E premte, 19.04.2024, 05:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli & Çlirim Uça: Kosova dhe pseudoshteti i së drejtës

E marte, 11.01.2011, 09:00 PM


K O S O V A

DHE PSEUDOSHTETI I SË DREJTËS

 

Nga  DANIEL GAZULLI ÇLIRIM UÇA

 

Ballafaqimi i Shtetit të së Drejtës me zbatimin real dhe material sot në Kosovë asht një nevojë e imponueme, jo një çashtje teorike.

Nëse me Shtet të së Drejtës nënkuptojmë mbrojtjen e epërsisë të së Drejtës e gjithë lidhjet e saj me liritë e individit, atëherë mund të pohojmë se Shteti dhe Qytetari sot në Kosovë janë në antagonizëm egzistencial.

Koncepti i Shtetit të së Drejtës presupuzon që veprimtaria e Shtetit do tu nënshtrohet gjithmonë ligjeve në fuqi, joqë ai do të jetë për ma tepër garant i respektimit të normave të së drejtës, që kanë në themel të tyne Kushtetutën Kombtare apo të Shtetit, pse në rastin specifik të Ksovës, ajo ma shumë se një Kushtetut Kombtare duhet marrë si Kushtetutë e Shtetit dhe kaq.

Nuk themi gja të re nëse kujtojmë se me Shtet të së Drejtës në rastin tonë kuptojmë afirmimin e fundit të pushtimit serb e bashkë me te, të absolutizmit, apo diktaturës komuniste. Kjo pritej të sillte edhe një shestim demoratik të Shtetit, në respektimin e të drejtave sociale dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike si në prodhim kombtar ashtu edhe në rritjen e nivelit të jetesës së qytetarëve. Të drejtat civile e politike nuk kanë vetëm një aspekt të tyne formal (legjislacionin), por dhe nje realizim konkret e material në të mirë të shtetasve. 

     Natyrisht, edhe ana formale ka randësinë e vet. Ajo konsiston në radhë të parë në ndamjen e pushteteve: pushtetit legjislativ, pushtetit egzekutiv dhe sistemit të drejtësisë. Mbivumja e njenit mbi tjetrin, aq ma keq mbivumja e një individi, një klani apo një partie mbi këto të drejta e mosrespektim i ndamjes së pushteteve, çon jo formalisht, por materialisht në dobësimin e Shtetit të së Drejtës, e thanë ma thjeshtë – të demokracisë, e deri në vendosjen e një forme të re diktatoriale të pa përligjun nga ana formale (me legjislacion), por reale materialisht.

     Paraprakisht duhet thanë se edhe pa këto elementë, aq evidentë në mjedisin e përditshëm në Kosovë, parimi se e drejta asht themel dhe njëherësh detyrim për veprimtarinë e Shtetit, tue ba që ajo veprimtari t’i shkojë në ndihmë e mbështetje të popullit që udhëheqë (e jo sundon), segmentë të caktuem të Shtetit në Kosovë kanë ba që këto themele të tranden aq randë sa momentalisht duket pa rrugëdalje, nëse ngjarje me të vërtetë madhore nuk ia ndalin klasës politike hakërrimin përvers ndaj interesave të bashkësisë.

     A mund të flitet sot për respektim dhe mbrojtje të dinjitetit të individit kur në vend të drejtësisë vepron policia politike, kur barazia para ligjit asht veç se një mirazh i papërceptueshëm për qytetarët, kur të drejtën e femnes e nëpërmbkambin forca regresive dhe Shteti ose heshtë, ose edhe bashkpunon me to,  kur mbështetja e institucionit të familjes, si një nga detyrat themelore të Shtetit, as që përfillet, kur arsimi gjendet në ditë të hallit, shëndetësia aty e ma keq, ndërsa puna, që në shumë kushtetuta e përcaktojnë si bazën kushtetuese të shtetit, asht kthye në një previlegj të një klase klanore, nepotike, korruptive e shpesh herë edhe kriminale? Sigurisht që jo.

     Pikërisht kjo gjendje e trishtueshme na detyron me kthye kryet mbrapa e me analizue prej nga vijmë, e shpesh, sa dridhemi kur e mendojmë, në disa aspekte ishim ma mirë atëherë se sa sot.

     Le të përshkojmë shkurtimisht gjendjen tonë që para 30 vjetëve.

      Shqiptarët e Kosovës, mbasi i kishin shpëtue një fushate të gjatë e të egër terrori dhe spastrimi nga politika shoviniste serbe, 10 vjet mbas realizimit të Statusit të Krahinës Autonome, patën shënue jo pak përparime në fushën politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore.

Në vitin 1980 Shqiptarët e Kosovës gëzonin këto të drejta:

- Gëzonin statusin e Kombësisë;

- Gjuha shqipe ishte njohë si gjuhë zyrtare. U lejue Flamuri Kombtar;

- Rendi dhe siguria kishin arrijtë në nivele të pranueshme;

- Sistemi  shëndetësor dhe arsimor u brazue me të kombeve të tjera te RFJ;

- Gëzonin të drejtat politike të qytetarit jugosllav;

- Verimtaria jashtë të drejtave simbas kushtetutës jugosllave, ishte i dënushem (pra, për fjalën Liri, Republikë dhe Shqipni kishte burg të randë);

- Përspektiva ekonomike mungonte. Në vitin 1980, ish sistemi i vetëqeverisjes socialiste në mbarë hapsinën jugosllave kishte hy në krizë të plotë. Ndërkaq në Kosovë, korrupsioni, nepotizmi, vjedhja, ndjenja anmiqsore ndaj pasunisë së një shteti të huej, po edhe mbrapambetja kulturore, kishin ba që kjo krizë të ishte shumë ma e ashpër se në pjesët tjera të Jugosllavisë.

- Mundësia e vetme ekonomike mbas fundviteve 70 ishte mërgimi në treva të tjera të Jugosllavisë e sidomos në Përendim.

Me gjithë këto ndryshime, Kosova dallonte shumë nga pjesët tjera të Jugosllavisë në çdo pikëpamje, por sidomos në të drejta, mirëqenje e zhvillim.

Kjo ishte pak a shumë gjendja në Kosovë deri me 11 Mars 1981, kur shpërtheu vullkani që ndryshoi plotësisht botën shqiptare në Jugosllavi. LLava e atij vullkani ka vijue deri në vitin 2001, tue realizue çlirimin e Kosovës (1999) dhe arritjen e dy marrëveshjeve mbi realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore dhe në Maqedoni: Marrëveshja e Konçulit dhe Marrëveshja e Ohrit (2001).

Kanë kalue 11 vjet që kur Kosovarët kanë realizue andërren e tyne të shumëpritun: çlirimin nga robnija sllave. U shpall Shteti i Pavarun i Kosovës, madje si republikë demokratike.

     Të lirë, ta pavarun, shtet demokratik.

     Çfarë pritej që këto tre koncepte të ishin realitet e jo një parullë shabllon? Cila do të ishte baza e një shteti ligjor?

Në radhë të parë që të gjithë organizmat e Shtetit të veprojnë simbas ligjit dhe vetëm simbas ligjit. Qoftë pushteti administrativ, ashtu edhe ligjor (drejtësia) nuk kanë tjetër pushtet veç atij që ua ka dhanë ligji. Adminsitrata shtetnore do të duhej që jo vetëm të vepronte simbas ligjit, por të ishte edhe një garanci për zbatimin e tij. Natyrisht këtë rol duhet ta luejë në radhë të parë drejtësia, por ajo, sa për të meta të saj krejt të veçanta në rastin e Kosovës edhe si strukturë, qoftë pse asht e ndërvarun nga pushtete të tjera – çka asht një shkelje e randë e Shtetit të së Drejtës -, as asht e lirë të bajë në mënyrë të pavarun interpretimin ligjor, as asht e përgatitun si mendësi për ta ushtrue detyrën e kontrollit mbi ligjshmënminë e veprimtarisë së Shtetit, ashtu edhe të qytetarëve.  Por thembra e Akilit e Drejtësisë në Kosovë mbetet struktura e saj, e diktueme nga marrëveshje ndërkombtare, që praktikisht i heqin njenin prej pushteteve Republikës së Kosovës. Asht jashtë logjikës së çdo të drejte ndërkombtare që njenin prej pushteteve ta zotnojë institucione jashtë strukturës kushtetuese të Shtetit. Parlamenti inaktiv dhe institucioni i Presidentit në Kosovë kanë përgjegjësi për moskalimin plotësisht të sistemit të drejtësisë në strukturën e Shtetit të Kosovës. Institucionet apo shtetet mike e mbështetëse mund të shërbejnë si organe këshillimore, por kurrë ata nuk mund të jenë strukturë e pushtetit të pavarun të drejtësisë mbrenda një Shteti. Kjo anamoli duhet zgjidhë ngutshëm, por me pjekuni.  

     Në një analizë ma të thellë të gjendjes së Shtetit të së Drejtës në Kosovë do të dilte se ajo i përngjet të ashtuquejtunes demokraci organike apo funksuionale, një lloj organizimi politiko-adminsitartiv i ideuem nga fashizmi, diçka alternative qoftë demokracive liberale, ashtu edhe atyne të stampës marksiste. Në rastin e Kosovës prej saj merret ana ma negative: përjashtimi i nevojës që vendimet t’i nënshtrohen ligjit.

     Parimi bazë i ligjshmënisë në veprimtarinë e adminsitratës publike asht mbështetja në ligj e gjithë veprimtarisë së tyne, ku përcaktohen ç’pushtet mund te ushtrojnë e ç’pushtet nuk mund të ushtrojnë tej sa u njeh ligji.  

     Sa përkon veprimtaria reale e adminsitratës sonë publike me këto parime?

     Le të analizojmë ma hollësisht secilin prej sektorëve

Gjymtimi e demokracisë. Institucionet, nga kryetari i shtetit deri tek nëpunësi ma i thjeshtë, janë fusha tregu, ku grabitësit e votës, me mashtrime elektorale apo me vjedhje, tash e 10 vjet rresht, bahen pronarë të shtetit dhe të pasunive të tij. Kosova asht kthye në një parajsë për pronarët e shtetit (sado të duket paradoksal ky togfjalësh) dhe një ferr i vërtetë për njeriun e thjeshtë. Në mes të parëve dhe të dytëve nuk ekziston asnje lidhje mbi baza dhe interesa demokratike, por thjeshtë marrëdhanje nënshtruse, plaçkitëse, keqtrajtuese.

Paraliza e drejtësisëDrejtësia Kosovare asht sinonimi i padrejtësisë ma të shëmtueme në jetën e shtetit të ri. Ajo asht një shoqni kriminale e llojit të papërsëritshëm në vendet demokratike, në shërbim të pronarëve të shtetit sidhe pjesë e tyne. Kryeministri i Kosovës, z. Thaçi, para tre vjetësh qé shprehë “ Drejtësia Kosovare po fle mbi dosjet e krimit“. Tre vjet ma vonë, nga sasia e dosjeve të shtueme, vetëm sa mund t’i jetë ba shtrati edhe ma i butë.

Përjashtim nga kjo gjendje e turpëshme ban Gjykata Kushtetuse me disa vendime të guximshme që ka marrë gjatë vitit 2010.

     - Mungesa e sigurisë. Kosova e vitit 2010 dhe Kosova e vitit 1980, në fushën e sigurisë, kanë një dallim si dita me natën. Me sa dhimbje e bajmë këtë krahasim. Gjaja e parë që mund të thuhet sot sa i përket sigurisë në Kosove asht se të gjithë, mjaft të dëshirojnë me pasë një armë, apo edhe dy e ma shumë, se i kanë të gjitha mundësitë. Mbajtja e tyne tashma asht legale. Besoj se kjo asht e mjaftueshme me kuptue se çka do të thotë siguri, ma saktë, pasiguri në Kosovë. Ata që kanë vuejtë rrjedhojat e kësaj gjendje dramatike e dinë mirë ç’do të thotë kjo. Kush nuk e ka pësue ende, ka pasë rastin ta “shijojë” këte dukuni të trishtueshme nëpër dasma e gëzime të tjera. Për të na heqë turpin nga këto veprime janë kujdesë madje edhe politikanë e  Deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Policia e Kosovës ban një punë të admirueshme në luftë kundër këtij fenomeni, po suksesi i punës së saj asht i papërfillshëm nga mosveprimi i Drejtësisë Kosovare.

Shërbimi shëndetësor. Si ushujzat që thithin gjakun, mjekët tanë, me babëzi, kujdesen që tna lehtësojnë përfundimisht xhepat. Gjendja në spitalet e Kosovës asht ma e keqe se në kohë të Rankoviçit (Sa i dhimbshëm përsëri ky klrahasim, por jemi të deturuem me e ba). Sot ato janë tregje të pista, shpesh herë kriminale, çka shprehë mjerimin shpirtnor e moral që ka kaplue shoqninë dhe kombin tonë. Sot mungojnë statistikat mbi jetëgjatësinë, por dihet sa ajo po bie përditë tek ne.

     Arsimi. Institucionet arsimore të Kosoves janë shëndrrue në zyra ku lëshohen tituj, diploma, çertifikata, liçenca në vartësi të pareve që derdhë kërkuesi gjysëmanalfabet. Këta “të arsimuem” do të jenë kancer për ekonominë dhe shoqninë tonë nesër. Ata do të jenë jashtë çdo mundësie me konkurue në tregun e punës. Kjo do sjellë një ekonomi dështake dhe krizë të përherëshme.

     Kjo gjendje e trishtë asht krijue pikërisht nga mungesa e një klase politike të përgjegjëshme për të ardhmen e kombit.

            Ja disa fakte:

* Kryetari i Shtetit të Kosovës shkel Kushtetutën;

* Kryetari historik i Parlamentit të Kosovës dënohet për hajni;

* Kryetari i Parlamentit të të rijve të Kosovës shkarkohet për keqpërdorime;

* Guvernatori i Bankës së Kosovës ndiqet për hajni;

* Ministrat e Qeverisë së Kosovës ndiqen për hajni e megjithate vijojnë të jenë ministra.

Dhe 1000 fakte të tjera.

     Pasoja të kësaj gjendje të mjerueshme janë:

     Mbrapambetja ekonomike

Ekonomia Kosovare ushqehet me mjete burimesh jo të vetat (nga mërgata, bankat e fondet e hueja). Orteku burokratik dhe mafja politike kanë qenë dhe janë shkatrruesit e saj. Sot mjerisht ma të dëshpruemit, ata që nuk shtinë gjumë në sy, janë biznismenët e djerës. Fitimet e tyne i vjelin bankat dhe mafja e shitjes së ankandeve. Jemi vend ma i vorfën në Europë, po me banka të pasuna, që ofrojnë kredi që nga ndonjë herë shkojnë deri në 25% interes. Ndërkohë lulëzojnë burokratët dhe  mafja politike.

Industria e Kosovës, që asesi nuk mund të nënvlerësohej për cilësi, e ngritun me mundin dhe djersën e popullit të thjeshtë, në vend që të rivlerësohej, përfundoi në hekurishtë, apo pronë e mafjes piolitike.

Ky ambient i trishtueshëm ka qenë lehtësisht i përceptueshëm për investitorët e huej, prandaj edhe nuk ka ardhë kush të investojë në Kosovë, përjashto ndonjë që iu desht të bante riciklimin e fondeve me burime kriminale.

Gjendja Sociale.

Ekonomia e mjerueme e Kosovës në këta 10 vjet nuk ka mundë të shënojë ndonjë gjurmë sa i përket ngritjes së mirëqenjes në Kosovë. Nga viti ne vit vorfnia vetëm sa thellohet. Mbi 50 % e popullsisë asht pa punë, me përkrahje sociale me 70 € në muej ose edhe pa to fare. Ata që kanë ndonjë në mërgim, kohë mbas kohe mëshirohen me ndonjë ndihmë, por jo të gjithë e kanë këtë fat.

Qoftë edhe të punsuemit nuk jane në gjendje aq të mirë. Të ardhunat e ulta dhe çmimet e nalta, madje nganjëherë ma të nalta edhe se në vendet Përendimore, ban që të mos e përballojnë jetesën me të ardhunat që marrin. Tue pasë parasyshë ushqimin e mangët, ashtu edhe cilësinë e tij tejet të dobët, pa asnjë mbykqyrje e kontroll, cilësija e shëndetit të popullatës asht në ramje të vazhdushme. Shërbimet parësore të nivelit shumë të ultë, si ujësjellësi, ngrohja, rryma elektrike, shërbimet komunale, shërbimet shëndetësore, ato juridike, arsimore etj, bajnë që jeta e tyne sa vjen e përkeqësohet.

Rritja e numurit të vetëvrasjeve asht shprehësi ma i mirë i gjendjes së vërtetë sociale që mbretnon në Kosovë.

Kur themi mbrapambetje ekonomike, nënkuptojmë vorfni, e kur populli jeton në vorfni absolute, si asht sot populli i Kosovës, atëherë liria asht vetëm një iluzion

Kriza politike.  Pa i mbushë ende tre vjet nga dita e shpalljes së Pavarësisë, Kosova ra në krizë institucionale. Me këte u kompletuem me çdo lloj krize të mundëshme. Në kontekst të rrethanave të përgjithëshme, nuk ishte e pa pritun kjo krizë. Ishte vetem çashtje kohe, që ma në fund t’i përgjasonim në çka kanë ma të keqe shqiptarët e përtej kufinit e të  banim si po ndodh tash 20 vjet në Shqipninë e tradhëtueme prej lidërve të saj, nga Sali Berisha, te Fatos Nano, Ilir Meta apo Edvin Rama.

Në Kosovë nuk bahet fjalë për shkelje të të drejtave të njeriut, pse atje nuk ekziston fare koncepti dhe standardi i të drejtave të individit. Atje mbretnon ligji i xhunglës, simbas të cilit Luanit i takon gjitheçka, mandej hijenës, çakallit etj. Kështu ka të ngjamë se do të jetë edhe për shumë kohë, sepse janë vu me kohë të gjitha parakushtet e xhunglës.  

Ndotja e mjedisit

Ndotja e mjedisit në Kosovë ka marrë përmasa dramatike. Rrafshi i Kosovës pothujse asht i tejngopun nga ndotja e tri mjediseve: tokës, ujit dhe ajrit. Simbas  parametrave  ekologjike, kjo zonë e mbipopullueme sot asht jashtë parametrave normale të jetesës. Namin e zi të ish Gjigandit Trepça sot e kanë zanë Termocentralet. Në konkurrencë me këta të fundit, në rrethinat e Drenasit tash asht edhe Ferronikeli. Ne Han të Elezit “lider” në këte fushë asht „vrasësi“ Sharr Ciment. Banorët e këtyne zonave jetojnë çdo ditë me vdekjen në sy.

Vetëdija qytetare tepër e ultë asht një tjetër barrë e randë për fatin e mjedisit të tij jetik. Për një mbrojtje institucionale as që mund të bahet fjalë, mbasi edhe institucionet nuk janë ma nalt në konceptime e  veprime sa i përket mbrojtjes së natyrës.

Shkatrrimi masiv i Pyjeve të Kosovës ka qenë dhe asht akti ma kriminal i rrënimit të natyrës.

            Kaosi Urbanistik

S`asht pa domethanje që dëshmori i parë i ramë mbas luftës në Kosovë ishte pikërisht Drejtori i Urbanistikës në Prishtine, z. Rexhep Luci. Mesazhi i kësaj vrasje mjerisht në kohën e ngjarjes mbeti i palexuem. Si rrjedhim, Prishtina dhe mbarë Kosova ranë në një kaos urbanistik, ku gjithesecili ndërton simbas tekeve, herë me leje të babës e herë me vendime të bleme simbas kritereve të tregtisë së lirë. Kjo përvojë rrënimtare ka ba që tradita e vorfën e urbanizimit tek ne të vorfnohet edhe ma shumë.

Kriza morale

Populli Shqiptar asht përfshi nga një krizë morale e pashembullt për traditën dhe kulturën e tij tradicionale.

Vjedh kryetari historik i Parlamentit të Kosovës dhe mbasi ka marrë ndëshkimin, thotë  “të ketë fjetë mirë mbramë, si asnjëherë ma parë “.

Dorëhiqet Presidenti i Kosovës nga detyra për shkelje të Kushtetutës, por në vend që të kërkojë falje publike, pretendon të kundërten: „se nuk e ka shkelë ligjin“.

Qeveria mban në detyrë ministra të dyshuem. Bie qeveria mu si një mollë e kalbun dhe ikin ministrat pa e ça kryet për përgjegjësinë e tyne qytetare, elektorale e morale.

Kryetarët e partive, pa u mbyllë mirë kutitë e votimeve, dalin në konferenca shtypi dhe thonë se kanë fitue zgjedhjet. Pak ma vonë, si meret vesht se kanë humbë,  ngrejnë alibinë e vjedhjeve të votave.

Në Kosovë vidhet vota, shitëblihet vota, shitëblihet vendi i punës, drejtësia, shëndeti,  shërbimi, diploma etj. etj..

Kjo asht fytyra e një shoqnie amorale, të korruptueme në të gjitha nivelet, ku krimi i organizuem vepron në mënyrë legale dhe ku aktorët e tij mbesin të pandëshkuem.

              Thamë ma parë se “segmentë të caktuem të Shtetit në Kosovë kanë ba që këto themele të tranden aq randë sa momentalisht duket pa rrugëdalje, nëse ngjarje me të vërtetë madhore nuk ia ndalin klasës politike hakërrimin përvers ndaj interesave të bashkësisë.

            Cilët do të ishin këto ngjarje madhore?

            Asht kohë e një rebelimi të vërtetë demokratik. Me rebelim demokratik, e jo allashqiptarçe, kuptojmë guximin për të denoncue shtetarët sharlatanë, ushujza të popullit. Po për këte duhen edhe sakrifica, çka do të thotë se asgja nuk mund të arrihet nëse guximi nuk e kapërcen frikën.

            Si kudo e kurdo në histori drejt shtigjeve të reja një popull e udhëheqin mendtartë e tij, intelektualët. Kjo ndoshta asht pika ma e dobët e Kosovës sot: intelektualët janë kthye në zadhanës mjeranë të atij pushteti që duhej ta denonconin.

            Atëherë forca e vetme, e vërtetë, ashtu dhe shpresa e vetme mbetet vetëdijësimi i popullit se problemet tona nuk do të mund t’i zgjidhin as Brukseli e as Uashingtoni, po bashkimi kundër së keqes.



(Vota: 28 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora