E shtune, 20.04.2024, 11:20 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Kolonel Dilaver Goxhaj i ka bërë shërbimin më të madh Dick Marty-t

E shtune, 15.01.2011, 08:34 PM


Si kolonel Dilaver Goxhaj, ish-përfaqësuesi i Shqipërisë pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, i ka bërë shërbimin më të madh Dick Marty-t  

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Në kohën që ndaj UÇK është ngritur akuza për trafik organesh njerëzore, ish-përfaqësuesi i Shqipërisë pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK, kolonel Dilaver Goxhaj, i cili ka qenë edhe zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK, i ka bërë shërbimin më të mirë Dick Marty, në një shkrim ku supozohej që ta demaskonte Dick Marty-n. Në fakt, Goxhaj me këtë shkrim ka çuar ujë në mullirin e Dick Marty, nëse do të shprehem me aforizmat popullore që aq shumë i pëlqen Goxhaj në shkrimet e tij, se u ka hapur rrugë spekulimeve të dashakeqëve se edhe një epror i lartë i UÇK si ai, nuk di veçse të vjedhë edhe kur shkruan, kështu që nuk është çudi që krerët e UÇK të kenë bërë ato për të cilat akuzohen. Në 25 dhjetor 2010, kolonel Dilaver Goxhaj, publikoi shkrimin me titull “Dik Marty, kundër UÇK-së apo kundër SHBA?”. Në datë 25 dhjetor 2010 shkrimi i Goxhajt u publikua në website të Radios “Kosova e Lirë”, ndërsa në 28 dhjetor 2010, në gazetën “Lajm”, Prishtinë.

Goxhaj, në shkrimin e vet, praktikisht e ka vjedhur, madje në disa pjesë fjalë për fjalë, shkrimin tim “Ja libri që asgjëson Dick Marty dhe zbulon se ku synojnë akuzat e tij”, i cili ishte botuar një ditë më parë, në 24 dhjetor 2010 në gazetën “Sot” që del në Tiranë. Mw poshtw po jap linkun e shkrimit nw website zyrtar tw gazetws “Sot”: (http://www.sot.com.al/index.php?option=com_content&view=article&id=37591:libri-qe-asgjeson-dick-marty-dhe-zbulon-se-ku-synojne-akuzat-e-tij&catid=55:komente&Itemid=69)

Madje Goxhaj, si sherrbudallë që është edhe e pohon vjedhjen e shkrimit, tim siç do ta tregoj më tutje. Unë, në shkrimin tim tregoj hollësisht për një libër të amerikanit Gregg J. Rickam, botuar në vitin 1999 në SHBA-të, të Gregg J. Rickman, me titull “Swiss banks and Jewish Souls”, nga shtëpia botuese Transaction Publishers, New Brunswick, New Jersey. Në këtë libër, Gregg J. Rickman, i cili është një njeri i njohur në rang ndërkombëtar, edhe për faktin se në vitin 2006 ai u bë i pari I Dërguar i Posaçëm i Sekretarit të Departamentit të Shtetit për Çështje të Jashtme të SHBA-ve për Monitorimin dhe Luftën kundër Antisemitizmit, denoncohet Dick Marty si ndërmarrës i një nisme legjislative në Zvicër, për të penguar hetimin mbi bashkëpunimi e bankave zvicerane me nazistët në dëm të hebrejve të asgjësuar gjatë Holokaustit.

Goxhaj e ka vjedhur këtë shkrim timin dhe madje këtë gjë e ka pohuar në këtë paragraf të shkrimit të vet, kur thotë: “Kulmi i mosdurimit zviceran ndaj SHBA arriti kur në vitin 2006, amerikani Gregg J. Rickman u bë i njohur në rang ndërkombëtar, duke u emëruar si i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Departamentit të Shtetit Amerikan për Çështje të Jashtme të SHBA-ve për monitorimin dhe luftën kundër Antisemitizmit. Gregg J. Rickman e mori këtë post thjesht për “shkak të emrit që kishte si studiues i çështjeve që kishin të bënin me bashkëpunimin e Zvicrës me Gjermaninë Naziste kundër hebrenjve dhe më  konkretisht me bashkëpunimin e bankave të Zvicrës me nazistët për fshehjen e pasurisë së viktimave”, sikundër shprehet një analist i ynë”.

Kur Goxhaj thotë “një analist i ynë”, e ka fjalën për mua, se unë kam shkruar në shkrimin tim të përmendur më lart, të një dite më parë, pra të datës, 24 dhjetor, se: “Amerikani Gregg J. Rickman është një njeri i njohur në rang ndërkombëtar, edhe për faktin se në vitin 2006 ai u bë i pari I Dërguar i Posaçëm i Sekretarit të Departamentit të Shtetit për Çështje të Jashtme të SHBA-ve për Monitorimin dhe Luftën kundër Antisemitizmit, një post ky i krijuar pikërisht në atë vit. Gregg J. Rickman e mori këtë post për shkak të emrit që kishte si studiues i çështjeve që kishin të bënin me bashkëpunimin e Zvicrës me Gjermaninë Naziste kundër hebrejve dhe më konkretisht me bashkëpunimin e bankave të Zvicrës me nazistët për fshehjen e pasurisë së viktimave të Holokaustit”.

Unë mendoj se këtu për lexuesin çdo gjë është e qartë: Goxhaj praktikisht ka pohuar vjedhjen e shkrimit tim, duke më cituar mua pa ma përmendur emrin. Dhe Goxhaj nuk ma përmend emrin se kishte ndërmend që të vidhte pjesën tjetër të shkrimit tim. Si sherrbudallë që është, Dilaver Goxhaj, ka bërë një lëmsh dhe ngatërresë të vërtetë me argumentet e Rickman dhe deklarimet e Marty që jepen në libër, dhe këtë Goxhaj e ka bërë duke dashur që të fshehë gjurmët e vjedhjes së tij. Goxhaj shkruan: “Këtë reagim zviceran e përshkruan autori i librit, Rickman, i cili sqaron se Dik Marty u mbështet nga 57% e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Zvicrës, thënë ndryshe, nga dhoma e lartë e parlamentit të këtij vendi i cili, sikundër shkruan Rickman, deklaroi se, “nëse SHBA-ës do të insistojnë që bankat zvicerane të pranojnë fajësinë për Holokaustin dhe të dëmshpërblejnë viktimat, atëherë unë (Dick Martin, DG) do të ndërmarr nisma legjislative për sanksione ndaj kompanive amerikane”.

Për të kuptuar lexuesi se çfarë ka bërë Goxhaj në këtë paragraf, po paraqes  paragrafin nga shkrimi im, të cilin e ka vjedhur dhe shtrembëruar Goxhaj në shkrimin e vet. Unë them në shkrimin tim, duke iu referuar librit të Rickman: “Në librin e Rickman tregohet se si deputeti Dick Marty, i mbështetur nga 37 prej 65 anëtarëve të Këshillit të Shtetit në Zvicër, që është dhoma e lartë e parlamentit zviceran, deklaroi me kërcënim se nëse SHBA-të insistonin që bankat zvicerane të pranonin fajësinë për Holokaustin dhe të dëmshpërblenin viktimat, atëherë ai (Dick Martin) do të ndërmerrte nisma legjislative për sanksione ndaj kompanive amerikane”.

Tani, po të krahasohen të dy paragrafet vërehet se Goxhaj ka bërë një rrëmujë të vërtetë, dhe në fund të paragrafit ka lënë të qarta gjurmët e veta si vjedhës. Se Goxhaj ka marrë fjalë për fjalë nga shkrimi im përmbledhjen e deklaratave të Dick Marty që bëj unë në një fjali, dhe këtë gjë e paraqet si deklarim të Dick Marty në thonjza. Goxhaj shkruan: “sikundër shkruan Rickman, deklaroi se, ‘nëse SHBA-ës do të insistojnë që bankat zvicerane të pranojnë fajësinë për Holokaustin dhe të dëmshpërblejnë viktimat, atëherë unë (Dick Martin, DG) do të ndërmarr nisma legjislative për sanksione ndaj kompanive amerikane”.

Por këto fjalë nuk gjenden në librin e Rickman. Këto gjenden vetëm në shkrimin tim, ku unë bëj një përmbledhje të idesë së Marty dhe Goxhaj e ka vjedhur këtë fjali fjalë për fjalë. Në fund të paragrafit të mësipërm nga shkrimi im unë them për Dick Marty se ai “deklaroi me kërcënim se nëse SHBA-të insistonin që bankat zvicerane të pranonin fajësinë për Holokaustin dhe të dëmshpërblenin viktimat, atëherë ai (Dick Martin) do të ndërmerrte nisma legjislative për sanksione ndaj kompanive amerikane”.

Pra, këtu nuk ka një citim të Dick Marty, por një përmbledhje sintetike të shumë deklaratave të tij, në pajtim me limitet e një shkrimi gazete. Por, Goxhaj, i cili nuk e ka lexuar librin e Dick Marty, i ka marrë gjërat sikur këto qenë thënë fjalë për fjalë në librin e Rickman, si deklarata të Marty. Ajo çka e zbulon përfundimisht vjedhjen e Goxhajt, dhe tregon se ai në këtë rast thjesht ka bërë copy-past nga shkrimi im, është se ai bën të njëjtin gabim që kam bërë unë nga shpejtësia, kur në kllapa emrin e Dick Marty e shkruaj gabimisht, Dick Martin. Në fakt ky më tepër se gabim ishte një kurth për vjedhësit, se e dija që këtë shkrim do të ma vidhnin edhe me copy-paste, prandaj vura edhe këtë shenjë. Dhe koloneli e ka ngrënë karremin si peshk.

Edhe përkthimin që i bëj unë deklaratës së Marty, të botuar në librin e Rickam, kur Marty kërcënon SHBA-të me sanksione nëse nuk tërhiqen nga kërkesa për hetimin e bankave zvicerane, e merr fjalë për fjalë nga shkrimi im: “SHBA-të janë më të ndjeshme ndaj këtyre lloj argumenteve se ndaj diskutimeve diplomatike, dhe kështu amerikanët do të jenë të vetëdijshëm se ne nuk do të tërhiqemi lehtë”.

Në origjinal në anglisht, kjo fjali është: “the US are more sensible to these kinds of arguments then to diplomatics discussions, and they should be aëare, that ëe ëill not set back quietly”. (Gregg J. Rickman “Swiss banks and Jewish Souls”, nga shtëpia botuese Transaction Publishers, New Brunswick, New Jersey, f. 212)

Unë nuk mendoj se ka ndonjë njeri që beson se mund të ndodhë që dy njerëz ta përkthejnë në mënyrë të njëjtë gërmë për gërmë këtë fjali, brenda 24 orësh. Gjithashtu unë nuk mendoj se ka ndonjë njeri që beson se një ditë pasi u botua shkrimi im, Dilaver Goxhajt i erdhën në mendje të gjitha idetë që paraqiten në shkrimin tim, si dhe idea qëndrore e shkrimit tim, se Dick Marty më tepër se me shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, e ka me SHBA-të. Unë them në shkrimin tim: “Por Dick Marty nuk e ka vetëm me shqiptarët e Kosovës apo edhe me ata të Shqipërisë, por ai duket se më së pari e ka me SHBA-të. Dick Marty e di mirë se me akuzat e tij për heqjen dhe trafikimin e organeve të serbëve të rrëmbyer, ai në rradhë të parë akuzon SHBA-të. Se gjithë bota e kupton se me monitorimin që agjencitë e zbulimit të SHBA-ve i bënin Shqipërisë, posaçërisht asaj të veriut që ishte më pranë Kosovës, në vitet 1998-1999, nuk kishte gjasa që veprime të tilla të bëheshin pa dijeninë dhe lejen e SHBA-ve. Pra Dick Marty është duke akuzuar SHBA-të për këtë gjë”.

Kolonel Goxhaj thotë në shkrimin e vet të vjedhur: “Dhe qëllimi i vërtetë i Zvicrës nuk është që të godasë Shqipërinë dhe shqiptarët, pasi ajo as na llogarit dhe as na përfill ne. Gjetkë flë lepuri. Zvicra i bie dritares që të dëgjojë dera. Zvicra inatin e ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo godet UÇK-në (dhe as mos u shkoi ndër mend se e ka me Hashim Thaçin, sepse ai  është thjesht koka e turkut), me qëllim që të dëmtojë sa më shumë imazhin e Amerikës”.

Për lexuesin çdo gjë është e qartë, besoj. Më tutje, Goxhaj, në shkrimin e vet, vjedh edhe një shkrim timin të botuar gjashtë ditë para botimit të shkrimit të tij. Fjalën e kam për shkrimin tim “Dick Marty dhe Oliver Jens Schmitt, Skënderbeu dhe Hashim Thaçi”, të botuar në 19 dhjetor 2010, në gazetën “Sot”, që del në Tiranë. Goxhaj thotë në shkrimin e vet, të datës 25 dhjetor: “Mirëpo, antiamerikanizmi zviceian (gabim i Goxhaj-K.M.) i ka fillesat edhe më herët. Ajo fillon qysh me periudhën kur në SHBA ishte president Riçard Nikson, i cili, krahas politikave të tjera, premtoi se do të luftonte krimin e organizuar në të gjithë rruzullin tokësor, dhe një nga segmentet e kësaj lufte do të ishte edhe dhënia fund e praktikës së sekretit bankar, të cilin e kanë bankat zvicerane. Mirëpo, bankat zvicerane pse kanë këtë atu në dorë, prej të cilës nxjerrin fitime kolosale, reaguan menjëherë. Jo më kot atëherë u përfol se skandali i Uotergejtit, i cili rrëzoi presidentin Nikson nga posti, ishte financuar dhe organizuar nga zviceranët. Por nuk përfundon me kaq”. Edhe Presidenti tjetër amerikan, Kenedi, me t’u ulur në poltronin e presidentit nxori ligjin për ndalimin e transferimit të kapitaleve amerikane jashtë SHBA, në të kundërt, cilido që do të bënte atë transferim do të taksohej rëndë. Mirëpo ai ligj cenonte drejtpërsëdrejti interesat financiare të bankave zvicerane, pasi pjesa më e madhe e kapitaleve amerikane kalonte në Zvicër. Edhe atëherë, për vrasjen e Kenedit, u përfol se një nga pistat e hetimit ishte edhe financimi nga Zvicra për realizimin e asaj vrasjeje, duke u përmendur herë-herë edhe emri i kancelarit të atëhershëm të Zvicrës, Karl Oser”.

Ky paragraf i shkrimit të Goxhajt është vjedhur nga kjo pjesë e shkrimit tim “Dick Marty dhe Oliver Jens Schmitt, Skënderbeu dhe Hashim Thaçi”: “Raporti Marty mund të shndërrohet në një boomerang për Zvicrën se fare lehtë logjika e akuzave që bëhen në raport kundër Kosovës dhe Shqipërisë mund të përdoret kundër Zvicrës. Nëse thuhet se çdo hetues në Europë ndjek një çështje gjurmët e së cilës të çojnë në Kosovë, edhe më e vërtetë dhe e shpeshtë është se çdo hetues në botë ndjek një çështje gjurmët e së cilës të çojnë në bankat e Zvicrës ku hetuesit e botës bllokohen për shkak të sekretit bankar të Zvicrës. Kur Richard Nixon u bë President i SHBA-ve ai u zotua se do ta luftonte seriozisht krimin e organizuar dhe për këtë do ta detyronte Zvicrën që t’ i jepte fund praktikës së sekretit bankar edhe në rastet e hetimeve kriminale të shteteve të botës. Por në vend të sekretit bankar të Zvicrës, siç duhet ra Presidenti i SHBA-ve, në një skandal të sajuar. Me logjikën me të cilën akuzohet Hashim Thaçi në raportin e Marty, mund të akuzohet Kancelari zviceran Karl Oser (në pushtet në vitet 1951-1967) për vrasjen e Presidentit amerikan Kennedy. Kennedy nxorri një ligj për ndalimin e transfertës së kapitaleve jashtë vendit, sipas të cilit transferta e kapitaleve taksohej rëndë. Kjo cënonte Zvicrën në bankat e së cilës shkonte një pjesë e madhe e kapitaleve. Kennedy u vra dhe Oser, kancelari i vendit të dëmtuar, është vrasësi i tij. Vrasësit u nisën nga një shtëpi e verdhë në Ticino. Kancelari Oser vdiq në vitin 1994, në moshën 92 vjeç. Një tjetër kriminel i pandëshkuar!”.

Goxhaj nuk e ka kuptuar se unë kam bërë ironi kur kam thënë se Zvicra dhe kancelari zviceran i kohës kur u vra Kennedy, Karl Oser mund të akuzohet për vrasjen e Kennedy, sipas logjikës së raportit të Dick Marty. Kështu që Goxhaj shkruan se një nga pistat e hetimit të vrasjes së Kennedy ka qenë Zvicra dhe kancelari Oser. Hajni Dilaver ka rënë në kurthin e hajnisë së vet.

Goxhaj duhet ta dijë se që kur doli raporti i Dick Marty, shtypi shqiptar në dy anët e kufirit është veçanërisht i monitoruar nga kancelaritë e huaja sa i përket kësaj çështjeje, dhe hajnia, për më tepër e vetëdeklaruar e Goxhajt, nuk kalon pa rënë në sy. Në kancelaritë e huaja e dinë se cili është Goxhaj dhe ç’ rol ka pasur në kohën e luftës së Kosovës. Kështu që veprimi i Goxhajt cënon reputacionin e UÇK-së në sytë e ndërkombëtarëve. Me rastin e këtij shkrimi po u apeloj të gjithë atyre që e kanë bërë praktikë të vjedhin shkrimet e mia, që ta ndërpresin këtë lloj sporti pseudointelektual, se posa të gjej kohë do të ulem të shkruaj një libër ku do t’ i diskreditoj të gjithë me fakte.

 



(Vota: 5 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora