E enjte, 25.04.2024, 01:21 AM (GMT+1)

Faleminderit

Jepni per Fan Nolin!

E marte, 08.01.2008, 12:30 AM


Nga Ylli Polovina

Noli
Ai ka lindur në një ditë si dje, 6 janar. Veç viti është i largët, 1882. Larg ka qenë edhe vendlindja e tij, Ibrik Tepe e Turqisë. Ky fshat shqiptar në atë pjesë të Thrakës që gjendet përtej kufirit të Republikës Greke, përbën një bashkësi me identitet shumë të fortë kombëtar. Shqiptarët atë e thërrasin në gjuhën e tyre me emrin e ngrohtë Qytezë. Nuk i thanë kurrë as fshat dhe as katund, edhe pse këto fjalë kanë një thelb të bukur dhe mbartin emocion karakteristik që vjen nga thellësi shekujsh. Bashkëkombësit tanë në vendlindjen e Fan Nolit i thanë tokës së tyre Qytezë, mes të tjerash, edhe sepse ndihen qytetarë. Të ndihesh qytetar nuk do të thotë aspak se të mjafton fakti që vjen nga një qytet apo jeton syresh në një të tillë. Koncepti i qytetarit në atë frymë që e solli revolucioni francez me tri parimet e tij vezulluese liri-barazi-vëllazëri, kishte depërtuar me kohë në elitën shqiptare të kohës, edhe pse përjetonte sundimin e atëkohshëm anadollak. Banorët shqiptarë të Qytezës kanë emigruar nga Kolonja. Vitet e galopet e dekadave, madje edhe njëqindvjeçarët, mund të zbrazin edhe kujtesat e njerëzve, por përherë do të gjendet vullnet për të ribërë të ditur se zona e Kolonjës ka qenë një ndër vatrat më shkëlqyese të qytetarisë shqiptare, pra të civilizimit të tij. Ajo ka përbërë historikisht një fashë rrëzëllitëse diturie, si edhe rezistence kombëtare. Nga më modernet e më inteligjentet.

Në rast se bashkëkombësit tanë në kufirin etnik me sllavët e sidomos administratën serbe, qofshin sot në territorin shtetëror të Shqipërisë apo në Kosovë, Malin e Zi dhe Maqedoni, kanë bërë heroizëm, ata që u ndodhën në brezin e takimit me mentalitetin shoven të disa lobeve e qarqeve greke, kanë bërë legjendë.

Një nga këta legjendarë është edhe Fan Noli.

Poliedrik në personalitetin e tij ai është gjigant në të gjitha dhuntitë që pati e manifestoi. Ishte poet dhe tashmë është në Panteonin e poezisë kombëtare. Ishte përkthyes, por shumë pak e kapërcyen talentin e kontributin e tij, siç akoma më shumë nuk e arritën dot. Ishte studiues dhe kujt, si dy botimet e tij të "Historisë së Skënderbeut", jeta e veprave të tyre ka moshën e një treçerekshekulli? Ishte politikan dhe arriti të bëhej Kryeministër i vendit. Bir i një psallti kishe të vogël fshati ai u bë kryepeshkop, madje deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ka përreth nesh, siç kishte edhe atëherë, me mijëra që me ambicie, ego pozitive apo plot ligësi, lakmi apo projekte e plane të natyrshme, luftojnë për t‘u bërë maja në të gjitha fushat. Pjesa dërmuese e këtyre nepsqarëve dështojnë, sepse nuk kanë talent për asnjërin epsh. Fan Noli patjetër ka qenë i mbushur deri në grykë me ambicie, ego, pasione, vrull protagonist dhe synim për të qenë "njëshi", por ia arriti. Ia doli në të gjitha. Sigurisht nuk ishte mbinjeri, sepse një krijesë e tillë nuk ekziston, veç në një korent filozofik që i ka sjellë njerëzimit mbrapshti. Fan Noli ishte njeri, por njeri tepër i madh.

Këtyre u thonë gjeni. Nuk gjendet nëpër fjalorë emërtim tjetër.

Këtë 6 janar 2008, një vit që duket i mbarë për të paktën dy ngjarje të pritshme kombëtare, pavarësimin e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Fan Nolin mund ta kujtojmë me ngazëllimin se ishte një ndër atdhetarët më të mëdhenj, një nga projektuesit e realizuesit e shtetit proevropian shqiptar. Janë punë të politikanizmave ato që e vizatojnë atë si një Kryeministër që, i sulmuar dhe i rrethuar nga armata e rivalit të tij Ahmet Zogu, në selinë e qeverisë i binte flautit. Ai ishte intelektual i mirëfilltë. Kush e ka përsëritur në historinë e qeverisjes së shqiptarëve një përmasë të tillë? Sigurisht edhe Ibrahim Rugova, qeverisësi intelektual më i madh i bashkëkombësve tanë në Kosovë, dukej ca i mjegullt apo jo dorë e fortë organizative, veç ishte vizionar mjaft i spikatur. Noli ka qenë një vizionar i tillë. Shqipëria e tij nuk do të ishte kurrë diktatoriale. Aksidentet e tij me tentativën për të lidhur marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik, si edhe një vizitë që bëri më pas, pse jo edhe disa fonde që mori nga Moska bolshevike, nuk ia zbehin këtë largvështrim. Ishte kohë kur shumica e elitës së shkrimtarëve të Perëndimit shkonin te pasuesit e të quajturit Revolucion i Tetorit me iluzionin se më në fund njerëzimi dhe politika kishin gjetur mundësinë e krijimit të një shoqërie të lirë. Fan Noli ia ktheu shpinën shpejt aleancës së shkurtër me Moskën bolshevike dhe gjithë jetën e tij e kaloi në vendin që e luftonte komunizmin, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fan Noli për Shqipërinë bëri çdo punë që ajo të jetonte e bëhej më e mirë. Këtë 6 janar kujtuam se u bë prift për ta mbrojtur lirinë e saj nga Kisha Ortodokse Greke, atëherë armikja më e madhe e pavarësimit dhe e përparimit të shqiptarëve. I lindur në një vend mysliman, siç ishte Turqia, ai ishte vetë një ortodoks i madh dhe i pavarur shqiptar.

Kur ndodhi që Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, Noli, ky rival i paepur i Zogut, shpalli se ishte pikërisht koha kur duhej pranuar e mbështetur udhëheqja e këtij të fundit për të çliruar Shqipërinë.

Ngjarjet rrodhën ndryshe dhe deri sa ndërroi jetë në vitin 1965 kush mund të thotë se ai u tregua aq dritëshkurtër sa të hynte në shërbim të regjimit të Tiranës?

Në të vërtetë, në këtë përvjetor që u mbush më 6 janar 2008, Fan Nolin nuk ka nevojë ta kujtojë ky shkrim, madje ai në thelb nuk u bë për të sjellë në vëmendje të shqiptarëve veprën e tij historike. U shkrua thjesht për të lënë (po të mundej) një gjurmë modeste në morinë e punëve të shumta ditore të politikanëve tanë të këtij fillimshekulli. Ata mund të japin më shumë për të. Jo të bëjnë më shumë për të. Të japin më shumë do të thotë ndonjëherë edhe të kenë ambicien për t‘iu afruar përmasave të tij.

Nuk është punë aq e pamundur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora