Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Pse kështu gjakos kombi dhe atdheu...!

| E shtune, 22.01.2011, 08:00 PM |


 

Shpërputhje e dhembje kohe

 

PSE KËSHTU GJAKOS KOMBI DHE ATDHEU...!

 

...Shqipëria ka nevojë të shërojë plagë e jo të hapë plagë të reja...

(Bamir Topi, Kryetar i Shqipërisë)

 

Nga Sejdi BERISHA

 

Gjithmonë njeriu e ka frikën se gjatë rrugëtimit, gjatë lumturisë, vuajtjes, dhembjeve dhe krenarisë e zhvillimit, mund të sfidohet keq apo edhe të plandoset, dhe e tërë historia sikur t’i shndërrohet në flluskë sapuni. Kjo frikë ogurzezë sikur gjithnjë e ka përcjellë dhe e ka trembur por edhe i ka shkaktuar plagë të mëdha shqiptarëve. Se, pse është kështu, gjithnjë e kam pyetur vetveten, por asnjëherë, as për së afërmi nuk e kam gjetur përgjigjen. Këtë, edhe ne si komb, ndoshta kurrë nuk e kemi trajtuar mirë dhe deri në fund, prandaj, edhe shumë gjëra kanë ngelur si zorrët nëpër këmbë dhe si dhembja më e pakuptimtë por e rëndë e njeriut tonë. Kjo, është edhe sot e kësaj dite një lloj plasaritje që dot nuk na ngjet bukën e thyer...! Kjo, u pa edhe të premten në Sheshin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë,... kjo u reflektua edhe në zgjedhjet e fundit në Kosovë,... kjo është vërejtur dhe shihet edhe në trojet tjera shqiptare. Gjithmonë me plagë,... por me ato plagët që ia shkaktojmë vetvetes!

 

1.

Ngjarjet e djeshme në kryeqytetin e Shqipërisë, për shumë gjëra ma detyruan kthimin pas, për shumë sakrifica, për shumë të arritura, për qëndresën dhe mbijetesën, për mburrjen dhe dhembjet nëpër periudha. Kur i analizoja të gjitha këto, më djersitnin deri në palcë e ma ndiznin zjarrin nëpër damar deri në fund të fundit, atje ku gjendet shpirti! I tërë ky rrugëtim, dhe, assesi të ndërtojmë kështjellën e unitetit, të njëmendësisë, të pjekurisë dhe të atdhedashurisë me lëngun e syve, me gjakun që tokën e ka bërë all, me trakullimat historike me ngadhënjim, fitore, me tradhti e marri. Tërë ky rrugëtim i mbrumur edhe me përrallat më trishtuese të historisë, sikur dot nuk vetëdijeson, sikur dot nuk ndërgjegjëson...

Vetëtimthi më kalojnë para syve gjithë ato mundime, sakrifica, luftëra e vepra për ta ruajtur dhe zhvilluar atdheun, për ta forcuar dhe unisuar kombin, njeriun e komunitetin. Dhe, kemi ardhur deri tek ajo porta e madhe e kontinentit të Evropës, kemi bërë edhe hapa që dikur nuk ishin as ëndërr jona; Shqipëria u anëtarësua në NATO, u ndërtua Rruga e Kombit, u hap rruga për të udhëtuar njeriu ynë lirshëm dhe pa viza. Por, sikur të gjitha këto të arritura, mbase edhe anëtarësimin në BE, sikur jemi të “programuar” ta pengojmë ne, apo për habi mos t’i gëzohemi këtij rrugëtimi historik. Shumë e dhembshme është kjo.

Le ta analizojë si të dojë secili njeri. Ngjarjet dhe veprimet e tilla janë për studim, nëse mund të thuhet, për studim edhe paradoksal.

Ajo që lëshoi re të zeza mbi Tiranë, ishte edhe një vrasje e ardhmërisë sonë. Shih. Kjo ndodhi pikërisht, kur në Kosovë u shënua pesë vjetori i vdekjes së Kryetarit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova! Ngjarje e cila, edhe kjo të kthen pas për të kujtuar tërë atë pjesë të fuqishme, të qëndrueshme dhe aq të dhembshme të historisë së kombit shqiptar. Por, nëse këto dy gjëra i krahasojmë, në shesh na dalin shumë rrjedhime për komentim...

2.

E lidhi ditën e njëzetë e një janarit në Shqipëri me ecjen historike të Kosovës pikërisht të këtyre ditëve, të këtyre muajve. Edhe në këtë pjesë të tokës rreshtohen përplasje, gabime, lëshime, mangësi, të cilat sikur e denigrojnë procesin e zhvillimit dhe të forcimit të shtetësisë. Përplasjet politike zënë vendin parësor kundruall fatit të Kosovës dhe të popullit. E çuditshme?! Dhe, pastaj, vetvetiu parasysh të detyrohet numërimi i të këqijave dhe i lëshimeve që na bëjnë “përrallë” në popull por edhe tek faktori ndërkombëtar, e posaçërisht tek miqtë tanë që qetësisht e me përkushtim na ndihmuan për të realizuar ëndrrën e pavarësisë, të themelimit të shtetit dhe të shtetësisë. Edhe kjo gërshetohet me mos unitetin tonë, gërshetohet me veprimet negative që luhatin dinjitetin, që tuhasin besimin dhe shpresën e njeriut.

Ndërsa, korrupsioni kur përmendet, gjithkujt i duket se kjo i ngjanë një ileti të pashërueshëm, një teje që vetëm brenë e brenë. Kështu gjakos kombi dhe atdheu...!  Demoralizohet njeriu dhe lodhet mendja e shpirti i tij. Për këtë, do të thoshte e thotë secili haptas apo në vete: a është për të qarë e për të vajtuar,... a është për tu turpëruar apo për tu krenuar për këto gjëra në të cilat po kapërthuremi ne, në shekullin e XXI-të?!!

Ku ta gjejmë përgjigjen: në shkatërrimin e, hajt të themi të Sheshit “Dëshmorët e Kombit”, të kryeqytetit të vendit, në plagosjen dhe çuarjen dorë në policinë e shtetit dhe t’i dëmtojmë institucionet tona. Ta kërkojmë përgjigjen në vrasjen e njëri-tjetri, në vrasjen e fëmijëve dhe të baballarëve tanë,... në lëndimin e Tiranës?! Ky komb i vogël që ka lashtësinë dhe krenarinë historike nuk e meriton këtë. Jo, jo!

Dhe, kur ta sheh ngjarjen e njëzetë e një janarit në Tiranë, njeriu mbetët pa tekst, kurse, nëse dikush ta kërkon përgjigjen e “fenomenit” tonë, atëherë, këtë vetëm duhet kërkuar në ndërgjegjen e njeriut të kësaj toke të çuditshme, të këtij populli të përçudshëm. Edhe atëherë, me siguri do të mbetemi gojëhapur, të pafjalë dhe të pa ide e mendim të saktë...!

 

3.

Në vend se çdo përparim ta shtrëngojmë fortë në duart tona, në vend që ndërtimin e rrugëve dhe të autostradave t’i lidhim ngushtë e fortë me Rrugën e Kombit, për të na lakmuar gjithkush, këto të arritura përpiqemi shpeshherë për t’i degraduar dhe për të vonuar vendin për t’u bashkuar me vendet e botës, me kombet e botës, që dikur na kanë trajtuar si njerëz me bisht e që kësaj i kemi kontribuar shumë vetë ne. Por, përrallë e gjatë është kjo, sepse, nganjëherë njerëzit shoqi-shoqit i flasin por më kanë thënë edhe mua: në vend se të ngjitemi drejtë piramidës së të arriturave dhe të krenarisë, ne e bëjmë dhe sikur nuk e huqim që ta bëjmë të kundërtën. Ta mallkojmë vetveten, ta mallkojmë tokën për të cilën kemi zhvilluar aq luftëra dhe kemi derdhë aq shumë gjak.

Është e tmerrshme që njeriu ta sheh vendin e vetë, duke e shkatërruar dhe duke e dëmtuar vetë njeriu, i cili gjithnjë ka qenë i përvuajtur e me histori plotë rrena, trillime e dhembje, por me fitore e krenaria, me rezistencë e beteja të paharruara. Duke u mbështetur në të gjitha këto, atëherë kush mund ta besoj këtë: që njerëzit t’i shkaktojnë vrasje, dhembje dhe plagë vetvetes dhe atdheut.

Kujtoj se kur gjakos plaga, atëherë është në pyetje një sëmurje e rëndë, për të cilën duhet punë për ta gjetur shërimin!

 

4.

Le të thotë kush çfarë të dojë, por zhvillimet e njëzetë e një janarit në Tiranë, kanë pllakosur popullin, mendjen dhe shpirtin e tij. I kanë krijuar pasiguri dhe indinjatë, e shkakun për këtë ku duhet kërkuar. Kombit ia kanë lënduar dhe rrënuar imazhin shpirtëror. Çfarë nebuloze është kjo, o Zot!

Dhe, shih. Siç thash edhe më lartë, kjo koincidoi me Akademinë përkujtimore në Prishtinë me rastin e pesë vjetorit të vdekjes së Dr. Ibrahim Rugovës, njeriut i cili tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare dhe Kosovës, njeriu i cili tërë kohën ka luftuar për unitetin e mendimit dhe të veprimit të kombit, gjëra që edhe sot e kësaj dite na mungojnë. Këtë duhet thënë haptas!

Në këtë ditë tragjike në Tiranë, në Prishtinë, akademia përkujtimore për Ibrahim Rugovën, për habi, i tuboi dhe i bashkoi të gjithë rivalët politikë por edhe emra të tjerë, të cilët hiq ose rrallë shihen bashkë në opinion apo edhe në rrugë, mbase edhe në veprime me karakter të ecjes dhe të forcimit të shtetit të Kosovës. Ishte një habi, dhe në të njëjtën kohë edhe kënaqësi.

Po sa keq dhe sa negativisht reflekton edhe kjo, sepse, do të thotë se edhe në këtë pjesë, edhe në këtë vend ka përplasje, plasaritje e ndarje të pakuptimta.

Me një fjalë, kombit i nevojitet uniteti, i nevojitet gjuha e përbashkët, i nevojitet edhe vetëdijesimi...!

 

5.

Skenat në Sheshin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë janë një ogur që duhet të na trokas në mendjen tonë, që duhet të na therë për ndërgjegjësim,... për ndërgjegjësim dhe për ndërgjegjësim... Ose, ta “improvizojmë” historinë, ta gjykojmë Skënderbeun edhe heronjtë tjerë të kombit për luhatjen tonë?!... Sa herë e ngritim, po aq edhe e rrëzojmë vetveten. Ia fusim zjarrin atdheut e kombit për shkak të ambicieve për pushtet... Po ashtu, a është antikombëtare, antinjerëzore, që tani mund të bëhet politikë apo të përflitet edhe për politikën mbi të vdekurit?!! Shqipëria nuk është aq e pasur për ta shkatërruar atë.

Për të gjitha këto, kujtoj se përgjigja më e mirë, pra edhe për ngjarjet e njëzetë e një janarit, por edhe për ecuritë në Kosovë mbase edhe në trojet tjera shqiptare, janë fjalët e Kryetarit të Shqipërisë, Bamir Topit, që i tha po këtë ditë: “...Shqipëria ka nevojë të shërojë plagë, e jo të hapë plagë të reja...!”. Sepse, po e theksoj edhe njëherë: kur gjakos kombi dhe atdheu, atëherë na mallkon gjaku i atyre që luftuan për atdhe, na mallkon gjiri i nënës, na mallkon klithma e foshnjës, na nëmin gjeneratat ...!

Në fund të këtij shkrimi, gati si pa lidhje mu kujtua raporti i Dik Martit! E tash, merrje me mend me çfarë ne përplasemi, e çfarë ne vetë i shkaktojmë vendit...?!