Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lis Bukuroca: Idiokracia

| E shtune, 22.01.2011, 07:59 PM |


Idiokracia

 

Nga Lis Bukuroca

 

Në Ballkan demokracia identifikohet deri diku me median e “lirë” dhe me mbajtjen e zgjedhjeve, të cilat shpesh i ngjajnë një cirku primitiv. Në fushat dhe shtresa tjera nuk vërehet demokracia, por herë dominon idiokracia, herë  kleptokracia. Diku njëra është më e theksuar, diku tjetra, por me një konvergjencë të sigurt politike apo me një simbiozë marramendëse, trishtuese. Mund të konstatohet se Ballkani qeveriset nga idiokrat me aftësi të veçanta kelptokratike. Shkelja e ligjit me qëllim pasurimi jashtë strukturave politike, quhet kriminalitet. Shkelja e ligjit për të pasuruar veten, nga ata qe vet i votojnë ligjet, quhet kleptokraci.

 

Idiokracia nuk ka të bëjë asgjë me demokracinë. Në idiokraci përvidhen amatorët politik dhe ata udhëheqin shtetin. Administrata idiokratike qeveriset nga disa idiokratë të profiluar dhe ata nuk tolerojnë t’ i ofrohen pushtetit njerëz më të aftë se ata vet. Karakteristik e idiokracisë është se ata njohin mirë njëri tjetrin, i lidh interesi i përbashkët apo farefisi  dhe aty shquhen  qartë struktura tribale në sistem. Sa herë të akuzohet njëri, kryeidiokrati e merr në mbrojtje, sepse lëkunden interesat e përbashkëta. Aty edhe i akuzuari shndërrohet në dëshmitar të vetvetes dhe nuk vlen: “Nemo testis in propria causa“!, askush nuk mund të jetë dëshmitar në çështje të vet. Në Ballkan, po!

 

Rrjeti i tyre është i paprekshëm dhe gati i  pazëvendësueshëm. Me metodat idiokratike janë udhëhequr në mes tjerash shtetet komuniste, fashizmi dhe komunizmi. Perandorinë Osmane të mos e përmendim fare, sepse ishte garantuese e ecjes prapa, jo e ngeljes në vend, por ecjes prapa edhe atë për disa shekuj. Ajo, me sistemin idiokratik, arriti në Ballkan t’i pengojë dhe t´injorojë gjitha lëvizjet progresive, që u lindën në Europë, madje t’ u ndalojë popujve dhe alfabetin...Ballkanit i ka munguar iluminizmi, i ka munguar Revolucioni Francez dhe mendimtarët francez, anglez e gjerman që qenë parapërgatitës të qytetërimit perëndimor. Ballkanit i ka munguar edhe Rilindja e vërtetë. I ka munguar  Montesquieus dhe idea për ndarjen e pushtetit në mes legjislatives, ekzekutives dhe pushtetit gjyqësor. I kanë munguar idetë e Rousseau për pasurimin e pa drejtë si shkak të revoltës. I ka munguar Voltaire, Denis Diderot dhe shumë eruditë tjerë..

 

Rendi idiokratik ekziston kryesisht në Ballkan dhe në disa vende të  Azisë dhe Afrikës. Idiokraci domethënë “sundimi i budallenjve” apo imbecilët në pushtet. Ashtu si komunizmi që hipte klasën punëtore në pushtet, idiokracia shtyn drejt pushtetit budallenjtë: mediokritetet, matrapazët, psikopatët, kleptokratët, zvarranikët, ata që kanë blerë diploma, palaçot, dallkaukët, kopukët dhe maskarenjtë. Nëse dikujt i mungon njëra nga këto fjalë përcaktuese, shanse në fushën politike në Ballkan nuk ka dhe nuk do të ketë!

 

Punën e parë që bën idiokracia është dëbimi dhe ekskomunikimi i ekspertëve apo të atyre me mençuri më të mëdha se soji i tyre. Ata arrijnë nga politika të shndërrojnë një çmendinë, kabaretë, skenë dalldie, moralisht aq të prishur, të pështirë,  që të kallë krupën, sa të mençurit, të moralshmit i vjen turp të merret me politikë dhe largohet, madje edhe emigron, për t’ i ikur myshkut dhe talljes që i kanoset nga imbecilët  politik. ( Ashtu si gruaja e ndershme që ka trup të merret me prostitucion, ashtu edhe njeriu i moralshëm turpërohet në Ballkan të merret me politikë)

 

Idiokracia është forma më primitive e rendit shoqëror. Në idiokraci ka vazhdimisht përpjekje për ta kontrolluar shtypin dhe mendimin e lirë, sepse ajo nuk duron konkurrencë, ashtu si edhe kriminaliteti i saj, nuk duron opozitë.

 

Idiokratët edhe këshilltarët e vet shumë herë i marrin nga kjo shtresë, njerëz që dinë më pak se ata vet. Sepse vetëm idiokrati besnik, përkrah kryeidiokratin dhe i siguron mbijetesën.

 

Simptomat kryesore të idiokracisë janë korrupsioni stabil apo në rritje dhe kriminaliteti, që nuk mund të çrrënjoset kurrë. Këto dy anomali nuk mund të zhduken sepse vijë kufizuese dhe ndarëse në mes politikës dhe dy shfaqjeve aberrative të fundit ose nuk ekzistojnë ose janë fluide, të rrjedhshme dhe jetojnë në një fuzion permanent. Në përqafim konstant.

 

Karakteristikë shquese e idiokracisë është edhe blerja e diplomave të fakultetit, titujve shkencor dhe krijimi i një klase, elite budallenjsh intelektual, që nuk dinë as ta flasin e as ta shkruajnë gjuhen e vet amtare. Fatkeqësia qëndron në faktin se edhe në fakultete ka shumë idiokrat me tituj dr., që nuk janë në gjendje jo të shkruajnë libra siç e kanë për detyrë, por as të hartojnë një artikull si duhet.

 

Sot, idiokraci funksionale dhe shumë stabile kemi:  në Greqi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, Bosnje... Në këto shtete njerëzit e mençur gati janë përjashtuar nga pushteti. Në njërin vend më shumë, në tjetrin më pak.

 

Në idiokraci vidhet shteti. Administrata nuk ekziston  për të shërbyer qytetarin, por për të pasuruar veten. Çdo qytetar që kthehet nga Kosova në Gjermani tregon për peripecitë e tija, për qindra madje edhe mijëra euro për disa dokumente apo për shumën që pagoi për një vizitë të mjerë mjekësore ndoshta te një mjek që ka doktoruar me plagjiaturë. Shqiptarët që financuan pavarësimin e vendit, vidhen sot nga administrata kosovare, ashtu si plaçkiteshin dje nga administrata e Millosheviçit.

 

Për pagesa ankohen edhe maqedonët, serbet, malazezët, grekët, boshnjakët etj. Idiokratët nuk sillen ashtu si janë, por ashtu si dëshirojnë t’ i shohin të tjerët. Ata e dinë se si duhet të jetë njeriu i moralshëm, prandaj luajnë rolin e njeriut të ndershëm. Ata nuk flasin atë që duhet, por atë që mendon se dëshiron ta dëgjojë populli. Dhe, meqenëse niveli arsimor i popullit në vende idiokratike është shumë inferior në krahasim me vendet e zhvilluara- përndryshe idiokracia nuk do te kishte shans- ai popull përsëri voton idiokratin sepse idiokrati flet ashtu si e kupton më së miri masa, pra komunikon me logjikën dhe nivelin e shtresave më të ulëta.

 

Populli vëren se idiokracia nuk i sjell mirëqenie, mirëpo emancipimi është i dobët dhe prandaj nuk ka kundërshtim relevant. Popujt në idiokraci dinë se pushteti vjedh, për këtë flasin kudo, ai din se krimi nuk lufton krimin, por është i bindur se alternativë tjetër nuk ka dhe ia nis vjedhjes edhe ai. Aty ku mundet! Ku mundet nuk paguan ndershmërisht tatimet, sepse ai është i vetëdijshëm se njerëzit e mirë, ka vite që janë dëbuar nga skena dhe janë anonimizuar deri në harresë apo stigmatizim. Atje i moralshmi konsiderohet i pamoralshëm, kurse i pamoralshmi  vlerësohet si kujdestar i normave morale!

 

Nuk është aq tragjike ekzistenca e idiokracisë, ajo ka ekzistuar gjithmonë dhe siç shihet do të jetë e pranishme edhe në këtë shekull e pas tij, por shqetësuese është dija dhe përvoja empirike se idiokracinë nuk e rrëzon kurrë vota e lirë e qytetarit, por revolta apo diçka e ngjashme. Arsyeja është e thjeshtë. Rrjeti i tyre është aq dendur i tjerrë, strukturat janë aq stabile, sa, ose duhet të dëbohen kolektivisht ose mbetjet e tyre ringjallin përsëri idiokracinë dhe tok me të edhe kleptokracinë dhe zellin për hakmarrje. Në shtetet e reja që dolën nga ish-Jugosllavia kemi ringjalljen e idiokracisë, në Shqipëri gjithashtu. Ringjalljen e idiokracisë sot e përjetojmë në Ballkan, ku me pak dallime ndërtojnë të gjithë një idiokraci dhe kleptokraci të pashembullt në Europë.

 

Në kohë lufte patriotizëm është të luftohet, të ndihmohet, por edhe të mos pengohet çlirimi. Në kohë paqeje patriotizëm është pagimi i tatimeve (nëse dëshirojmë spitale dhe rrugë moderne. Shkolla dhe universitete moderne). Në kohë paqeje shenjë e patriotizmit është edhe dorëheqja dhe mosdëmtimi i vendit me imazhin e keq që ka një politikan. Në Perëndim jepet dorëheqje edhe për skandale të vogla, në Ballkan kundër dikujt mund të procedohet, të bëhen hetime dhe ai të qeverisë. Pse? Sepse Ballkani po sjell ligje, që nuk dalin si nevojë e nivelit dhe vetëdijesimit të tyre, por si imponim i një civilizimi të lartë, që ata nuk e kuptojnë, që ata nuk e njohin, me të cilin ata nuk pajtohen, nuk identifikohen, por e votojnë për shkak të vështirësive ekonomike dhe prandaj shkelësit e ligjit nuk janë vetëm njerëzit e rëndomtë pse nuk pajtohet me kulturën e re, që u imponohet, por atje ligji shkelet pikë së pari nga ata që e votojnë: deputetët dhe qeveritarët. Edhe nga ata që duhet ta zbatojnë:nëpunësit dhe gjykatat. Mu ata që nuk duhet. Ata që duhet të jenë shëmbëlltyrë e drejtësisë. Nëse në Ankara protestohet kundër homoseksualëve, këtë potere, do ta përjetojmë në të gjitha qendrat tjera ballkanike...Pushtuesi iku, por shkolla e tij mbeti!

 

Shikuar objektivisht dhe duke parë thellësinë e rrënjëve të idiokratëve, shtresimin e tyre, shtrirjen e tyre horizontale dhe vertikale, mund të pohohet se me rendin idiokratik në Ballkan do të jetohet më së paku edhe tri apo katër dekada. Në ndonjë vend më pak, në ndonjë edhe më shumë! Garantues i mbijetese së tyre janë lidhjet fisnore të qëndrueshme, korrupsioni dhe mosdistancimi serioz i pushteti nga kriminaliteti!

 

Kur në Gjermani punësohet dikush, caktohet një komision nga tre veta për të zgjedhur kandidatin më të mirë. Në Ballkan kandidati zgjidhet nëpërmjet telefonave apo para se të shqyrtohen aplikacionet. Mu ashtu si dihet edhe fituesi para zgjedhjeve!

 

Nëse popujt e Ballkanit shpresojnë se me këtë elitë politike mund të përmirësohet gjendja e tyre e vështirë ekonomike, atëherë ata duhet edhe të besojnë se ekziston babadimri, se ardhmëria e njerëzve me fakte shkencore mund të lexohet vetëm nga filxhani i kafesë dhe se shamanët kanë zbuluar teorinë e relativitetit!