E premte, 29.03.2024, 10:49 AM (GMT)

Mendime

Ndue Dedaj: Rruget e "kronikes se zeze"

E hene, 07.01.2008, 11:20 PM


Rruget e "kronikes se zeze"

(Cikli: Quo vadis, Shqipëri?)

Nga Ndue Dedaj

Ku po vemi kështu, Shqipëri? Përditë me arkvarr mbi supe? Si në ditët e fundvitit që lamë pas, si në javën e parë të vitit që nisëm? Vetëm shtatë ditë ka që ka hyrë 2008-a dhe rrugët e Shqipërisë gjithandej janë përgjakur. Viktimat nga kjo betejë e paemër nuk kanë të sosur, nga dy, tre, katër të vdekur njëherësh… Pse t‘ia risjellim lexuesit edhe njëherë kronikën e vdekjes së rrugës, pasi ai është i trishtuar prej saj orë e çast, me sytë e pandarë nga ekrani. Pa u mbyllur një ceremoni mortore, ka nisur tjetra. Në Vorë, në Lezhë, në Gramsh, në Shkodër. Rruga në këtë vend nuk ka më besë. Rruga të merr sot njëlloj si lufta dje. Mbi 400 të vdekur në "autostradë" gjatë vitit të kaluar, 16 të tjerë vetëm këtë javë. Renditen si shkaqe të kësaj katastrofe rrugore (njerëzore), shpejtësia, alkooli, rrëshqitja për shkak të ngricës, rëndimi i qarkullimit prej ardhjes së emigrantëve, përdorimi i mjeteve nga personat pa patentë dhe deri te adoleshentët etj. Të gjitha këto qëndrojnë, por janë nga ato lloj shkaqesh që sikur i faturohen gjithnjë atij që qarkullon në rrugë dhe nuk përmendën dhe ca shkaqe të tjera, që kanë të bëjnë me atë që e ka për detyrë ta administrojë, kontrollojë dhe vërë qarkullimin nën pushtetin e rreptë të ligjit. Vërtet gjithnjë e më pak thuhet se policët rrugorë marrin ryshfet dhe kjo është sigurisht një gjë për t‘u shënuar, por a e kryejnë ata ndërkohë gjithkund dhe në çdo çast detyrën e tyre të shenjtë? A e ka kontingjenti policor i këtij shërbimi gjithë infrastrukturën e nevojshme për punë? Sidomos kur gjendja e aksidenteve rëndohet, si këto kohët e fundit, që nuk po njeh cak, a thua lipsen masa përforcuese, mbështetëse për këtë shërbim?

Ana tjetër e problemit, mbase kryesorja, është se rrugët e reja, ato që rëndom i quajmë autostrada, nuk janë ndërtuar në parametra teknikë, përderisa viktimat nga aksidentet në to, shpesh janë më të shumta se në rrugët e ndërtuara në vitet ‘60, madje dhe se në rrugët malore të paasfaltuara. Do të mjaftonte për këtë vetëm "nekrologjia" dhjetëvjeçare e aksit rrugor Fushë-Krujë - Milot - Lezhë, i cili, edhe pse në të dyja anët është i mbushur me vendbanime dhe pika biznesi, nuk ka askund nën - apo mbikalime! Siç nuk ka të tillë edhe aksi modern Lezhë - Shkodër! Ndërkohë, policia vendos gjoba pas gjobash për drejtuesit e automjeteve, të cilët nuk kanë se ku të parkojnë, pasi nuk ka vende për parkim, nuk ka rregull në linjat apo vendqëndrimet e autobusëve interurbanë, furgonëve etj. Trafiku i kryeqytetit është i zhytur në kaos dhe as policët, as semaforët nuk mund ta shmangin atë, po qe se problemi nuk zgjidhet njëherë e mirë me anë të ndonjë projekti ambicioz bashkëkohor. Uniformat blu mblidhen për të analizuar gjendjen kritike të qarkullimit dhe sidomos atë të aksidenteve, por a nuk është urgjente që problemi i mbi(nën)kalimeve, sinjalistikës apo lehtësuesve të tjerë rrugorë, të zgjidhet në bashkëpunim me ata që e kanë në dorë përmirësimin e kësaj infrastrukture, si Ministria e Transporteve, Bashkia e Tiranës etj.

Teksa ndiqnim përmes ekranit shoqërimin që iu bënte policia autobusëve të studentëve kosovarë në rrugët me borë dhe akull të Kukësit, jo rastësisht na erdhi në kujtesë një ngjarje e përjetuar, jo atje larg në kreshtat e maleve, por në Tiranë. Pak kohë më parë, një punëtor dyzetvjeçar, ashtu i lodhur e me djersën e patharë në trup, u nis të kalonte autostradën në Laprakë, diku përballë "Fiatit", por nuk mundi të hidhej matanë. Një makinë që vinte me shpejtësi, mes lumit të makinave që ecnin "çmendurisht", e mbështolli mes rrotave duke e lënë të vdekur në vend. Kaq ishte jeta e një njeriu! Sa hap e mbyll sytë, ai ishte shndërruar në një "përgjakje" autostrade, në një lajm të orës së fundit për mediat dhe në një mortje të përzishme për familjarët e tij. Kishte ndodhur pikërisht në kryeqytet aksidenti. Fare pranë Zogut të Zi, atij "zogu" që tashmë shqiptarët ia dinë mirë historinë më të re, atë politike, ku qenë përplasur si dy rrufe në mot të kthjellët, qeveria lokale me qeverinë qendrore... Ai njeri i ndjerë dhe ata të tjerët, që kohë pas kohe kishin humbur jetën si ai, thjesht duke kaluar rrugën, do t‘i kishim gjallë sot, nëse ajo rrugë (ato rrugë) do të kishin thjesht ndonjë mbi - apo nënkalim. Nuk do të kishim në vend të tyre ata lapidarët e trishtë pas çdo aksidenti. Familjet e tyre nuk do të kishin pësuar fatkeqësinë tragjike të humbjes së njerëzve të dashur. Shqipëria jonë do të ishte më pak e aksidentuar, do të ishte përkundrazi më e plotë, më e qytetëruar. Por situata në të cilën gjendemi përditë të rrezikuar, tregon se kambana ende nuk po bie fort në veshët e qeverisësve tanë, atyre që i mandatojmë çdo katër vjet, jo për të qenë përditërisht e përjetësisht në sherre politike mes tyre, por për të na shërbyer, për të na i bërë ato mbikalimet apo nënkalimet, që rrugët t‘i kapërcejmë pa vdekjen në rrëzë të veshit, për të na i pastruar kanalet dhe kontejnerët, për të na i mbajtur dritat ndezur etj. Ja, për këto punë të thjeshta e të vogla të përditshmërisë sonë të pluhurosur e të varfër i votojmë ne ata burrat e rëndë që na shohin si padashur përtej xhamave të errët të makinave të tyre luksoze... Pastaj zëre se i kemi votuar dhe për ato problemet e mëdha të zhvillimit, modernizimit dhe integrimit. Dhe kur ata nuk na e bëjnë atë mbikalimin e Laprakës, apo gjithkund nëpër autostradat ku ka popullim dhe popullatë, ne prapë nuk ndihemi, nuk dalim në protestë, si për atë Zogun e Zi, ku na nxirrte herë politika e majtë e herë ajo e djathtë për interesat e veta. Kjo nuk ndodh, pasi ne ende nuk jemi një komunitet aktiv dhe i emancipuar. Ashtu siç përgjegjësia nuk është e gjithë te strukturat shtetërore, por dhe te ne vetë, që nuk e marrim në sy rrezikun, sa ai nuk ka ndodhur. Vetëm kur ngjarja ndodh, nga tronditja apo pikëllimi, ne u thërrasim vlerave të jetës, por prapë harrojmë shpejt. Prapë "nxitojmë", pa e ditur se ku vemi ashtu, drejt theqafjes më sot e më nesër. Është edhe kjo një çështje themelore, për të cilin shoqëria nuk punon, përmes shkollave, mediave, shoqatave etj. Nëse policit i kërkojmë me të drejtë përgjegjësi në përmbushjen e misionit të tij, vetes lipset t‘i kultivojmë përgjegjshmërinë individuale dhe komunitare, për lëvizjen dhe gjithçka tjetër që lidhet me rregullat, normat dhe kodet e një shoqërie të hapur e në zhvillim.

Nga mungesa e infrastrukturës rrugore moderne, kuptohet që do të ndodhin aksidente. Veprat publike qëllon që bëhen ose përgjysmë ose me mungesa që në projekt, sipas një mendësie të kapërcyer, më mirë pak se hiç. Por ritmet e sotme të zhvillimit urban nuk lejojnë që projektet të realizohen copa-copa, nga paaftësia, shpërdorimi, sensi i tepruar i kursimit etj. Na duhet të mësohemi njëherë e mirë që gjërat t‘i bëjmë tamam, pasi atë që e lëmë mangut sot, e vuajmë nesër. Ndoshta nuk është herët që të paktën në pikat kryesore të ketë edhe kamera që vëzhgojnë rrugën, makinën, kalimtarin, policin. Nuk është faji i kalimtarëve që shtëpinë e kanë në këtë anë të rrugës, kurse shkollën, spitalin, furrën e bukës në anën tjetër të saj. Si të bëjnë ata për të kapërcyer "lumin" e rrëmbyer të trafikut? Na qëllon pastaj, si udhëtarë, të gjendemi në "vendngjarje", kur sapo ka ndodhur aksidenti i radhës, duke kthyer kokën e mërmëritur me trishtim: "i shkreti..." Për njeriun që kishte mbetur aty si një kujtim i ngrirë, njeriun që nuk ishte më. Rastësisht nuk ishte. Rastësisht kishte vdekur, sepse në këtë vend rastësia është më së shumti ajo që të merr jetën... në rrugë, në skelat e pallatit në ndërtim, në galeritë e thella të minierës. Aty ku është njeriu, por nuk është normaliteti, rregulli, ligji. Nuk është ai që lipset të jetë, shteti...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora