E enjte, 25.04.2024, 10:27 AM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ndreca: Aborti dhe letargjia e ndërgjegjes qytetare të katolikëve

E premte, 11.01.2008, 04:56 PM


Aborti dhe letargjia e ndërgjegjes qytetare të katolikëve

Nga Ardian Ndreca

Ardian Ndreca
Në Itali ka ma shumë se nji muej që gazetari i mirënjohtun Giuliano Ferrara ka hapë nji debat të papamë që ka përfshi gazetën e tij «Il Foglio» (www.ilfoglio.it), shtypin në përgjithsi, politikën dhe qindra mija qytetarë të thjeshtë rreth ligjit 194, i cili lejon dhe rregullon abortin në atë vend.
Mbas moratoriumit për dënimin me vdekje që Italia paraqiti në OKB, Ferrara, i cili ka nji të kalueme të hershme në radhët e komunistave italianë e tashti asht i pozicionuem si neokonservator, kërkoi nji moratorium për abortin.
Po çka don me thanë termi “moratorium”? Asht nji term që rrjedh prej latinishtes, gjuha e ligjit, dhe domethanë me pezullue zbatimin e nji ligji, me vendosë mosaplikimin e nji detyrimi (psh. shlyemjen e nji borxhi).
Giuliano Ferrara tue mos qenë as katolik dhe as besimtar pranon se aborti asht nji krim i dyfishtë: krim ndaj nji jete të pafajshme dhe krim ndaj nji personi të pambrojtun.
Në këto kushte kërkohet me pezullue zbatimin e nji ligji që legalizon nji krim kaq të mnershëm.
Që fetusi asht nji person që kupton, ndjen, reagon, provon shije, ka kujtesë, reflekse, qan, qeshë... këtë gja shkenca e mjeksisë e ka provue gjansisht.
Në këto kushte me e konsiderue fetusin si nji masë amorfe që mund të zhbahet, të coptohet, të zhduket apo ma keq të përdoret në industrinë kozmetike për me prodhue kremna asht nji krim tjetër.
Tashti tue u kthye tek gjendja e vendit tonë.
Për shkaqe sociale dhe kulturale jemi nji vend ku aborti bahet me lehtësi dhe ku nuk ka, jo pengesa ligjore, pse nuk mjaftojnë, por ndihmë ndaj atyne që detyrohen me ba këtë zgjedhje tragjike.
Të vetmen asistencë morale dhe materiale e japin disa shoqata katolike, që janë tepër pak për gjendjen e sotme.
Aborti nuk asht vetëm krim ndaj nji personi të pambrojtun e të pafajshëm por asht edhe fenomen që dobëson shoqninë njerzore e zvetnon atë, mbasi shenjon triumfin e egoizmit dhe të izolimit të individit.
Gjithsesi, në shumë vende të përparueme të botës si Franca, Anglia, Australia sot po rishikohet ligji që lejon abortin, tue u mundue me fuqizue ndihmën shtetnore ndaj grave në vështirësi.
Në Itali flamurtari i kësaj lëvizje asht ba Giuliano Ferrara, ndoshta nji prej mendjeve ma brilante të gazetarisë europiane, ndërsa tek ne nuk ka asnji za të vetëm që të flasë për këtë çeshtje.
Duhet të shpresohej që së paku Kisha katolike të thonte nji fjalë publikisht me za të naltë në lidhje me plagën e abortit, por jo, ata që duhet të flisnin flejnë nji gjumë tepër të gjatë letargjik.
Mund të mendohej që nji seri parlamentarësh (pa dallim partiak) me origjinë të krishtenë duhet të kishin nji ndjeshmëni ma të naltë ndaj kësaj çeshtje!
Jo, në gojën e tyne ka vend për çeshtje që kanë të bajnë me ndamje pronash, ndamje postesh, leje ndërtimesh, akuza dhe kundëakuza, me nji fjalë me nji demagogji të randomtë provinciale të ngritun në rang ideali – por nuk ka vend për nji lëvizje antiabortiste.
Kështu pra, në Shqipni ata që janë të pambrojtun dhe të pafajshëm janë personat ma në rrezik, pse nuk ka asnji za të vetëm që t’i mbrojë.
Në këto kushte Kushtetuta jonë asht nji copë letër pa vlerë, mbasi edhe pse ligjëson mbrojtjen e personit, në realitet kjo gja nuk ndodh.
Më që asht kështu, un i baj thirrje forcave laike, liberale dhe konservatore që në shenj qytetnimi të thonë nji fjalë kundër abortit.
Askurrkush nuk don me fajësue gratë që përballen me këtë tragjedi, përkundrazi, qëllimi asht me gjetë burimet e mjaftueshme ligjore, ekonomike, shoqnore për me i ndihmue ato me përballue lindjen dhe rritjen e foshnjes tue u përmirsue kushtet e jetesës.
Le të shohim së pari nësë Zonja e parë e Republikës do të impenjohet në këtë drejtim, le të shpresojmë se edhe Zonja Berisha të thotë fjalën e saj, e mandej me rradhë ata që duhet të kishin edhe ma shumë arsye me çue zanin kundër këtij krimi.
Me vizitue jetimore, spitale fëmijësh, brefotrofe dhe me u çue dhurata fëmijëve të braktisun dhe të sëmurë asht nji vepër e shkëlqyeshme, por mos harroni se mes atyne fëmijve mungojnë me mija të tjerë që janë coptue dhe janë tretë. Atyne u asht heqë dhurata ma e madhe: vetë jeta.
Në fund të fundit jeta kalon me shpejtësi marramendëse dhe mundësia me ba diçka të mira në këto përmasa nuk paraqitet shumë shpesh, le ta shfrytzojmë të gjithë këtë gja për me tregue pak sens qytetar dhe ndjeshmëni ndaj shqiptarëve ma të pafat, atyne që mbyten pa lind ende.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora