E premte, 29.03.2024, 12:01 PM (GMT)

Mendime

Skënder Minxhozi: Një fqinj i kompleksuar

E enjte, 10.01.2008, 05:33 PM


Një fqinj i kompleksuar   
 
Nga Skënder Minxhozi

Nga Brukseli lajme të mira, nga Shkupi të këqija. Ky është paradoksi më i fundit në dosjen e lëvizjes së lirë – më mirë, të lëvizjes së pamundur, për tre milionë banorë të Shqipërisë. Ndërkohë që Bashkimi Evropian do të fusë në mesin e këtij muaji një regjim më liberal vizash Shengen për shtetasit shqiptarë, qeveria maqedonase sapo ka vendosur të habisë të madh e të vogël, duke njoftuar anulimin e procedurës së marrjes ...së vizës maqedonase në kufi. Tashmë për të vizituar Shkupin, Tetovën apo Gostivarin, do të duhet të ndjekësh një rrugë të ngjashme me atë që përdoret për të vizituar Parisin apo Londrën.Ky absurd i vogël ka pas vetes, mesa duket disa shkaqe jo edhe kaq të vogla dhe jo domosdoshmërish të lidhura me zhvillime konkrete në kufijtë tanë shtetërorë. Së pari, Maqedonia po kërkon mesa duket të japë një sinjal, se shpallja e pavarësisë së Kosovës, nuk do të përbëjë kalimin e pragut historik për krijimin e asaj që edhe Shkupi e sheh në subkoshiencën e vet si “Shqipëria e Madhe”. Kjo fantazmë mjaft në modë në këto momente në një hapësirë gjeografike që fillon në Beograd dhe mbaron në stepat e ftohtë ruse, përbën një refleks historik edhe të një pjese të mikro-shteteve të reja që lindën nga shpërbërja e Jugosllavisë, përkatësisht Maqedonisë dhe Malit të Zi, të cilat tradicionalisht i ka trembur procesi i unifikimit të faktorit të shpërndarë shqiptar. Shpallja e vështirësimit të hyrjes në Maqedoni për shqiptarët, në momentin kur Prishtina bëhet gati të shpallë njëanshmërisht shtetin e saj të pavarur, përbën një zgjim të vogël të këtij refleksi në mendjen e ngushtë të politikës maqedonase të etnisë sllave. “Shqiptarët po forcohen, edhe ne po i mbyllim kufijtë”, duket sikur thotë ky gjest i pamotivuar i palës maqedonase.
Nga ana tjetër, kjo masë absurde, nëse merret parasysh fakti se mes dy shteteve ekziston edhe një lëvizje e lirë ndërkufitare për dhjetëra mijë banorë të dy anëve të kufirit, shënon edhe një gjest megalomanie të Shkupit, në drejtim të adoptimit të politikës që do të dëshironte t’i ngjante një vendi “kandidat” për në BE. Procedura të tilla shtrënguese kanë qenë tipike për disa prej vendeve lindore në prag të anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian. Porse në këto raste afrimi i tyre ka qenë real dhe vështirësimi i procedurave konsullore i përkonte kërkesave konkrete që përmbante manuali i Brukselit. Maqedonia do ta ketë të vështirë të fitojë këtë status në një të ardhme të afërt. Ajo është më e avancuar se Shqipëria në procesin e afrimit në BE, por kjo nuk i jep asaj të drejtë të sillet si Bullgaria apo Rumania, në prag të anëtarësimit të tyre në BE. Shkupi nuk ka pse të rregullojë imazhin e tij në sytë e evropianëve, duke mbyllur një kufi, i cili deri më sot nuk ka përbërë asnjë problem për të. Në asnjë drejtim. Përkundrazi.
Kjo është, në fakt, një histori ballkanike bërrylash, asgjë më tepër, nga e cila megjithatë mund të dalë humbëse jo pala që i merr, por ajo që i jep goditjet. Dhe përseja është shumë e thjeshtë. Prej vitesh Shqipëria është njëri ndër klientët e rëndësishëm të turizmit maqedonas, duke kontribuar jo pak në bilancet turistike të Ohrit, Mavrovos apo lokaliteteve të tjera të njohura të këtij vendi. Heqja e procedurës së vizës kufitare rrezikon të dekurajojë jo pak shqiptarë që kanë vendosur t’i kalojnë pushimet e ardhshme në shtetin fqinj. Ç’ka do të përbënte një humbje në valutë, e cila mbetet për t’u kalkuluar.
Kjo do të ishte në fakt vetëm pjesa “financiare” e problemit, pasi ka edhe një pjesë edhe më të rëndësishme politike. Le ta themi hapur, pasi edhe prognoza sugjeron që të flitet hapur – Maqedonia e ka dhe do ta ketë gjithnjë e më të vështirë të ndjekë një politikë provokimi dhe kufizimesh ndaj dy shteteve shqiptare dhe një faktori shqiptar tejet dinamik dhe me peshë brenda territorit të saj. Përballë këtij problemi që sa vjen e bëhet më i koklavitur për Shkupin, në funksion të një politike të tillë jorealiste, Maqedonia do të duhej t’i jepte jetë atij ndryshimi historik në qëndrimin ndaj shqiptarëve, i cili, megjithëse u shkrua e zeza në të bardhë në Marrëveshjen e Ohrit, nuk u zbatua kurrë në tërësi dhe pa hile nga shteti maqedonas.
Tirana zyrtare edhe kësaj radhe ka vendosur të mbyllë njërin (apo që të dy) sy(të) përballë këtij gjesti konsullor absurd. Qeveria jonë, ashtu si raste të shumtë me fqinj të tjerë (Greqinë, për shembull), ka vendosur të bëjë nxënësin shembullor të SHBA dhe BE në Ballkan, duke mos reaguar, por duke pësuar në kurriz të shtetasve të vet. Problemi nuk është edhe aq te kostot e këtij qëndrimi për interesat e vendit, sesa te keqpërdorimi i kësaj heshtjeje nga ana e fqinjëve tanë hileqarë. Ky është elementi më i sikletshëm edhe i këtij episodi të vogël të pakëndshëm, ku na ka futur fqinji ynë i vogël ende pa emër.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora