Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Avni Halimi: Si bëhet diskriminimi kulturor

| E enjte, 13.01.2011, 08:59 PM |


Si bëhet diskriminimi kulturor

 

Në botën e civilizuar ministritë përkatëse përkujdesen për institucionet nacionale, ndërsa asociacionet kulturore dhe organizatat jofitimprurëse përkujdesen që të sigurojnë sa më shumë donacione

 

Nga Avni Halimi

 

Kohë më parë, në Komisionin parlamentar për kulturë, u luajt e njëjta lojë politike “me një të rame dy të vrame”! Shumica etnike parlamentare maqedonase përfitoi pikë politike te ndërkombëtarët ndërsa sërish e provokoi nervozizmin te shqiptarët duke ua nxjerrë në shesh mungesën e njohurive mbi mënyrën e zhvillimit dhe avansimit të jetës kulturore në vend. Komisioni në fjalë, veç të tjerash miratoi edhe shënimin e disa përvjetorëve me rëndësi historike e kulturore për shqiptarët e vendit. Jo po na u desht nëntë manifestime të tilla, jo po mjaftojnë vetëm pesë, jo po u shpreh diskriminimi kulturor kundër shqiptarëve, jo po partia shqiptare në pushtet paskësh arritur që me këto pesë shënime ta ndërrojë karakterin e shtetit të Maqedonisë prej shtetit monokulturor në atë shumëkulturor! Këto batuta edhe një herë dëshmuan për diletantizmin kulturor të deputetëve të DR-së dhe të BDI-së! Disa ditë më vonë, pastaj, do të pasojnë titujt e shkrimeve si dhe deklaratat e deputetëve shqiptarë në Parlament se Ministria e Kulturës nuk i përfill vendimet e Parlamentit përsa i përket shënimit të përvjetorëve historike e kulturore shqiptare. Nëse nuk përkrahen edhe kësaj radhe këto vendime të Parlamentit të Maqedonisë atëherë ashiqare paskemi të bëjmë me diskriminim kulturor që po e ushtruaka kjo Ministri kundër shqiptarëve të Maqedonisë! Po a do të bie poshtë ky konstatim i pamohueshëm nëse financohen këta pesë përvjetorë! Mjerim e turp!

 

Parlamenti nuk është ojq

 

Deputetët shqiptarë përfundimisht duhet të kuptojnë se kjo me këto shënime përvjetorësh është vetëm një bllof i ulët dhe asgjë tjetër! Sepse, Parlamenti nuk është organizatë joqeveritare që merret me të tilla aktivitete, sepse Parlamenti nuk aplikon dhe nuk konkurron në asnjë sektor të Ministrisë së Kulturës, sepse Parlamenti çdo vit një muaj më parë miraton buxhetin vjetor të Qeverisë, rrjedhimisht edhe atë të Ministrisë së Kulturës buxhet ky që hartohet në bazë të projekteve, programeve të subjekteve të ndryshme por edhe në bazë të prioriteteve nacionale të kësaj Ministrie, sepse Parlamenti miraton Ligjin për shpenzim të buxhetit dhe, tek pas një muajve debaton për shënime historike e për aktivitete nacionale kulturore. Deputetët shqiptarë duhet të dinë se ky Komision parlamentar ka obligim që të përcjellë zbatimin e programit nacional të Ministrisë së Kulturës dhe jo të aplikojë me projekte në këtë Ministri. Përvjetorët shqiptarë asnjëherë nuk konsiderohen si aktivitete që përfshihen në strategjinë për kulturë nacionale, ndaj dhe qeveria nuk reagon me buxhet shtesë për aktivitete të tilla “të paparashikueshme”! Kurse Ministria e Kulturës vazhdimisht përgjigjet se “askush nuk mund t’i imponojë aktivitete e projekte për të cilat paraprakisht nuk janë ndarë buxhet nga ana e komisioneve që me muaj punojnë për programin nacional të Ministrisë”. Deputetët shqiptarë duhet t’i japin fund lojës e cila nga deputetët maqedonasë shfrytëzohet sa për t’i dëshmuar aftësitë e tyre manipuluese.

“Pjetër Bogdani”  është Institucioni më i thirrur për të vlerësuar se cilët përvjetorë do të mund të shënoheshin, se cilat aktivitete nacionale do të mund të organizoheshin në sferën e kulturës. Natyrisht, edhe shoqatat e ndryshme kulturore dhe historike, ansamblet, fakultetet, universitetet, komunat dhe katundet, të gjithë mund të organizojnë përvejtorë përkatës, aktivitete kulturore, promovime e tubime shkencore, madje pa marrë leje dhe pa pritur miratime as nga Parlamenti dhe as nga asnjë institucion tjetër shtetëror. Ndërsa financimi i tyre sigurohet ose me donacione, ose me sponsorizime, ose nga buxheti shtetëror. Por, për të përfituar nga ky buxhet paraprakisht duhet të aplikohet dhe të konkurrohet në konkursin për programin nacional, në rastin konkret, të Ministrisë së Kulturës. Kurse për t’i shtyrë ato projekte përpara këtu duhet të këmbëngulin anëtarët shqiptarë nëpër komisionet e Ministrisë së Kulturës.

 

Programi nacional për kulturë pa kulturë shqiptare

 

Moskalimi i projekteve shqiptare, apo kalimi i tyre në numër minimum gjithsesi që është një diskriminim kulturor ndaj shqiptarëve, i cili po ushtrohet në mënyrë permanente dhe tepër ortodokse! Pa dyshim që diskriminimet kulturore në mënyrë kaq klasike si te ne mund të hasen vetëm nëpër filozofitë e politikave të egra nacionaliste e raciste. Kjo politikë në ditët e sotme botën e civilizuar do ta tmerronte deri në palcë. Po pse nuk ka dhe nuk shprehet asnjë shqetësim për këtë diskriminim nga vëzhgues e diplomatë perëndimorë që veprojnë te ne, sidomos nga ata faktorë që janë mburojë dhe përkrahës të denjë të kulturave të ndryshme! Nuk ka shqetësime nga perëndimorët sepse nuk ka ankesa serioze nga “shqiptarët” në pushtetin aktual! Lideri i BDI-së, kohëve të fundit, gjithnjë e më shumë po nënvizon në vend e te ndërkombëtarët se kemi arritur që Maqedoninë ta shndërrojmë në shtet multietnik e multikulturor! Shoqatat dhe individët e ndryshëm vazhdimisht ankohen dhe reagojnë për moskalim të projekteve të kota! Eliminimi i diskriminimit kulturor të një etnie duhet të jetë brengë dhe punë e subjektit politik që participon në pushtet dhe jo e një shtëpie botuese apo e një shoqate të vogël e entuziaste. Diskriminimi kulturor duhet të parandalohet që në strategjitë politike që fshihen nëpër programet nacionale!

Këto ditë ministresha e kultures, Elizabeta Kançevska Milevska, lëshoi një letër qarkore deri te të gjithë institucionet kulturorë të vendit që janë shfrytëzues të buxhetit shtetëror prej të cilëve kërkoi që sa më parë të përgjigjen me shkrim për prioritetet kulturore në periudhën e ardhshme katërvjeçare 2011-2015. Fatkeqësisht, ky program nacional për kulturë është i dyti në radhë që arrihet pikërisht në kohën kur BDI është në pushtet. Herën e parë u hartua në periudhën 2004-2008. Atëbotë BDI-na nuk arriti që të krijojë asnjë institucion kulturor shqiptar i cili do të duhej të nënvizonte më pas prioritete për kulturën shqiptare në periudhën përkatëse. PDSH për gati dy vjet në pushtet arriti të themelojë sërë insitucione kulturore shqiptare, shfrytëzues të buxhetit shtetëror, dhe, natyrisht që sot këto institucione do të duhej të dinë që t’i shtojnë dhe t’i shtyjnë prioritetet kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë. Nëse një i huaj e lexon me kujdes programin nacional për kulturë do të mrekullohet nga gatishmëria e kësaj Ministrie për të investuar në avansimin dhe në ruajtjen e diversitetit kulturor në vend. Në atë program ka plotë teori, plot përkushtime për mbrojtjen dhe avansimin e vlerave kulturore të bashkësive të tjera etnike! Në botën e civilizuar ministritë përkatëse përkujdesen për institucionet nacionale, ndërsa asociacionet kulturore dhe organizatat jofitimprurëse përkujdesen që të sigurojnë sa më shumë donacione!

 

Prioritetet e Ahmetit dhe synimet e Gruevskit

 

Aktualisht, në Maqedoni funskionojnë rreth 120 institucione kulturore shfrytëzues të buxhetit! Prej tyre nja 5 a 6 janë që menaxhohen nga drejtorë shqiptarë. Është shumë e arsyetueshme që këta drejtorë të shtrojnë më shumë prioritete dhe të kërkojnë më shumë për t’u avansuar vlerat kulturore të shqiptarëve të këtushëm. Por, që në start do të cungohen e masakrohen ato prioritete derisa nuk do të sillen në nivel të një institucioni sivëlla maqedonas. Ky program nacional me këto prioritete kulturore pastaj shtrihet në kuadrin e planit pesëvjeçar që paraqitet si strategji nacionale e qeverisë së vendit. Edhe nga kjo strategji faktorët ndërkombëtarë mbesin gojëhapur! Aty do të hasen plotë teori për angazhimin e qeverisë për avansim dhe përkrahje të çdo kulture në çdo cep të vendit, për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, për trajtim të veçantë për artistë e dashamirës të kulturës të vendit, për ruajtjen me xhelozi të vlerave të mirëfillta kulturore...

Në të mirë të kësaj propagande antishqiptare do të jetë edhe z. Ali Ahmeti me prononcimet e tij nonshalante se situata e përgjithshme e shqiptarëve të Maqedonisë është shumë e mirë ndaj të gjithë duhet të angazhohemi në zgjidhjen e emrit të Maqedonisë dhe të integrimeve të saj në NATO e në BE!

BDI, duke qenë e kënaqur me financimin e dy-tre librave, me financimin e dy-tre shfaqjeve teatrale, me financimin e dy-tre koncerteve amatore, nuk çanë kokë për atë se çka po i ndodh Intitutit për Trashëgimi Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, fare nuk u mërzit nga prezantimi i dhjetra asociacioneve kulturore maqedonase, i artistëve maqedonasë, nga mbajtja e dhjetra ditëve të kulturës ekskluzivisht maqedonase nëpër botë që u organizuan përgjatë këtyre dy viteve!

A janë interesuar strukturat e BDI-së në pushtet për të kuptuar se si është plotësuar Pyetësori për implementimin e Konventës së UNESKO-s e vitit 2005! Në asnjë raport, në asnjë pyetësor, në asnjë program e strategji të pushtetit maqedonas nuk flitet për kulturën shqiptare në këtë hapësirë. Gjithandej prezantohet, propagandohet dhe nënvizohet se këtu frymon vetëm kultura maqedonase e cila ka “mirëkuptim” për përpëlitjet e kulturave të bashkësive të tjera etnike margjinale! Kur të kihen parasysh të gjitha këto fakte – kush mund të jetë ai sagllam njeri që mund të vlerësojë se mosshënimi i një date të rëndësishme shqiptare nuk duhet të na zbrapsë nga angazhimi kombëtar për ta zgjidhur çështjen e emrit. “Shqiptarët” e BDI-së për momentin kanë këtë prioritet, ndërsa maqedonasit e Gruevskit e kanë për prioritet ngulfatjen e çdo kulture tjetër në të mirë të kulturës së tyre që do t’ua zgjidhë çështjen e shtetit komb!