E premte, 19.04.2024, 08:32 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Biografia e Aurel Plasarit në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar

E marte, 11.01.2011, 08:46 PM


Biografia e Aurel Plasarit në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Në enciklopeditë ndodh rëndom që sa më herët të ketë jetuar njeriu të cilit i bëhet jetëshkrimi, aq më i mangët është jetëshkrimi. Në çdo Enciklopedi serioze është e paimagjinueshme që të ketë mangësi në jetëshkrimin e një njeriu që është gjallë, aq më tepër kur kjo enciklopedi është bërë në shekullin XXI. E megjithatë kështu ka ndodhur me Aurel Plasarin në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. Në vëllimin e tretë të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, jepet kjo biografi e Aurel Plasarit, e shkruar nga Nashko Jorgaqi:

“Plasari Aurel (1956-). Studiues, shkrimtar, përkthyes. Lindi në Tiranë ku kreu edhe studimet universitare për gjuhë dhe letërsi në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të UT. Ka punuar në shtypin letrar; më pas vijoi punën si pedagog i estetikës në UT, lektor në INALCO (Paris).

Prej vitit 1988 (?) është drejtor i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Në fushën e studimeve letrare dhe historike ka botuar: ‘Don Kishoti zbret në Shqipëri’ (1990), ‘Vija e Teodosit rishfaqet’ (1993), ‘Fenomeni Voskopojë’ (2000), ‘Rrëmbimi i Europës’ (2005), ‘Skënderbeu, Një histori politike’ (2008). Është autor i romaneve ‘Dhjetë ditë që nuk tronditën botën’ (2002) dhe ‘Lufta e Trojës vazhdon’ (2004). Ka përkthyer nga letërsia botërore autorë të njohur si F. Dostojevski, G. Lorka, A. Ahmatova, G. Marquez, O. Fallaci”. (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, vëllimi i tretë, Tiranë 2009, f. 2034)

Që prej kohës kur është botuar Fjalori Enciklopedi dhe deri më sot, pra për më tepër se një vit kohë, Aurel Plasari nuk ka bërë asnjë ankesë publike për mënyrën se si është shkruar biografia e vet. Kjo do të thotë se Aureli është i kënaqur, se ai nuk është nga ata njerëz që hesht kur i preket interesi. Derisa Nashko Jorgaqi hyn e del në zyrën e Aurel Plasarit, madje ky e ka bërë edhe anëtar të Këshillit Shkencor të Bibliotekës Kombëtare, atëherë mund të thuhet që biografia e Aurel Plasarit në Fjalorin Enciklopedik është shkruar në zyrën e këtij të fundit.

Ajo që të bën përshtypje që në fillim në këtë biografi është se shkollimi universitar përfshihet në të njëjtën fjali me lindjen. Nuk jepen as datat e fillimit dhe përfundimit të shkollimit universitar. Kjo bëhet për faktin se Aurel Plasari i ka filluar studimet universitare në vitin 1983, me korrespondencë dhe i ka përfunduar në vitin 1990. Kohëzgjatja e studimeve tej normales erdhi se heroin tonë intelektual e rrëzoi në provim profesor Fatmir Agalliu. Më tutje në biografinë e Aurel Plasarit nuk thuhet që ai të ketë kryer studime pasuniversitare, as të gradës master, as të doktoraturës. Natyrisht se kjo nuk ka si të thuhet, se heroi ynë nuk i ka kryer ato. Një gjë tjetër që të bën përshtypje në këtë biografi të Aurel Plasarit është se në listën e librave të botuar prej tij nuk përmenden “Kuteli mes të gjallëve dhe të vdekurve”, si dhe “Letërsia dhe muret”. Nëse ky është tregues se Aurel Plasari ka filluar të heqë dorë prej librave të vjedhura nga autorë të huaj, kjo është një shenjë e mirë, por ai ka ende për të fshirë tituj nga lista e librave të tij.

Edhe punët që ka kryer Aurel Plasari në kohën e komunizmit kapërcehen me një gjysmë fjalie, e cila më e shkurtër nuk bëhet (“Ka punuar në shtypin letrar”). Aurel Plasari në shtypin letrar filloi punë në vitin 1983, në revistën letrare “Nëntori”, si redaktor i letërsisë së huaj. Ai filloi punë në revistën kryesore letrare në vend, pikërisht në vitin që filloi studimet universitare. Prandaj Aurelit nuk i konvenon që të thotë se kur i ka filluar dhe përfunduar studimet universitare dhe kur filloi punë në “shtypin letrar”. Se atij do t’ i duhet që të japë shpjegime se si filloi punë tek revista “Nëntori” pa një diplomë universitare.

Pastaj, pse nuk thotë Plasari se ku ka punuar para se të shkonte tek revista “Nëntori”? Apo se do t’ i duhet që të thotë se ka punuar si korrektues në Shtëpinë botuese “8 nëntori”, e cila botonte literaturën politike të regjimit komunist, duke përfshirë edhe librat e vetë Enver Hoxhës? Natyrisht se Aureli nuk e thotë dot këtë, se do t’ i duhet që të shpjegojë se si punoi atje pa pasur një diplomë universitare. Gjithashtu Aureli nuk parapëlqen që të thotë se para vitit 1983 ka punuar edhe si përkthyes me kohë të plotë se do t’ i duhet që të shpjegojë se si ia dhanë këtë detyrë, pa pasur një diplomë universitare. Në kohën e diktaturës komuniste të gjitha këto enigma kishin vetëm një shpjegim, të cilin e personifikon autori i biografisë së Aurel Plasarit, Nasho Jorgaqi, romancieri zyrtar i Sigurimit të Shtetit, autor i kryeveprës së letërsisë sigurimse, “Mërgata e Qyqeve”.

Nasho Jorgaqi në biografinë e Plasarit, e ka justifikuar famën e vet, duke e përmbledhur në një gjysmë fjalie punësimin e Plasarit në kohën e diktaturës komuniste dhe në gjysmën tjetër të fjalisë, punësimin e tij pas vitit 1990, kur thotë: “më pas vijoi punën si pedagog i estetikës në UT”.

Vitin përsëri nuk e thotë. Aurel Plasari filloi punë si pedagog i estetikës në vitin 1993. Madje një vit më pas ai u bë dhe zëvendësdekan në katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin Filologjik. Këtë gjë e di mirë biografi i tij, Nasho Jorgaqi, se ky atëherë ka qenë anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit dhe në këtë cilësi ka pasur një debat shumë të ashpër me Aurel Plasarin në mbledhjen e Këshillit. Pasi Aureli filloi që ta ngacmonte Nashon në mbledhjen e Këshillit, ky iu kthye duke i thënë se Aureli nuk duhet që ta mbante atë post se nuk kishte asnjë kualifikim shkencor. Pas kësaj Aureli botoi një shkrim tek gazeta “Zëri i Rinisë”, ku e akuzonte Nasho Jorgaqin se ka shkërdhyer biografinë e Qemal Stafës. Sot Aureli nuk e bën një akuzë të tillë për biografinë e tij që e ka shkruar Nashoja, se tashmë Aureli është pajtuar me Nashon dhe biografinë e kanë shkruar së bashku në zyrën e Aurelit.

Më tutje, në biografinë e Aurel Plasarit, edhe kur thuhet se punoi si lektor në INALCO, Paris, nuk thuhet se kur filloi punë atje dhe kur u largua. Aurel Plasari shkoi në INALCO (Institut National des Langues et civilizations orientales) në vitin 1995 dhe qëndroi atje vetëm një vit. Në vitin 1996 u rikthye në Shqipëri. Aureli u largua pa dëshirën e vet nga INALCO, se e kishte kërkuar shumë atë vend pune, dhe e kishte siguruar me mbështetjen e Presidentit Berisha, në shërbim të të cilit ishte në atë kohë. Por Aureli u detyrua që të largohet nga INALCO se atje panë që ai nuk e njihte gjuhën franceze në masën që duhej për të qenë lektor në INALCO, madje frëngjishtja e tij ishte shumë larg asaj që duhej të zotëronte një lektor i INALCO. Aurel Plasari bëri në INALCO figurën e atij personazhit të Konicës, Denizullu Serpe, ambasadorit të Zullulandit, i cili u bë qesharak në Paris me frëngjishten e tij. Që lexuesi ta kuptojë sharlatanërinë e Plasarit në këtë rast, mjaft të shikojë se si në biografinë e tij në Fjalorin Enciklopedik, të cilën e citoj më lart, nuk përmendet asnjë përkthim nga autorë francezë. Atje përmenden autorë rusë, spanjollë dhe italianë. Në të gjitha këto gjuhë Plasari ishte amator dhe jo studiues profesionist.

Në biografinë e Aurel Plasarit në Fjalorin Enciklopedik, nuk thuhet as se që prej vitit 1993 dhe deri në vitin 1997 ka qenë kryeredaktor i revistës “Hylli i Dritës”, revista tradicionale e franceskanëve shqiptarë. E pra, të bën përshtypje fakti se kjo gjë thuhet në biografinë e Aurel Plasarit tek libri “Gazetarë dhe publicistë shqiptarë”, i botuar në Tiranë, në 2005. Në këtë libër, në faqen 336 thuhet për Aurel Plasarin: “Gjatë viteve 1993-1997, që prej numrit të parë, kryeredaktor i edicionit të ri të revistës ‘Hylli i Dritës”. Biografinë e Plasarit në librin “Gazetarë dhe Publicistë Shqiptarë”, e ka shkruar vartësi i Aurel Plasarit në Bibliotekën Kombëtare, Maks Gjinaj, shefi i sektorit të bibliografisë, në Bibliotekën Kombëtare. Kjo do të thotë se biografinë e Aurelit Plasarit e ka shkruar vetë ky i fundit në zyrën e vet, në vetën e tretë. Tashmë, Aureli nuk përmend këtë fakt në biografinë e shkruar për të në Fjalorin Enciklopedik se me sa duket e ka mizën nën kësulë që kishte shkuar tek franceskanët me mision si ai personazhi i romanit të Nasho Jorgaqit, “Mërgata e Qyqeve”, Manush Kelmendi, alias Isuf Mullai.

Një tjetër gjë që të bën përshtypje në biografinë e Plasarit, të shkruar nga Nasho Jorgaqi është se thuhet që Plasari u bë drejtor i Bibliotekës Kombëtare në 1988, kur kjo gjë ndodhi në 1998. Dreqi e mori këtë punë, në një botim enciklopedik të Akademisë së Shkencave, nuk mund të bëhen lapsuse të tilla, aq më tepër kur ky nuk është i vetmi lapsus. Por me sa duket Nashoja e dinte se ishte planifikuar që në 1988 nga regjimi komunist, në kuadrin e skemës së Katovicës, që Aureli të bëhej drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Një tjetër “lapsus” në biografinë e Plasarit është se atje thuhet që Aurel Plasari e ka botuar në vitin 2008 librin “Skënderbeu, një histori politike”. Por Aureli këtë libër e ka botuar në vitin 2010. Në vitin 2008 është botuar libri për Skënderbeun i Oliver Jens Schmitt. A mos ndoshta Nasho Jorgaqi po dekonspiron autorësinë e Plasarit në të dy librat? Se në librin e Plasarit për Skënderbeun, edhe pse nuk lihet libër i autorëve të huaj për Skënderbeun, pa u përmendur, çuditërisht libri i Oliver Jens Schmitt nuk përmendet?!

Në biografinë e Plasarit në librin “Gazetarë dhe Publicistë Shqiptarë” thuhet se: “Më 1994 u laurua edhe ‘Doktor në letërsinë e krahasuar”. (f. 336) Në Fjalorin Enciklopedik çuditërisht mungon kjo e dhënë. A mos ndoshta kjo shpjegohet me atë shprehjen “Në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari”, domethënë në këtë botim akademik Plasari nuk mund ta përmendte doktoraturën e vet të cilën e fitoi me një tekst të cilin ai as që guxon që ta botojë, aq qesharak është.

Në Fjalorin Enciklopedik, ka shumë më tepër data në biografinë e Skënderbeut dhe të Ali Pashë Tepelenës, se në biografinë e Aurel Plasarit. Ky njeri megjithatë është prej 12 vitesh drejtor i Bibliotekës Kombëtare. 



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora