E premte, 29.03.2024, 05:37 AM (GMT)

Editorial

Mërgim Korça: Shqiptarja gjigante e kohëve tona

E enjte, 10.01.2008, 03:21 PM


Shqiptarja gjigante e kohëve tona

Shkruar nga: Mërgim Korça
                                                                                          

Nene Tereza
Kudo që të shkosh nëpër botë, e ngado që të kthesh sytë, nëpër shtete e kombe të vegjël a të mëdhenj qofshin, nga secili komb do të dëgjosh  të flitet  me krenari për bashkë-kombësit e tyre “ të lavdishëm “.  E kjo ndjenjë krenarie të ligjëshme, e trashëguar  brez  pas  brezi, flet  shpesh  për “ heronj ” gjurmët e të cilëve humbasin larg në mjegullën e shekujve.   E megjithatë njerëzit mburren me ta edhe sot, me që ndoshta nuk kanë heronj më të rinj me të cilët të mburren. 
Me ne shqiptarët, për fat të mirë, ngjet disi ndryshe sepse kemi ç’të themi edhe për të tashmen.   I dhamë lashtësisë  dijetarë e gjithashtu heronj, s’munguan statistët as edhe artistët.   Por ajo që na shquan si për të mirë e fatkeqësisht edhe për të keq, është personaliteti nga më të mëdhenjtë e shekullit tonë, Nënë Tereza.  Se përse na shquan për të mirë, do ta trajtoj në vazhdim duke u munduar të mos bije në përsëritje të mërzitëshme për lexuesin.  Për keq na shquan se sa kohë ishte gjallë, gjatë periudhës regjimit komunist, atdheu i Saj u mundua t’ia fshehë prejardhjen .  Edhe kur më në fund u lejua të vinte për herë të parë në Shqipëri më 1989, të thotë një lutje dhe të derdhë dy pika loti mbi varret  e  nënës  dhe  motrës  Saj, në  varrezat  e Tiranës, u mbajt në “karantinë “ si fetare e përkushtuar që ishte e që s’kishte asgjë të përbashkët me atdheun e Saj ateist !   
Ti referohemi tani faktit se përse ne shqiptarëve na shquan për mirë të qënët bashkëkombës me Nënë Terezën.
Agnes Gonxhe Bojaxhiu, alias Nënë Tereza, pati një mision shumë të vështirë gjatë jetës Saj.    Madje, po të hedhim një shikim mbrapavështrues,  na duket akoma më e pabesueshme se si Ajo ia doli në  krye  me  sukses  detyrës  së  Saj.
E solli Zoti mbi tokë si një “ gonxhe “ të brishtë në dhjetëvjeçarin e parë të këtij shekulli të fundit të mijëvjeçarit të dytë.   Në hapat e para të jetës Saj sytë i panë zjarr, shkatërrime dhe vrasje masive.   Veshët  i dëgjuan kudo rënkime.   U ndërgjegjësua atëbotë dhe e kuptoi se kishte një mision madhor të cilit i duhej përkushtuar me gjithë shpirt. Veshja murgeshë në moshën 18 vjeçare si edhe peripecitë e jetës në spitalin e Bengalit e shoqërojnë murgeshën tonë të re në prag të luftës së dytë botërore.  Prap dhunë, mizori dhe hekatombe, i panë sytë dhe i dëgjuan veshët murgeshës fizikisht të vogël që sa vinte rritej, piqej e forcohej!  Shërbimi si misionare në Calcutta e ballafaqon me kategorinë më të përçmuar të shoqërisë indiane : njerëzit e braktisur të “plehrave”.  Aty e gjen edhe mbarimi i luftës së dytë botërore. Po aty edhe sëmuret e kur del nga sëmundja, konvaleshente,  bën të ditur vizionin që i ishte paraqitur ku “ Zoti e thërriste ti shërbente Atij midis më të varfërve të të varfërve “. Dhe që nga ai çast ashtu u bë ! Ajo “ Gonxhe “ e brishtë kishte marrë Urdhërin Madhor dhe kishte filluar të hapej si një “ luledielli “e cila, me ngrohtësinë si edhe ndriçimin e saj, të varfërve të të varfërve do tu jepte mbështetje shpirtrore.   Kur  e  pyesnin “ … si  do  t’ia  dalësh  në  krye detyrës vështirë  që po i ve vetes ?”, Ajo përgjigjej : “ Rrugët e Të Madhit Zot janë sa të misterëshme po edhe aq të pafundme.“ 
Në vitin 1950 Nënë Tereza themeloi Urdhërin e Misionareve të Mëshirës. Vitet kalonin dhe Ajo lartësohej,  e sa më shumë e çmonte bota aq më fort atdheu i Saj  nuk e përfillte.  Ç’ishte viti 1979 kur Nënë Terezës i u dha çmimi Nobel për paqën, përpara vitit 1967 që ishte “ viti lapidar kur Shqipëria u vetëshpall shteti i parë ateist në botë (?)”   E megjithatë, Nëna sa vinte lartësohej.    Me personalitetin e saj, kjo shqiptare e brishtë, arriti më 1982-in ti bindëte si palestinezët e gjithashtu izraelitët ti ndërprisnin luftimet në Bejrutin e rrethuar që ajo të nxirrte nga njeri prej spitaleve dhjetra fëmijë me mangësi mendore dhe ti merrte me vete që së bashku me motrat e Saj tu përkushtohej.    Por Ajo nuk ndalet këtu, ose e thënë më mirë, respekti për Të nuk njeh kufij.    Presidentët më të shquar të botës si J.F.Kennedy, Ch. DeGaulle, etj. bëjnë garë se cili ta vlerësonte më lart Nënë Terezën. Presidenti Regan më 1985-ën i akordon Dekoratën Amerikane të Lirisë.   Por krahas vlerësimeve edhe një garë tjetër vazhdon, ajo midis Nënë Terezës, nga njera anë, si edhe atdheut të saj, nga ana tjetër.    Së bashku e filluan udhën e vështirë mbi gërmadhat e luftës.   Nga njera anë “ Gonxhja “ e brishtë por me frymëzimin e Saj Qiellor, inauguron të parën shtëpi të “Zemrës Pastër“ ku strehon dhe i mbush me shpresë në Zotin të pastrehët  që vetëm një hap i ndante nga  … vdekja  tokësore, kurse nga  ana  tjetër  atdheu  i  Saj  fillonte    “ndërtimin e shtetit të diktaturës proletare, që drejtuesit e tij e quanin si forma më demokratike e qeverisjes që do ta transformonte vëndin në shëmbull begatie dhe mirëqenjeje për të gjithë botën “(?).   Rrugët e zgjedhura ishin të ndryshëme po aq sa të ndryshëme ishin edhe forcat që ballafaqoheshin,  një shtet me një murgeshë !    Rruga e zgjedhur nga shteti proletar ishte një parabolë që në gjysmën e përshkimit pati edhe pikën e infleksjonit që i paraprin rënjes, atëhere kur u vetëshpall shteti i parë ateist në  botë.   Pikërisht ky qe edhe fillimi “ i fundit “ të këtij eksperimenti në shkallë kombëtare.    Kurse  rruga e zgjedhur nga  Nënë  Tereza, ajo  rrugë  që  dukej më absurdja, e udhëhoqi atë    “ Gonxhe “ të brishtë të çelej si luledielli që sa vinte e më shumë rrezatonte dashuri kristiane në botë  dhe e udhëhoqi mbi një krah hiperbole që sa më lart e ngrinte … aq më shumë i tregonte botës se edhe në  shekullin e fundit të mijëvjeçarit të dytë ku njeriu rron në mes paradokseve, ( nga njera anë mundohet të shkojë në Mars e nga ana tjetër ka mizerie marramendëse ), dashuria ndaj njeriut të panjohur, pa marrë parasysh përkatësinë  as kombëtare dhe as fetare, vetëm ajo del fituese në këtë garë që duket sikur ësht’e pabarabartë dhe sikur fitues do të dalë vetëm i forti.   Ky është mësimi i madh që na jep Shqiptarja e Calcuttës së cilës Presidenti Clinton i dha Qytetarinë e Nderit Amerikane duke e cilësuar :

Gjiganten e kohëve tona “. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora