E enjte, 25.04.2024, 05:54 AM (GMT+1)

Editorial

Ekskluzive: Agim Gashi - Me grykë pushke këndon Kosova

E enjte, 10.01.2008, 12:35 AM


Ballina e albumit
Të nderuar  miq,
www.zemrashqiptare.net, në ditët në vazhdim do të publikojë albumet e rapsodit të popullit Agim Gashi, njeriut qe thuri mijëra vargje dhe i këndoi me zemër për figurat më të shquara shqiptare. Në vargjet dhe këngët e tij lexon, dëgjon e ndjen dashurinë dhe dhimbjen për kombin shqiptar. Mirënjohje zemre për ata që dhanë atë më të shtrenjtën, jetën, për lirinë e Kosovës, për lirinë e shqiptarit.

Agim Gashi na shoqëri me këngën e tij në ditët më të vështira dhe stafi i Zemra Shqiptare ndjehet i nderuar me praninë e tij ketu.

Për vizitorët tanë të nderuar, e hapim këtë ‘’cikël’’ me albumin ‘’Me grykë pushke këndon Kosova“. Albumi është realizuar në vitin 1998 dhe i dedikohet kryesisht luftës së Kosovës, heroizmit të kryeheroit, burrit të madh shqiptar, Adem Jashirit, UÇK-së, flakës së Dukagjinit, për bujarinë tropojane dhe për gjithë atdhetarët shqiptarë që e bënë Shqipërinë Shqipëri.

Përvec teksteve, me kalimin e kohës do mundësojmë për ju edhe kenget e këtij albumi, në menyrë që të njiheni më shumë me shpirtin krijues të rapsodit të popullit, Agim Gashi.

ME GRYKË PUSHKE KËNDON KOSOVA

Korba t`zi po bijnë prej qiellit
E kanë zanë rrezen e diellit,
Korba t`zi tash njiqind vjet
Mësy Kosovën për me djegë.

Po vjen rrfija prej Serbisë
Me ia pre rritën fëmisë,
Me ia k`put gjinin e nanës
N`hije t`natës për dritë t`hanës.

Për me shky fusha t`bleru`me
Për me tha gurra t`lumnu`me
Për me djeg lisa,shtëpia
Vijnë bajlozat nga Serbia.

II

Ooo-hooo-hej-heeeej!
Qyqavicës o n`ato male,
Zbret ushtria çlirimtare
Zbret ushtria e fortë si guri,
Djem Kosove zemër burri.

A e dini ju bij t`krajlicës
Se kjo ashtë tokë e Drenicës,
Midis jetës e midis vdekjes
K`tu flet vorri i Azem Bejtës.

E-hej,
N`Drenicë trima lind prapë Shqipnia
Kamer Losha, Ahmet Delia
Lindin trimat te grykë e pushkës
Që m`i ngjajnë Shaban Polluzhës.

Lind shqiponja me krah prej zajrri
Me dy djem Shaban Jashari,
Me dy djem mbesa e nipa
Që m`i dalin hasmit në gryka.

Çohen trimat e Prekazit
Me ja u rujt shtëpive pragun,
Kosov´s f´tyrën me ja zbardh
Edhe botë me i qu´ fjalë.

Për liri e për atdhe
Gjakun trimat derdhin rrke,
Po n`këtë luftë kush asht ma i pari
Kryetrimi Adem Jashari.

III.

Faqja e brendëshme e albumit
Se kush ashtë o ai zog shqiptari
Trim mbi trimat Adem Jashari
Kush u ngjit o n`majë t`Qyqavicës
Adem Jashari djalë i Drenicës.

Kush po i shkel o malet e borës
Adem Jashari burrë i Kosovës
Kush ja  shtiu o tmerrin Shkinisë
Adem Jashari trim i Shqipnisë.


N`hije t`lisit te Kroni i Akullit
Hije i paska o pushka krahut
Hije i paska plisi mbi sy
Tuj ba luftë o për Shqipni.

Kush po i bien o në mal lahutës
Adem burri me krisma t`pushkës,
Kush ja u qarti bjalozav` ballin
Adem trimi me Hamzë Jasharin.

Oo-hoo-u
Lum Kosova e lum Shqipnia
Me ksi djem o me shumë bija,
Që kur thrret o zani Atdheut
Marrin forcën e Skënderbeut.

IV.

E-heeej,
Ç`po trazohet keq Beligradi
Ma ka shkelë fytin Prekazi,
Njiqind vjet o dridhet krajlica
S`po ma nal pushkën Drenica.

As Drenica as Karadaku
Asht çudi s`ju dhimset gjaku,
Njiqind vjet mbi djep fëmije
Rrinë tuj knue kangë trimnie.

Klysht e krajlit janë nërsye
Drejt Drenicës ia kanë mësye,
Po i bijnë me ag të ditës
Me ngulfatë zanin e shqipes.

V.

Oi-Oii-Iiiii,
Ç`na u kall pragu i derës
Mu kur çel sy i pranverës,
T`mos lulëzojë lule tërfili
T`mos këndojë në degë bylbyli.
Me u djeg bjeshka e vrrija
N^bark të nanës me vdekë fmija.
Bjen kulçedra e djeg rrufeja
Tuj vra djem e vasha t`reja.
Nga Karpatet këtu ke mbrii
N`tokë shqiptari për me hy,
Me ja nal lulzimin fushës
E kullosën delë kallushës,
Me ja shkull rranjët e strallit,
Me ja ndal gufimin malit,
Me ia prish emnin Perëndisë
Edhe pamjen nanë Arbnisë.
Me na ba popull të mjerë
Me na zhdukë besë e nderë
Me i ndrru dhe stinët e motit
Me zjarr topash flakë t`barotit.
Me prish grunuin me prish arën
Me na e shkel dhe abetaren,
Me i shkel shkronjat e dijes
Edhe gazin n`buzë t`fëmijës.
Rrezet diellitr tuj ja zanë
E me lanë natën pa hanë,
Për me ça kupën e qiellit
Me e shpu zemrën e dheut,
Tuj ja shtu dhimbjet Arbnisë
Me vaj t`nanave n`sy t`fëmisë.

VI.

Po ngadalë more derrzi
S`asht kollaj me na hy n`shpi,
S`asht kollaj me shkel këtë tokë
Qe tash prit flakë e barot.
Se Kosova ka djem për pushkë
Që t`i ngul plumbat në gushë.
Pushkët tona janë t`hjekne keq
Janë untue me shpraz fyshekë,
S`derdhim lot po derdhim gjak
Jemi gati t`marrim hak,
Për martirët e lirisë
Që i vrave n`derë t`shtëpisë.
Për ato nana q`u veshën n`zi
E për nuset kthye n`gjini,
ku shkel shka ti flliqet bari
S`ta harron jo kosovari.
S`ta harrojmë jo as Tivarin
As Drenicën e as Sharrin,
S`ta harrojmë kurrë èrapashticën
As Lebanën jo as Toplicën.

VII.

More shka more kaurr
N`Kosovë çel lulja bozhur,
Këtu kem bi e këtu jemi
T`kuqe lulet simbol i kemi.
Se s`ka mal as fushë as arë
Që s`ke vra n`prita shqiptarë,
Na ke shtu derte e halle
Ara kopshte mbjell me varre,
Edhe tash sikur çdo herë
Na sulmove në pranverë,
Porse dije ore barbar
Se  kur veshet fusha me bar,
Se  këtu kur dushkon mali
S`din të ndalet n^luftë shqiptari.
UÇK-ja ka dalë n`dritë
Tuj u shtu e tuj u rrit,
UÇK mori kreshnike
Na i ban bashkë trojet etnike,
Do t`na bash bashkë Arbëninë
Do ta sjellësh n`tokë lirinë,
Që me shekuj ky troll ka prit
Për me pa të bardhën dritë.
                          
VIII.

Se nga vorr i Skënderbeut
Amanetet po na vijnë,
Çonju djem e rrokni armët
Arbënia lshon kushtrim.

Çonju djem e vasha t`reja
Se pranvera na ka mbrri,
Si kem ra n`luftë si përhera
Bini sot ju për liri.

Mos t`ju dhimbset gjak as jeta
Sulnju hasmit n`istikam,
Kur të soset djalë baruti
Gjuju n`shpinë haje me dhamb.

Se ma t`flliqun e barbar
S`ka se shkau nga Karpati,
Ku të shkel kamba e tij
Digjet jeta e prishet fati.

I përngjan ai çdo lugati
Gjak njeriu veç din me pi,
Sa shumë kobe e fatkeqsina
I ka sjell në Dardani

Qysh se moti edhe tash
Tuj na e narrë çdo gja ngapak
Tuj na lanë gjerdekt´pa dhandërr
Tuj naj ba dasmat me gjak.

Vaji i f´misë  në kupë të qiellit
As n´bark t´nanës s´gjen qetësi,
Po edhe varret e martirëve
Janë ngrit n´kambë kërkojnë liri.

Liri-liri, thërret shqiptari
Dhe fitoren pranë e kemi-
Të betuar për flamur
Për armikun zjarr do t´jemi.

IX.

Bukuritë që ka Kosova
Nuk i gjen në vise tjera,
T`pushon syni t`rritet jeta
Kur i çel lulet pranvera.

Mbushen degët plot qershia
Fushat arat me blegtorë,
rrjedhin gurrat këndojnë bylbylat
Sharr i bukur plot me borë.

Fshatrat tona si yj t`qiellit
E konaqet plot mirësi,
Të pret plaku pranë oxhakut
Me bukë,zemër e bujari.

Vashat tona si sorkadhe
E djelmoshat si t`bimë prej dheu,
Plot guxim e urti burri
Janë stërnipa Skënderbeu.

Me dhanë besën veç shqiptarqe
Trashëgim na e la i pari,
Tuj ra n`luftë si me le
Vdekje t`ambël ban shqiptari.

E dom jetën e dom lirinë
Porsi zogu që e do qiellin,
I dom trojet fushat arata,
Sikur bima që k/rkon diellin.

E dom malin bjeshkt e nalta
Sikur nana që don fëminë
I dom bletët zogjtë e qiellit
Si i don motra vllazninë.

Por këtë gaz e gjallni jete
Qe sa mote je tuj e nxi,
Se kur çeli synin pranvera
U çu shqiptari për liri.

Shtrihen duert sa mirë bashkohen
Sulen trimat e lirisë,
Për grykë t`pushkës flet Drenica
Tue vdekë për tokë t`Arbnisë.

Me trimni e shpirt bujare
Si e kem traditë që moti
Tuj i ba luftat burrnisht
Si dikur Gjergj Kastrioti.

X.

Mos u tremb botë mos u tut
Se n`Kosovë po bahet luftë,
E ban luftën shqiptaria
Shumë e shtrenjtë na asht liria.

E Drenica mbjell me vorre
Dukagjinit po i çon fjalë,
Qëndro vëlla si ke qëndrue
Nëpër shekuj flakë e gjallë.

Krisma shpejt n`Drenicë mbërrini
Jo s`përkulet Dukagjini,
I kem thanë shkaut të zi
Kallim veten e t`farojmë ty.

Nuk i lshojmë troje e prag
Pa u mbush Drini me gjak,
Pa u ba krej Sharri hi
Kurrë Kosova s`bahet Serbi.

XI.

Dorë e zezë plagon Arbninë
Karavanet sapo mbrrinë,
Me t`plagosun gra e fmi
E kanë msy nanën Shqipni.

Dalin shqipet n`kufi t`Atdheut
Që asht ba midis Shqipnisë,
Presin zemrat e plagosuna
N`sofra t`shtrueme t`bujarisë.

Eni vllazën eni motra
Se nuk jeni ju të huej,
Bukë e kryp e zemër t`bardhë
Qet Tropoja n`sofrën tuej.

Ah, Tropojë, Tropojë e vjetër
Prite, prite gjakun tim
Ç´po më pret me atë fllad bjeshke
M´i merr plagët n´ledhatim.

Vij pushoj në prehnin tand
Pak cigares ja dredh tymin,
I ngjesh armët marshoj malit
Krah i bahem Dukagjinit.

Me atë frymë të Mic Sokolit
Me atë za të Smajl Hysenit,
Më jep gjak me ujë t´Valbonës
Më jep forcë me gur t´Shkëlzenit.

Se kjo luftë që po djeg tokën
Ku bie gjaku për liri,
Asht nji luftë e shenjtë kombtare
Për me ba shqipninë - SHQIPNI.

Se nga Toplica e n`Çamëri
Asht nji popull gjithmonë nji,
E kah flitet gjuha shqipe
Asht nji tokë i thonë Arbni.
                            19
Çonju vasha e djelmosha
Me i rrokë armët shqiptare
Me ju dal zot këtyne trojeve
Prin ushtria çlirimtare.

Ka ardhë koha me u bashkue
Me gjithë hovin e djelmnisë,
Me e ba këtë luftë të shenjtë
Me ja shpëtu trungun Arbënisë.

Me u lidh me u besatue
Si në Lezhë njaj Kastrioti,
Kur t`na shoh dhe zot i madh
Sjell buzëqeshje ndrrohet moti.

Rrjedhin Drina Bardh e i Zi
Lulëbozhuret çelin prore,
Bahet bashkë nana Shqipni,
Hidhet n`valle toka arbnore

XII.

Ka njimijë e disa vjet
Janë mundu´që t´na dëbojnë,
Porse rranjët këtu i kishim
T´l´shume thellë në tokën tonë.

Na dëbu´n n´shtete anmike
Në Rusi e Anadoll,
Porse shkjau nga Karpati
Nuk e di se kur asht boll.

Shumë herë djegë e kanë këtë tokë
Siç po djegin sot shpi e prag,
N´hi e zjarr prapë mbinin lulet
Se ujiteshin me gjak.

Prapë shtëpitë tona ndëtonim
Mbillnim pemë e mbillnim ara,
Mbi çati dridhej flamuri
Mbinte prapë e shqipes fara.

Do t´vijë prapë pranverë shqiptare
Porse duhet t´jem´unik,
Tuj i lanë hasmitë ndërvete
Bahmi t´fortë porsi çelik.

Sot kur thërret za i shqiptarit
Kush i l´shon k´to rrugë t´lirisë,
Ka me namë nana shqiptare
Që n´Altar ra  vetë e dytë.

Jemi shkep në t`katër anët
Ja kem kthy o shpinën nanës,
S`po cicrrojmë si dallëndyshet
N`çerdhe tonat vajtojnë qyqet.

Jo nuk kemi tjetër atdhe
Veç Kosovën ku kem le,
Kthehuni burra për liri
Në njat copë Dardani.

Kthehuni burra ju thrret Shqipnia
Ju thrret Tetova,Ju thrret Gucia
Ju thrret Presheva e Toplica
Dukagjini edhe Drenica.
                           
Kthehuni burra për atdhe
N`ato troje ku kem le,
Kthehuni burra me gjithë fmi
Mos m`u mbush me shapkali.

S`kemi kohë jo të mbarohemi
Ka ardhë koha të vetëmbrohemi,
T`kapim pushkët për atdhe
Se s`ka kush me i kap për ne.

XIII.

Thërret Kosova moj nanë Shqipni
A ma ndin moj zanin ti?
Tue t`thirrë nanë kam mbetë mjetun
Me za t`dhembshëm me za t`çjerrun.

Qyshse kur prej teje m`ndanë
Vajin kurrë nuk e kam nalë,
Tuj të thirrë Oj nanë Shqipni
Sa shumë gjak kam derdh për ty.

Ah moj nanë nana Shqipni
Shumë herë n`zjarr kam ra për ty,
Pa dëshirë na kanë coptue
Por unë ty nuk t`kam harrue.

Ah moj nanë nana Shqipni
Sa shumë plagë kam marrë për ty,
Po më dhemin kam mbet mekun
Asi gjallë asi i vdekun.

Ah moj nanë lule dukate
A e sheh si jam bonjake,
Përmbi kam shtrigën Serbi
Don me m`ba shkrum e hi.

Ma ka kallë zemrën e shkretë
Shumë e djem syrgjyn  kanë tretë.
Tjetërkush na hini n`shpi
Lujnë me gra e lujnë me fmi.

N`vaj e kuje gati jam tretë
Loti lotin s`po ma pret,
Merre nanë nji faculetë
Edhe fshimi kta lot të shkretë.
                           
A mban mend kir ne bashkë ishim
Krenarinë në qiell e kishim,
Me vasha t`bukura e djem të rrallë
Ndalnim krajla e pashallarë.

Sot qan Sharri e qan Tomorri
Kjo e keqe si na ndodhi,
Qajnë dy Drinat i bardhë e i zi,
Si rrinë ndamas nanë e bijë.

Ngrite ballin oj nanë Shqipni
A po e sheh se kam ra n`zi,
Ngrite kokën nanë njiherë
Edhe çilma mu nji derë.

 25.O7.l998


Në vazhdim po sjellim edhe një shkrim të Agim Gashit të shkruar në tetëvjetorin e rënjës së Jasharajve

Ata janë gjallë

Nga Agim Gashi

Agim Gashi
U bënë tetë vjet nga rënja heroike e Komandantit Legjendar Adem Jasharit. Simbolika e tij sot zë një vend me rëndësi në prizmin e institucioneve shtetërore, bile edhe pse mos të themi se zë njërin ndër vedet më të rëndësishme e më të mëdha në historinë tonë kombëtare. Kosova sot është krenare me heroizmin e madh të familjes së Kryekomandantit Legjendar Adem Jasharit. Sepse, ata u bënë kurban të çështjes madhore kombëtare,qëndruan si burrat jo vetëm ata, por edhe fëmijët e gratë e fisit. Ademi, Hamza e Mixha Shaban me nipa e mbesa mbajtën frontin e luftës me Serbinë tri ditë e tri netë të gjata.
       Dihet mirëfilli se familja Jashari nga Prekazi ka hyrë në analet e historisë sonë kombtare.Jasharajt jane krenaria e jone kombëtare.Por është krenari kombëtare kur përmendet emri i familjes së Komandantit Legjendar Adem Jasharit.Gjaku i derdhur i familjes Jasharaj, si dhe i gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, nuk do të harrohet kurrë.
     Breza të tërë që vijnë pas nesh do të kenë mundësi të mësojnë për heroizmin  e thellë dhe luftën heroikeqë bënë Jasharajt për çlirimin definitiv të Kosovës. Sot,të gjithë ata që ranë në alltarin e lirisë kanë hyrë në historinë tonë kombëtare. Jasharajt janë ata që shkrepën pushkën e parë për lirinë e Kosovës. Andaj Jasharajt janë krenaria e shtetit të Kosovës, dhe si të tillë, ata u takojnë të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë ata, pa marre parasysh se cilit subjekt politik i takojnë, e që për synim kanë pavarsinë e Kosovës.Prandaj, sot në pesëvjetorin e rënnies së Komandantit legjendar Adem Jashari, kryevepra dhe idealet e Komandantit Legjendar Adem  Jasharit ka hyrë në faqet më të ndritshme të historisë sonë më të re. Populli shqiptar i Kosovës e ka obligim të të bëjë çdo gjë për familjen Jasharaj, sepse Jasharajt me veprën e tyre shkuan në pavdekësi. Jasharajt luftuan me plot zemër për çlirimin e Kosovës nga thundrra serbe.Emri i tyre sot dëgjohet kudo. Jasharajt nuk jane vetëm, ata sot pranë i kane të gjithë shqiptarët kudo që gjenden, andaj edhe neve këtu. Jasharaj jane krenaria e kombit tonë.
         Lufta heroike e Jasharajve tetë vjet më parë bëri kthesa të mëdha në historinë e shqiptarëve të Kosovës. U flijuan 22 antarë të familjes për Kosovën e lirë dhe të pavaruar. Komandant Adem Jashari nuk ka vdekur, ai është gjallë. Eshtë gjallë, sepse i vuri themelet e para një Ushtrie Clirimtare të Kosovës, ndërsa UÇK-ja së bashku me Adem Jasharin dhe popullin shqiptar janë në të gjitha pjesët e Kosovës. Sot të gjithë shqiptarët e Kosovës përkulen para veprës së Komandantit Legjendar të UÇK-së Adem Jasharit. Qëllimi dhe ideali i vetëm i Komandanti Legjendar Adem Jasharit ishte Kosova e lirë, demokratike dhe e pa varur dhe që shqiptarët gjithmonë të jenë të bashkuar dhe të gjithë të flasin me një gjuhë të përbashket. (Këtë e ceku fare kjart edhe djali i Hamzë Jasharit ne manifestimin qendror ne sallen e studentëve.) Pra, për veprën dhe heroizmin e madh të familjes Jasharaj sot dinë të gjithë shqiptarët e Kosovës, kudo që jetojnë. Shqiptarët e Kosovës asnjëherë nuk i lënë vetëm Jasharajt. Në familjen Jasharaj, por edhe në të gjitha familjet shqiptare, dhashtë zoti e të lindin fëmijë si Ademi e Hamza, si xha Shabani e shumë e shumë trima e trimëresha të Kosovës, që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
          Tetë vjet më parë, nga forca të egra, ishte sulmuar atëbotë për të satën herë shtëpia e Komandantit tonë Legjendar Adem Jasharit. Atëbotë Shaban Jashari, Adem Jashari, Hamëz Jashari i treguan okupatorit serb se shqiptarët e Kosovës do ta mbrojnë pragun e shtëpisë së tyre deri në fund.  
         Dhe ja tash, tetë vjet më pas, e tërë Kosova e kujton këtë ditë të lavdishme të epopese së UÇK-së, pasi që Jasharajt qendronin në krye të saj. Jasharajt ishin unikë dhe të vendosur se shpejtë do të vijë dita e çlirimit definitiv të Kosovës. Dhe, ajo  sot është e lirë. Sot, familja Jashari nuk i ka 22 antarët e saj të familjes që ranë për lirinë e Kosovës, por ka atdhedashurinë dhe krenarinë e saj kombëtare për Kosovën shtet të pavarur, sepse, ata dhane bijt e bijat e tyre më të mirë për këtë ditë e mbi të gjitha për Kosovën e pavarur.Jasharajt sot kanë vend nderi në historinë tonë kombëtare. Emri i tyre sot përmendet në tërë botën. Vepra dhe ideali i Jasharajve sot është udherrëfim për të gjithë ata që e duan Kosovën e lirë dhe të pavarur.
           Pikrisht tetë vjet më parë forcat e okuparorit serb të armatosura deri në dhëmbë e kishin rrethuar shtëpinë e Shaban Jasharit me te vetmin qëllim që ta shfarosnin familjen Jasharaj. Mirëpo djemt e Shabanit:Ademi e Hamza dhe antarët e familjes Jashari nuk e lëshuan dot vatrën e tyre shekullore. Eshtë Adem Jashari që me bijt e bijat më të mira të këtij populli formoi Ushtrine Clirimtare të Kosovës,forcë ushtarake kjo që ia ktheu pushkën okuparorit qindvjeqar serb.Familja Jashari sakrifikoi gjithçka për Kosovën e lirë dhe të pavarur. Kjo familje i dha 22 anëtarë për këtë tokë të shenjtë që tashmë është e lirë dhe mëton nga realizimi i plotë i pavarsisë së Kosovës. Sot familja Jashari është krenari e kombit shqiptar. Sot Jasharajt janë emër që dëgjohet e rrespektohet gjithëkund, aty ku flitet e punohet shqip. Prekazi legjendar dhe Kosova e lirë sot mburren me heroizmin e thellë që tregoi familja Jashari në luftën kundër okupatorit serb që gjithmonë ishte e sigurt se një ditë të afërme do të vijë liria e jonë e shumëpritur. Familja Jashari nuk është asnjëherë vetëm. Atë e vizitojnë sot shqiptarët anë e kënd botës. Jasharajt janë kapitull në vete në historinë tonë më të re. Jasharajt rrespsektohen kudo dhe rrespektohen kurdo. Ata janë prap aty, ne Prekaz. Aty ku filloi pushka e pare për lirinë e Kosovës. Aty ku Adem Jashari shkrepi plumbat e parë për pavarsine dhe lirinë e Kosovës.Sot në Prekazin legjendar, në Prekazin e mbuluar me kurora lulesh në dheun e lirë të Kosovës, Trupi i pa jetë i Komandantit Legjendar Adem Jasharit prehet i qetë së bashku me trupin e pajetë të babait të tij Shabanit, vëllait Hamzës, fëmijve të tij, të shoqës, të kusherinjëve, të mbesave e nipave. Mirpo Jasharajt nuk janë vetëm. Ata kanë për rreth të gjithë shqiptarët e Kosovës. Ata janë gjallë.

Përgaditi: Gëzim Marku



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora