Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


"Ethet", nis gara e madhe e talenteve

| E marte, 08.01.2008, 12:27 AM |


Fitues do të jetë një, por të gjithë do të bëhen të famshëm në pak javë

Nisi mbrëmë në "Top Channel", spektakli i famshëm muzikor "Ethet", që mban firmën e moderatorit dhe gazetarit të njohur Adi Krasta. Por kësaj here në bashkëpunim me "Top Channel" si për të realizuar natyrshëm, përputhjen po të natyrshme mes treguesve më të lartë të avancës televizive në të gjithë komponentët. Krasta ishte tërësisht ndryshe mbrëmë, siç është shfaqur i tillë edhe në emisionin e çdo mëngjesi "New Day" në "Top Albania Radio" dhe "Top Channel"; ndryshe në performancë, por po me atë individualitet të spikatur gjysmëgazetaresk e gjysmëaktoresk, duke ofruar një shije të re, pa rënë në grackën e hidhur të konsumimit. Edhe "Ethet" e mbrëmshme, si një produkt i tij nën shenjën e "Top Channel", erdhën tërësisht të rifreskuara brenda një origjinaliteti që ndante jo thjesht në kohë edicionin e ri nga ata të kaluarit. Kjo, në sajë të një skenografie të jashtëzakonshme të Fatmir Mingës, e më pas ndriçimit spektakolar, kamerave, kualitetit audio, regjisë së Pali Kukes, skemës së re të konkurrimit dhe të gjithë aksesorëve të tjerë, që edhe pse me peshë më të vogël, gjithsesi përcaktuese në "qepjen" e tërësishme të spektaklit. Një risi ishte dhe juria me anëtarin më të ri krahas 4 klasikëve, muzikantin dhe regjisorin e njohur në "Top Channel", Bojken Lako. Ndërsa në skenë, risia më e madhe, e theksuar dhe nga moderatori Krasta, është përfshirja në interpretim e disa prej performancave më të njohura muzikore, të konsideruara si gurrë kilometrikë në rrugëtimin e kinematografisë hollivudiane, realizuar mjeshtërisht dhe nga trupa e baletit e "Top Channel", e cila do të jetë pjesë e pandashme e së dielave të mëdha të "Etheve" për më shumë se dy muaj. Por risi më e madhe, ajo fare e madhe e thelbësorja, siç e theksoi dhe Krasta në fillim të spektaklit, është se të 10 konkurrentët janë të rinj.

Mbrëmë, salla e mbushur përplot e Teatrit të Operës dhe Baletit, ishte dhe shenja e parë e një fillimi të mbarë si garanci e realizimit të përkryer të gjysmës së punës.

Deri në natën e mbrëmshme, "Ethet" kanë bërë një rrugëtim të gjatë disa mujor, të nisur nga audicionet nëpër qytetet kryesore të vendit si dhe në Prishtinë. Është llogaritur që 7 mijë konkurrentë të jenë paraqitur para jurisë, duke testuar talentin, ku siç kuptohet 6 mijë e 9 qind e 9 dhjetë prej tyre kanë provuar shijen e hidhur të skualifikimit. Më fatkeqit kanë qenë sigurisht ata, të cilëve u është treguar dera nga maestro Kaçinari, gjithsesi pa provuar ndonjë gjuajtje me këpucë!.

Më pas, audicionet e njëpasnjëshme deri tek ai në të ftohtin e dhjetorit në mes të stadiumit "Qemal Stafa" dhe te salla e Teatrit të Operës, por pa spektatorë, shtrydhën deri në 10 numrin e konkurrentëve, me një raport pak të skajshëm gjinor: Një djalë e 9 vajza. Mes tyre, katër nga Tirana, tre nga Kosova, dy nga Shkodra e një nga Kavaja. Janë që të gjithë "bombë" në talent sipas Adi Krastës, i cili është shumë i bindur në suksesin absolut të edicionit të radhës. Ajo që e lumturon më tepër është fakti se nuk ka mundur dot të huazohet, ose thënë troç, në thelbin shqiptar të fenomenit, të mos vidhet haptazi e sy për sy. Edhe kjo sipas tij e bën të suksesshëm e mbi të gjitha dhe gjigandizmi teknologjik i "Top Channel"-it si dhe mjeshtëria e mbetur gjithnjë në zenit e Pali Kukes. Formula e re e konkurrimit të dhjetëshes u bë e ditur që mbrëmë në natën e parë. Këngët dhe lloji i rrymave për interpretim, të vlefshme për të gjithë konkurrentët, përcaktohen nga juria. Natën e parë u interpretuan hite të rrymës pop-alternativ, si dhe të pop-it monumental klasik të emrave si Mariah Carey, Whitney Houston, Celine Dion e George Mickael. Dhe për çdo mbrëmje të diel, gjatë 9 javëve konkurrim, do të vijohet me këtë skemë, por duke aplikuar rryma të ndryshme dhe rrjedhimisht stile dhe lloje të ndryshme interpretimi. Kësaj i thonë që çdo konkurrenti t‘i merret maksimumi i mundshëm i talentit dhe i aftësisë së interpretimit, në një proces shtrydhjeje, që vjen pas seancash të gjata dhe të lodhshme provash me ta, duke u rritur profesionalisht, gjersa kur mbërrijnë në maja, nuk e njohin më as veten, nga ajo që ishin dhe nga ajo që u shndërruan brenda disa muajve. Ky është dhe një aspektet më magjikë të "Etheve" si dhe thelbësori e ashti i këtij lloj spektakli; që nga një anonimitet absolut, i çon të talentuarit në një famë absolute. E në këtë rrugëtim ndodh mrekullia e shndërrimit nga një profan, por me pak talent, në një profesionist, ku talenti është zëvendësuar me një punë kolosale. Sigurisht kjo nuk është e panjohur në jetët njerëzore. Dhe është madje e zakonshme në kuadër vitesh. Ndërsa në rastin e "Etheve", e veçanta dhe e rralla është se ky shndërrim ndodh në disa muaj. Dhe, publiku ka rastin ta shohë këtë mrekulli në 9 javë, çdo të diel në mbrëmje në "Top Channel".


Emrat e 10-të konkurrentëve të "Etheve"

(Vetvetiu në 9 javë do të mësohen përmendësh nga çdo shqiptar)


Marjela Billa - Tiranë

Xhensila Myrtezai - Tiranë

Kejsi Tola - Tiranë

Himena Ymeri - Tiranë

Fatlum Zeka - Prishtinë

Evin Thana - Prizren

Dorina Xërxa - Gjakovë

Dorina Garuci - Shkodër

Rezarta Smaja - Shkodër

Simona Karafili - Kavajë

Shqip