E merkure, 24.04.2024, 12:32 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Berisha u nda nga Mero Braçe, por jo nga Merobraçizmi

E hene, 07.01.2008, 06:00 PM


Berisha u nda nga Mero Braçe, por jo nga Merobraçizmi      

Nga Kastriot Myftaraj

Gazeta e PD "Rilindja Demokratike", dje, në ditën e përvjetorit të shtatëmbëdhjetë të saj, për herë të parë gjatë këtyre shtatëmbëdhjetë vjetëve, editorialin e saj nuk ia kushtoi kësaj ngjarjeje, por një sulmi të ashpër kundër Mero Bazes, beniaminit thuajse për shtatëmbëdhjetë vjet të Sali Berishës, çka ishte gjithashtu një gjë që ndodhte për herë të parë gjatë këtyre shtatëmbëdhjetë vjetëve që ekziston kjo gazetë.Editoriali me titull «Përse Baze dhe Braçe kërkojnë largimin e Lulzim Bashës», nuk ishte pa emër, siç ndodh rëndom me editorialet e kësaj gazete, por ishte nënshkruar nga vetë kryeredaktori i gazetës, Blendi Kasmi, që tregon seriozitetin e çështjes, aq më tepër që këtë herë Kasmi kishte shkruar plot 1481 fjalë, një gjë kjo e pazakonshme për të. Atakimi i Mero Bazes në këtë shkrim bëhet në terma ekstremisht të ashpra, çka tregon se Mero Baze e ka ezauruar krejt durimin e Berishës, dhe ky i fundit ka vendosur ta flakë tutje si limon të shtrydhur, që është shndërruar në kaktus me gjemba, acarues deri në padurueshmëri. Kjo kuptohet kur Kasmi (Berisha) shkruan: «Imponohemi të reagojmë in-ekstremis ndaj projektit të fundit që po shfaqet sa në konferenca shtypi apo në faqe të ndonjë media, atij Braçe-Baze, jo për një motiv polemist. Nuk do të përmendnim emrin e zëdhënësit të Ramës, sikur muajt e fundit drejtori dhe pronari i gazetës ‘TemA’, Mero Baze, që në qarqe militantësh të PD po e konsiderojnë si Mero Braçe, të mos i kishte lejuar vetes të bënte çdo ditë në median e shkruar dhe elektronike hijen e zëdhënësit të kreut të PS apo jehonën e tij».(“Rilindja Demokratike”, 5 janar 2008, f. 2) Berisha dhe Kasmi kujtohen të dëgjojnë korin e militantëve të mbetur rrugëve vetëm kur u duhet të legjitimojnë sulmet e tyre ndaj Bazes, që e ka mbushur kupën. Përndryshe zëri i militantëve nuk vjen në gazetën e “Rilindja Demokratike” ku drejton Kasmi, njeriu që Berisha e ka bërë dhe anëtar të Këshillit Bashkiak të Tiranës që të marrë leje ndërtimi për pallate në tokat pronë e tij, si dhe i cili, Kasmi, e ka marrë ndërtesën e madhe pronë e tij përballë Kuvendit, të cilën e ka lëshuar me qera, për biznese, në shuma mjaft të larta. Editoriali i RD, para se të jetë një denoncim për Mero Bazen, si Mero Braçe, është në fakt një denoncim për vetë Berishën, që e ka toleruar Mero Bazen in extremis, siç thotë vetë Kasmi, dhe që tash po e atakon se ai është bërë i pangopur në kërkesat e tij. Kjo kuptohet kur Kasmi shkruan: «Kjo gazetë ka respektuar dhe respekton vendimin e drejtorit të gazetës ‘TemA’, Baze, që fill pas zgjedhjeve dha me qira apo ia shiti gazetën e tij të ‘djathtë’ ortakut të Ramës në biznese, përderisa ai kishte atributet e pronarit të gazetës dhe mund ta trajtojë si të dojë plaçkën e tij».(“Rilindja Demokratike”, 5 janar 2008, f. 2) Berisha i toleroi këto se i konvenonte që njeriu i tij i besuar Baze të kishte lidhje me njerëzit e Ramës, pasi këto ishin tekefundit kanale komunikimi të Berishës me Ramën, për të bërë pazare politike. Por kur Baze u bë i pangopur dhe e teproi në kërkesat e tij për të përfituar nga abuzimi me pushtetin e PD, duke caktuar fituesin e tenderave dhe duke emëruar njerëz në dogana, tatime etj., atëherë Berisha u detyrua që ta godiste. Nga artikulli kuptohet se Berisha është treguar abuzivisht shumë i durueshëm me Bazen. Kasmi shkruan: «Nuk kemi reaguar ndaj sulmeve për tendera ndaj ISKSH apo paraqitjen në këto tendera të firmave fantazmë, me dokumente të falsifikuara se, pavarësisht motiveve personale të këtyre sulmeve, kemi menduar se e rëndësishme është të respektohet liria e medias. Por nuk mund të abuzohet me të drejtën e informimit, duke vjellë vrerin e pakënaqësisë ndaj humbjes së një tenderi, me dokumente të falsifikuara. Nuk kemi reaguar kur gazeta ‘TemA’ i kushtoi ditë të tëra tenderave të Ministrisë së Arsimit, pavarësisht nga sa ai deklaronte se ishin tenderuar shuma miliona euro, me tenderë të drejtpërdrejtë. Bëhet fjalë për 20 milion euro, që në asnjë rast nga Ministria e Arsimit nuk janë dhënë me tender të drejtpërdrejtë. E vërteta e vetme në të gjithë këtë mesele ishte se botuesi i gazetës ‘TemA’ nuk kishte fituar tenderin. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sulmet ndaj doganave, ku ka vepruar i njëjti mekanizëm në publikimin e shumë shifrave abuzive».(“Rilindja Demokratike”, 5 janar 2008, f. 2) Pra, Mero Baze i kishte rritur kërkesat e tij, prandaj ai duhej frenuar, se nga “torta” e tenderave kërkonin dhe të tjerë dhe nuk mund të lejohej Baze të merrte sa herë të donte feta të mëdha. Dhe kur Mero Bazes i ranë në dorën që zgjati për të marrë copat që donte nga “torta” e tenderave, ai u shndërrua në Mero Braçe. Editoriali i Kasmit na zbulon se si Berisha, me durim, u mundua për një kohë të gjatë që ta bënte Mero Braçen të kthehej përsëri në Mero Baze: «Ndonëse është e dhimbshme dhe dëshpëruese të shohësh një media si ‘TemA’ që keqpërdoret për gjoba ndaj të gjithë atyre që nuk i kanë dhënë tenderat e preferuar, nuk i takon gjithsesi "RD të polemizojë për ato që nxijnë faqet e gazetave, por nuk mund të mos sqarohen të vërtetat që fshihen pas këtyre sulmeve false, që pas fasadës së tyre për të ashtuquajturën barazi në tendera apo drejtësi të informimit, tentojnë të fshehin gjobat që vendosen ndaj këtyre institucioneve».(“Rilindja Demokratike”, 5 janar 2008, f. 2) Le të mos mundohet kot kryeredaktori i RD të japë sqarime për barazinë në tenderë, se të gjitha ata që e lexojnë shkrimin e tij e kanë të qartë se nuk ka barazi në tenderë, se nëse do të kishte atëherë pushteti nuk do të ishte treguar kaq i duruar me Bazen, dhe që në tentativat e tij të para për të fituar tenderë abuzivisht do ta kishte denoncuar në Prokurori. Me ato që thotë Kasmi, del se drejtoresha e ISKSH, Hana, Ministri i Arsimit, Pollo, etj., kanë konsumuar një vepër penale që nuk e kanë denoncuar Mero Bazen për korrupsion pasiv. Ajo që kanë bërë ata është që të venë në dijeni Berishën, që i ka tërhequr veshin Mero Bazes dhe i ka kërkuar të ulë pretendimet e veta. Pra një histori mafiozësh. Megjithatë, kryeredaktori i RD na e bën të qartë, se Mero Bazes do t’ i faleshin të gjitha këto, sikur ai mos të sulmonte Lulzim Bashën. Kasmi shkruan: “Në rastin konkret kemi një reagim të imponuar in-ekstremis, sepse deri sot, veç Braçes me konferenca shtypi, askush nuk e kishte menduar se Lulzim Basha duhet të largohet nga posti i ministrit të Jashtëm”. (“Rilindja Demokratike”, 5 janar 2008, f. 2) E pastaj Kasmi ka kurajën të shkruajë në fillim të editorialit: “Në rastin kur fjala e lirë kompromentohet duke tjetërsuar të vërtetën, qoftë edhe kur një pjesë të sado evogël të medias vihet mbi interesin publik, atëherë ky lloj korruptimi është më i rrezikshëm se korrupsioni në pushtetet e tjera, pasi nuk ndëshkohet dhe synon vetëm të manipulojë opinionin dhe jo t'i thotë atij të vërtetën”. (“Rilindja Demokratike”, 5 janar 2008, f. 2) A nuk na dha kryeredaktori i RD me editorialin e tij shembullin e këtij lloj korruptimi, që ai e quan më të keqin e të gjithëve, për shkak se e thotë qartë se RD ka heshtur për aferat e Mero Bazes dhe detyrohet të flasë vetëm se ai kërkoi dorëheqjen e Lulzim Bashës? Më tutje Kasmi pyet: “Me ardhjen e PD në pushtet kemi një dashuri të Bazes dhe Braçes, që paraqiten me teza të njëjta para opinionit. Se çfarë e bashkon Braçen me Bazen, më mirë e dinë ata të dy”. (“Rilindja Demokratike”, 5 janar 2008, f. 2) Sintonia e Bazes me Braçen mund të konsiderohet si rezultat i frymës së Merobraçizmit që mbizotëron në mediat pro PD. Kjo do të thotë se, në rast se njerëzve të gazetave dhe televizioneve pro PD nuk u kënaqet lakmia për tendera dhe emërime abuzive të njerëzve të tyre, që do t’ u paguajnë shpërblim, ata braçizohen dhe fillojnë të atakojnë qeverinë. Mero Baze është vetëm epitomë e frymës së Merobraçizmit që ekziston në mediat pranë qeverisë. Frymën e Merobraçizmit në mediat pranë PD e kanë Aleksandër Frangaj, Blendi Fevziu, Fahri Balliu, Andi Bushati, etj. Editoriali i djeshëm i RD i paralajmëron merobraçistët që mos ta teprojnë shumë se do të ndëshkohen. Në fund të editorialit ka dhe një paraljmërim ezoterik për Mezo Bazen: “Gazeta nuk ka reaguar edhe ndaj thirrjeve aspak qytetare, të cilat i konsiderojnë banorët e Tiranës si një specie në zhdukje, kur në të vërtetë qenie të tilla janë ata që përçojnë këto teza”. (“Rilindja Demokratike”, 5 janar 2008, f. 2) Këtu arrihet deri në kufijtë e kërcënimit fizik! 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora