Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Myftaraj: Edi Rama si Nadiri, e bëri Pezën Burgajet

| E marte, 08.01.2008, 12:59 AM |


Edi Rama si Nadiri, e bëri Pezën Burgajet       
 
Nga Kastriot Myftaraj - «Çdo gjë mund të ndodhë, jetojmë në Tironë».

Kur para disa vitesh Edi Rama solli një iluzionist me emrin Nadir për të cilin u tha se do të hidhej nga maja e Hotel «Tiranës», dhe për këtë gjë u mbush plot Sheshi «Skënderbej», ky doli të ishte një mashtrim i Edi Ramës, se atë truk që të pranishmëve ua paraqitën si kërcim, nuk e besoi askush vec Koco Kokëdhimës, Mimi Kodhelit, Maks Velos dhe Eduard Shalësit. Por do të ishte më pas Edi Rama që bëri një truk iluzionisti që e kapërcente jo vetëm Nadirin, por edhe David Coperfield-in. Nuk është asgjë truku iluzionist i David Coperfield që u zhduk në trekëndëshin e famshëm të Bermudeve dhe doli përsëri, para atij të Edi Ramës që e bëri Pezën Burgajet. Fakti që kryetari i PS Edi Rama banon në Pezë, në shtëpinë-muze të Myslim Pezës, ku në vitin 1942 u mbajt konferenca që krijoi Frontin Antifashist Nacional-Clirimtar, është një nga paradokset më të mëdha ironike të historisë së Shqipërisë. Në konferencën e Pezës, që u mbajt në shtator 1942, mori pjesë dhe një përfaqësues i ish-Mbretit Zog, Abaz Kupi, i cili, siç thotë edhe Enver Hoxha në kujtimet e veta, iu bashkua Frontit Nacional-Çlirimtar, mbi bazën e premtimit se pas lufte do të mbahej plebishit për të përcaktuar formën e regjimit Zogu dhe Kupi shpresonin se edhe komunistët do të donin të mbështesnin Ahmet Zogun për t’ u rikthyer në fron, për ta pasur si garant se do të mbeteshin një parti legale dhe me akses në pushtet, duke qenë se Zogu dhe Kupi kishin krijuar idenë se komunistët ishin të bindur se anglo-amerikanët nuk do t’ i lejonin të vinin në pushtet në Shqipëri. Prandaj Zogu, i dha porosi Abaz Kupit, që të bashkohej me Frontin Antifashist Nacional-Çlirimtar të kontrolluar nga PKSH. Aleanca e komunistëve me zogistët në Konferencën e Pezës është precedenti historik i asaj që sot njihet në fjalorin politik shqiptar me termin “aleancë fluide”.
Me sa duket zogistët morën një premtim nga komunistët se këta do t’a mbështesnin kthimin e Zogut si mbret në Shqipëri, në shkëmbim të legalizimit që do t’ i bënte ky lëvizjes së tyre pas lufte. Pra, zogistët mendonin për një aleancë me komunistët të ngjashme me atë që bëri Princi Sihanuk i Kamboxhias pas Luftës së Dytë Botërore. Një fakt që na çon para në zbulimin e këtij kombinimi misterioz është fakti se as në Konferencën e Pezës dhe as në ato të Labinotit në korrik dhe shtator 1943, nuk u zgjodh një kryetar i Frontit. Në Pezë u zgjodh vetëm kryetari i Këshillit Nacional-Çlirimtar, Kamber Qafmolla. Me sa duket zogistët e kërkonin këtë vend për Ahmet Zogun. Pas të gjitha gjasave pakti ka qenë që Ahmet Zogu të zgjidhej kryetar i Frontit Antifashist Nacional-Çlirimtar. Kompromisi ka qenë që vendi i kryetarit të mbahej vakant, ndërsa zogistët mos ta krijonin një parti të vetën, çka komunistëve u konvenonte shumë, pasi donin të mbeteshin partia e vetme në Front. Aleanca Enver Hoxha-Abaz Kupi, e lidhur në Pezë, qe në fakt aleanca Enver Hoxha-Ahmet Zogu, pasi Abaz Kupi qe vetëm mëkëmbësi i Ahmet Zogut në Shqipëri. Kryetari i Frontit u zgjodh vetëm në vitin 1945, Enver Hoxha. A nuk është e çuditshme që vendi i kryetarit të Frontit Antifashist Nacional-Çlirimtar mbeti bosh në kohën e luftës, që ky front supozohej ta drejtonte?! Duket se largimi i zogistëve nga Fronti Antifashist Nacional-Çlirimtar në 1943 ndodhi realisht për faktin se nga ana e komunistëve nuk u mbajt premtimi që Ahmet Zogu të shpallej kryetar i Frontit. Me largimin e zogistëve nga Fronti, komunistët i zbuluan letrat dhe në Kongresin e Përmetit, deklaruan hapur se ndalonin kthimin e Zogut në Shqipëri. Kur komunistët erdhën në pushtet, për të zhdukur cdo kujtim të derës së Zogollit, i prishën dhe sarajet e Zogollëve në Burgajet të Matit dhe gurët e tyre i përdorën për të ndërtuar stadiumin e qytetit të Burrelit. Kështu, shtëpia e Pezës i mundi sarajet e Burgajetit.
Revanshi i sarajeve të Burgajetit ndaj Pezës do të vinte kur Edi Rama, për të cilin ka shumë të dhëna se është i nipi i ish-Mbretit Zog, u bë kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe shkoi të banojë në Pezë, në shtëpinë e Babë Myslimit, tashmë në pronësi të mikut të tij Dashamir Peza, djalit të Myslim Pezës. Vajtja e Edi Ramës me banim në Pezë, në shtëpinë e Babë Myslimit, nuk është bërë, sic mendojnë shumë vetë, thjesht për të bërë për vete veteranët nostalgjikë ish-partizanë. Edi Rama në një manifest me titull «Kundër ngushtimit të nocionit opozitë», që daton në shtator 1991, dhe që është përfshirë në librin “Refleksione“, me autorë Edi Rama dhe Ardian Klosi, të botuar në vitin 1992, në Tiranë nga shtëpia botuese “Albania“, Tiranë, Konferencën e Pezës e quan si mbledhjen ku u hodhën bazat e regjimit të ardhshëm komunist. Edi Rama shkruan: «Opozita demokratike jo-komuniste ka lindur shumë më herët sesa dhjetori i 1990-ës. Ajo ka lindur bashkë me lindjen dhe përhapjen e komunizmit në Shqipëri. Kemi parasysh këtu të gjithë ata nacionalistë, intelektualë, klerikë njerëz të thjeshtë që e parandjenë qysh me Konferencën e Pezës, ashtu si dhe të tjerë që pranuan aleancën në frontin Nacional-çlirimtar, rrezikun që i kanosej Shqipërisë po të vendosej pas lufte një regjim komunist».(Edi Rama dhe Ardian Klosi, “Refleksione“, Shtëpia botuese “Albania“, Tiranë 1992, f. 180) Vështirë se mund të mendohet që ky njeri të ketë ndonjë sentiment për Konferencën e Pezës. Njeriu që ka shkruar këto gjëra, duke shkuar të banojë në Pezë, në shtëpinë ku u mbajt konferenca për të cilën ai është shprehur në këtë mënyrë, bën në fakt një gjest revanshi, hakmarrjeje, ndaj shtëpisë ku u projektua shkatërrimi i sarajeve të Burgajetit, dhe ku filloi të zbatohet plani për ta përdorur Zogun në planin komunist të marrjes së pushtetit, por duke e ndaluar që të rikthehet në Shqipëri, në fronin mbretëror.
Ironia e madhe e historisë së Shqipërisë është se sot në shtëpinë e Babë Myslimit, rri njeriu që duhej të rrinte në Burgajet, në sarajet e rindërtuara të gjyshit të vet, Ahmet Zogut. Edhe në ëndrrat e tyre më të këqija, të majtët shqiptarë, dhe veteranët ish-partizanë, nuk do ta kishin parë që në shtëpinë e Babë Myslimit në Pezë, që në mistikën e së majtës shqiptare është një tempull i shenjtë, të shtrihej sa gjerë e gjatë, pinjolli i Ahmet Zogut, që për më tepër është dhe kryetar i PS!!! Fantazma e sarajeve të shkatërruara të Burgajetit u ngrit dhe u hakmor ndaj shtëpisë së Pezës, në personin e Edi Ramës. Por mos u çuditni, se siç thotë kënga e fushatës elektorale të Edi Ramës në 2003, e kënduar dhe nga vetë ky i fundit:
«Çdo gjë mund të ndodhë,
jetojmë në Tironë».
Pra, mund të ndodhë dhe që nipi ilegal i ish-Mbretit Zog, simbolit të së djathtës shqiptare, të bëhet kryetar i Bashkisë së Tiranës nga Partia Socialiste dhe madje edhe kryetar i kësaj partie të së majtës, simbol i republikanizmit majtist. Siç thotë kënga e Edi Ramës:
«Kjo është Tirana jonë,
Tirana e kontradiktës»
Babë Myslimi duhet të jetë kthyer përmbys në varr kur ka parë që pinjolli i padronit të Osman Balit, që e ndiqte për ta vrarë, dhe që i internoi familjen, ka hyrë në shtëpinë e tij historike. Zogistët gjatë dekadave të regjimit komunist dhe deri më sot, kanë ëndërruar që të rindërtohen sarajet e Zogollëve në Burgajet dhe të bëhen muze, dhe monument kulture kombëtare. Por u ndodhi edhe më mirë se ç’shpresonin. Pinjolli i Ahmet Zogut hyri në shtëpinë historike të Pezës nga ku u erdhën të gjitha të këqijat Zogollëve dhe atyre vetë. Pinjolli i Ahmet Zogut që ka hyrë në Pezë, më tepër se atë këngën për Tiranën, do t’ i përshtatej të këndonte, të perifrazuar, atë këngën e Adelina Ismajlit:
«Ma ka lanë, ma ka lanë gjyshi, o nji amanet,
me e ba Pezën Burgajet»