E enjte, 25.04.2024, 04:21 PM (GMT+1)

Intervista

Alma Papamihali: Ekskluzive, Zëri i sopranos shqiptare Ermonela Jaho, kësaj rradhe kumboi në Berlin

E marte, 08.01.2008, 08:40 PM


Zëri i sopranos shqiptare Ermonela Jaho, kësaj rradhe kumboi në Berlin

Nga Alma Papamihali - Zemra Shqiptare

Ermonela Jaho
"Maria Stuart", ishte opera e rradhës që do t´i shtohej repertorit të sopranos shqiptare, Ermonela Jaho. Oper kjo, që renditet ndër më të vështirat e kompozimeve klasike. Për të parën herë, kjo oper vjen në skenë nga një soprano kaq e re, 33 vjeçare, pasi deri më parë ishte interpretuar nga artiste me përvojë më të madhe skenike dhe moshë mbi 40 vjeçare. Kjo për faktin, që vështirësia e saj ka lidhje si me anën vokale, ashtu edhe me atë psikologjike. Një sfidë tjetër e rradhës kjo. Opera e Gaetano Donizzetit, përshkruan konfliktin për fron ndërmjet mbretëreshës së Skocisë, Maria Stuarta (Ermonela Jaho) dhe mbretëreshës Elisabeth të Anglisë (Katarina Karneus). Maria Stuart, e burgosura e mbretëreshës angleze, prezantohet në skenë, kryelartë. e bukur dhe krenare, deri në fund të jetës së saj, si e dënuara e Elizabethës. E tillë është dhe Ermonela: kryelartë, e bukur dhe krenare, jo vetëm në rolin kryesor të Marias, por edhe pas shfaqjes. Mes durtrokitjeve të parreshtura në sallë, publiku vazhdonte të qëndronte nën entuziazmin e pafund, duke pritur Ermonelën, që prezantonte para tij çdo pjesmarrës së shfaqjes, deri së fundi dhe dirigjentin e talentuar nga Parisi, Alain Altinoglu i cili drejtoi dorën nga Ermonela, për t´ju thënë të pranishmëve në sallë: "Gjithçka i dedikohet Ermonelës sonte". Një sukses i merituar i sopranos sonë të talentuar, që nëse dikujt do t´i jepej rasti t´a ndiqte drejtpërsëdrejti në sallë, patjetër do t´i krijonte përshtypjen e të qënit i privilegjuar, ndërkohë që do mendonte që një artiste kaq e talentuar shqiptare, gëzon respektin dhe dhe admirimin e plotë të publikut të huaj. Dukej sikur kishte dhënë në atë shfaqje gjithë energjinë e saj, deri në fundin e shpirtit. Të tillë emocion di të japë vetëm Ermonela, që mundet jo vetëm të zotërojë rolin e saj, por edhe të përfshijë publikun në të njëjtën gjendje emocionale, që do t´a mbajë mbërthyer deri në fund të shfaqjes.Ndaj nuk është rastësi, që plani i saj për muajt e ardhshëm është mjaft i ngjeshur.Në muajt prill - maj, do të interpretojë rolin e Manon, në operën "Manon" të J. Massenet, (Francë). Në maj - qershor, rolin e Magdës, në operën "La Rondine" të G. Puccinit, (Trieste). Më pas operan "Carmen" në Mondovisione (Francë). Po në Francë, rolin e Semiramidës, në operan "Semiramida", operan "Carmen", në Angli, Skoci, operan "Madame Butterfly" në Detroit...etj etj.

Cili është stacioni që ndalet Ermonela pas përfundimit të shfaqjeve?

Jetoj në New York dhe pse siç biseduam, jam në lëvizje të përhershme për shkak të kontratave, sidomos në Evropë.

Tashmë repertori juaj rradhit shfaqje në qytetet më në zë të Evropës si: Berlin, Paris, Barcelonë, Londër, Mynich, Trieste, si dhe në kontinentin tjetër Michigan, Detroit, Filadelfia etj. Cili qytet mbetet për ju më i ngrohti dhe do donit t´i riktheheshit me dëshirë?

(Qesh). Keni harruar përgjigjen. Tirana, mbetet qyteti që më rilind emocione të reja, qyteti ku unë rigjenerohem. Publiku shqiptar nuk mund të krahasohet me asnjë publik të botës. Vendi yt të fal të tjera emocione, tjetër ndjenjë. Kohëve të fundit, nëpër shfaqjet e dhëna sidomos ne Amerikë (Filadelfia, Detroit etj), shqiptarët që jetojnë prej disa vitesh atje, më kanë ndjekur shpesh nëpër shfaqjet që kam dhënë. Mbase numri i tyre në krahasim me numrin e publikut në sallë, që numëronte mijëra, ka qenë i një raporti të vogël, megjithatë, për nga vlera dhe emocioni që më kanë falur me prezencën e tyre, të pakrahasueshëm.
Çdo shqiptar, më ka sjellë me vete një copëz Shqipëri, duke plotësuar një boshllëk që ndihet tek unë, nëpër shfaqjet larg vendit, larg publikut tonë të mrekullueshëm.

Po flasim vetëm për operat.
A "rreh" zemra e Ermonelës, për diçka tjetër përveç operas? A e keni gjetur shokun e jetës?

Po, jam e martuar me një muzikolog shqiptar dhe jam shumë e lumtur për këte.  Ndihem e dashuruar, por admiroj dhe faktin, që ndaj të njëjtin pasion me shokun e jetës. Është me të vërtetë diçka e veçantë përjetimi i shkrirjes së artit dhe në jetën private, pasi e bën atë më emocionale dhe më të larmishme. Mbase kemi të bëjmë me rastin e "të qënit artiste në çdo çast të jetës".

Valixhja, është gjithashtu pjesë e jetës suaj, e së përditshmes. Çfarë nuk mungon në bagazhin e Ermonelës?

Asnjëherë nuk i kam ndarë fotot e familjes sime (mamit dhe babit kur kanë qenë të rinj) , si dhe atë shokut tim të jetës.Gjithashtu kohëve të fundit, kësaj pakete të domosdoshme për mua, i është shtuar dhe një kapëse e thjeshtë flokësh e sime mëje, që fatkeqësisht nuk jeton më, që nga gushti i vitit të kaluar. Është një simbol fare i thjeshtë, që ma sjell pranë kudo që ndodhem, me thjeshtësinë e flokëve të saj duke më dhënë forcë. ...ndërsa unë vazhdoj të këndoj dhe për të, sepse e di sa krenare do ndihej ajo, nëse do të ishte në sallë mes publikut, ashtu siç do ndihej krenare, çdo nënë shqiptare për vajzen e saj.

Përmendni një çast të lumtur, përveç duartrokitjeve, apo suksesit në sallë...

Mbase janë disa detaje shumë të vogla, por shumë domethënëse që mua më falin
çaste të lumtura.
Mund të përmend gëzimin që ndjeva, kur nipit tim Mateos i doli dhëmbi i parë, apo kur shoh mbesën Paola të luajë në piano etj.

Cilën fjalë përdorni më shumë?

"Faleminderit", në disa gjuhë të botës.

Meqë ra fjala tek gjuhët e huaja, sa të tilla zotëron Ermonela?

Anglisht, italisht, frengjisht (pak spanjisht) dhe po merrem momentalisht me  gjermanishten.

Cila është motoja juaj...

"Nesër është një ditë e re..." .Më tërheq e reja, ndaj urrej monotoninë. Artisti ka përgjegjësi jo vetëm për veten e tij, por edhe për publikun. Dua t´i fal publikut një emocion të ri, jo atë të një dite të kaluar.Kështu ndihem e qetë, por edhe publiku besoj, i kënaqur.

Një mesazh, që do t´i drejtonit lexuesve shqiptarë...

Qëndroni artistë në shpirt. Nuk është e thënë patjetër të ngjtesh në skenë, për t´a arritur diçka të tillë.
Ndonjëherë detaje fare të thjeshta, pasqyrojnë një shpirt të bukur njerëzor.
Gjithashtu i them: Ju dua shumë, jeni vërtetë fantastikë!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora