkonit në SHBA?

Kur kam qenë i vogël mendoja se do të bëhesha piktor dhe deri në klasën e tetë kam vizatuar shumë mirë, por për një arsye apo një tjetër e lashë. Siç duket nuk isha piktor i mirë. Por si duket bërthama, esenca e dashurisë për figurën më shoqëroi gjithë jetën. Isha shumë i vëmendshëm ndaj pikturave dhe piktorëve të mëdhenj. I lexoja me ëndje, kam pasur shumë piktorë dhe skulptorë që ishin miqtë e mi personalë. Kështu, gjithmonë kam qenë i lidhur me këtë lloj ndjenje për anën vizuale, për pikturën, sidomos si gjini artistike. Kur erdha në televizion dhe fillova punë në maj të ’90-s, u ndesha përsëri me gjuhën e figurës. Kam bërë filma televizivë, kam bërë dokumentarë, plus dhe ‘talk show’ dhe gjithmonë kur shkoja në fund, në pikën e montazhit ishte gjuha e figurës ajo që fliste më shumë; çfarë duhej montuar a jo, ku ishte defekti gjatë xhirimeve, etj. Kjo lloj fotografie ishte në lëvizje. Por e vërteta ishte që kur shkova në Nju-Jork bleva një kamera fotografike si fotoreporter. Kështu isha në kontakt dhe aty e ndjeva menjëherë se fotografia e zakonshme mund të kthehej mjaft mirë në një nivel të lartë artistik, nëse ti je artistikisht i emocionuar, gjë që e kam pasur që i vogël se kam shkruar poezi, tregime dhe me artin kam qenë gjithnjë në kontakt. Kështu, pak nga pak, duke rënë në kontakt me fotografë profesionistë, fillimisht me Fadil Berishën e duke diskutuar për fotografinë për një kohë të gjatë, duke e marrë në analizë nga pikëpamja teknike, e vura re që kisha gjithë elementët brenda meje për t’u bërë një fotograf profesionist. Ishte dhe një rastësi që një shoqja jonë, Nensi, kishte burrin fotograf dhe ai kishte një nga studiot më të mëdha të fotografisë në Nju-Jork. Ajo i tha të shoqit se Maksi bën dhe fotografi e nuk i shpjegoi se bëja fotografi si reporter gazete, por i tha se isha fotograf. Më ftoi pastaj në studion e tij dhe ishte shumë i kënaqur nga fotografitë e mia. Që në fillim më la çelësat e studios. Ishte një punë shumë e bukur, jashtë mase sfilitëse, por ngaqë më tërhiqte nuk e lashë…

Përveç fotografisë, ju keni investuar edhe në përhapjen e librit shqip në Nju-Jork…

Është e vërtetë. Kam bërë dy rrugë në Amerikë. E para në dhjetor të ’93-t dhe u ktheva në mars të ’94-s. Për tre muaj bëra tre filma dokumentarë si gazetar i Televizionit Shqiptar, kryesisht të lidhur me çështjen e Kosovës, ku mbulova anën e shtypit, ku kam pasur rastin të intervistoj emra të njohur të politikës amerikane dhe botërore. Krahas aktiviteteve për të njohur dhe afirmuar vlerat kulturore dhe historike shqiptare, në librarinë e Nju-Jorkut, ku merrja shumë libra, vërejta se aty nuk kishte libra shqip. Që atëherë m'u ngul si gozhdë në kokë pse të mos bëjmë dhe ne një veprim të tillë. U mora me këtë çështje dhe krijuam për herë të parë seksionin e librave shqip në këtë librari të madhe. Mendova se ky është një hap i madh për afirmimin e vlerave tona në përgjithësi.

Të kthehemi te fotografia. Si një fotograf tashmë në kontakt me fotografinë "perëndimore", si e shihni në raport me të fotografinë në Shqipëri?

Dallimi është i dukshëm. Në nivelin e fotografisë vërej shumë ndryshime. Mund të them se kam sens të zhvilluar fotografi, gjatë viteve që kam punuar si gazetar kam punuar edhe si fotograf dhe duke krahasuar fotografinë shqiptare këtu me fotografinë botërore ka shumë diferenca por edhe shumë pika të përbashkëta. Për shembull, mund të them me kënaqësi se fotografët shqiptarë janë të mrekullueshëm, por problemi qëndron në filozofinë e fotografisë, në mënyrën si e trajton fotografinë bota jashtë dhe në mënyrën se si e trajtojmë ne. Nga kjo pikëpamje, shkolla shqiptare e fotografisë ka nevojë për ndryshime të mëdha në raport me shkollën moderne që është pothuaj një gjuhë e përgjithshme botërore. Thelbi i ndryshimit në fakt është se shkolla amerikane e fotografisë, ndryshon në sens me shkollën evropiane të fotografisë. Shqiptarët besoj janë nën influencën e shkollës evropiane të fotografisë, se janë pjesë e Evropës. Me gjithë këtë mendoj se në Shqipëri ka shumë fotografë të mrekullueshëm, që e trajtojnë dhe e kuptojnë shumë mirë fotografinë, lojën midis dritës dhe hijes. Për më tepër, ne kemi një traditë të mrekullueshme, sidomos në tokën e premtuar ku janë disa shqiptarë fotografë të mëdhenj. Mjafton të përmendim Gjon Milin, fotografin më të madh të shek XX. Shpikja e Milit, blici fotografik është shpikja e dytë më e madhe në fushën e fotografisë pas shpikjes që bënë vëllezërit Lumier, baballarët e fotografisë. Veç Gjon Milit kemi Dhimitër Mborjen, fotograf që mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore, në vijën e parë të frontit. Arkivi më i pasur i shtetit përgjatë Luftës së II Botërore është i Dhimitër Mborjes, tashmë pasuri kombëtare amerikane. Kemi edhe Xhorxh Demin (mbiemri i tij origjinal shqiptar), që ka emigruar në Greqi me familjen e tij në fund të shekullit të kaluar dhe ka lindur në Uashington DC. Ai është fotografi personal i dhjetë presidentëve të fundit amerikanë, Ajzenahuer dhe Xhorxh Bushit (I vjetri). Ai ka një libër “Unë dhe presidentët e Amerikës” me fotografi plus edhe 16 intervista për fotografinë dhe origjinën e tij shqiptare dhënë “Nju-Jork Times”, ku ishte personi përgjegjës për fotografinë i gazetës dhe revistës (Nju-Jork Times), derisa vdiq në 1993. Këta janë kolosë të fotografisë botërore dhe janë të gjithë shqiptarë. Është një koincidencë për atë që unë pretendoj se shqiptarët janë të gjithë fotografë të mëdhenj dhe e kanë treguar. Diskordancat që krijohen mes fotografisë në Shqipëri dhe fotografisë botërore nuk janë për faj të tyre, por për faj të shkollës së fotografisë shqiptare që duhet të reformohet dhe të ingranohet me zhvillimet dhe standardet e fotografisë botërore. Për sa i përket lojës së dritës dhe hijes, fotografët shqiptarë janë po aq gjenialë sa dhe ata të botës. Ndoshta kanë nevojë për më shumë reklamë, për më shumë publicitet brenda dhe jashtë vendit. E konsideroj veten pak me fat, jo thjesht se isha fotograf i mirë. Ca herë fati të çon në pozicione të çuditshme. Unë flas me pasion tani për fotografinë botërore dhe atë personale dhe akoma jam në gjendje t’i bëj pyetje vetes: Mirë mo, po ç’mu desh mua fotografia, se unë jam gazetar, shkrimtar, mirëpo aty ku kapet njeriu duhet të tregojë se është më i miri. Është një ambicie dhe ka të bëjë ndoshta me krenarinë time dhe krenarinë tonë kombëtare që vërtet është për t’u admiruar dhe e veçantë në botë.

Bisedoi: B. Goce

Maksim Zotaj e ka konsideruar çështje fati, që ai në karrierën e tij ka në biografinë e punës së tij bashkëpunimin me rangje të fotografisë botërore si; Paul Aresu, Fadil Berisha, etj. Gjatë viteve si profesionist ka publikuar foto dhe qysh nga viti 98’ është anëtar i Shoqatës Botërore të Fotografëve të Pavarur. Ka hapur dy ekspozita Personale me punime fotografike, si: “101 Photographs” në Bronx House Jewish Commnity Center dhe “A Love Song to New York” në “Pedigru Gallery”, Manhattan në një zonë ku lokalizohen studiot fotografike më me emër në biznesin e sotëm. Ekspozitat janë pritur mjaft mirë nga publiku dhe vlerësuar mjaft mirë për teknikën profesionale aplikuese. Maksim Zotaj përpara se të shkonte në Amerikë, ishte i punësuar në T.V.SH. nga Departamenti i filmave Televizive qysh nga 91’. Në këtë Departament, punoi deri nga mesi i vitit 1993, kontribuoi në filma të tillë televizivë si; “Inxhinieri i Minierës”, “Prindër të Vegjël”, “Unë e dua Erën”… dhe në fund si, as/regjizor në filmin “Këtu bën Ftohtë”. Nga mesi i ’93-shit ai kalon në Dep. Soc/Ekonomik dhe si gazetar, drejton biseda në studio, “Talk Shoës”, gjithashtu bëhet skenarist dhe realizues i një numri krejt të konsiderueshëm kronikave informative 20-25 minutëshe, përfshirë këtu edhe katër prej tyre të realizuar në SH.B.A. Gjatë periudhës së viteve ’93- ’96, transmetuar nga sistemi satelitore shqiptar i asaj kohe. Maksim Zotaj, prilli i ’95 e gjen për të dytën herë në SH.B.A , ku krahas projektit të tij në progres për realizimin e një cikli prej dhjetë dokumentarësh televizivë fokusuar tashmë në problemet e komunitetit shqiptar që jeton atje. Tema kryesore e këtyre programeve mbetet po ajo; përpjekjet dhe vështirësitë e komunitetit Shqiptaro-Amerikan në integrimin e jetës amerikane që në të njëjtën kohë përfaqëson modelin e demokracisë më të zhvilluar për kohën. Krahas këtyre fakteve tashmë të njohura nga publiku i gjerë, ai pandërprerë vazhdon të shkruajë. Boton artikuj problematikë, përfshirë edhe studime në fushën e origjinës së shqiptarëve si pjesë esenciale e civilizimit perëndimor, monografi e shkurtër mbi jetën dhe fotografinë e Gjon Milit, shqiptari gjenial që shpiku blicin elektronik, që mbas vëllezërve Lumierë, kjo shpikje konsiderohet si hapi i dytë gjigant që e ngriti fotografinë në nivelin që ne e gëzojmë ne sot .

Maksim Zotaj boton gjithashtu poezi dhe prozë në periodikë të ndryshëm qysh nga viti ’78. Në vitin 2000 del me vëllimin e tij të parë “Largësi e Trishtueshme” libër ky ku në tre pjesë përfshihen mbi 50 poezi origjinale, 50 poezi të zgjedhura nga letërsia amerikane e shek. XX, dhe 27 fotografi nga puna e tij si fotograf. Ka një tjetër libër poetik të gatshëm për botim me titull “Rruga e gjatë e dhimbjes”!

Zotaj shkruan dhe boton tregime dhe studime mbi origjinën e shqiptarëve dhe ka botuar tashmë dy prej tyre “Orakulli i Dodonës” “Origjina dhe Simbolet e Fshehta të Flamurit Shqiptar”. Po punon gjithashtu mbi një monografi tjetër të shkurtër me karakter historik të quajtur “Komploti i Madh Kundra Shqiptarëve” dhe që shpreson më vonë ta botoj në një përmbledhje të veçantë studimesh historike për Shqipërinë, etj.

Metropol