E enjte, 25.04.2024, 10:51 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Njeriu i Ahmedinexhadit, sulm antisemit në mes të Tiranës

E shtune, 15.01.2011, 08:56 PM


Nga Erjon Ajazi

 

Kreu i kabinetit të Presidentit iranian, debat të ashpër me Sabri Godon

 

Këshilltari dhe shefi i kabinetit të Presidentit iranian, Ahmedinexhad, Esfandiar Rashim Mashaei, mbajti dje në Tiranë një fjalim antisemit dhe anti-Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku premtoi zhdukjen e Izraelit nga harta e botës, shprehu mendimet për armët bërthamore, komentoi të drejtat e grave në Iran dhe foli për holokaustin dhe homoseksualizmin. Forumi “AIIS Talking Iran”, i mbajtur paraditen e djeshme në Tiranë dhe i organizuar nga ambasada iraniane në Shqipëri, zgjati më shumë se dy orë dhe pati edhe shkëmbim debati të ashpër mes shefit të kabinetit të Ahmedinexhadit dhe politikanit Sabri Godo. Këshilltari dhe shefi i Presidentit të Iranit, do të zhvillojë takime në Shqipëri me krerë të institucioneve shqiptare, ku mes tyre është parashikuar një takim me Kryeministrin Sali Berisha.

 

Përplasja për Izraelin

 

Në gjuhën e Ahmedinexhadit, shefi i kabinetit të presidencës iraniane i mbërritur në Tiranë për t’u takuar me zyrtarët e lartë shqiptarë, thotë se “harta e botës do të jetë pa Izraelin”. Kjo deklaratë ka bërë që takimi i djeshëm, ku ishte i ftuar edhe politikani Sabri Godo, të marrë përmasa rëndimi. Plaku i urtë i politikës shqiptare, Sabri Godo, e ka konsideruar të patolerueshme deklaratën e zyrtarit të lartë nga Irani. “Nuk mund t’u mohojë çdokush izraelitëve të drejtën të kthehen në tokat e tyre. Askush nuk mund të marrë guximin të kërcënojë me zhdukjen e shtetit të Izraelit. Doemos edhe njerëzit fillojnë të mendojnë se bomba atomike mund të bjerë në dorën e gabuar”, tha Godo.

 

Debati për armët bërthamore

 

Por nuk ka qenë kjo pika e vetme e përplasjes mes zyrtarit të lartë të Iranit dhe politikanit e historianit Sabri Godo. Armët bërthamore kanë qenë një tjetër çështje e nxehtë që shkaktuan përplasje dhe implikuan edhe SHBA-në në forumin e organizuar në Tiranë. “Shqipëria nuk ka armë atomike dhe s’besoj se do të ketë ndonjëherë. Është jashtë çdo përfytyrimi. Kështu që jemi të mendimit që armët bërthamore duhet të shkatërrohen plotësisht”, tha Godo. Këshilltari dhe shefi i kabinetit të Presidentit Ahmedinexhad theksoi se “armët bërthamore nuk janë tregues fuqie dhe përdorimi i tyre janë tregues dobësie. Por SHBA-ja na ka ndaluar të mësohet në shkolla fizika bërthamore. Me ç’të drejta bëhet kjo?

 

Politika e Iranit

 

Sipas shefit të kabinetit të Ahmedinexhadit, tha se “synimet e politikës së jashtme të Iranit, janë dialogu në fusha të ndryshme në kuadrin ekonomik e kulturor dhe përmirësimi i strukturës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara”. Sipas tij, arsyeja pse ka mbërritur në Tiranë është se “Shqipëria dhe Irani kanë afërsi kulturore të njëjta. Mendimet tona për Zotin dhe botën janë të njëjta”. Ai shtoi se “jemi të gatshëm për të investuar në Shqipëri në naftë, energji, infrastrukturë, ndërtimin e digave dhe teknologjinë e re”.

 

Femrat në Iran

 

Duke komentuar të drejtat e gruas në Iran, Esfandiar Rahim Mashaei tha se “gruaja në fenë islamike dhe veçanërisht në atë shiite gëzon një pozitë shumë të nderuar. Nëse do shikoni të drejtat e grave dhe do i krahasoni ato me vendet myslimane, do të vini re se gruaja në Iran gëzon më shumë të drejta”.

 

Homoseksualizmi

 

Një tjetër çështje mbi të cilën Esfandiar Rahim Mashaei dha “leksionet” e tij dje në Tiranë, ishte edhe komenti që Ahmedinexhad ka bërë për homoseksualizmin. “Mediat shprehën diçka tjetër nga ajo që Ahmedinexhad donte të thoshte. Ai është shprehur se Irani ndryshon nga vendi juaj. Në Iran nuk ekziston prirja për homoseksualizëm, jo se nuk ka homoseksualë. Pra nuk ka martesa burrë-burrë dhe grua-grua. Shoqëria iraniane nuk e pranon martesën e homoseksualëve. Homoseksualizmi është një fenomen që nuk pranohet nga shoqëria e Iranit, sepse është një shoqëri fetare. Propaganda ka qenë e tillë që mediat nuk kanë dashur ta përcjellin siç duhet dhe saktësisht fjalën e Ahmedinexhadit”, tha shefi i kabinetit në presidencën iraniane.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora